Fenomeni media/ Televizioni dhe postmendimi si pika të reja referimi
Në stendën e Shtëpisë “Dituria” diskutimi mbi librin “Homo Videns, televizioni dhe postmendimi” tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të Panairit....
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/fenomeni-media-televizioni-dhe.html
Në stendën e Shtëpisë “Dituria” diskutimi mbi librin “Homo Videns, televizioni dhe postmendimi” tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të Panairit. E pranishme në panel, përkthyesja e librit, Albana Nexhipi, botuesi Petrit Ymeri dhe profesori i filozofisë, Artan Fuga. “Shpresoj ta kem shqipëruar sa më mirë dhe të kem sjellë atë që ka dashur vërtet Sartori të thotë. Bashkë me botuesin Petrit Ymeri vendosëm që ta sjellim këtë libër, sepse shoqëria shqiptare ka nisur ta shohë ekranin si të vetmen dritare për të vërtetën. Shpresoj ta kem sjellë saktë dhe pastër mendimin e autorit”, – tha përkthyesja Nexhipi. I ftuar për të referuar rreth botimit të dytë në shqip të Sartorit, profesor Artan Fuga u ndal në faktin se sa i dobishëm dhe në kohën e duhur është ky botim për lexuesin shqiptar. “Në media thuhet se ka një axhendë botimi, domethënë si strukturohet çështja që i vendoset audiencës për të diskutuar dhe kam përshtypjen se ky problemi i axhendës nuk është vetëm në media. Sigurisht është në të folurin tonë në kafene, sepse shpeshherë flasim për gjëra të cilat, ai që na dëgjon, nuk ka interes. E kemi këtë problem në dialogun shqiptar të përditshëm. Por është dhe në përkthim. Unë kam përshtypjen që një pjesë e përkthimeve që bëhen janë përkthime mbase të vyera, mbase shumë të vlefshme, por mungon aktualiteti, domethënë ajo që pret nga kultura botërore cili është ai mekanizëm që të bën të thërrasësh pikërisht atë që duhet. Dhe këtu përzgjedhja është shumë e vështirë. Kjo kërkon një dorë mjeshtërore, një dorë që të njohë nevojat e publikut shqiptar, të njohë se çfarë qarkullon sot në botë. Mua më duket se ashtu si edhe në raste të tjera, edhe këtë herë botuesi ka ditur të vërë gishtin pikërisht tek një prodhim kulturor shkencor dhe politologjie, që në momentin e caktuar nuk i vjen as më vonë shoqërisë shqiptare, as më shumë përpara, është tamam në atë axhendë ku shoqëria shqiptare ka nevojë të ketë pika të reja referimi. Nga kjo pikëpamje unë them se zoti Ymeri, me profesionizmin e vet ka arritur ta zgjidhë çështjen. Kjo shoqërohet më pas me përkthimin e Albana Nexhipit, e cila ka arritur ta shqipërojë butë, ëmbël dhe rrjedhshëm një botë konceptuale që në realitetin shqiptar është e re, është provokative dhe nuk është aq e lehtë për t’u sjellë në atë mënyrë që të tërheqë në lexim.