Diplomacia: Një ishull i vogël i ra me shpullë Rusisë
Disa shtete të vogla në Paqësor janë prej kohësh në biznesin e prostitucionit diplomatik. I jepen prurësit më të parë kur vjen puna për të n...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/diplomacia-nje-ishull-i-vogel-i-ra-me.html
Disa shtete të vogla në Paqësor janë prej kohësh në biznesin e prostitucionit diplomatik. I jepen prurësit më të parë kur vjen puna për të njohur pavarësinë e shteteve. Por këto pazare janë të komplikuara…
OLIVER BULLOUGH, New Republic
Rusia ka qenë e plagosur diplomatikisht së fundmi. Si ndëshkim për pushtimin e Krimesë, ajo u izolua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dënuar në Asamblenë e Përgjithshme me 100 vota kundër 11, përjashtuar nga G8-a dhe disa nga miqtë më të mirë të Vladimir Putinit u sanksionuan nga Shtetet e Bashkuara. Por pak nga këto disfata kanë qenë aq sikletosëse se sa ajo e mikroshtetit të Paqësorit, Tuvalu, i cili, më 31 mars, anuloi njohjen prej saj të protektorateve ruse të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me Gjeorgjinë. Ky komb ishullor mund të ketë një popullatë prej vetëm 10782 banorësh, por vendimi i tij mund t’i japë fund një strategjie diplomatike shumëvjeçare që i ka kushtuar Rusisë shumë miliona.
Në vitin 2011, disa vite pas luftës ruso-gjeorgjiane, Tuvalu u bë një nga pesë shtetet që u rreshtua me Moskën në njohjen e së paku një prej dy republikave të vogla të Kaukazit të Jugut si të pavarura dhe jo si pjesë e Gjeorgjisë. Tashmë, numri i vendeve që i njohin ato ka rënë në tre: Nikaragua, Venezuela dhe Nauru, një ishull i Paqësorit me 9488 banorë, kombi i dytë më i vogël i pavarur në botë pas qytetit të Vatikanit.
Mund të jetë e padrejtë që t’i quash Naurun dhe Tuvalun prostituta diplomatike, por ato kanë treguar tendencën të shkojnë me çdokënd që i paguan. Në rastin e Naurusë, kjo nuk është surprizë. Vendi i ka shteruar rezervat e veta të fosfatit dhe tashmë ngjan me sipërfaqen e Hënës. Papunësia është 90 për qind, e dyta më e larta në botë pas Zimbabvesë. Një burim kyç i të ardhurave të veta të huaja është “diplomacia e bllokut të çeqeve”, në të cilën vendet e pasura në thelb paguajnë vendet e varfra për njohje diplomatike.
Në vitin 2002, Nauru mbështeti Kinën, pastaj kaloi duke mbështetur Tajvanin tre vjet më vonë, duke bërë para në secilin rast. Ndryshimi i fundit u dha ministrave të vet rroga prej 5 mijë dollarësh në muaj, sipas “Wikileaks”. Por në vitin 2008, Taipei dhe Pekini ranë dakord të heqin dorë nga vallja diplomatike, duke e lënë Naurun pa para.
Kështu, në dhjetor 2009, Nauru pa një mundësi të zgjerojë bazën e vet të klientëve dhe kërkoi 50 milionë dollarë ndihma (siç raportoi gazeta “Kommersant”) nga Rusia për të njohur diplomatikisht dy republikat e Kaukazit të Jugut. Rusia zyrtarisht mohon të ketë korruptuar Naurunë dhe ua atribuoi meritat diplomatëve abkhazianë dhe të Osetisë së Jugut, të cilët, sipas ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, “rregullisht vizitojnë rajonin”.
Mes këtyre diplomatëve është Juris Gulbis, një letonez udhëtar nëpër botë, i cili shkroi tezën e vet të doktoraturës mbi Abkhazinë. Ai ka jetuar në Fixhi dhe u bë ambasadori i Abkhazisë në Rajonin e Paqësorit. Gulbis foli para parlamenteve të Vanuatus dhe Tuvalus më 2011-n, duke argumentuar njohjen e pavarësisë së Abkhazisë nga Gjeorgjia dhe fitoi.
“Si Tuvalu ashtu edhe Vanuatu njohën Abkhazinë bazuar në meritat dhe vullnetin për të mbështetur vendet dhe popujt e vegjël në të drejtën e tyre për vetëvendosje”, këmbënguli ai.
Në maj 2011, Vanuatu, një arkipelag në lindje të Australisë me çerek milioni banorë, u bë anëtari i katërt i OKB-së që u radhit krahas Rusisë dhe njohu Abkhazinë (çuditshëm, ai nuk njohu Osetinë e Jugut). Statusi i këtij rajoni të vogël të Detit të Zi u bë shkurtimisht lajm ndërkombëtar, ndërsa ishujt politikisht të paqëndrueshëm dërguan mesazhe kontradiktore: brenda pak ditëve, qeveri të njëpasnjëshme të Vanuatus anuluan njohjen, njohën dhe anuluan sërish Abkhazinë. Sipas ish-ministrit të Jashtëm Joe Natuman, Rusia ofroi 50 milionë për firmën e vendit.
Tuvalu, në atë kohë në mes të një thatësire të rëndë, ishte më e uritur. Ajo e njohu Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut në tetor 2011 dhe Abkhazia dërgoi një anije me ujë. Nuk dihet nëse ndihmat ruse mbërritën, por Kryeministri Uilli (Willy) Telavi dhe Lavrov u takuan një muaj më herët për të diskutuar “zonat me potencial për bashkëpunim dypalësh, përfshirë tregtinë, peshkimin dhe arsimin”. Ministria e Jashtme e Rusisë u krenua me një deklaratë, “ky hap nga ana e palës tulaveleze përforcon statusin ligjor ndërkombëtar të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut”.
Shfaqja e pushtetit të butë të Rusisë filloi ta bëjë Gjeorgjinë nervoze. Moska mund të kishte vetëm pesë aleatë, por numri po rritej me shpejtësi dhe çdo aleat i ri rrezikon shpresat e Gjeorgjisë për të rimarrë nën kontroll ato që i quan territore të veta të pushtuara. Gjeorgjia nuk duhej të shqetësohej, gjithsesi: fitimi i Tuvalus doli se nuk ishte një arritje aq e madhe dhe tmerruese e fushatës diplomatike të Rusisë.
Një vit më vonë, Vanuatu ndryshoi qëndrim edhe një herë dhe pushoi nga puna ambasadoren e vet në Rusi, pas një lajmi në median vendase që sugjeronte se ajo synonte të mbante 15 për qind të të gjitha parave të grumbulluara në Moskë. Në prill 2013, Kryeministri mohoi që Vanuatu të kishte njohur ndonjëherë Abkhazinë dhe në korrik vulosi marrëdhëniet diplomatike me Gjeorgjinë, duke e zbritur numrin e aleatëve të Rusisë në katër.
“Vanuatu kërkonte para vazhdimisht dhe problemi është se destabiliteti i Vanuatus është sistematik”, thotë Gulbis. “Abkhazia thjesht nuk mund të përballojë të mbështesë qeveri të tilla. Nëse ne i mbështesim, kjo do të vijojë deri sa të vijë qeveria e ardhshme.”
Tuvalu ndoqi këtë shembull javën e kaluar.
Gulbis tha se zyrtarët e Tuvalus e kontaktuan atë nga fundi i vitit të kaluar, duke i thënë se gjeorgjianët i kanë ofruar 250 mijë dollarë dhe nëse Abkhazia mund të jepte një ofertë më të lartë! “Abkhazia nuk ka para as për të rregulluar banjat në zyrën e vet të marrëdhënieve me jashtë, jo më të japë miliona dollarë për vende që ne duam të na njohin”, tha Gulbis. Ministria e Jashtme e Gjeorgjisë nuk iu përgjigj kërkesave për komente. Zyrtarët e Tuvalus qenë të paarritshëm.
Kështu, tashmë vetëm tri vende janë në anën e Moskës dhe është e mundshme se njëri prej tyre mund të jetë duke diskutuar me Ministrinë e Financave të Gjeorgjisë.
“Ky është një zhvillim shumë poshtërues për Rusinë”, thotë Xhejms Ker-Lindsej (James Ker-Lindsay), një ekspert për Europën Juglindore në Shkollën Ekonomike të Londrës dhe autor i librit “Politika e jashtme e kundër-secesionit”, një libër mbi aventurat diplomatike që rrethojnë shtetet e kontestuara.
“Tuvalu nuk e ka zgjedhur Gjeorgjinë në vend të Rusisë, ajo ka zgjedhur Perëndimin në vend të Rusisë. Diçka ka ndodhur që e ka shtyrë të ndryshojë mendim. Pyetja është se çfarë! Gjithashtu, a i është dhënë Rusisë shansi për t’u përgjigjur? Nëse është kështu, pse nuk ka bërë një ofertë më të mirë? Ka ca pyetje me të vërtetë interesante këtu, për të cilat nuk ka përgjigje të lehtë.”
Ker-Lindsej tha se Nauru ka gjasa të ndjekë fqinjët e vet në Paqësor në mbështetjen e Gjeorgjisë, duke lënë vetëm Nikaraguan dhe Venezuelën në anën e Rusisë.
Të dyja republikat në Amerikën Latine i njohin protektoratet e Rusisë për arsye politike. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cituar nga “Wikileaks”, ia kreditoi vendimin e Presidentit të Nikaraguas Daniel Ortega “nostalgjisë për retorikën dhe politikën e Luftës së Ftohtë” (megjithëse Venezuela fitoi disa marrëveshje bujare armësh gjithashtu). Ker-Lindsej thotë se Gjeorgjia ndoshta po shpreson se edhe këto dy shtete do të bëjnë kthesë, por Gjeorgjia duhet të jetë e kujdesshme për atë që dëshiron.
“Nëse ata të gjithë vendosin të heqin dorë nga njohja, Moska mund të vendosë se nuk ka më asgjë për të humbur dhe aktualisht mund të ndjekë rrugën e Krimesë e t’i aneksojë (Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë)”, tha ai.