A po shkëmbejnë vendet Izraeli dhe Irani?
Nga Abbas Milani* dhe Israel Waismel-Manor* Ndonëse qeveritë e Izraelit dhe Iranit kanë qenë praktikisht në luftë me njëra-tjetrën prej disa...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/a-po-shkembejne-vendet-izraeli-dhe-irani.html
Nga Abbas Milani* dhe Israel Waismel-Manor*
Ndonëse qeveritë e Izraelit dhe Iranit kanë qenë praktikisht në luftë me njëra-tjetrën prej disa dekadash, dy vendet kanë shumë gjëra të përbashkëta.
Të dy janë “shtëpia” e disa prej qytetërimeve më të vjetër mbi Tokë, dhe të dy janë shtete joarabë në një rajon arab. Në vitet 1950, Izraeli i David Ben Gurionit dhe Irani i Shahut Mohammed Reza Pahlavi ishin bastione të nacionalizmit laik. Shahu nxiti modernizimin autoritar, ndërkohë që Ben Gurioni coi përpara një Sionizëm jofetar. Vetëm pas revolucionit islamik të vitit 1979 në Iran, Islami radikal arriti të eklipsojë këtë formë të politikës laike. Në Izrael, ajo qëndroi edhe për shumë kohë, por tani është në rrezik.
Si Irani, edhe Izraeli janë duke hyrë tashmë në faza potencialisht sfiduese në marrëdhënien e tyre me botën e jashtme, dhe sidomos me SHBA. Gjatë 7 viteve të fundit, Këshilli i Sigurimit i OKB me anë të rezolutave të tij i ka vendosur sanksione Iranit, me qëllim ndaljen e programit të tij bërthamor. Për vite të tërë, ish presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad fliste me zemërim kundër “Satanait të Madh”. Por edhe ndërkohë që lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei vazhdon të jetë kundër reformave, duket se disa zyrtarë brenda Iranit kanë kuptuar më në fund se vazhdimi i papajtueshmërisë dhe luftëdashjes do të sjellë vetëm më shumë sanksione dhe pasoja ekonomike katastrofike.
Ndërkohë që erërat e ndryshimit fryjnë në të gjithë Iranin, demokratët laikë në Izrael po humbasin terren përballë ekstremistëve fetarë dhe atyre të krahut të djathtë, të cilët ndihen rehat teksa sulmojnë hapur SHBA, aleatin më të madh të Izraelit. Në muajt e fundit, Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Moshe Yaalon e quajti Sekretarin e Shtetit, John Kerry “obsesiv dhe mesianik”, ndërsa Naftali Bennett, Ministri i Ekonomisë i Izraelit, e quajti Kerryn një “megafon” për elementët antisemitë që përpiqen të bojkotojnë Izraelin.
Demokratët laikë në Izrael janë gjithnjë e më të shqetësuar se e ardhmja e Izraelit mund të ketë një ngjashmëri të madhe me të kaluarën e afërt të Iranit. Për më shumë se tre dekada, pasurimi prej naftës u ka mundësuar udhëheqësve fetarë në Iran që të qëndrojnë në pushtet. Por sanksionet kanë shkaktuar një dëm të madh ekonomik, me pasoja shkatërrimtare për popullin iranian. Publiku, i lodhur nga retorika bombastike dhe e kushtueshme e Ahmadinejadit, e ka zëvendësuar atë me Hassan Roujanin, një pragmatist që ka premtuar të ndreqë ekonominë dhe rikthejë marrëdhëniet me Perëndimin.
Por ngjitja e Rouhanit është në të vërtetë pasojë e një ndryshimi të madh kulturor dhe demografik në Iran – larg prej teokracisë dhe konfrontimit, dhe drejt moderimit e pragmatizmit. Tensionet e kohëve të fundit mes Amerikës dhe Rusisë kanë trimëruar disa radikalë iranianë, por qeveria në tërësi duket sërish e prirur të vazhdojë negociatat bërthamore me Perëndimin.
Irani është vend i shumë paradokseve. Elita sunduese është e përbërë në shumicë dërrmuese nga klerikë të moshuar – të gjithë burra – ndërkohë që 64% e të diplomuarve në shkencë dhe inxhinieri janë gra. Pavarësisht përpjekjeve të përqëndruara të qeverisë për të krijuar atë që disa e kanë quajtur aparteid i gjinisë në Iran, gjithnjë e më shumë gra po konfirmohen në fusha që shtrihen nga kinemaja, tek botimet dhe sipërmarrja.
Shumë intelektualë dhe artistë të njohur, që tre dekada më parë mbrojtën një formë qeverisjeje fetare në Iran, sot argumentojnë për sovranitet të popullit dhe sfidojnë hapur argumentat e vjetëruar të të pushtetshmëve të regjimit, që pretendojnë se konceptet e të drejtave të njeriut dhe tolerancës fetare janë shpikje të Perëndimit dhe armiqësorë ndaj Islamit. Më shumë se 60% e iranianëve janë nën 30 vjec, dhe ata në shumicë dërrmuese besojnë tek liria individuale. Nuk është cudi që, muajin e kaluar Ajatollah Khamenei iu drejtua lidershipit fetar, duke i thënë që ajo cfarë e shqetësonte më shumë ishte një “pushtim kulturor” joIslamik i vendit.
Teksa iranianët e moderuar dhe disa prej udhëheqësve të vendit zhvendosen me kujdes drejt pragmatizmit dhe Perëndimit, duket se shumë izraelitë po shkojnë në drejtim të kundërt. Në 66 vitet e tij, Izraeli ka parë shumë ndryshime ideologjikë, nga “pëllumba” tek “fajkonj”. Këto kanë qenë luhatje të natyrshme, të nxitura kryesisht prej situatës së sigurisë në vend dhe shpresës për paqe.
Por ndryshimet aktualë po përshpejtohen prej fesë dhe demografisë, kështu që janë cilësisht të ndryshëm. Ndërkohë që partitë ortodokse hebreje nuk janë aktualisht pjesë e qeverisë, së bashku me “Shtëpinë e Hebrenjve”, një parti fetare e djathtë, ato zënë 25 përqind të vendeve në Knesset. Partitë ortodokse aspirojnë ta shndërrojnë Izraelin në një teokraci. Dhe me një përqindje mesatare lindjesh prej 6.5 fëmijë për hebrenjtë ortodoksë (krahasuar me 2.6 për pjesën tjetër të popullsisë hebreje), ëndrra e tyre mund të mos jetë shumë larg.
Ndërsa në Iran, numri i lindjeve është në rënie – një tregues i qartë i rritjes së laicizmit, si dhe një gjë që e lë pa gjumë Ajatollah Khomenein.
Fuqia afatgjatë e këtyre tendencave demografike, sipas mendimit tonë, do të refuzojë intransigjencën aktuale teokratike të Iranit dhe mund të eklipsojë cdo fitore të rrufeshme për liberalizmin në Izrael.
Zhvendosja e Izraelit drejt ortodoksisë nuk është thjeshtë fetare. Përderisa shumica e hebrenjve ortodoksë janë gjithashtu kundër cdo lloj marrëveshjeje me palestinezët, me cdo ditë që kalon, shanset për arritjen e një marrëveshje paqeje zbehen. Koha nuk është as në anën e atyre që duan të vazhdojnë të shohin një Izrael demokratik.
Nëse Izraeli vazhdon me zgjerimin e vendbanimeve, dhe bisedimet e paqes nuk i shërbejnë asnjë qëllimi, përvec se zgjatjes së status quo-së, atëherë rreziku i vërtetë ekzistencial për Izraelin do të jetë jo programi bërthamor i Iranit, por një valë sanksionesh ekonomikë.
Ajo që disa vite më parë nisi si një përpjekje individuale për të detyruar supermarketet në Perëndim që të bojkotojnë portokallet izraelitë, është shndërruar në një fushatë ndërkombëtare të orkestruar, që bën thirrje për bojkote, largim investimesh dhe sanksione kundër kompanive dhe institucioneve izraelitë.
Nga bojkotet akademikë, tek thirrjet për tërheqje të investimeve në kampuset e universiteteve amerikanë e deri tek mosgatishmëria e gjithnjë e më shumë institucioneve financiarë europianë që të investojnë në Izrael, apo të hyjnë në partneritet me kompani dhe banka izraelite që operojnë në Bregun Perëndimor, lëvizja “B.D.S.” po fiton vrull. Kryeministri Benjamin Netanjahu i ka quajtur së fundmi mbrojtësit e BDS “antisemitë klasikë, me veshje moderne”.
Në të kaluarën, Izraeli mund të mbështetej tek shtetet perëndimorë dhe sidomos SHBA për të ndalur iniciativa të tilla, por ndërkohë që “stofi” i popullsisë izraelite ndryshon, dhe popullsitë hebreje në Perëndim bëhen më pak fetare dhe më pak proizraelite, refleksi për të qëndruar në mbështetje të shtetit hebre, pavarësisht nga politikat që ai ndjek, po dobësohet.
Vec kësaj, teksa shtetet perëndimorë i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi respektit për të drejtat e njeriut, pushtimi shihet si një shkelje e normave liberale perëndimore. Një brez i ri hebrenjsh në Amerikë sheh një tension mes vlerave të tyre liberale dhe shumë prej politikave të Izraelit.
Kjo gjë, bashkë me ikjen e brezit të vjetër dhe një numër të madh martesash ndërfetare mes hebrenjve amerikanë, nënkupton që lobi izraelit nuk do të jetë më aq i madh apo aq i bashkuar sa ka qenë. Ndërkohë që presidentët amerikanë, që nga Lyndon B. Johnson e deri tek Barack Obama kanë deklaruar se angazhimi i SHBA ndaj Izraelit buron prej interesave strategjikë dhe vlerave të përbashkëta, pas një apo dy brezash, mund të kenë mbetur vetëm interesat.
Një ndryshim i kundërt po ndodh në diasporën e Iranit. Pesë deri në shtatë milionë iranianë jetojnë në mërgim. Arritjet e tyre ekonomike, shkencore, akademike dhe kulturore janë të mirënjohura në SHBA, falë njerëzve si themeluesi i eBay, Pierre Omidyar. Ata po shfaqen gjithmonë e më shumë si një forcë e madhe që mbron një Iran më demokratik dhe marrëdhënie më të mira me SHBA. Ashtu sikurse diaspora e bashkuar e hebrenjve ndihmoi shtetin e ri të izraelit që t’u bashkohej radhëve të shteteve të përparuar industrialë, diaspora e Iranit një ditë mund të luajë një rol të ngjashëm për një Iran post-teokratik.
Një prej këngëtareve më popullore të Izraelit, Rita Jahanforuz (e lindur në Iran) ankohet në albumin e saj të fundit: “Në këtë botë, jam e vetme dhe e braktisur, ashtu si bari i egër në mes të shkretëtirës”.
Nëse të moderuarit në Iran nuk arrijnë të shtyjnë vendin e tyre drejt reformave, dhe nëse laikët në Izrael nuk mund të ndalin rendjen e vendit nga demokracia, në teokraci, atëherë si iranianët, edhe izraelitët do të shkojnë gjithnjë e më shumë drejt përmbushjes së profecisë së saj të trishtë. (New York Times)
*-ABBAS MILANI është kreu i Programit të Studimeve Iraniane në Stanford, si dhe bashkëdrejtues i Projektit të Demokracisë Iraniane në Institutin Hoover
-ISRAEL WAISMEL-MANOR është Profesor në Universitetin e Haifas, si dhe lektor i shkencave politike në Stanford
-Përgatiti: Ermal Gjini. bota.al/