50 fakte nga jeta e Ismail Qemalit
Cili është arsimi i tij? Cilat ishin detyrat e tij më të larta në hierarkinë e Perandorisë Osmane? Si ngriti në Stamboll klubin për Pavarësi...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/50-fakte-nga-jeta-e-ismail-qemalit.html
Cili është arsimi i tij? Cilat ishin detyrat e tij më të larta në hierarkinë e Perandorisë Osmane? Si ngriti në Stamboll klubin për Pavarësinë shqiptare dhe si u internua nga pushteti turk? Përse sulltani e emëroi këshilltar të tij? Si u emërua Vali në Libi, por ai nuk shkoi Tripoli, por në Paris, nga ku nisi punën për pavarësinë e Shqipërisë? Historia e 28 Nëntorit, me kë shkoi në Vlorë dhe përse shkoi në Vlorë? Cilin flamur ngriti dhe historia e dokumentit themeltar që u falsifikua. Një histori plot Lavdi dhe kontradikta.
1. Ismail Qemali quhej edhe Ismail Bej Vlora. Emri i tij u ndryshua gjatë kohës së regjimit komunist, mbi botëkuptime komuniste ndaj titullit “Bej”.2. Ismail Qemali ishte një nga personazhet më të rëndësishme të familjes së njohur Vlora, një familje e pasur dhe me shumë tradita që ka nxjerrë shumë personazhe të rëndësishme në jetën politike shqiptare.
3. Ismail Qemali lindi më 16 tetor 1846 në Kaninë të Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxha të Italisë. Vetëm pas vitit 1990 është mësuar nga historiani turk me orgjinë shqiptare Nexhip Alpan, që ditëlindja e Ismail Qemalit ishte në një ditë me atë të Enver Hoxhës. Por ajo është mbajtur e fshehtë duke mos u shkruar në asnjë libër historie. Në tekstet e historisë së Shqipërisë dhe tekstet mësimore datëlindja është shkruar më 24 janar 1844. Në fakt ajo është më 16 tetor 1846.
4. Ismail Qemali jetoi 72 vjet, 3 muaj e 8 ditë ose gjithsej 2628 ditë. Ai kishte një shtat mesatar dhe me një trup me peshë mesatare. Mbante një veshje të kohës, kostum dhe kravatë, flokë të thinjur të krehur me kujdes dhe një mjekër të bardhë, të krehur edhe atë. Ngjyra e kostumeve në përgjithësi ishte e zezë dhe në kokë mbante kapele.
5. Ismail Qemali gjatë jetës së tij jetoi në këto shtete: Shqipëri, Greqi, Turqi, Itali, Bullgari, Siri dhe pak kohë në Francë, Angli, Zvicër dhe Gjermani.
6. Ismail Qemali u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë dhe pas një karriere të konsiderueshme në administratën turke, u arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim, ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe.
7. Ismail Qemali njihej edhe si një poliglot, një armë që atij i shërbeu në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Njihte shkëlqyeshëm gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.
8. Ismail Qemali cilësohet si babai i kombit sepse ka kryer aktin më historik në të gjithë historinë e Shtetit shqiptar. Ai ngriti Flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe e shpalli Shqipërinë Shtet të Pavarur duke i kërkuar fuqive ndërkombëtare ta njihnin këtë vendim.
9. Në asnjë rrethanë dhe në asnjë situatë, ai nuk e përdori këtë moment sublim për të përfituar dhe marrë vlerësime vetjake. Madje, në fjalimin e tij ditën e Shpalljes së Pavarësisë, ai është shprehur se, siç e donte Zoti që të ishte i pari të ngrinte Flamurin e Pavarësisë, ashtu le të bëhej edhe heroi i parë i Shtetit shqiptar.
10. Ismail Qemali është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë.
11. Ismail Qemali ngriti në Vlorë flamurin e kuq me dy krena shqiponjash, një flamur që deri më sot na vjen në tre variante. I pari, se këtë e qëndisi Marigoja, nusja e shtëpisë ku fjeti Ismaili natën e fundit… i dyti, atë që e solli Spiridon Ilo nga SHBA… dhe varianti i tretë, i Eqrem bej Vlorës sipas të cilit, ia dha ai flamurin që i kishte falur don Aleadro Kastriota, burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut.
12. Në vlerësimet e punës që kanë bërë drejtuesit e administratës turke për Ismail Qemalin, janë shënuar këto fjalë: Vali i denjë, diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar dhe Kryetari i parë i shtetit shqiptar.
13. Ismail Qemali e nisi karrierën politike si përkthyes në Ministrinë e Jashtme të Turqisë Osmane, në vitin 1860. Detyra e dytë në administratë e Ismail Qemalit, ishte në vitin 1868, drejtor i Sekretariatit në Zyrën Juridike në Sofje të Bullgarisë, që në atë kohë ishte pjesë e Turqisë Osmane.
14. Ismail Qemali më pas mori detyrën e nënprefektit të rajonit të Rusçuk, një detyrë që e mbajti për 5 vjet. Në vitin 1873, ai jep dorëheqjen dhe largohet nga ajo detyrë.
15. Ismail Qemali u emërua sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Turqisë në vitin 1876, një detyrë që e ndihmoi shumë të njihte diplomacinë turke nga brenda, por edhe atë të huaj. Në këtë detyrë qëndroi për 1 vit.
16. Në vitin 1877, ai pëson një dënim në karrierën e tij, pikërisht për aktivitetin e tij patriotik ndaj Shqipërisë. Me arsyetimin se kërkoi autonominë e Shqipërisë, ai internohet për shtatë vjet në Kytahja të Anadollit. Por presioni i një pjesë të administratës turke, por edhe të patriotëve shqiptarë, bëri që sulltan Avdylhamiti t’ia hiqte internimin dhe ta emëronte madje Vali në Bollu të Turqisë.
17. Ismail Qemali emërohet Vali në Siri, një detyrë shumë e lartë në atë kohë dhe për më tepër bëhej fjalë për një krahinë që më vonë mori edhe ajo pavarësinë si shtet i pavarur. Këtë detyrë e mbajti deri në 28 qershor të vitit 1892.
18. Për punë të mirë Ismail Qemali arriti të bëhej deri këshilltar personal i sulltan Avdylhamitit, në momentin kur Perandoria Osmane ishte në fund të saj. Një detyrë që e mbajti nga viti 1892 – 1900. Kjo e ndihmoi ta njihte nga brenda perandorinë.
19. Nga e gjithë detyra e tij si këshilltar i Sulltanit, mbahet mend se Ismail Qemali i propozoi atij ndërtimin e një hekurudhe që niste në Durrës dhe mbaronte në Stamboll. Një vepër që nuk u ndërtua as në atë kohë dhe as sot.
20. Më 1 maj të vitit 1900, sulltan Avdylhamiti për punë dhe cilësi të mira, e emëron Vali i Përgjithshëm i Libisë, një detyrë mjaft e lartë e asaj kohe. Ismail Qemali u nis për në Tripoli, por rrugës kthehet dhe shkon në Paris, Londër e gjetkë, për të punuar për çështjen shqiptare.
21. Më 1908, me ndihmën e shqiptarëve të veriut të Maqedonisë, Ismail Qemali zgjidhet deputet i rrethit të Beratit, por në fakt ishte përfaqësues i gjithë Shqipërisë. Gjatë kohës që Ismail Qemali ishte deputet në Parlamentin e parë të Turqisë moderne, ai pati një peshë të konsiderueshme. Fjalimet e Ismail Qemalit në Kuvend kanë qenë nga më oratoriket duke nxitur kundërshtarët që ta sulmojnë pa të drejtë.
22. Ismail Qemali ra në sy në vitin 1871, pikërisht në zemër të Turqisë osmane sepse paraqiti tre kërkesa të njëpasnjëshme për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Edhe pse punonte si pjesë e administratës osmane, mori pjesë në një mbledhje të rilindësve shqiptarë në Stamboll, për të krijuar alfabetin shqip.
23. Në vitin 1865 Ismail Qemali nisi të punonte për pavarësinë e Shqipërisë duke krijuar për këtë çështje një klub në kryeqendrën e perandorisë, Stamboll, bashkë me Konstandin Kristoforidhin.
24. Shërbimi i sigurisë së administratës turke zbuloi se gjatë kohës që Ismail Qemali punonte për Turqinë, kishte hartuar një dokument për projektin e një Shqipërie të Pavarur. Ky ishte edhe një nga shkaqet më të mëdha të përndjekjes që u ndërmor ndaj tij.
25. Ismail Qemali vdiq në rrethana misterioze në Peruxha të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp.
26. Dyshimi më i madh mendohet të jetë se ai është helmuar në ushqim nga qarqe greke dhe italiane antishqiptare, që e shikonin Ismail Qemalin si një personalitet me influencë të madhe për çështjen shqiptare.
27. Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.
28. Ismail Qemali është varrosur dy herë. Herën e parë në shkurt të vitit 1919 në Kaninë, vendin e lindjes dhe të paraardhësve të tij dhe herën e dytë më 28 Nëntor në Vlorë, në vitin 1932.
29. Varrimi i dytë është bërë me urdhër të mbretit Ahmet Zogu, me rastin e 20 – vjetorit të Pavarësisë. Zogu dhe partia e asaj kohe, i kanë bërë nderimet më të mëdha trupit të Ismail Qemalit duke ia vendosur eshtrat në varrin që është edhe sot në Vlorë.
30. Ceremonia për rivarrosjen e eshtrave të Ismail Qemalit është cilësuar si një nga ceremonitë më të mëdha që ka organizuar Ahmet Zogu, gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në pushtet. Ai i ka bërë nderimet më të mëdha atij që u quajt “Babai i Kombit”.
31. Ismail Qemali është nga ata personalitete politike dhe shtetërore që ka shkruar kujtimet e veta. Por kujtimet e tij nuk janë botuar asnjëherë të plota dhe kjo është çudia që e ka shoqëruar çdo gjë në jetën e tij.
32. Akuza më e madhe që është hedhur ndaj Ismail Qemalit është ajo se ai ideoi pas Pavarësisë, ndarjen e Shqipërisë në kantone, një model si Zvicra. Sipas njerëzve që e hodhën këtë akuzë, kjo do të bënte që fqinjët ta kishin më të lehtë ndarjen dhe copëtimin e Shqipërisë.
33. Për herë të parë gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar, diskutohet që të hiqet emri i Ismail Qemalit nga një institucion. Ky skandal ndodhi pikërisht kur rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, propozoi që emri i Ismail Qemalit t’i hiqej Universitetit të Vlorës. Propozim ky që ngjalli një reagim mjaft të ashpër si nga politika, media, intelektualët edhe publiku.
34. Pasardhësit më aktivë të Ismail Qemalit në ditët e sotme janë, Darling Vlora, Nedim Vlora dhe Ariana Vlora. Shumica e pasardhësve të tjerë kanë vdekur kurse pjesa tjetër është në emigracion prej shumë vitesh.
35. Qamil bej Vlora (1895-1950), ishte djali dhe fëmija i fundit i Ismail Qemalit. Qamili ishte i vetmi djalë i Ismail Qemalit që nuk u largua nga Shqipëria. Edhe pse nuk u mor me politikë, më 1946, pasi nuk pranoi bashkëpunimin me rregjimin komunist, u arrestua me pretekstin “armë mbajtje pa leje”, pasi iu gjet një revolver, më shumë antik sesa funksional. Në burg u bë me turbekuloz dhe vdiq në moshën 55 – vjeçare.
36. Ismail Vlora dhe Xhevdet Vlora ishin dy nipërit e Ismail Qemalit. Ata ishin poliglotë që punuan për bukën e gojës. Dy nipërit e Ismail Qemalit nuk pranuan të bashkëpunonin me regjimin komunist dhe në këtë mënyrë u detyruan të punonin nëpër fshatra të ndryshëm, në punë krahu.
37. Ismail Qemali u martua dy herë dhe në të dy rastet me shtetase greke. Për herë të parë me një vejushë nga Konica, me të cilën nuk pati fëmijë pasi vdiq gjatë lindjes së bashku me vajzën. Ndërsa për herë të dytë u martua në vitin 1886, me Kleoniqi Surmeli, vajza e një fisniku grek nga krahina e Edërnesë.
38. Ismail Qemali u detyrua ta rrëmbente gruan e dytë për arsye se ligjet e ndalonim martesën e një myslimani me një ortodokse. Siç shkruan në kujtimet e veta Ismail Qemali, me këshillën e vjehrrit, e rrëmbeu nusen e ardhshme ndërsa martesa u njoh zyrtarisht në 1886.
39. Nga martesa e dytë Ismail Qemali pati 9 fëmijë, tre vajza dhe gjashtë djem. Vajzat quheshin Myvedet, Alije, Ylvie. Ndërsa djemtë ishin Mahmud Bej, Tahir Bej, Et’hem Bej, Xhevdet Bej, Qazim Bej dhe Qamil Bej.
40. Fjalimi i Ismail Qemalit në pasditen e 28 Nëntorit 1912 në Vlorë, zgjati rreth pesë minuta. Fjalimi përmbante 450 fjalë dhe u ndërpre disa herë nga thirrjet e njerëzve që ishin mbledhur në sheshin e qytetit. Ndërprerja më e gjatë e fjalimit të Ismail Qemalit, është në momentin që ai nxjerr flamurin, e valëvit në ajër dhe thotë: “Rroftë Shqipëria e Lirë”!
41. Fjalimi i Ismail Qemalit në Shpalljen e Pavarësisë, u lexua i gjithi në gjuhën shqipe. Në të përmendet Shpallja e Pavarësisë, lufta e Skënderbeut, vuajtjet e shqiptarëve dhe së fundi, një lutje drejtuar Zotit që të mbrojë shqiptarët dhe Shqipërinë e Lirë.
42. Fjalia më e veçantë e fjalimit të Ismail Qemalit në Vlorë është: “Zotit të Madh… të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë… Flamuri ynë, n’atdhenë tonë të lirë”!
43. Vendimi i parë i Ismail Qemalit pas firmosjes së deklaratës së Pavarësisë dhe marrjes së detyrës si Kryeministër, është dërgimi i lajmit në të gjitha qarqet e vendit dhe dërgimi i telegrameve në shtetet e mëdha për njohjen e Pavarësisë.
44. Ismail Qemali është djali i Mahmut bej Vlorës që disa herë u ndëshkua nga Porta e Lartë dhe i Hadije Hanëmit nga familja e njohur Alizoti e Gjirokastrës. Ismail Qemali kishte një motër dhe një vëlla më të vogël, Sulejmanin. Sulejmani vdiq gjatë internimit që iu bë familjes nga turqit në Selanik, rreth vitit 1871.
45. Kopja e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, e publikuar në vitin 2007, mendohet se i përket Lef Nosit, i cili në qeverinë e parë shqiptare ishte ministër i Postë – Telegrafës. Teksti shqip i Deklaratës së Pavarësisë, përbëhet vetëm prej katër rreshtash: “Shqipëria të jetë më vete, e lirë dhe e mosvarme”. Më pas vijojnë dy rreshta në turqishten e vjetër.
46. Nga teksti dhe proklamata e Pavarësisë, nga regjimi komunist janë hequr mjaft emra të firmëtarëve të Pavarësisë, janë hequr edhe disa pasazhe.
47. Kabineti i qeverisë së Vlorës përbëhej nga 10 anëtarë. Kryeministër – Ismail Qemali, Zëvendëskryeministër – Nikoll Kaçorri, Ministër i Jashtëm – Myfit Libohova, i Luftës – Mehmet Pashë Dërralla, i Drejtësisë – Petro Poga, i Arsimit – Luigj Gurakuqi, i Financave – Abdi Toptani, i Bujqësisë – Pandeli Cale, i Post Telegrafit – Lef Nosi.
48. Deri më sot nuk ekziston asnjë fotografi nga momenti i Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Ende nuk dihen shkaqet pse ajo foto mungon. Ndërkohë që fotografia që paraqet ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali, nuk i përket datës 28 Nëntor 1912, por datës 1 dhjetor 1912.
49. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, nuk u njoh më 28 Nëntor të vitit 1912 nga Evropa. Pavarësia e Shqipërisë nga shtetet evropiane, u njoh vetëm në vitin 1913, gjithashtu në këtë vit u njoh edhe Ismail Qemali si kryeministër i Shqipërisë.
50. Ismail Qemali e shpalli Pavarësinë për të gjitha trevat shqiptare. Në këtë Akt, hyn Kosova, një pjesë e Maqedonisë, Çamëria dhe pjesa që u shkëput më vonë nga Mali i Zi!