Në Maqedoni, betohen për Perëndimin, por joshen nga Lindja

 Nga Ismail Arsllani Maqedonia vazhdon rrugëtimin e saj “të pashteg”. Shtatë vjet, së paku, mashtrim, lajthitje, lojë ndjenjash kombëtare, p...

 Nga Ismail Arsllani



Maqedonia vazhdon rrugëtimin e saj “të pashteg”. Shtatë vjet, së paku, mashtrim, lajthitje, lojë ndjenjash kombëtare, punë prej Sizifi. Rënie e lirë në humnerë. Varfërim. Inflacion premtimesh, shpresa të rreme. Lëvizje përpara në milimetra. Izolim, humbje miqsh të vjetër nga Brukseli dhe Uashingtoni. 
Në këto rrethana, në këtë vend, shqiptarët po përpëliten në vajin e vet. Sytë i kanë kthyer nga bota. Mërgimi, një kore buke për kalamajtë.
Politikë joproduktive Athinë-Paris-Bruksel. “Maqedonia mbetet në agjendën e BE-së”, vetëm aq! Distanca po thellohet, hendeku është i pa fund. Proceset po ngecin, përkundër synimit për të lëvizur drejt civilizimit evropian. Aty ku qarkullon paraja, kultura, demokracia...
Ka edhe për këtë vend para evropiane, por arroganca politike dhe këmbëngulësia për të mbetur në kursin retrograd, provokues, refuzojnë zhvillimin. IPA fondet nuk shfrytëzohen, u jepet shkelm parave të thata. Bashkimi Evropian (BE), megjithatë, po vazhdon të mbështesë këtë vend ballkanik. Planifikon 595 milionë euro ndihma deri në vitin 2020.
Po të ishte në BE, sikurse Kroacia që është anëtare prej para disa muajsh, me të cilën ishte bashkë vetëm tetë vjet më parë në Kartën e Adriatikut, Maqedonia, si favorite që ishte, deri në fund të këtij dhjetëvjetëshi do t’i merrte jo më pak se 3.7 miliardë euro ndihmë nga BE-ja. Ky është vetëm një segment. Do të shtoheshin investimet, ndërsa zhvillimi do të ishte i pashmangshëm.
E gjithë kjo ishte aq afër dhe tash është po aq larg. Po të mos ishte peng i emrit me Greqinë, po të mos i kishte inatet ballkanike, po të mos provokonte konflikte ndëretnike, po të mos injoronte fqinjët, opozitën, po të mos i sulmonte mediet...!
Busulla politike është humbur. Në këtë kalamendje ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, sytë kthehen nga lindja. Josh koncepti “Bolshaja Evropa” e Putinit, i cili sipas revistës amerikane “Forbs”, është në krye të listës të personaliteteve më me ndikim në botë. Për këtë vend ballkanik, të kryqëzimeve strategjike të fuqive të mëdha, këshilltarët e atyre që drejtojnë këtë shtet, preferojnë Kinën, Indinë, Amerikën latine, si alternativë për BE dhe NATO, ndonëse në Parlament betohen për integrime në këto aleanca euro-atlantike.
Miliarderi kontrovers Subrata Roj nga India, që premtoi “qumësht e mjaltë” për Maqedoninë, ballafaqohet me pranga. Fushat (parcelat) në Xhumajli, për “fabrikat” e tij- një kullë premtimesh, po flenë, përkohësisht, në qetësi...
Maqedonia pret nga ish-JNA (ish-APJ) 4 miliardë dollarë. Një shumë fantastike...
Shqiptarët, në këtë vend, mbeten larg këtyre lëvizjeve. Amerika nuk është aq afër. Në pamundësi, kanë kthyer sytë nga Turqia. “Amerika i ka lënë shqiptarët në duart e Turqisë” (Adem Demaçi).
Greqia vuri në shok Evropën: IRJM të quhet “Maqedonia sllavo-shqiptare”. Reagimet: “Është përmendur, por nuk është propozuar”. Shqiptarët (BDI) refuzojnë vetëm “Maqedonia sllave” dhe “Maqedonia etnike”, emërtimet e tjera i pranon. Ndërmjetësi Metju Nimic u dorëzua, “nuk ka përparim në biseda për emrin, diskrapancë e pakapërcyeshme”.
Atmosfera ndizet edhe nga brenda: në një solemnitet, kryeparlamentari maqedonas do të deklarojë: ”Kush do të thotë që të ndërrohet emri, nuk do të kalojë pa u dënuar nga populli”. Frenues i zhvillimeve, përsëri emri. Eurodeputeti slloven, Jellko Kacin, ka humbur të gjitha shpresat për zgjidhjen e kontestit për emrin. Opozita maqedonase akuzon: “Parlamenti është një paçavure”.
Riçard Hovit, raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, dukshëm i dëshpëruar: “Në Maqedoni ekziston një atmosferë e frikës dhe tensioneve”. Ai del më kërkesa konkrete drejtuar ekzekutivit të vendit, në funksion të Ditës-D, në fillim të dhjetorit: dialog politik me opozitën, përmirësim të marrëdhënieve me fqinjët, liria e medieve.
Quo-vadis, Maqedoni?!

Related

Lajme 1716229111046318386

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item