Botohet në shqip romani “Unë e doja”, i autores franceze Anna Gavalda, një nga shkrimtaret më të suksesshme franceze.

Autori:  Anna Gavalda Titulli:  Unë e doja Përktheu:  Donika Omari Numri i faqeve: 162 Çmimi:  650 lekë Botues : Botimet LINUS ISBN :  978-9...


Autori: Anna Gavalda
Titulli: Unë e doja
Përktheu: Donika Omari
Numri i faqeve:162
Çmimi:
 650 lekë
Botues: Botimet LINUS
ISBN
978-9928-136-21-3

Adriani ka ikur. E ka lenë. Për një grua tjetër, më të re në moshë. Kloe bashkë me të dy fëmijët, ndjehet si e shokuar. Atëherë, Pieri, i vjehërri ndjen se duhet t’i rrijë asaj pranë e ta ngushëllojë. Dhe ashtu, në atë mënyrën e tij. Në vend që ta dënojë të birin për atë që ka bërë, duket sikur në një farë mënyre e adhuron. Dhe kështu gjatë udhëtimit që ndërmarrin së bashku për në fshat, ai i rrëfen asaj për jetën e tij, se si dikur dhe ai kishte takuar dashurinë e tij të madhe, por s’kishte arritur dot të gjente aq kurajë sa të linte familjen.... Dhe më pas kjo e kishte bërë të vuante aq shumë.... Dhe në këtë rrëfim të tij të papritur Kloe sheh një mesazh që i drejtohet asaj vetë...
Një roman që të godet drejt e në zemër, me një stil të paimitueshëm e sugjestiv, prej një prej shkrimtareve më të vlerësuara të viteve të fundit në Francë e në mbarë botën.

Lindur në vitin 1970, Anna Gavalda, autore e shumë përmbledhjeve me tregime dhe romaneve mjaft të suksesshme në Francë e në mbarë botën, konsiderohet sot si një nga shkrimtaret franceze më të suksesshme e të lexuara.


ANNA GAVALDA

UNË E DOJA
Roman






-        Ç’po thoje?
-        Po them se do t’i largoj që këtu për ca kohë. Do t’u bëjë mirë të shkojnë gjëkundi…
-        E kur kështu? – pyeti ime vjehrrë.
-        Tani.
-        Tani? S’e ke me gjithë mend…
-        Me gjithë mend e kam.
-        Ç’po flet…E di sa është ora? Po shkon njëmbëdhjetë…Pjer, ti…
-        S’po flas me ty, Suzanë, po i them Kloesë. Kloe, dëgjo, dua t’ju çoj larg që këtu. Si thua?
-       
-        S’të mbushet mendja?
-        S’di ç’të them.
-        Shko e merr plaçkat. Kur të jesh gati po nisemi.
-        S’më shkohet në dhomë.
-        Atëherë mos shko. Do bëjmë si të bëjmë atje.
-        Por ju nuk…
-        Dëgjo, Kloe, të lutem… Ki besim tek unë.
Ime vjehrrë kundërshtonte akoma:
-        Punë që s’bëhet! Mos keni ndër mend t’i zgjoni fëmijët tani? Pastaj ajo shtëpi s’është as e ngrohur! Ku ka gjë atje! S’ka asgjë për to. Ato…

Ndërkaq ai ishte ngritur.

                                                             ***

Marioni po fle në stolin e saj në makinë, me gishtin e madh në gojë. Lysia është mbledhur kruspull pranë saj.
Vështroj vjehrrin tim. E mban trupin drejt. Duart shtrëngojnë timonin. Qysh kur jemi nisur s’ka hapur gojë. Kur na dalin përpara dritat e ndonjë veture tjetër, i shoh profilin. Them se e ndjen veten po aq fatkeq sa unë. Se është i lodhur si unë. Se është i zhgënjyer.

Ai e ndien vështrimin tim:
-        E pse nuk fle pak? Duhet të flesh, ule shpinoren dhe fli. Kemi ende goxha rrugë…
-        S’fle dot, - i përgjigjem. – Po ju ruaj ju.
Më buzëqesh. Një fillim buzëqeshjeje.
-        Jo, - thotë, - më takon mua t’ju ruaj.
Dhe kthehemi prapë te mendimet tona. Dhe unë qaj me fytyrën mbuluar me duar.


Ndalemi te një autogril. Përfitoj nga mungesa e tij që të kontrolloj celularin.
Asnjë mesazh.
Dihet!
Jam fare budallaqe.
Jam budallaqe fare.
Ndez radion, e mbyll.
Ai kthehet.
-        A do të shkosh edhe ti? A do ndonjë gjë?
Pranoj.

Gaboj butonin që duhet të shtyp, gota mbushet me një lëng të neveritshëm që e derdh menjëherë.
Në dyqan blej një pako panolina për Lysinë dhe një furçë dhëmbësh për vete.
Ai nuk niset derisa të kem ulur shpinoren e ndenjëses.
                                                     
 *

I hap sytë në kohën që ai po shuan motorin.
-        Mos lëviz. Rri me vajzat sa është akoma ngrohtë aty. Po shkoj të ndez kaloriferët me korrent në dhomën tuaj. Do të vij t’ju marr.

I lutem prapë celularit.
Në katër të mëngjesit…
Ç’budallaqe jam.


S’është e mundur të më zërë prapë gjumi.
Kemi rënë të flemë të trija në shtratin e madh të gjyshes së Adrianit. Ai shtrati që kërcet për tmerr. Ishte shtrati ynë.
Bënim dashuri duke lëvizur sa më pak.
E gjithë shtëpia e merrte vesh kur lëvizje një krah a një këmbë. Më kujtohen romuzet e Kristinës kur patëm zbritur mëngjesin e parë. Skuqeshim flakë mbi filxhanët e çajit dhe kapeshim për dore nën tryezë.
E kishim mësuar mësimin. E bënim në mënyrë më të përmbajtur.

E di që do të vijë në këtë shtrat me një tjetër, e edhe me të, kur t’u vijë në majë të hundës, do ta ngrejë këtë dyshek të trashë e do ta plasë përdhe.





Na zgjon Marioni. E shëtit lart e poshtë kukullën mbi një pufe ndërsa rrëfen një përrallë me lëpirëse të vjedhura. Lysia më prek qerpikët: - Të janë ngjitur sytë.
Vishemi nën mbulesat se në dhomë është ftohtë.
Qeshin me shtratin që rënkon.

Vjehrri im ka ndezur zjarrin në kuzhinë. E dalloj në fund të kopshtit, po kërkon cungje nën çatinë e haurit.

Është hera e parë që ndodhem vetëm me të.
S’e kam ndier kurrë veten të lirshme me të. Tepër i paafrueshëm. Tepër i heshtur. Pastaj gjithë ato që më ka treguar Adrieni, sa zor e kishte pasur të rritej nën vështrimin e tij, sa i rreptë kishte qenë, sa merrte inat, ç’kishte hequr në shkollë…
Ashtu sillej edhe me Suzanën. S’kam parë kurrë ndopak dhembshuri mes tyre.
-        Pjeri nuk e bën veten, po unë e di se ç’ndjen për mua,- më qe hapur një ditë Suzana, ndërsa po flisnim për dashurinë duke qëruar mashurkat.
Unë tundja kokën por nuk kuptoja gjë. Nuk e kuptoja këtë njeri që e mbante veten kaq në fre. Të mos tregosh asgjë, nga frika se mos e ndien veten të dobët, këtë s’e kam kuptuar dot kurrë. Në shtëpinë time prekim e puthim njëri-tjetrin siç marrim frymë.

Related

Libri 3417952776822404519

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item