Diplomaci e çarmatosur

The Economist Angela Merkeli, ashtu si shumë gjermanë, e sheh Rusinë edhe me dyshim, edhe me sentiment. Si kancelarja e parë e Gjermanisë që...

The Economist

Angela Merkeli, ashtu si shumë gjermanë, e sheh Rusinë edhe me dyshim, edhe me sentiment. Si kancelarja e parë e Gjermanisë që vjen nga lindja ish-komuniste, ajo ka shumë pak iluzione në lihje me trashëgiminë e Bashkimit Sovjetik apo natyrën e Vladimir Putinit, një ish agjent i KGB që ka punuar në Dresden. Ajo është më e gatshme se paraardhësit e saj, për të folur kundër sjelljes së tij sa u përket të drejtave të njeriut. Megjithatë, ajo gjithashtu e kupton friken e tij nga humbja e Ukrainës. Mbi tryezë ajo ka një portret të Katerinës së Madhe, princesha e lindur në Gjermani që u bë perandoreshë e Rusisë dhe pushtoi Krimenë.
Këto ndjenja të përziera, të cilave mund t’u shtosh edhe ndjenjën e fajit të pasluftës dhe madje edhe pacifizmin, ndihmojnë për të shpjeguar paradoksin e reagimit të Gjermanisë ndaj pushtimit rus të Krimesë. Merkeli është udhëheqësja më e pushtetshme e Europës, megjithatë vendi i saj ka qenë deri sot pengesa kryesore për një përgjigje të fortë dhe të unifikuar. Kur Amerika sugjeroi që Rusia duhet të dëbohet nga klubi i G8-ës, Frank Valter Steinmeier, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, kundërhsoi. Kur europiano-lindorët kërkuan që të kërcënohet me sanksione të përcaktuar, ai këmbënguli se prioritet duhet të ketë dialogu. “Diplomacia nuk është shenjë dobësie. Eshtë më e nevojshme se kurrë”.
Socialdemokratë si Steinmeieri kanë qenë të prirur ta trajtojnë Rusinë me tolerancë. Ish mentori dhe kancelari i tij, Gerhard Schroeder u bë madje edhe kryetar i komitetit të aksionerëve të Nord Stream, një konsorcium gazsjellësi që dominohet prej gjigandit rus të gazit, Gazprom. Ndërkohë, përgjigja e Gjermanisë përmblidhet më së miri nga kopertina e Tageszeitung, një gazetë e përditshme, e cila kishte një fotografi të një telefoni ngjyrë blu me titullin: “Arma më e fuqishme e Europës”. Diplomatët thonë se, Merkeli më shumë se cdokush tjetër, ka qenë në qendër të rrjetit të kontakteve diplomatikë, duke i kërkuar Putinit të përpiqet të ngrejë një grup kontakti dhe të dërgohen vëzhgues ndërkombëtarë, me shpresën që Rusia do e lëshojë disi Krimenë ose të paktën do të qëndrojë jashtë Ukrainës.
A ka lindur dëshira e Gjermanisë për të vazhduar bisedimet me Rusinë, prej një besimi të sinqertë tek diplomacia, apo i duhet të mbrojë interesat e saj tregtarë? Sigurisht, biznesi gjerman është kundër acarimit. Komiteti i Marrëdhënieve Ekonomike Europiano Lindore, një grup lobimi i bizneseve të mëdhenj, argumenton se sanksionet do të rrezikonin vendet e punës për 300 mijë gjermanë, që varen nga tregtia me Rusinë. Si destinacion për eksportet gjermanë, Rusia renditet e 11-a, prapa Polonisë dhe pak përpara Spanjës. Gjermania ka një deficit tregtar të madh (dhe të rrallë) me Rusinë, që siguron afro një të tretën e naftës dhe gazit. Prapëseprapë, do të ishte e gabuar të akuzohej Gjermania se bllokon sanksionet thjeshtë sepse dëshiron t’u shesë Mercedezë oligarkëve.
Afrimi i Gjermanisë me Rusinë daton që në kohërat e Ostpolitikës në Luftën e Ftohtë, e ndjekur nga dy ish kancelarë socialdemokratë, Ëilly Brandt dhe Helmut Schmidt. Ata besonin se ndarjes së Gjermanisë do i jepej fund vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve me Gjermaninë Lindore dhe Bashkimin Sovjetik, përmes një serie hapash të vegjël në tregti, si dhe përmes kontakteve kulturorë, personalë dhe politikë. Për socialdemokratët në mënyrë të vecantë, Ostpolitika ishte një mënyrë për të shmangur një luftë të tretë botërore të luftuar në tokë gjermane, si dhe për ribalancimin e marrëdhënies së Gjermanisë me Amerikën. Gjermanët ndiejnë gjithashtu një farë mirënjohjeje për udhëheqjen sovjetike që lejoi ribashkimin dhe tërhoqi trupat nga lindja.
Kështu që, gjermanët kanë nxjerrë mësime historikë të ndryshëm nga amerikanët. Për Amerikën, Lufta e Ftohtë u fitua për shkak të dekadave të tëra vendosmëria ushtarake dhe diplomatike. Për Gjermanët, ishte po kaq shumë – në mos më shumë – edhe prej angazhimit të duruar diplomatik. Besimi tek dialogu, si në kohën e luftës së ftohtë, ose “ndryshim përmes miqësimit”, tani gjen zbatim në marrëdhëniet me Rusinë, me shpresën e nxitjes së ndryshimeve demokratikë. Për shumë gjermanë, thotë Stefan Meister i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, paqja në Europë mundet vetëm të sigurohet me Rusinë, dhe jo kundër saj.


Si t’i flasësh ariut

Megjithatë, ky lloj akomodimi i Gjermanisë me Rusinë, krijon problemet e vet. Së pari, ofrimi i partneritetit për modernizim ka dështuar. Putini është bërë më autokratik, dhe jo më pak i tillë. Dhe tani ai ka përdorur forcën ushtarake pikërisht në kufijtë e BE-së. Së dyti, duke u afruar me Rusinë, Gjermania rrezikon të shqetësojë fqinjët lindorë që janë shumë më të ekpozuar kur Rusia shkakton telashe. Shtetet balltike kanë të gjithë pakica ruse të konsiderueshme.
Ashtu sikurse Gjermania donte që Europa qendrore dhe lindore të hynte në NATO dhe BE, edhe Polonia e të tjerët duan një grup demokracish miqësore, perëndimore kundër ariut rus. Prandaj dhe nxitja e tyre për politika aktiviste në ish republikat sovjetike. Në vitin 2008, Gjermania bllokoi përpjekjet për t’i dhënë Ukrainës dhe Gjeorgjisë statusin e kandidatit për në NATO. Polonia dhe Suedia atëherë ndoqën një “partneritet lindor”, i projektuar për të lidhur fqinjët në një marrëdhënie të ngushtë ekonomike, politike dhe tregtare, por jo anëtarësim në BE. Por edhe kundër kësaj ideje rezistoi Rusia, përpara samitit të nëntorit në Vilnius, duke provokuar fillimisht revolucionin në Kiev dhe më pas pushtimin e Krimesë nga Rusia. Për rusofilët, mes tyre edhe Schroederi, kriza është provë se loja e tërheqjes së litarit me Rusinë e theu Ukrainën. Për rusofobët, kjo tregon të kunërtën: ishte naive të mendoje që Putini do të bëhej ndonjëherë demokrat europian.
Asnjë vend nuk është i përgatitur të rrezikojë luftë me Rusinë, kështu që të gjithë duan zgjidhje diplomatike. Merkel është po aq në pozicion të mirë sa cdokush tjetër për të folur me Putinin. Por ndërkohë që bën telefonata me Kremlinin, ajo duhet të pyesë veten: a ka më shumë gjasa që Putini ta dëgjojë nëse ajo i ofron vetëm miqësinë? Apo mos është më mirë nëse ajo “armatoset” me një përkushtim të paekuivok nga BE për të vendosur sanksione të përcaktuar qartë, nëse Rusia nuk tërhiqet?/bota.al

Related

Shtypi i huaj 4658688524503065311

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item