POETJA RUSE / Nga Majdani, leksione edhe në Moskë. Nevojë për të dëbuar frikën

Ol’ga Aleksandrovna Sedakova* Në dritën e Majdanit, shoqëria ruse (nuk them qeveria, por shoqëria) ofron një spektakël të turpshëm. Janë fja...

Ol’ga Aleksandrovna Sedakova*

Në dritën e Majdanit, shoqëria ruse (nuk them qeveria, por shoqëria) ofron një spektakël të turpshëm. Janë fjalë të rënda por nuk kam ndërmend t’i zbus. Natyrisht, ky është mendimi im personal dhe shumë pak vetë në Rusi do të jenë dakord me mua. Shumëkush – dhe shumë prej atyre që zakonisht konsiderohen intelektualë dhe “demokratë” – do të fyhen prej shënimit tim: drita e Majdanit!
Zjarret e Majdanit, tymi i Majdanit, në rastin më të mirë drama e Majdanit: kjo do u shkonte më shumë për shtat. Ato cfarë di nga Majdani, i kam mësuar prej miqve të mi të shtrenjtë që kanë kaluar ata muaj në shesh, e di nga transmetimet televizivë prej vendngjarjes, e di nga komentet e V. Silvestrovit dhe të gjithë këto më shtyjnë të flas për dritën e Majdanit. Natyrisht, unë këtu kam në mendje Majdanin e butë dhe këmbëngulës dhe jo “fluturimet” e grupeve ekstremistë, tek të cilët përqëndrohet e gjithë vëmendja këtu tek ne.
Mbi të gjitha është drita e kapërcimit të frikës. Për fitoren e Majdanit si fitore mbi frikën ka shkruajtur Kostantin Sigovi. Kur, këto ditë, kam lexuar agjencitë e lajmeve, me reflektimet e bashkatdhetarëve të mi të ndricuar, mbi ngjarjet në Ukrainë (më poshtë do të përpiqem të rendis argumentat e tyre), nuk e di pse për vërtiteshin në mendje vargjet e T.S.Eliot nga “Katër kuartetet”, ku flitet për “urtësinë e të mocmëve”. Më kujtoheshin, ashtu turbullt, këta vargje:
«do not let me hear
Of the wisdom of old men…»
E kuptova përse më erdhën në mendje, kur lexova deri në fund: “Nuk dua të dëgjoj / për urtësinë e të mocmëve / por për marrëzinë e tyre / frikën e tyre nga frika dhe furia / frikën e tyre nga zotërimi / frikën mos i përkasin dikujt tjetri, apo Zotit”.
Nuk bëhet fjalë për faktin që komentatorët tanë janë të moshuar, por që e vetmja urtësi mbi të cilën ata bazohen është urtësia e frikës. Ata shohin Majdanin – kapërcimin e frikës atje – me frikën e atij që ende nuk ka dalë prej frikës. Nuk shohin atë që është, por atë që mund të ndodhë më pas (dhe është e qartë që nuk do të ndodhë asgjë e mirë). Georges Nivati ka shkruajtur që Majdani është shansi i një frymëmarrjeje të re për Europën që, pas dy traumave të shekullit XX, nazizmin dhe komunizmin, jeton me kompromise dhe nuk ka më ideale. Ka shkruajtur që shanset që kjo të ndodhë janë të pakët. Ai nuk pret një frymëmarrje të re që t’i kundërvihet të keqes. Europa bazohet mbi kompromisin, edhe si mundësi për paqe të brendshme. Eshtë shumë e fortë frika për të ushqyer cfarëdolloj entuziasmi. Dhe në Rusi është edhe më e madhe. Majdani është drita e shpresës. Duket marëzi të shpresojmë për dicka të ndryshme nga ajo që kemi parë. Të kujtojmë precedentët: pas revolucionit të shkurtit ndodhi tetori (është argumenti i përdorur më shpesh), apo, me fjalë të tjera, pas fazës idealiste të revolucionit vijnë diktatura dhe terrori. Pastaj lufta civile, shpartallimi i vendit…
Askund tjetër nuk e kanë frikë revolucionin, sa në Rusi. Dhe kemi arsye të forta për të preferuar cfarëdolloj lufte tjetër, vetëm revolucionin jo. Eshtë përvoja e brezave të ndryshëm.
Por shpresa vepron përtej të gjithë precedentëve dhe supozimeve. Një shpresë e tillë në Rusi nuk ekziston. Ndihemi si në një tren që ecën me shpejtësi atje ku e cojnë, ndërkohë që askush nuk pyet, dhe që të gjithë nuk e kemi aspak nën kontroll.
Drita e Majdanit është edhe drita e solidaritetit. Kemi lexuar shprehje të mrekullueshme të këtij solidariteti në lajmet që vijnë nga Majdani. Një solidaritet që nuk njihte kufij shtrese dhe kombësie. Në Rusi nuk kemi eksperiencë solidariteti, edhe në të kaluarën, kur pothuajse nuk ekzistonte.
Drita e Majdanit është edhe drita e njerëzimit të rehabilituar. Intelektuali rus jeton në një atmosferë ironie globale, skepticizmi dhe cinizmi të thellë. Sjelljet dhe format e shprehjeve të larta, të frymëzuara nga ideali, natyrisht që nuk e mbushin me besim. Sheshi i madh që këndon i tëri himnin kombëtar, apo që reciton Ati ynë, nuk puqet me konceptin e “aktuales” dhe “modernes”. Gjejmë repilka, në të cilat ngjarjet e Ukrainës quhen “arkaike” dhe “të vjetëruara”. Po si jo! Për ne, aktuale janë grotesku mizor dhe palacollëqet.
Një tjetër motiv që e gjen shpesh këto kohë tek ata që nuk e duan Majdanin është kompleksiteti. Nuk është gjithcka kaq e thjeshtë, na kujtojnë, nuk ekziston e keqja absolute, as e mira absolute… Si njëra palë, ashtu edhe tjetra kanë pjesërisht të drejtë, e rëndësishme është të jetojnë në paqe. Në paqe me hajdutë të regjur? Dhe kufizohem të konsideroj reagimet e intelektualëve. Nuk dua të flas as për ata që diskutojnë për “eurofashizëm”, e të tjera. Kam frikë se ata janë shumica dërrmuese. Le të themi që janë viktima të “informacionit” zyrtar. “Lufta mediatike” e propagandës zyrtare ka fituar, pa dyshim. Po ndalem vetëm tek njëri prej leitmotiveve më të përhapur, sepse është pakëz më kompleks se sa “fashizmi” apo “antisemitizmi” i zakonshëm. E kam fjalën për rusofobinë.
Të vësh nën akuzë kleptokratët dhe praktikuesit e atij stili jetese që zakonisht e quajmë “stalinizëm (ose një shtet që nuk i vë limite pushtetit të tij, që nuk përgjigjet para popullatës dhe as e informon për nismat e tij) perceptohet si aksion “antirus”. Dhe kjo, fatkeqësisht nuk është pak. Një regjim i këtij lloji mbështetet nga Moska, dhe pikërisht drejt një regjimi të tillë, Rusia lëviz gjithnjë e më kompakte. Dallimi përfundimtar mes “rusit” dhe “sovjetikut” tek ne nuk ka ndodhur. Njerëzit në sheshin Majdan u përpoqën që të shkëpusin “ukrainasin” nga “sovjetiku”. Kjo tentativë, sic po e shohim nga ngjarjet e fundit, nuk do të falet./bota.al
* Ol’ga Aleksandrovna Sedakova, 65 anni, poete dhe akademike ruse, konsiderohet vazhduesja e poezisë së madhe ruse të Nëntëqindës

Related

Shtypi i huaj 3146899953281443535

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item