Pionierët e fotografisë me ngjyra

Speciale/Lëvizja e blicit, nga revolucionet deri tek jeta e thjeshtë dhe ajo e ikonave të turizmit 1. Botë të reja fotografish Më 1907 vëlle...

Speciale/Lëvizja e blicit, nga revolucionet deri tek jeta e thjeshtë dhe ajo e ikonave të turizmit


1. Botë të reja fotografish
Më 1907 vëllezërit Lumière prezantuan një shpikje të re në treg, e cila shënoi një revolucion për kohën. I entuziazmuar, bankieri Albert Kahn jep në porosi projektin e tij “Arkiva e planetëve”. Procedura me autokrom filtronte dritën me ndihmën e grimcave të ngjyrosura të niseshtesë, njëlloj si pikseli i fotografisë digjitale. Në foto kulla “Eifel”, realizuar në vitin 1911.

2. Shpirti dinamik shpikës
Kishte kohë që vëllezërit francezë Auguste dhe Louis Lumière kishin bërë eksperimente për këtë procedurë. Në 1895 u patentua shpikja e tyre, kamera e parë për transmetimin e filmave, që u dha famë botërore. Në 1907 ata prezantuan fotografinë me ngjyrë, që mund të realizohej nga çdokush.


3. Strategë reklamash
Ata ishin jo vetëm shpikës të suksesshëm, por edhe strategë të reklamës. Për ta bërë të njohur metodën e re të shpikur prej tyre, ata i dërguan të gjithë fotografëve të rëndësishëm në Evropë dhe Amerikë një pako prove me pllaka qelqi të veshura. Në këtë fotografi model është një çift i sapomartuar në një atelie fotografie në Suedi (1910).

4. Arkiva e planetëve
Bankieri francez Albert Kahn, një prej njerëzve më të pasur në botë, angazhoi shoferin e tij gjatë një udhëtimi pune, që të realizonte disa fotografi me pllakat e reja me ngjyrë. I mahnitur nga rezultatet, ai më 1908 i dërgoi fotografët në të gjithë botën, për të dokumentuar kulturat e ndryshme të kombeve. Këtu: gra me kostume tradicionale në Korfuz të Greqisë (1930).

5. Mirëkuptimi mes popujve përmes kulturës
Ajo çka e dallonte “Arkivën e planetëve” të Albert Kahnit, nga fotografitë e udhëtimeve të kohës, ishte vështrimi dokumentues në fytyra dhe në jetën e përditshme në vende të ndryshme të botës. Këtu: tregu i bukës në Sarajevë (1912). Ndërkohë që fuqitë e mëdha botërore përgatiteshin për luftë, kozmopoliti kërkonte të sillte në Evropë kulturat e huaja, si mirëkuptim mes popujve anë e mbanë globit.

6. Prezantimi i fotografive si edukim popullor
Fotografitë me ngjyra iu treguan qytetarëve të interesuar për kulturën. “Në shtëpinë e tij Albert Kahn kishte një sallon për shoqërinë parisiane dhe atje kishte ngritur një kinema”, – tregon historiani i fotografisë prof. Rolf Sachsse. Me një ekip kuratorësh ai përgatiti ekspozitën “1914 – Bota me ngjyrë”. Pjesë e saj: Ura e famshme e Mostarit, Bosnjë-Hercegovinë (1913).

7. Respekt për pakicat
Fotografët, të cilët udhëtuan mes për mes Evropës e deri në Azi, kishin për detyrë të fotografonin edhe jetën e përditshme dhe pakicat në vende të ndryshme. “Në Serbi u fotografuan shqiptarët, në Stamboll armenët dhe në Bosnje të krishterët”, – plotëson Rolf Sachsse. Ata, që nuk kishin durim në procedurën e gjatë të fotografimit, duken vetëm turbull në fotografi.


8. Aventura “ekspeditë fotografike”
Pajisjet e rënda duhet të transportoheshin me karroca. Pllakat prej qelqi të fotografive ishin të vendosura në valixhe lëkure me mbushje, për të shmangur dëmtimet. Këtyre u shtoheshin edhe këmbalecët e aparateve fotografikë dhe vetë aparatet. Pllakat e përdorura zhvilloheshin natën në çadër, që të mos dëmtoheshin nga drita. Në foto: mbërritja e ekspeditës në kufirin kinez me Mongolinë.


9. Mision për paqen në botë
Fotografët kishin për detyrë të fotografonin edhe drejtuesit fetarë. Këtu pozon para kameras në afërsi të Ulan Batorit, inkarnacioni i tetë i Jalkhanz Kuthugtu-s mongolez (1913). Autokromet u përdorën më vonë në Paris për ligjërata në katedrën e “Gjeografisë humane”. Albert Kahn pati financuar katedrën për të mbështetur shkencat shoqërore, që po lindnin.

10. Magjepsja e teknikës
Banorët, që pionierët francezë të fotografisë nxorën para kamerave (këtu sadhus dhe brahmanë në Indi), nuk kishin parë kurrë më parë fotografë. “Fotografimi ishte diçka, që ende i përkiste vetëm shtresave të larta”, – shpjegon prof. Rolf Sachsse. Por magjepsja nga pajisjet teknike të fotografisë e largoi shpejt druajtjen para të huajve nga Evropa.

11. Ikonat e fotografisë me ngjyrë
Edhe motivet turistike ishin pjesë e ekspeditës, duke filluar nga “Taxh Mahali” indian e deri tek Piramidat e Gizës. Deri atëherë askush nuk kishte parë pamje origjinale të tyre, vetëm kartolina me ngjyra. Ato tërhoqën në Paris një numër të madh spektatorësh. Rreth 70.000 diapozitivë kishte mbledhur Kahn në gjithë botën dhe më shumë se 200 orë material filmik.
 Standard

Related

Suplement 5162733380218828772

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item