A ka më jetë për shtypin e shkruar?!
Shtypi përballë teknologjisë dhe internetit. A do të mund të mbijetojë gazeta në kohën e high-tech? Këtyre pyetjeve dhe disa të tjerave u pë...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/a-ka-me-jete-per-shtypin-e-shkruar.html
Shtypi përballë teknologjisë dhe internetit. A do të mund të mbijetojë gazeta në kohën e high-tech? Këtyre pyetjeve dhe disa të tjerave u përgjigjen Iris Luarasi, Gilman Bakalli dhe Belina Budini në një forum të Mapos mbi atë çka po ndodh me shtypin e shkruar. E kemi mbërritur në fund të një historie që fillon me shtypshkronjën, apo ka mundësi të një rigjallërimi që do të kombinojë të shtypurën me tastierën dhe ekranin me prekje.
Belina Budini: Shtypi, një jetë tjetër pas “apokalipsit”
”Ka tregues që flasin, paradoksalisht, për një jetë të dytë të mediave klasike si gazeta, radio dhe televizioni, mundësuar pikërisht nga mediat dhe teknologjitë e reja. Paradoksi qëndron në faktin që tirazhet e gazetave janë ulur, por audienca e tyre është rritur.Përmbajtjet e gazetave konsultohen online, qarkullohen në rrjete sociale, kalohen në celularë, tablet, i-pad etj, duke e rritur lexueshmërinë e tyre, gjithë duke ulur shitjet në njësitë tregtare”
Pyetje: Në kohën e high tec-ut, libri dhe gazetat po humbin përditë e më shumë terren, duke u tkurrur në kopje, por edhe në ndikim. Shqipëria nuk bën përjashtim në këtë trend. Në këto kushte, a nuk duket si një veprim kundër kohës, të investosh ende për një gazetë?
B. Budini – Në dukje, po. Historia e apokalipsit të mediave klasike qarkullon si histori banale tanimë, në kuptimin që qarkullon si version mbizotërues në të folmet për mediat. Edhe pse një histori deterministe, që parashikon fundin e sigurt ose zhdukjen e shumë mediumeve që nga libri, tek shtypi i shkruar, madje edhe radio e televizioni, është e habitshme lehtësia e përqafimit të kësaj narrative, madje edhe nga një pjesë e studiuesve dhe njerëzve të mediave. Shumë tregues flasin për paqëndrueshmëri të tregjeve mediatike përballë teknologjive dhe mediave të reja, të cilat pa dyshim e kanë lëkundur ose trazuar botën e mediave siç e njohim ne. Por kjo është një histori e paplotë, që nuk na është zbuluar ende, duke qenë se bëhet fjalë për një proces shndërrimi ose faze të epërme të bumit mediatik, që nuk flet domosdoshmërisht për zhdukje apo apokalips të asnjë medie në veçanti dhe të gjitha mediave të deritanishme në tërësi. Ka madje tregues që flasin, paradoksalisht, për një jetë të dytë të mediave klasike si gazeta, radio dhe televizioni, mundësuar pikërisht nga mediat dhe teknologjitë e reja. Paradoksi qëndron në faktin që tirazhet e gazetave janë ulur, por audienca e tyre është rritur. Përmbajtjet e gazetave konsultohen online, qarkullohen në rrjete sociale, kalohen në celularë, tablet, i-pad etj, duke e rritur lexueshmërinë e tyre, gjithë duke ulur shitjet në njësitë tregtare. Pjesa e pyetjes suaj që flet për tkurrje të gazetave, është pa dyshim e vërtetë, por është një histori e paplotë, duke qenë se një pjesë e tyre përjetojnë një jetë të dytë ose një jetë të re online, aty ku lexueshmëria e tyre jo vetëm që nuk ka rënë, por është rritur. Pra, influenca ose ndikimi i tyre nuk mund të thuhet se ka rënë duke e lidhur këtë vetëm me treguesit e shitjeve. Mediat amerikane flasin tanimë për audiencë totale në vend të nocionit të vjetër të tirazhit, duke llogaritur jo vetëm shitjet për njësi, por edhe shtrirjen online të përmbajtjeve mediatike.
Pyetje: Si e shikoni fatin e shtypit të shkruar në Shqipëri? A duhet parë ai gjithmonë e më tepër si donacion, kontribut i grupeve të caktuara për të mbajtur gjallë gazetarinë e shkruar në vend, apo ka ende shpresë për funksionimin në kushtet e tregut, një lakmus ky që mendohet se mbron më mirë interesin e publikut?
B. Budini – Edhe si donacion, pse jo. Donacioni mund të jetë një nga format e mbështetjes financiare që zgjidh çështjen e mbijetesës së mediave të caktuara. Të paktën në një fazë kalimtare, kur ende nuk është e qartë se ku po shkon tregu dhe përmbajtjet mediatike. Në këtë mënyrë, mbrohen jo vetëm njerëzit që qëndrojnë pas këtyre mediave si punëtorë të shtypit (patjetër edhe ato sepse përbëjnë një komunitet profesional të paneglizhueshëm), por edhe idetë, kreativiteti dhe interpretimet apo optikat alternative të realitetit që ata ndërtojnë në interes të atij segmenti, sado të vogël, të publikut, të cilit i drejtohen.
Mirëpo donacionin nuk e shoh si të vetmen rrugë, por si një shteg të mundshëm që i përgjigjet rrethanave të caktuara në të cilat gjenden media të caktuara. Jo të gjithave, pasi pavarësisht teorisë së apokalipsit, në shtyp dhe në treg ka ende jetë.
Shtypi i shkruar do të mbijetojë, madje duke u përmirësuar. Duke u bërë më alternativ. Ndoshta më i vogël, i transformuar në përmbajtje dhe konfiguracion, më pak korporatist, gjë për të cilën edhe akuzohet bashkë me televizionin, gjithnjë filtrues dhe kontrollues, por thelbi i shtypit të shkruar do të mbetet në çfarëdolloj forme. Kjo dalldi pas rrjeteve sociale si klube informimi ka për të kaluar shpejt, pikërisht atëherë kur konfuzioni të arrijë pikën maksimale. Kalimi eksesiv në blogosferën e decentralizuar, kur qytetarët u drejtohen joprofesionistëve për informacion rreth politikës, shëndetit, librave, filmave etj., mund ta pasurojë në disa aspekte hapësirën publike dhe botën e informacionit, por kur metamorfoza të ketë përfunduar, mund të konstatojmë që hapësira publike në tërësi të ketë degraduar.
Megjithëse është herët për të folur për një apokalips të tillë, transformimi ka nisur me hapa të shpejtë. Raportimi i lirë dhe nga gjithkush, shndërrimi i të gjithëve në gazetarë dhe bartës të informacioneve, rrezikon që të na kthejë pas në foshnjërinë e shtypit qytetës kur miti dhe legjenda, përrallat urbane dhe çudira nga më të pabesueshmet përbënin informacionin që i jepej publikut të gjorë.
Bombardimi me informacion të pasaktësuar, të paverifikuar, të papërgjegjshëm në internet është tanimë një fakt. Ky lloj informimi që qarkullon dhe përhap gënjeshtrat, abuzimet, zhurmat e rreme, fyerjet dhe sharjet, e ka të gjithë potencialin për të shkatërruar vetveten dhe besueshmërinë e vet. Në formë të dixhitalizuar apo në letër, thelbi i shtypit ose medias klasike si përmbajtje mendoj se do të mbetet.
Gilman Bakalli: Shanset e gazetës për të jetuar
Jam i prirur ta shoh këtë lidhje si raportin midis intuitës dhe racionales. Njeriu më i suksesshëm është ai që operon me shpejtësinë e intuitës dhe precizionin e racionalitetit. Me këtë logjikë, edhe shtypi online dhe ai i shkruar do të mbajnë në jetë njëri-tjetrin. Version online pa atë print është i verbër, kurse versioni print pa atë online është ulok!
Pyetje: Në kohën e high tec-ut, libri dhe gazetat po humbin përditë e më shumë terren, duke u tkurrur në kopje, por edhe në ndikim. Shqipëria nuk bën përjashtim në këtë trend. Në këto kushte, a nuk duket si një veprim kundër kohës, të investosh ende për një gazetë?
G. Bakalli – Sigurisht që është më e lehtë të nisësh një gazetë sesa ta shpëtosh atë nga dështimi në treg. Në këtë kuptim, të investosh për një gazetë është e vetmja mënyrë për ta mbajtur atë gjallë! Gazeta do vdesë vetëm kur askush nuk do investojë më për të. Do të vdesë, vetëm nëse drejtuesit e saj, të kapur në kurthin sentimental të tradicionales, do të refuzojnë të rrokin ndryshimet që dikton zhvillimi skizofren i teknologjisë dixhitale, ku gjërat ndryshojnë me shpejtësinë e lajmit. Parashikuesit apokaliptikë gjatë këtyre dekadave na kanë paralajmëruar pareshtur për kotësinë e investimit në një gazetë, duke u dorëzuar në njëfarë mënyre para omniprezencës totalitare të internetit. Mund të diskutohet gjatë se cilat janë mënyrat për të investuar në një gazetë. Duket se instinkti për ta mbajtur gjallë gazetën, ka sjellë martesën e saj me versionin online. Kjo më duket një lidhje fatlume: të kombinosh shpejtësinë marramendëse të shfaqjes së lajmit online, me mundësinë për ta paraqitur atë të nesërmen në një variant më të maturuar e korrekt. Jam i prirur ta shoh këtë lidhje si raportin midis intuitës dhe racionales. Njeriu më i suksesshëm është ai që operon me shpejtësinë e intuitës dhe precizionin e racionalitetit. Me këtë logjikë, edhe shtypi online dhe ai i shkruar do të mbajnë në jetë njëri-tjetrin. Version online pa atë print është i verbër, kurse versioni print pa atë online është ulok!
Pyetje: Si e shikoni fatin e shtypit të shkruar në Shqipëri? A duhet parë ai gjithmonë e më tepër si donacion, kontribut i grupeve të caktuara për të mbajtur gjallë gazetarinë e shkruar në vend, apo ka ende shpresë për funksionimin në kushtet e tregut, një lakmus ky që mendohet se mbron më mirë interesin e publikut?
G. Bakalli – Gazetaria do të (mbi)jetojë nëse nuk konceptohet si garë e pamëshirshme për lajmin e parë, si konkurrencë e ashpër për audiencën, jo si garë me internetin apo si luftë për të kapur reklamat më të majme. Jo! Gazetaria i ka shanset të jetojë ekskluzivisht si lajm, i cili bllokon ingranazhet e makinerisë gjigante e të panginjur të internetit, si lajm që mendohet dy herë para se të shtypet një herë, si lajm, i cili e pranon se lajmi më i mirë nuk është domosdoshmërisht lajmi i parë, si lajm, i cili e bllokon rrjedhën e furishme të lajmeve në eter dhe në silic dhe u tregon lexuesve se çfarë është e rëndësishme e thelbësore dhe çfarë është bullshit. Me këto premisa, fati i shtypit të shkruar në Shqipëri është i sigurt. Asgjë s’e ka zëvendësuar deri tani bukurinë e mbajtjes së gazetës në duar gjatë një fundjave dhe leximin e një profili të Fred Lelës, një “story” interesante të Lad Karajt apo një editoriali të Tur Zhejit. E, nëse bëhet fjalë për zakone kokëforta, asgjë s’mund ta zëvendësojë aktin sensual të një zonje afër të 40-ve, e cila, këmbë mbi këmbë, njom lehtësisht me gjuhë gishtin tregues para se ta shfletojë më tej gazetën MAPOWEEKEND.
Iris Luarasi: Shtypi si donacion? Jo, përndryshe nuk do flasim për të vërteta gazetarie
Pyetje: Në kohën e high tec-ut, libri dhe gazetat po humbin përditë e më shumë terren, duke u tkurrur në kopje, por edhe në ndikim. Shqipëria nuk bën përjashtim në këtë trend. Në këto kushte, a nuk duket si një veprim kundër kohës, të investosh ende për një gazetë?
I.Luarasi - Zhvillimet e fundit teknologjike vetëm kanë ndryshuar formën, sepse në fakt unë nuk mendoj se libri të paktën po humbet terren. Libri është po aq i suksesshëm në shitje, edhe pse në shumë vende nuk e gjen më të shitur si hard copy, por në formën elektronike si një e-libër (e-book), kindle, nook etj. Në rastin e gazetës, pa dyshim që ky është një shqetësim global dhe janë disa probleme që kërcënojnë sot shtypin e shkruar. Së pari, kërcënimi vjen nga zhvillimi me hapa të jashtëzakonshëm i teknologjisë që lejon krijimin e formave të tjera të përhapjes së informacionit edhe në forma kolektive, siç mund të jenë p.sh. rrjetet sociale. Së dyti, kërcënimi vjen si pasojë e medias online që po çon në shkurtime të vendeve të punës në industrinë e gazetave. Së treti, gazetat kërcënohen nga lexuesit dhe përdoruesit e medias, të cilët duke kundërshtuar monopolin e pushtetit të gazetarëve, kanë filluar të kenë rolin e tyre si lojtarë në procesin e prodhimit të informacionit me pjesëmarrjen e tyre në forumet edhe të gazetave online ekzistuese, apo në blogje e forume të ngritura prej tyre vetë. Së katërti, kërcënimi shqiptar është numri i ekzagjeruar i gazetave që ekzistojnë në një treg kaq të vogël si Shqipëria, ku edhe numri i lexuesve potencialë nuk është i lartë. Përmend këtu 25 të përditshme, 11 gazeta sportive, rreth 35 gazeta e revista të përmuajshme, rreth 70 periodikë që dalin çdo 3 muaj e rreth 170
botime 6-mujore apo 1-vjeçare. Kësaj i duhet shtuar edhe mentaliteti shqiptar që çdo biznesmen i fuqishëm hap një revistë apo gazetë për të promovuar e mbrojtur bizneset e tij. Në Shqipëri, përsa kohë që ka gazeta që dalin në treg me fitim, siç është rasti i gazetës Panorama, kjo tregon se nuk është një veprim kundër kohës investimi tek shtypi, përkundrazi. Personalisht mendoj se përsa kohë që ne kemi numrin e sipërpërmendur të gazetave e revistave në treg, nuk mund të flasim më për një treg mediatik. Vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria e me një numër shumë më të madh popullsie e kanë shumë më të vogël numrin e të përditshmeve që ekzistojnë në treg se sjellin ende fitime, përndryshe nuk do ekzistonin asnjë ditë.
Pyetje: Si e shikoni fatin e shtypit të shkruar në Shqipëri? A duhet parë ai gjithmonë e më tepër si donacion, kontribut i grupeve të caktuara për të mbajtur gjallë gazetarinë e shkruar në vend, apo ka ende shpresë për funksionimin në kushtet e tregut, një lakmus ky që mendohet se mbron më mirë interesin e publikut?
I.Luarasi - Ka tashmë 200 vjet që na shoqëron në shtypin e shkruar modeli i piramidës, që është një model vertikal, ku kryeredaktori ishte personi kyç dhe përgjegjësitë vijnë e delegohen në nivele më të ulëta. Pra me pak fjalë, një drejtim vertikal i prodhimit të lajmit ndërmjet bazës dhe kupolës më të lartë. Ky model filloi të kontestohet në fillim të këtij mijëvjeçari, ku për herë të parë filluan të duken ndryshimet me daljen e një redaksie konvergjente, e cila është përgjegjëse edhe për hyrjen dhe përdorimin e Internetit, si dhe për platformat e reja të shpërndarjes të informacionit. Kjo është edhe arsyeja pse fjala magjike e këtij mijëvjeçari është fjala konvergjencë. Kjo është një sfidë shumë e madhe sepse duhen integruar dy redaksi që kanë pak gjëra të përbashkëta mes tyre: lexues të ndryshëm, ritme të ndryshme pune, kritere të ndryshme në zgjedhjen e lajmit etj. Pra tani nuk kemi më një model vertikal, por një model horizontal. Në këtë mjedis, sigurisht që kemi shkurtime të vendeve të punës, por jo ulje të produktivitetit të gazetës. Edhe pse ne nuk kemi arritur ende atje, të gjitha elementet teknologjike, njerëzore dhe konceptuale janë aty për të krijuar formën e re të inteligjencës kolektive që do të vazhdojë ta thërrasë veten “redaksi”, por pa asnjë dyshim do të jetë shumë më dixhitale nga pikëpamja e orientimit krahasuar me atë që ndodh sot. Teknologjia e telefonisë celulare që po avancon çdo ditë e më tepër do ta lejojë çdo ditë e më shumë reporterin ta shpenzojë 100% të kohës së tij në terren, sepse shumë shpejt po i dhuron mundësinë që nga një telefon celular apo një kompjuter portabël informacioni të formatohet dhe të shpërndahet në mënyrë të menjëhershme. Periudha kur newsroom-i do të quhet realisht newsroom virtual, do të arrijë në momentin kur telefoni do të jetë zyra e çdo gazetari. Një revolucion i dytë gjithashtu është tashmë në proces. Kjo ka të bëjë me fundin e epokës kur redaktori mbështetet vetëm në një material të përgatitur vetëm nga gazetari. Ende sot një artikull i mirë është një artikull i shkruar nga një gazetar i newsroom-it, por shumë shpejt në të ardhmen një artikull i mirë do të jetë më afër një wiki sepse gazetari/gazetarja do të integrojë në këtë artikull elemente që shkojnë përtej punës së një gazetari të vetëm, siç mund të jenë komentet, elementet multimediale etj. Sot janë disa gazeta që në faqet e tyre online kanë futur edhe shërbime video (rasti i gazeta Tema nëpërmjet Tema TV), por gjithsesi kjo ende nuk është një element i rëndësishëm në procesin e prodhimit të informacionit. Shumë shpejt, me shtimin e shpejtësisë së Internetit dhe telefonave celularë, studion e videos do ta kemi një element qendror dhe unifikues në një redaksi. Shumë shpejt pritet që disa gazeta të përditshme të bëhen prodhuese të materialeve video ose imazheve të animuara dhe ta distancojnë veten vetëm nga prodhimi i materialit të shkruar, si për web edhe për letër. Të gjitha këto më sipër janë argumente për të kuptuar se shtypi, edhe pse i kërcënuar, do të ekzistojë edhe pse ndoshta jo me formën klasike që e kemi parë në këta 200 vjetët e fundit. A duhet parë ai gjithnjë e më shumë si pjesë e donacioneve? Unë mendoj që jo, përndryshe nuk do kemi më mundësinë të flasim për të vërteta gazetarie, por për interesa donatorësh.
Botuar në 13 prill në gazetën Mapo