Cana kundër “dy Shqipërive”: Nuk ndahet simboli kombëtar!

Kapiteni Lideri i kuqezinjve mendon se ndarja në dy kombëtare do të dëmtojë imazhin e shqiptarëve në botë Ermal Kuka Lorik Cana vazhdon të j...

Kapiteni
Lideri i kuqezinjve mendon se ndarja në dy kombëtare do të dëmtojë imazhin e shqiptarëve në botë
Ermal Kuka

Lorik Cana vazhdon të jetë kategorikisht kundër ndarjes së futbollistëve cilësorë shqiptarë në dy kombëtare, atë të Shqipërisë dhe të Kosovës. Sipas kapitenit të përfaqësueses, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për aspektin sportiv të situatës dhe rënies së cilësisë, por për një imazh ndërkombëtar që duhet ruajtur. Ai është i bindur se kjo ndarje do të dëmtojë ëndrrën e vjetër të bashkimit në një shtet të vetëm, që deri tani e kishte mundësuar vetëm kombëtarja shqiptare.
“Unë i pari, por besoj edhe të gjithë bashkëlojtarët e mi, përfaqësojmë vendin tonë, përfaqësojmë kombin tonë dhe duhet të përqendrohemi vetëm me përfaqësuesen e të gjithë shqiptarëve. Të gjithë e dimë që një ditë, shqiptarët do të kenë vetëm një përfaqësuese. E kishin deri tani në këto vite, kur kemi pasur mundësinë për të zgjedhur. Por edhe në të ardhmen do të jetë e njëjta gjë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm, në të cilin ne duhet t’u tregojmë të tjerëve se çfarë drejtimi do të marrim. Dhe e vetmja gjë që e ka treguar, që ne duhet të jemi një dhe do të jemi një, është përfaqësuesja, është fanella e ekipit kombëtar. Dhe nëse ne ndajmë simbolin e ekipit tonë kombëtar, kjo është një gjë shumë e keqe për imazhin që ne do t’i tregojmë botës për të ardhmen”, është opinioni i Canës.
Kapiteni ka dashur të bëjë të qartë se nuk është kundër idesë që futbolli kosovar të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare, thjesht shpresonte që një gjë të tillë ta bënte nëpërmjet Shqipërisë. Ai deklaron se respekton zgjedhjet e bëra nga futbollistë si Ujkani e Sadiku për të shkuar te Kosova, ndonëse do të preferonte që çdo vendim që merrej, të ishte diskutuar bashkërisht.
“Nuk gjykoj asnjë, i kam miq, i kam shokë. Kam kaluar shumë vite me ta, sidomos me Samirin. Ata kanë bërë një zgjedhje për të shkuar për të luajtur ndeshje miqësore. Jam i gëzuar që zhvillohet kjo ndeshje miqësore, në mënyrë që edhe njerëzit në Kosovë të kenë mundësinë të përballen me nivelet ndërkombëtare. Por do të kisha preferuar që kur vendoset diçka, të vendoset bashkë, pavarësisht zgjedhjes. Kemi vendosur të gjithë për të qenë një, për të dhënë kontributin tonë. Ndaj kur merret një vendim, të merret nga të gjithë bashkë, jo të ndarë”, shpjegon mbrojtësi.
Duke iu kthyer shortit të Euro 2016, Cana është i ndërgjegjshëm për vështirësitë që gjenden përballë kombëtares kuqezi, sidomos sfidat me ngarkesë të lartë emocionale ndaj Serbisë. “Për ato sfida duhet që në fushë të jenë lojtarët më të gatshëm dhe më në formë, për të përballur një sfidë futbolli. Sigurisht, çdo sfidë futbolli ka vështirësitë e saj, qoftë në aspektin teknik, fizik apo të ambientit. Por ajo, përveçse do të jetë një ndeshje e vështirë në aspektin teknik, sepse do të jetë një kundërshtar shumë i fortë përballë, do të ketë edhe disa pjesë jashtë futbollit, të cilat do të jenë të vështira për t’u përballuar”, ka paralajmëruar kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit.


Formacioni
Kapllani-Sadiku, nga minuta e parë
Trajneri De Biazi duket se këtë radhë po respekton vendimin e tij për të bërë eksperimente me formacionin kuqezi, duke iu kthyer rreshtimit 4-4-2 që ishte harruar prej kohësh. Tekniku italian ka bërë disa ndryshime në mesfushë në krahasim me ndeshjet e shkuara, ashtu si edhe në sulm ku nga minuta e parë do të aktivizohet dyshja Kapllani-Sadiku. Forma e mirë që po kalojnë dy sulmuesit në kampionatet respektive i ka kthyer ata në zgjedhje të parë për trajnerin italian. Duke pasur parasysh se pika e vetme fikse e sulmit të kombëtares aktualisht është Hamdi Salihi, dy lojtarët duhet të shfrytëzojnë mungesën e sulmuesit shkodran për të treguar se meritojnë një vend në formacionin e përfaqësueses dhe grumbullimet e ardhshme. Shtimi i një sulmuesi kthen rreshtimin me 4 lojtarë në mesfushë, ku Basha dhe Kaçe do të kenë detyra mbrojtëse përballë Maltës, ndërsa Rama në të majtën dhe Meha në të djathtën do të jenë të orientuar drejt sulmit, për të mbështetur dhe furnizuar dyshen sulmuese. De Biazi kërkon të testojë këtë rreshtim ndaj Maltës, një skuadër që pritet të luajë në mbrojtje ndaj kuqezinjve, pasi vështirë se do të guxojë ta bëjë një gjë të tillë në eliminatoret e Euro 2016 ndaj kundërshtarëve si Portugalia apo Danimarka.

Berisha
Lila Cana Mavraj Agolli
Meha Basha Kaçe Rama
Sadiku Kapllani

Related

Sport 152849506781199462

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item