MOISIU / Mes legjendës dhe historisë

Nëse Moisiu ishte egjiptian, besnik i Atonit dhe kopjues i kulteve madianitë, atëherë historia e besimeve fetarë ndoshta duhet të rishkruhet...


Nëse Moisiu ishte egjiptian, besnik i Atonit dhe kopjues i kulteve madianitë, atëherë historia e besimeve fetarë ndoshta duhet të rishkruhet. Frojdi, që ishte hebre, e kish nuhatur, prandaj dhe thoshte: “Nuk është e këndshme, as e lehtë të privosh një popull nga njeriu, që ai e konsideron si më të madhin e bijve të tij”. Për të shpëtuar Sigmundin nga pendimet, i erdhi në ndihmë një letër: “Adhuroj Moisiun e tij”, thoshte. “Nuk njoh asnjë bashkëkohës, që t’i ketë paraqitur tezat e tij në mënyrë kaq mjeshtërore”. Në fund, letra mbante firmën e një tjetër hebreu: Albert Einstein
Një herë e një kohë, jetonte në Nil një fisnik egjiptian (prift, ushtarak dhe funksionar i lartë), ambicioz dhe karizmatik, që mbeti i ngatërruar në luftën fetare mes dy perëndive, pothuajse homonimë, Atonit dhe Amonit. Personazhi ynë ishte me Atonin, dhe kur ky humbi, nuk u dorëzua: kërkoi revanshin, vrau një rojë mbretërore, dhe për të shmangur gjyqin u arratis në shkretëtirë. Por me hipjen në fron të një faraoni të ri u kthye në atdhe, nxiti disa emigrantë që të shkaktonin trazira, i konvertoi në perëndinë e tij dhe i shtyu që të largoheshin nga Egjipti, duke u premtuar atyre një atdhe të ri.
Nëse historinë e Moisiut do ta kishin rrëfyer jo hebrenjtë, por egjiptianët, ajo ndoshta do të kish qenë kështu. Por, Bibla nuk u shkruajt nën hijen e piramidave. Kështu që versioni që ka mbërritur deri më sot, i rrëfyer në librin e Eksodit, thotë gjëra krejt të ndryshme: që Moisiu ishte bir i një hebreu; që ishte braktisur në një shportë që foshnjë, në Deltën e Nilit dhe aty ishte gjetur rastësisht nga një princeshë; që vetëm prej kësaj u rrit si një egjiptian; që pastaj, në moshë madhore, u rikthye me popullin e tij për ta shpëtuar nga skllavëria; që në fund, sfidoi faraonin dhe udhëhoqi izraelitët drejt Kanaanit, i ndihmuar nga Perëndia e tyre.
Atëherë, ishte hebre apo egjiptian? Hebre, thotë legjenda. Në fakt, Moisiu votohet pothuajse unanimisht si heroi më i lartë, profet dhe legjislator i izraelitëve. Për më tepër, hebrejtë ortodoksë (por këtë herë jo në unanimitet) i atrubojnë edhe rolin e shkruajtësit të parë të botës së tyre, autori i supozuar i Torah-ut, përmbledhja e pesë librave më të lashtë të Biblës. E megjithatë, janë disa tregues të ndryshëm që të cojnë në drejtim të kundërt: mbi të gjitha emri i personazhit, që tingëllon padyshim egjiptian.
Në të vërtetë, përpara se t’i përgjigjemi pyetjes së përkatesisë, duhet t’i jepet përgjigje një tjetër pyetjeje: Moisiu ka ekzistuar vërtetë, apo është vetëm një figurë legjendare? Prej kohësh studiuesit janë të ndarë në këtë pikë: një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të hipotezës së parë ishte Cristiano Grottanelli, docent i historisë së besimeve fetarë në universitetin e Firences. Një prej më entuziastëve të frontit kundërshtar ka qenë gjermani Verner Keller, një studiues i suksesshëm i arkeologjisë biblike.
Mbështetësi më i madh i vërtetësisë historike të Moisiut, ka qenë megjithatë një njeri i famshëm: Sigmund Frojdi, i cili nuk është marrë vetëm me psikologji, por edhe me antropologji, dhe që në vitet tridhjetë i kushtoi profetit biblik një libër: “Moisiu si njeri dhe feja monoteiste”. Babai i psikanalizës shkruante: “Moisiu ka ekzistuar vërtetë dhe eksodi nga Egjipti, që lidhet me të ka ndodhur gjithashtu”. Në fakt “historia e mëvonshme e popullit të Izraelit do të kish qenë e pakuptueshme, nëse kjo gjë nuk do të kishte ndodhur”.
Me fjalë të tjera: nuk ka asnjë dyshim që, diku afër fundit të epokës së Bronxit (shekulli XIII para Krishtit) izraelitët kanë patur një fe monoteiste, një ligj të kodifikuar (Dhjetë Urdhëresat dhe jo vetëm), një identitet të përcaktuar dhe një strukturë shtetërore unitare dhe “federale”, megjithëse të ndarë në tribu. Ka të ngjarë që në gjithë këtë të ketë patur rol një udhëheqës karizmatik; është e mundur që ky të jetë quajtur Moisi. Madje, paradoksalisht, përdorimi i një emri egjiptian e bën gjithcka më të besueshme: nëse izraelitët do të kishin krijuar nga zeroja heroin e tyre primitiv, përse vallë duhej t’i kishin vënë një emër të huaj?

Kufijtë
Po kaq e padyshimtë është që hebrenjtë, të vendosur që 3 mijë vite më parë në Izraelin e sotëm, prapa tyre kishin një histori nomadizmi, të ngjashme me atë të barinjve të tjerë semitë, të cilët prej shkretëtirave të Lindjes së Mesme shtyheshin drejt tokave pjellore aty pranë, sidomos në Kanaan (Palestinë) dhe Deltën e Nilit. Në fillimet e historisë migrimet ishin bukë e përditshme: Libri i Gjenezës rrëfen dy (atë të Abrahamit dhe të Jozefit), Libri i Gjykimeve (pas epopesë së Moisiut) rrëfen një të tretë, atë të nomadëve Amalecitë. Eksodi rrëfen vetëm të tijin, që ka ndodhur pas atij të Jozefit.
Nëse pranojmë mendimin e Frojdit (dhe të tjerëve), domethënë që ajo e Moisiut është një histori e vërtetë, ndonëse e zbukuruar disi nga pikëpamja fetaro-letrare, mbetet për të kuptuar se ku është kufiri mes realitetit dhe “romancës”. Në sferën fetare përputhen të gjithë rrëfimet që flasin për mrekulli, si “dhjetë plagët” që iu shkaktuan Egjiptit për të bindur faraonin që të lironte hebrenjtë, kalimi për mrekulli i Detit të Kuq, dorëzimi hyjnor i urdhëresave. Ndërsa historisë mund t’i lëmë lajmet personalë mbi profetin, jo të gjithë pozitivë.
Moisiu kishte një vëlla (Aronin), një motër (Marian) dhe dy djem (Gersomin dhe Eiezerin). Pastaj ka të dhëna që përshkruajnë karakterin e tij, për mirë e për keq. Për mirë: Moisiu ishte kurajoz dhe altruist, dhunti që i shfaqi sidomos kur, për të mbrojtur një hebre, vrau rojën mbretërore egjiptiane të përmendur më sipër; apo kur në shkretëtirë mbajti anën e shtatë grave të panjohura, të keqtrajtuara nga barinj arrogantë. Për keq: super profeti zemërak, gojac, mizor, racist, poligam, ndonjëherë madje jobesimtar.
Zemërak: në një shpërthim zemërimi ndau më dysh tryezat e ligjit (Eksodi, 32:19). Gojac: gjatë fjalimeve ndihmohej prej Aronit, për arsye se i ngecnin fjalët. Mizor: urdhëroi të vritet me gurë një burrë, për arsye se kishte mbledhur dru të shtunën. Racist dhe poligam: për të mos lejuar seksin ndëretnik tek meshkujt hebrenj shfarosi gratë e Madianitëve fqinjë. Por ai vetë ishte martuar me një Madianite, Zipporan, e më pas me një etiopiane, e cila ka mbetur e paemër.
Megjithatë, për ata që shkruajtën Biblën, defekti më i madh i Moisiut ishte se kish disa dyshime mbi fenë. Pikërisht prej kësaj, Zoti e ndëshkoi me një shaka të hidhur: pas dyzetë vitesh shtegtime mes shkretëtirës, udhëheqësi i hebrenjve vdiq nën flamurin e kilometrit të fundit, domethënë në dyert e Kanaanit, që e pa për herë të fundit prej një mali panoramik, Nebit, ku dhe u varros. “Ti do të shohësh vendin para teje, por atje, në atdheun që unë do u jap izraelitëve, ti nuk do të hysh!” Ishte dënimi i pamëshirshëm hyjnor.
E panevojshme të thuhet që Nebi (apo Gebel Naba, një kodër 850 metra që ndodhet 10 kilometra larg nga qyteti jordanez i Madabës) është gërmuar në mënyrë të përsëritur nga arkeologët, të angazhuar në kërkimin për varrin e Moisiut. Lodhje e kotë: veprat vepra njerëzore që janë zbuluar nga gërmimet janë rrënojat e një faltoreje të shekullit IV. Nuk është një rast i izoluar. Gjurmët e lëna nga epopeja e Moisiut janë të rralla dhe të pasigurta kudo.

Kronologjia
Fillojmë nga datat. Ka nga ata që thonë se Eksodi i hebrenjve ka ndodhur në vitin 1550 para Krishtit, duke hedhur hipotezën e një lidhjeje me dëbimin e Hyksos (një përzierje etnish të Lindjes së Mesme, që kishin infiltruar prej kohësh në Deltë dhe kishin dominuar prej një shekulli Egjiptin). E sigurtë që më parë në kohë nuk mund të shkohet, sepse rrëfimi biblik flet për kuaj, kafshë të sjella në Egjipt pikërisht prej hyksosëve. Por hipoteza e 1550-ës përkon me një të dhënë biblike: hebrenjtë “u larguan nga Ramsesi”. Dhe Ramsesi erdhi tre shekuj më vonë.
Kështu që, opinioni dominues është që historia e Moisiut ka ndodhur në shekullin XIII para Krishtit, domethënë gjatë mbretërimit të Ramsesit II dhe babait të tij, Setit I. Ishte ajo periudhë e artë që na ka lënë mrekullitë e Luksorit dhe Karnakut. Mbretëria e faraonëve ishte në kulmin e ekspansionit të saj territorial, nga Teba në Deltë mbizotëronin ethet e ndërtimeve të paprecedentë dhe me Ramsesin II, madje edhe fronti shumë i nxehtë verior i perandorisë (kufi me mbretërinë e rivalëve Ititë) gjeti një aset të qëndrueshëm. Por cdo medalje ka edhe anën e kundërt.

Imigrantë
Në rastin tonë, ana e kundërt ishte që bumi i kantierëve solli një përdorim të madh të krahut të punës, rekrutuar ndoshta mes të burgosurve, ndoshta edhe mes Hyksosëve. Eshtë e sigurtë se bëhej fjalë për krah pune të huajsh dhe lëkurëbardhë: e tregojnë afreske të ndryshëm të epokës. Eshtë e sigurtë gjithashtu që është shfrytëzuar edhe puna e detyruar. Në Luksor, në një pikturë të varrit të Rakhmiras (një funksionar i Ramses II), një rojë mbikëqyr punonjësit e një fabrike tullash dhe në krah ndodhet mbishkrimi: “Kam në duar shkopin, mos u bëni dembelë!” E pamundur të mos e krahasosh afreskun me dy vargje të Biblës: “…Egjiptianët detyruan të punojnë bijtë e Izraelit duke i trajtuar me ashpërsi. Ua bënin atyre jetën e vështirë, duke i detyruar të prodhonin tulla si dhe me cdo lloj punësh të vështira në fusha: dhe në gjithë këto punë i detyronin me egërsi”. Komenti i Verner Kellerit: “Izraeli ishte një popull barinjsh, që nuk ishin mësuar me punë të tjera dhe që kështu i konsideronin dyfish ato më të rënda”. Ndoshta. E sigurtë është që teksti biblik duket si një diciturë e pikturës së Rakhmirës. Pra, Eksodi është më se i pajtueshëm me epokën e Ramsesit.

Në arrati
Dhe nuk është gjithcka. Pothuajse pesëdhjetë vite përpara kurorëzimit të Setit I, Egjipti kishte përjetuar një revolucion kulturor-fetar me përmasa epokale. Një faraon i shëmtuar, gjenial dhe intolerant (Akhenatoni) kishte shfuqizuar kultet tradicionalë, të përqëndruar tek perëndia më i lartë, Amoni, dhe mijëra hyjni mbështetës të tij. Vendi i tyre ishte zënë nga një Zot i vetëm: Atoni, personifikimi i Diellit. Kjo kthesë monoteiste kishte zgjatur pak, 17 vite, më pas Amoni & Co ishin rikthyer në modë. Por është e kuptueshme që rreth vitit 1300 para Krishtit, shumë besimtarë të Atonit ishin ende në qarkullim. Dhe ja ku lind pra teza e paraqitur në fillim, në dukje e guximshme por në të vërtetë shumë logjike: ndoshta Moisiu ishte një prej këtyre “heretikëve të mbetur”. Dhe, duke qenë se davaja në Egjipt konsiderohej e humbur, ai shfrytëzoi pakënaqësinë e hebrenjve për të krijuar gjetkë një “mbretëri të Atonit”.
I pari që e ka formuluar këtë teori ka qenë pikërisht Frojdi, i cili nuk kishte aspak dyshime: “Moisiu i detyroi hebrenjtë që të përqafonin një besim të ri fetar, që edhe sot e kësaj dite mban emrin e tij”. Dhe pak më tutje: “Nëse Moisiu ishte egjiptian dhe nëse ai transmetoi fenë e tij, atëherë kjo ishte feja e Akhenatonit”.
Në mbështetje të Frojdit, përvec se pajtueshmërisë logjike dhe kohore, ka edhe tregues të tjerë. Për shembull: një prej emrave hebraikë për Zotin është Adonai, që tingëllon si një klonim i egjiptianit Aton. Tjetër shembull: riti hebraik i synetllëkut, në fillesë ishte egjiptian. Vec kësaj, një tekst biblik, Psalmi 104, ka analogji të mëdha me Himnin e Diellit, një lutje e kohës së Akhenatonit, që është skalitur në varre të ndryshëm të Tell Em-Amarna-së (në mesin e rrjedhës së Nilit). Dhe një tjetër tekst biblik (Ezekia, 8:16) dëshmon që në Tempullin e Jeruzalemit, deri në shekullin VI para Krishtit, disa hebrenj praktikonin kulte diellorë.

Rruga…
Pasi përcaktohen datat e mundshme të epopesë së Moisiut, mbetet për të rindërtuar itinerarin e përshkuar, për të shkuar nga Egjipti në Kanaan: një itinerar që ka qenë padyshim i mundimshëm, por jo aq sa do të kish qenë nëse do të kish prekur të gjithë vendet e shenjtë që janë sajuar më pas nga besimtarët hebrenj, të krishterë dhe myslimanë, apo vendet e supozuar historikë, të sinjalizuar nga studiues shumë entuziastë (mjafton të thuhet se mali i Urdhëresave, që bibla e quan Sinai od Oreb, është lokalizuar në afro 20 maja të ndryshme). Morali: kush kërkon të gjejë vendet e vërtetë ku ka shkelur Moisiu, duhet që pikësëpari të eleminojë ata falsë.
Me siguri fals është Gebel Mousa, “Mali i Moisiut”, që ndodhet në jug të Sinait, prapa manastirit kristian të Santa Caterinas. Legjendë e pastër është Hammam Faraun Maluni, në bregun perëndimor të Sinait, ku sipas traditës myslimane kanë zbritur izraelitët, pasi kaluan Detin e Kuq. E njëjta gjë thuhet për Sinagogën e Kairos, e ngritur aty ku disa besimtarë të devotshëm hebrenj thonë se u gjet shporta me të sapolindurin Moisi. Në fund, një akt i pastër besimi është që në Vadi Mousa (Jordani), Moisiu krijoi një burim uji nga guri.
Cfarë mbetet për të rindërtuar itinerarin e Eksodit? Jo shumë, por as edhe shumë pak. Një pikë e sigurtë është Pi-Ramses, baza e nisjes së hebrenjve, rrënojat e të cilës janë gjetur pranë Qantirit, në Deltën verilindore. Një tjetër është shkretëtira e Paranit, në Negevin izraelit: një fushë ku Moisiu ngriti një kamp dhe që, cuditërisht, sot mban të njëjtin emër si tre mijë vite më parë. Një pikë e tretë e besueshme është Petra (Jordani), që Bibla e quan Edom, ku izraelitët kërkuan më kot që të mund të kalonin. I fundit është Mali Nebo.
Duke bashkuar këto pika mbërrihet në një udhëtim me trajektori si drapër, që pret Sinain, Negevin dhe Jordaninë. Po ku duhet vendosur kalimi i Detit të Kuq? Apo Mali i urdhëresave? Eshtë e lehtë t’i përgjigjesh pyetjes së parë, sepse “Deti i Kuq” është një gabim përkthimi. Në fakt teksti hebraik flet për Jam Suf, duke aluduar ndoshta për pellgjet në brigjet e veriut të Sinait. Ndërsa për Orebin gara mbetet e hapur, edhe pse sot në vend të parë është një majë, e cila quhet Har Karkom (Mali i Shafranit). Eshtë një kodër e thatë, vetëm 847 metra e lartë, por goxha imponuese për arsye se është e mbrojtur nga mure, që ngrihet në Nergev, në kufirin egjiptian dhe shkretëtirën e famshme të Paranit.
Atje lart, nga vitet shtatëdhjetë e këtej, një arkeolog nga Firence, Emmanuel Anati, docent tashmë në Universitetin e Lecces, ka studiuar një depozitë shumë të pasur skulpturash prehistorike, duke konkluduar që Sinai biblik është Har Karkomi.
“Mbi të gjitha ky mal është në rrugën e Eksodit”, thotë Anati. “Vec kësaj, mes majave të konsideruara si Orebi i mundshëm, asnjëra nuk është kaq e pasur me veprimtari njerëzore kulti, që i përkasin epokës së Bronxit”. Për më tepër: Në Har Karkom ka mbishkrime që të kujtojnë simbole të shenjtë edhe sot në modë, domethënë “tryeza të ligjit” të ndara në dhjetë kuti dhe një “sy i Perëndisë” në një trekëndësh. Ka edhe një vend të shenjtë, më saktë rrënojat e tij, që sipas disave është modeli bazë i tempullit të ardhshëm hebraik. Koincidenca? Apo ndoshta izraelitët, duke kaluar këtu, kopjuan forma kulti që kishin ekzistuar më parë?
Sigurisht, nëse Moisiu ishte egjiptian, besnik i Atonit dhe kopjues i kulteve madianitë, atëherë historia e besimeve fetarë ndoshta duhet të rishkruhet. Frojdi, që ishte hebre, e kish nuhatur dhe prandaj thoshte: “Nuk është e këndshme dhe as e lehtë të privosh një popull nga njeriu që ai e konsideron si më të madhin e bijve të tij”. Për të shpëtuar Sigmundin nga pendimet, atij i erdhi në ndihmë një letër: “Adhuroj Moisiun e tij”, thoshte. “Nuk njoh asnjë bashkëkohës që të ketë paraqitur tezat e tij në mënyrë kaq mjeshtërore”. Në fund, letra mbante firmën e një tjetër hebreu: Albert Einstein./bota.al

Related

Suplement 5372938292208208940

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item