FYTYRA E MINISTRISË SË ARSIMIT, JANË UNIVERSITETET
PROF. DR. AGO NEZHA Situata që lexojmë në arsim, e veçanërisht ajo e shkollave të larta, tregojnë për nivelin e drejtimit dhe profesionalizm...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/fytyra-e-ministrise-se-arsimit-jane.html
PROF. DR. AGO NEZHA
Situata që lexojmë në arsim, e veçanërisht ajo e shkollave të larta, tregojnë për nivelin e drejtimit dhe profesionalizmit që ka shfaqur Ministria e Arsimit në periudhën e qeverisjes Berisha. Kjo situatë e trashëguar nuk është e rastësishme, por një strategji qëllimkeqe, e përdorur në mënyrë korruptive për të shkatërruar arsimin e lartë, që është e ardhmja e kombit. Arsimi i lartë, që është edhe fidanishtja, nga ku përgatiten gjeneratat e inteligjencës që do të marrin në dorë fatet e vendit, ka dështuar me synime të qëllimshme. Në këto standarde që ndodhen universitetet aktualisht, si rrjedhojë e politikave të mbrapshta të qeverisë që iku, kërkohet një apokalips reformues me parametra bashkëkohorë. Një tjetër tregues sintetik, që provon se shkolla e lartë private s’ka kualitete, është se të gjithë studentët që hyjnë në vitin e parë diplomohen 100%. Për të qenë i sinqertë, do të thosha se ndryshe nga para 1990, që hynin në universitet në fakultete të ndryshme 100 studentë dhe dilnin më pak se gjysma, sot hyjnë 100 dhe dalin 120 të diplomuar. Fenomeni i diplomave false, është një fenomen që ka prekur pothuajse një pjesë të mirë të universiteteve private, e pse jo dhe shtetërore. Jo të gjitha universitetet, por një pjesë e mirë e tyre, janë kthyer në firma piramidale, që prodhojnë veç analfabetë. Janë këto “fabrika” të prodhimit të specialistëve të lartë, që po mbushin superstrukturën, dikasteret, administratën shtetërore, institucionet arsimore e shkencore, e deri te bizneset e ndryshme. Me padijen dhe paaftësinë e tyre, ata garantojnë shkatërrimin e së ardhmes së vendit. Mjafton të sjell një shembull të një pronari lokalesh që më thotë se: kamerierët i kam të gjithë me shkollë të lartë, por nuk dinë tabelën e shumëzimit dhe gabojnë në llogarinë me klientët dhe më krijojnë telashe. Ky shembull është sa grotesk aq edhe shqetësues dhe flet shumë për nivelin e shkollës së lartë që prodhon analfabetë me diplomë. Kësaj gjendje kritike, dikasteri përkatës duhet t’i thotë ndal. Universitetomania, që ka pushtuar jo vetëm shtresat e gjëra të rinisë, por edhe mentalitetin e prindërve të tyre, është një investim fiktiv, pa të ardhme. Shqipëria, si një vend i vogël, e kalon numrin e universiteteve private, krahasuar edhe me fqinjët tanë jugorë, veriorë apo edhe perëndimorë, si Italia. Kjo garë pa fre nga shteti, për të hapur universitete private në çdo skaj të vendit, nga Kukësi në Sarandë, është një aventurë që duhet të mbyllet në mënyrë urgjente. Dihet se niveli i pedagogëve dhe infrastrukturës, lë për të dëshiruar në shumë universitete të Tiranës, pa le më në skajet periferike jugore apo veriore. Një fenomen tjetër që ka përfshirë universitetet private, është gjigandomania, për të pasur sa më shumë fakultete, pavarësisht nga investimet në infrastrukturë dhe në stafin akademik. Ka universitete, megjithëse të vogla, si Universiteti “Polis”, “Motrat Qirjazi” etj., që kanë integritetin e tyre dhe përgatisin një gjeneratë të natyrshme për tregun e punës. Metastazat që kanë përfshirë universitetet, si qendra biznesi e korrupsioni, duhet një dorë e fortë kirurgjikale që t’i operojë e t’i shërojë, duke mos i mbajtur gjatë në gjendjen e reanimacionit ku ndodhen. Për të bërë revolucione që bëjnë epokë, nuk është e lehtë. Përmbysjet kërkojnë njerëz të ditur, të guximshëm dhe të ndershëm. Këto resurse nuk mungojnë po t’i kërkosh me dritën e Diogjenit. Po të vegjetosh, nuk të ndjek kush pas. Do t’i sugjeroja dikasterit përkatës, që të studionte dhe implementonte modelin e suksesshëm amerikan, shkollën e Fullcit. Ky është një model, që është provuar në praktikë dhe s’ka nevojë të eksperimentohet. Ajo që është urgjente për dikasterin përkatës, duhet të njihet gjendja aktuale e universiteteve, duke u bërë skanerin, se sa janë ato adekuate me kërkesat bashkëkohore të arsimimit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të ngrejë grupe pune me ekspertë të fushave përkatëse, për t’i parë të gjitha universitetet në mënyrë nominale, cili është niveli i stafit pedagogjik, përbërja e tij, si është struktura e fakulteteve, a janë paguar pedagogët rregullisht, si është niveli shkencor, si është infrastruktura për çdo fakultet, niveli i mësimdhënies, frekuentimi i leksioneve dhe seminareve nga studentët etj. Kur e pyetën studentët profesorin e nderuar të Fakultetit të Veterinarisë, Kristaq Bërxholi, pas një vizite që kishte bërë në një universitet të Gjermanisë, mbi përshtypjet e tij nga auditori, ai iu përgjigj me ironi, se ka një “ndryshim të vogël”, kur krahason studentët shqiptarë me studentët gjermanë. Studentët gjermanë ulen çdo ditë në auditorë, në leksione dhe seminare, duke mbajtur në dorë çantën të mbushur plot me libra, ndërsa studentët shqiptarë, edhe kur vijnë në auditorë, jo vetëm që nuk kanë çantë dhe libra, por hyjnë në auditor me duar në xhepa. Ky konstatim flet shumë dhe me nostalgji më kujton kohën tonë, që çantën nuk e ndanim nga dora jo vetëm në auditor, por edhe jashtë tij në sallat e studimit, edhe deri në orët e vona të natës. Dikush do të thotë se analogjia nuk shkon. Koha moderne e demokracisë sonë, këtë eksperiencë e quan arkaike. Në këto standarde që është arsimi i sotëm, ministrisë përkatëse, pse jo dhe qeverisë, i duhet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme dhe të japë alarmin për ta ndryshuar situatën. Po ngeli në retorikat e përdorura nga e kaluara, pa marrë masa drastike për ndryshime thelbësore, universitetet si deri më sot, do të prodhojnë analfabetë me bollëk, e që ky në gjuhën arabe është një qamet i madh, qamet më të madh mos prit. Për të arritur në standardet e universiteteve të përparuara perëndimore, duhet domosdoshmërish të vendosen kritere cilësore për të vazhduar studimet e larta. Paraprakisht, për të fituar të drejtën e studimit në një shkollë të lartë, qoftë në universitete shtetërore apo private, duhet të vendoset kriteri i notës mesatare. Papërjashtimisht, në shkollat e larta duhet të ketë kuota frekuentimi në leksione e seminare, si kritere bazë për t’u klasifikuar për të hyrë në provim. Një tjetër fenomen negativ, që duhet të korrigjohet mbi bazën e kritereve, është e drejta e pakufizuar për të fituar tituj dhe grada shkencore. Për të marrë tituj dhe grada shkencore, duhet medoemos të kesh mesataren e notës të lartë për t’u përfshirë në studime shkencore. Me ritmet galopante korruptive, që po ecin universitetet tona, është arritur që masterat, doktoraturat e profesorët, të jenë me qindra. Me këto ritme, po arrijmë që çdo shqiptar është edhe një shkencëtar. Kjo situatë e pazakontë kërkon në mënyrë urgjente që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të kontrollojë e verifikojë dokumentet dhe kontributin shkencor, kriteret e zbatuara të atyre personave që kanë marrë tituj dhe grada shkencore. Ka shumë profesorë dhe doktorë që s’plotësojnë as minimumin e kritereve për të marrë titullin që gëzojnë, pasi s’kanë asnjë botim shkencor ose monografi, veç qirasive dhe tenderëve që u kanë falur autoriteteve universitare. E drejta për të dhënë tituj dhe grada shkencore duhet të jetë ekskluzive për universitetet shtetërore dhe ato me seleksion. Ndryshe, degjenerimi dhe liberalizimi i marrjes së titujve dhe gradave nuk do të ndalet. Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të ngrejë komisione të fushës me titullarë profesionistë për të gjykuar krijimtarinë e personave që konkurrojnë për tituj dhe grada shkencore. Në rast se Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve nuk do të mund të përmbysë gjendjen në arsim, shqiptarët po kthehen në një koloni të analfabetizmit, të mbushur me diploma pa dije, që iu zbukurojnë sirtarët e shtëpisë, si qelqurinat bufenë.