Vështirësitë e Normalitetit

Nga  Rudolf Marku 1.  Tregon Faik Konica: mbreti Zog e kishte marrë vesh se ai, eruditi më i njohur i shqiptarëve dhe kundërshtari politik i...

Nga Rudolf Marku

1. Tregon Faik Konica: mbreti Zog e kishte marrë vesh se ai, eruditi më i njohur i shqiptarëve dhe kundërshtari politik i mbretit, njeriu që kishte shkruar artikujt më të hidhur e më të ashpër kundër tij, kishte ardhur në Tiranë për disa ditë. Dërgon një njeri të besuar dhe të paanshëm dhe e fton në Pallatin mbretëror për një vizitë. Konica këshillohet nga miqtë e vet të ngushtë që ta refuzojë ftesën. Mbreti Zog, e këshillojnë miqtë e vet, është i njohur për pabesitë e veta dhe për kurthet që u ngre kundërshtarëve të vet. Ftesa nuk është veçse një kurth. Por Konica si Konica, kokëfortë, sfidant, që do t’i çojë gjërat deri në fund. Vendos që ta takojë mbretin shqiptar. Jo se ka simpati për të, por për të kundërtën e saj: do ta njohë kundërshtarin e vet nga afër. Arrin në Pallatin mbretëror në orën 10 të paradites. Shefi i Protokollit të Pallatit Mbretëror i del përpara dhe e dërgon në një sallë pritjeje. I thotë se i vjen keq që atij, Konicës, i duhet të presë 15 minuta. Konica nuk shqetësohet. Tek rri në një kolltuk, sheh përreth sallës dhe i tërheqin vëmendjen muret që janë të mbuluara nga ca stenda me letra të ngjitura. Kureshtar, ngrihet dhe afrohet tek muret. I mahnitur, sheh se të gjitha stendat kanë të prera e të ngjitura artikujt e gazetave e të revistave të shkrimeve të veta që ka shkruar kundër Mbretit Zog. Mbreti e ka urdhëruar këtë ekspozitë të pazakonshme për t’i treguar Konicës se ai vetë i ka lexuar të gjitha shkrimet kundër tij, dhe vonesa prej 15 minutash nuk paska qenë tjetër veçse një marifet për t’i lënë kohë Konicës që të shohë stendat në mur. Për t’i treguar Konicës se shkrimet e tij kundër janë një arsye më tepër për ta çmuar eruditin e madh. Pasi i jep kohë Konicës që të rishohë edhe një herë të gjitha shkrimet e veta kundër Zogut, shfaqet Mbreti, i cili e pret me nderime Konicën. Që nga ky çast, na thotë Konica, ndryshova mendimin tim për Zogun. Sepse kuptova se qe një politikan që ka respekt për ata që kanë mendim të kundërt me atë vetë.

Që nga koha e pritjes së Konicës në Pallatin Mbretëror nga Mbreti Zog deri në ditët tona kanë kaluar ca gjysmëshekujsh të trazuar dhe të papritur, madje dhe nga një mendje e mprehtë profetike si ajo e Konicës. Shqipëria ka parë të vijnë e të ikin politikanë të rinj që kanë ndenjur në pushtet me dhjetëra vite, që kanë luftuar dhe zëvendësuar njëri-tjetrin në emrin e pikëpamjeve politike të kundërta me njëri-tjetrin, por të gjithë të bashkuar në një pikë: nga mungesa e tolerancës, nga inati, mllefi dhe urrejtja e kundërshtarit politik. Dhe jo vetëm kaq. Nga mospranimi i mendimit të kundërt. Nga bezdisja e jashtëzakonshme ndaj njeriut që mendon ndryshe. Që thotë fjalë të ndryshme nga udhëheqësi. Dhe kjo ka bërë që tradita pashallareske ta ndjekë fatalisht vendin tonë deri në ditët tona. Zyrtarët servilë dhe të stërlakuar e kanë kuptuar me kohë se çelësi i jetëgjatësisë së tyre është të qenurit ‘Yesman’. Që të mendojnë ashtu siç mendon shefi i tyre, që të qeshin kur shefi i tyre qesh, që të ngrysin ballin kur shefi i tyre është i vërejtur! Nëqoftëse arroganca është mbretëresha e administratës shqiptare, servilizmi është mbreti. Fakti që mendimi ndryshe është i pa-mirëseardhur, ka bërë që administrata shtetërore të mbushet me servilë dhe njerëz pa dinjitet. Në Shqipëri gjen nëpunësin e përjetshëm lajkatar, i cili mbijeton në të gjitha rrethanat. Ai është sa i përulur me Princat zyrtarë të vet, aq dhe i pamëshirshëm dhe arrogant me vartësit e vet. Filozofia e zyrtarit të lartë shqiptar është që të mos flasë, apo të flasë diametralisht të kundërtën e asaj që mendon. Dhe të bëjë e të japë lajka, sa më tepër lajka, aq më të sigurt e ka mbijetesën. Zyrtari shqiptar është një qenie minotauri, gjysmë qyqar, i mjerë, i nënshtruar, i paartikuluar, me një fshirje totale të personalitetit, dhe në gjysmën tjetër të vetes, arrogant, i korruptuar, mendjemadh, garip, gangster. Shkoni në një zyrë shtetërore për të marrë një shkresë të zakonshme, një shkresë -vërtetimi banal, dhe do të përballesh me një zyrtar që të sheh sikur t’i kishte dalë përpara një insekt. Ose besoji iluzionit iluminist se mund të kryesh punë pa njohur kënd a pa dhënë para nën dorë, dhe do flakesh jashtë zyrave si leckë e pavlerë. Arroganca dhe korrupsioni ndaj njeriut të pambrojtur dhe hallexhi janë në proporcion të drejtë me lajkat dhe servilizmin ndaj shefave, këtyre bejlerëve të administratës tanë. Por lajka dhe servilizmi kanë dy anët e medaljes: Dhënësin dhe Marrësin. Ai që e pranon lajkën, servilizmin, shpifjen, ligësinë e tjetrit, është po aq fajtor sa ai që lajkaton, servilon, shpif, në mos më fajtor. Sepse, shpesh ai që jep lajka niset nga realiteti kokëfortë se pa dhënë lajka nuk mund të mbijetojë si nëpunës. Ndërsa ai që merr lajka niset nga psikologjia e administratës otomane të kadiut dhe të pashait të gjithëfuqishëm, dhe lajkën e servilizmin i ndjen të nevojshme që t’i dëgjojë të artikuluar nga vartësit e vet, që t’i besojë vetes se është i gjithëpushtetshëm.
2. Është folur shumë për statusin e zyrtarit civil shqiptar. Mendoj se Statusi i së drejtës së zyrtarit të ulët dhe të mesëm administrativ duhet nisur nga kufizimi i statusit të zyrtarit të lartë. I kufizimit të statusit të Kryeministrit, zv/kryeministrave a ministrave shtetërorë. Ajo që e lartëson qenien njerëzore mbi të gjithë kafshët e tjera është se vetëm njeriu synon në mënyrë të ndërgjegjshme zëvendësimin e asaj çfarë filozofët e kanë quajtur omnium contra omnes, me bashkëveprimin social. Kësisoj bashkëveprimi i paqtë njerëzor, prerekuizitat e mirëqenies dhe të qytetërimit nuk mund të ekzistojnë pa një aparatus shoqëror që quhet Qeveri. Kontradikta e madhe e qeverisjes fillon kur ne i besojmë një individi a një grupi individësh autoritetin për të përdorur dhunën dhe pushtetin. Pushteti është tepër tundues për qenien njerëzore. Njerëzit që supozojnë të jenë caktuar për të mbrojtur komunitetin kundër dhunës dhe agresionit, fare lehtë mund të kthehen në agresorë të rrezikshëm vetë. Fare lehtë qeveritarët mund ta kthejnë përmbys mandatin e tyre. Në realitetin shqiptar ne kemi shembuj të bollshëm, dje dhe sot, të përmbysjeve të këtij mandati. Problemi më i madh politik është se si mund ta parandalojmë forcën e dhunës shtetërore që të mos kthehet në një forcë tiranike. Ky është dhe kuptimi i gjithë betejave për lirinë. Karakteristika themelore e Qytetërimit perëndimor që dallon nga qytetërimet e ndalura e të ngurta të Lindjes është mbrojtja e lirisë nga rreziku shtetëror. Historia e Perëndimit, që nga koha e πολις grek deri në kohërat e sotme është në thelb historia e luftës për lirinë nga prangat e kufizimeve të zyrëmbajtësve. Në këtë kuptim, del se mbrojtja e statusit civil të zyrtarit do zgjidhej duke filluar nga kufizimet e statusit të zyrtarëve të lartë.
Sipas konceptit anglo-sakson, një Kryeministër dhe qeveria e tij nuk janë gjë tjetër veçse një grup relativisht i vogël qytetarësh që janë marrë “me qira” (hire) nga pjesa tjetër e popullsisë me qëllimin që ky grup i vogël njerëzish të performojnë në krye të shtetit për të mirën e shumicës. Ky koncept qeverisjeje në Shqipëri është i kthyer kokëposhtë. Ngase në Shqipëri Qeveria manifakturon, fabrikon autoritetin e vet nga asgjëja dhe ngaqë, në çastin kur Kryeministri është marrë me qira nga shumica, ai merr me qira shumicën, të gjithë popullin e vet dhe vendin e vet, duke krijuar një pushtet të vetëshpallur, duke mistifikuar pushtetin si një e drejtë që i takon vetëm atij dhe askujt tjetër. Duke besuar se çdo gjë që ai thotë, ai bën, është e vetmja gjë e drejtë dhe e mençur. Korrupsioni nuk është vetëm një koncept financiar dhe ekonomik. Koncepti modern i kuptueshmërisë së korrupsionit është se shprehja më elokuente e korrupsionit është atëherë kur Kryeministri a Presidenti i një vendi mendon se vetëm ajo që flet ai është e drejtë. Dhe kur askush nga njerëzit e vet të afërt nuk e kundërshton. Korrupsioni është mbyllja e veshëve kur të tjerët flasin me ty, është përbuzja për mendimin e kundërt, për mendimin opozitar, për mendimin e intelektualit kritik. Është thjeshtë vetëshurdhimi vullnetar i zyrtarëve më të lartë shtetërorë.
3. Para disa kohe, njëri ndër intelektualët më të spikatur të mendimit kritik, një profesor erudit në njërin ndër universitetet më në zë të botës së qytetëruar, autor librash dhe artikujsh, kryeredaktori i revistës prestigjioze “Hylli i Dritës” dhe njohës i shkëlqyer i shtatë gjuhëve (duke përfshirë latinishten dhe greqishten e vjetër), u propozua në Parlamentin shqiptar për Ambasador në Shtetin e Vatikanit. Marr vesh se propozimi i aprovuar nga Parlamenti, është refuzuar nga Presidenti i Republikës. Pse? Ngaqë Ardian Ndreca, në njërin prej shkrimeve të tij paska bërë një herë e një kohë një kritikë për Presidentin. Dhe ky i fundit nuk e ka harruar atë kritikë të bërë kundër tij. Mosfirmosja e dekretit të Ardian Ndrecës nuk është gjë tjetër veçse një hakmarrje meskine dhe talebanase. Diametralisht e kundërta e asaj që bëri mbreti Zog afro 80 vite më parë me kundërshtarin e vet, Faik Konicën. Duke mos e firmosur dekretin e emërimit si Ambasador në Vatikan të profesor Ndrecës, Presidenti ynë humbi shansin për t’u ngritur mbi shtatvogëlsinë e politikanit shqiptar. Humbi shansin për të përgënjeshtruar kritikën që i kish bërë Ndreca vetë atij. Në të kundërt, refuzimi i firmosjes së dekretit, padashje përforcoi bindjen se kritika e mëparshme paskësh qenë e drejtë…
Dhe, po kështu rasti kur një poet, romancier, publicist, përkthyes, që ka treguar me kohë  integritet moral, lihet pa punë, duke u flakur nga zyra drejt e në rrugë. E kam fjalën për Visar Zhitin. Kryeministri i vendit kishte një shans për ta lartësuar veten mbi vogëlsitë politike po qe se do kishte ndërhyrë për mbajtjen në administratën e lartë të kulturës poetin Zhiti. Për t’i bërë nder jo Zhitit, por institucionit të kulturës. Edhe ai e humbi këtë rast, po aq sa dhe Presidenti shqiptar në rastin e Ardian Ndrecës. Më tepër se shanse të humbura, janë tregues të realitetit të ashpër politik shqiptar. Të një vendi ku të gjithë kryeministrat e ardhur në pushtet pas vitit 1990 janë të gjithë a anëtarë të Partisë Komuniste, o bij të tyre (jo se jam kundër që  një ish-anëtar i Partisë Komuniste të zgjidhet Kryeministër; por jo të gjithë, sepse kur janë të gjithë, jemi në brendësinë e një rregulli të pashkruar). Në fund të fundit, në një vend ku dy nga presidentët e periudhës demokratike zgjidhen nga ushtria (pa përmendur një të tretë, i cili u vesh vullnetarisht me uniformën ushtarake gjatë ngjarjeve groteske të vitit 1997), ka diçka që nuk shkon. Diçka të ngjashme me vendet e Afrikës Qendrore apo ato të Amerikës Latine, ku ushtarakët janë kandidatura të preferuara për të drejtuar shtetin.
4. Shqipëria e dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XXI duket se ndodhet prapë në një udhëkryq. Qytetarët e saj ndjejnë se janë të tradhtuar nga Shteti që duhej t’i mbronte. Ekzekutimi barbar i dy vëllezërve që nxirrnin jetesën e përditshme ca muaj më parë, a vrasja e një të riu në një burg të Greqisë ditët e fundit, janë një tregues i nëpërkëmbjes së shqiptarëve. Dhe e keqja e shqiptarëve fillon në shtetin e tyre. Policia greke që i keqtrajton emigrantët shqiptarë, merr zemër nga vetëdija se vetë shteti shqiptar nuk ka respekt e as përgjegjësi për shtetasin e vet. Se shteti shqiptar u ka provuar të huajve se është një shtet mosfunksional, një shtet që u përulet zellshëm grekëve a turqve, për të shkelur qytetarët e vet me po aq zell, se është një shtet që e certifikon korrupsionin dhe padrejtësinë duke nderuar më të korruptuarit dhe më të padrejtët, se është një shtet me Ambasadat e tij Faltore të Injorancës dhe të Përgojimit, teksa këmbëngul që të refuzojë kandidatura dinjitoze në ambasada…
Shpeshherë ciklimi i shtetarëve dhe i politikanëve tek ne ka treguar pashmangshmërinë e ciklimit të së keqes përmes manipulimit të shpresave popullore, manipulimit përmes gënjeshtrave dhe premtimeve boshe…Nuk kemi ditur që të krijojmë struktura të tilla të shtetit që Kryeministri të detyrohet të dëgjojë mendimin kritik, që shtetarët ta ndjejnë veten të përkohshëm, që politikanët ta ndjejnë veten të vegjël, që një deputet të marrë këshilla nga votuesit e vet dhe nga njerëzit e rrugës dhe që askush, sidomos vetë ligjvënësit, të mos qëndrojnë mbi ligjin. Që normaliteti të mos jetë më as çudi dhe as një utopi kureshtare nga ato që vetëm në Shqipëri besohet se ekzistojnë në përralla fëmijësh.

Related

Opinione 117751541536540415

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item