UKRAINA, PËRPLASJA E RE PERËNDIM – LINDJE

Klajd Karameta Kur do të bëhet Ukraina shtet anëtar i EU? Pas Turqisë! Po Turqia? Asnjëherë! Kjo është një shaka që e dëgjon shpesh në Ukrai...

Klajd Karameta

Kur do të bëhet Ukraina shtet anëtar i EU? Pas Turqisë! Po Turqia? Asnjëherë! Kjo është një shaka që e dëgjon shpesh në Ukrainë në lidhje me perspektivën e këtij vendi për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian.
Ukraina është një nga vendet ku mund t’i kërkojmë origjinat e pranisë së njeriut në Europë. Me një histori popullimi 42.000-vjeçare, atdheu i skithëve të famshëm, Ukraina është vendi ku kanë origjinën ata dy popuj, të cilët sot janë nga dy anë të ndryshme të barrikadës: ukrainasit dhe rusët. Rreth vitit 800 të erës sonë, u formua shteti i Rusit të Kievit, që arriti kulmin e fuqisë nën mbretërinë e Vladimirit të Madh. Nga kjo bërthamë e vendosur përreth qytetit të Kievit modern, e kanë origjinën ukrainasit, por edhe rusët. Këtu duhet kërkuar edhe baza e pretendimit rus, që e shikon Ukrainën si oborrin përpara shtëpisë së vet.
Ukraina – një vend i ndarë
Po t’i besojmë teorisë së Huntigtonit, Ukraina është një vend i ndarë midis Lindjes dhe Perëndimit. Në fakt, pjesa perëndimore e vendit ka një kulturë më ndryshe nga pjesa e lindjes. E vendosur për disa kohë nën administrim austro-hungarez (krahina e Galicisë) kjo pjesë e territorit ukrainas, është bastion i nacionalizmit ukrainas. Feja e tyre është një variant i katolicizmit, në ndryshim nga ortodoksia që mbizotëron në pjesën lindore dhe jugore (Gadishullin e Krimesë). Aty flitet gjuha ukrainase dhe njerëzit janë më pro integrimit të vendit në BE. Nga ana tjetër, në lindje rreh zemra ekonomike e vendit: Donjetsku me pellgun e vet qymyrmbajtës dhe industrinë e çelikut është bastion i industrisë dhe ekonomisë, kurse Krimeja është strategjikisht çelësi i Detit të Zi, që mundëson aksesin për në Dardanele dhe nëpërmjet ngushticës, aksesin në Mesdhe. Jo më kot flota ruse e Detit të Zi është e stacionuar në portin e Sevastopolit dhe jo më kot rusët kanë bërë luftë disa herë për të pasur kontrollin mbi këtë gadishull kaq të rëndësishëm strategjik.
Pax Americana – unilateralizmi amerikan i viteve ‘90
“Po t’i heqësh Rusisë Ukrainën, i ke hequr ambicien për perandori euroaziatike; ata do të kthehen në një vend i orientuar gjeostrategjikisht nga Azia”. Ky fragment është marrë nga libri “Fusha e Madhe e Shahut”, i një prej korifenjve të gjeostrategjisë aktuale amerikane, z. Brzinskit. Ai ilustron më së miri pikëpamjen perëndimore për Ukrainën dhe faktin se përse Perëndimi është kaq shumë i angazhuar në Ukrainë. Në fakt, kjo pikëpamja amerikane e viteve ‘90 është shtjelluar nga gjeostrategjistë si Brzinski ose Fukujama. Ata e konsideruan botën postkomuniste si botë njëpolare, ku drejtimi i punëve orientohej nga një pol i vetëm që do të ishte ShBA-ja. Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe Kina ishte akoma në një fazë të hershme zhvillimi. Ndërkaq, akumulimi i fuqisë matanë Atlantikut arriti nivele të atilla, saqë Fukujama shkruante bile edhe për “fundin e historisë”.
Euroazia – Paradigma e re ruse
Nga fundi i viteve ‘90, sidomos me ardhjen në pushtet të Putinit si president, gjeostrategjia ruse riformuloi konceptin e orientimit të saj nga ajo që konsiderohet si koncepti euroaziatik. Kështu, autorë rusë si Dugin, i kundërvënë konceptin e multipolaritetit konceptit amerikan të njëpolaritetit, duke theksuar se qendra të tjera pushteti, si Rusia dhe Kina, duhen përfshirë patjetër në ekuacionin gjeostrategjik amerikan. Sipas tyre, Rusia është një fuqi tokësore euroaziatike, synimi i së cilës është t’i kundërvihet fuqisë detare amerikanoveriore dhe anglo-saksone, të përfaqësuar nga Shtetet e Bashkuara. Kjo kundërvënie fillon me ripërfshirjen në zonën e saj të influencës të atyre popujve dhe shteteve që kanë një afinitet kulturor dhe lidhje historike me Rusinë, si Bjellorusia, Ukraina dhe Kazakistani. Europa konsiderohet në këtë përqasje jo si rival, por si partner potencial, që duhet fituar në përplasjen me Shtetet e Bashkuara. Në pikëpamjen ruse, edhe Kina, si fuqi kontinentale tokësore, duhet fituar si aleate, në përplasje me Shtetet e Bashkuara. Kjo mund të ndodhë, ndër të tjera, duke përdorur burimet gjigante që Rusia zotëron në hapësirën e saj të pamasë, si p.sh., naftën dhe gazin.
Kur demat përplasin brirët, lopët nuk duhet të presin mëshirë…
“Nga ana tjetër, vazhdon Brzinski, po qe se Rusia ia arrin të rimarrë Ukrainën me 45 milionë banorët e saj, me burimet dhe aksesin në Detin e Zi, pastaj Bjellorusinë dhe Kazakistanin, ajo menjëherë rimerr automatikisht pozitën për t’u bërë një shtet i fuqishëm perandorak nga Azia në Europë”. E pra, duket se zaret janë hedhur: Presidenti Putin me marrjen nga Parlamenti rus të kompetencës për të përdorur ushtrinë, ndoshta ka vendosur t’i tregojë Perëndimit se nuk do të tolerojë më veprime diversioni në oborrin e shtëpisë të tij. Nga ana tjetër, janë të mëdha gjasat që Putini të ruajë perdet; ai, me siguri, nuk do të nxitë aneksimin formal të Krimesë. Rusia ka qenë dhe vijon të jetë në kontroll të situatës edhe nëpërmjet prezencës së flotës ruse dhe shumë forcave tokësore atje. Ish-presidenti pro rus Janukoviç ka marrë rreth 75% të votave në rajonin e Krimesë gjatë zgjedhjeve të fundit. Ndërhyrja ruse i ngjan një ndërhyrjeje kirurgjikale, duke shtyrë popullsinë e Krimesë për një referendum, që do të mbahet më 30 mars të këtij viti, ku do të kërkohen të drejta autonomie substanciale, duke rritur njëherazi edhe prezencën ushtarake atje. Në një situatë të tillë duket se aktorëve të tjerë, SHBA dhe EU, nuk u mbetet shumë për të bërë, përveçse të mundohen të negociojnë me Rusinë. Duke detyruar Janukoviçin të largohet nga detyra, ata vunë në provë aftësinë ruse për të reaguar dhe kjo nuk ndodhi në përputhje me interesat europiane. Tani situata është e tillë, që pas zhvillimeve të fundit, Rusia duket se e hodhi hapin e saj. Mbetet të shikohet se çfarë janë gati të bëjnë SHBA dhe EU përtej deklaratave. Gjithsesi, në këtë mes duket se Ukraina me të dy fraksionet e saj, pro Lindje dhe pro Perëndim, është e varur në veprimet e saj kryesisht nga ajo çka do rekomandojnë aleatët e këtyre fraksioneve.

Related

Opinione 8396303103389143662

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item