Winston Churchill dhe diplomacia e tryezës së ngrënies

Në karrierën e gjatë dhe të trazuar të Winston Churchillit, mos-sukseset janë më të shumtë se sukseset. Dhe historia e tij është tërheqëse p...


Në karrierën e gjatë dhe të trazuar të Winston Churchillit, mos-sukseset janë më të shumtë se sukseset. Dhe historia e tij është tërheqëse pikërisht për shkak të këtij alternimi mes fatit, dhe mungesës së tij. Në vitet Tridhjetë dukej një politikan në rënie, që kish përfunduar në një gropë të zezë prej ku e kishte të pamundur që të dilte. Por, pas vetëm pak vitesh u thirr të udhëhiqte vendin e tij në orën më të vështirë të historisë. Kur Neville Chamberlain, me pamjen e tij të zymtë u përpoq edhe një herë të mbrojë në parlament politikën e zbutjes, pasi gjermanët kishin shkelur Marrëveshjen e Mynihut, të gjithë e fërshëllyen dhe e detyruan të heshtë. Dhe shumë deputetë, duke u kthyer nga Winstoni, i cili qëndronte ulur e pa folur, thërrisnin: “Winnie, fol ti për Anglinë”.
Në një biografi të kohëve të fundit të Kryeministrit, John Keegan, historiani anglez me më shumë reputacion i shekullit të kaluar pas Basil Liddell Hartit, i cili në moshë të re ka qenë imun ndaj mitit churchillian, ka rrëfyer se, duke dëgjuar për herë të parë fjalimet e tij të rregjistruar (“Ne do të luftojmë në rrugë, do të luftojmë në plazhe, ne do të luftojmë në kodra, ne nuk do të dorëzohemi kurrë”) kishte mbetur i mbërthyer nga një krenari e beftë, e cila i buronte prej faktit që kish lindur në Angli. Edhe sot në sondazhet në gazeta, Winston, me gjithë arrogancën dhe gabimet e tij, mbetet në krye të klasifikimeve të heronjve më të mëdhenj britanikë, së bashku me Horatio Nelson. Historia e tij të kujton atë që thoshte Gide kur e pyetën se cili mendonte se ishte poeti më i madh i Tetëqindës: “Hugo, helas!”, “Hugo, ahime!”. Hugo kishte qenë shpesh herë retorik dhe trombon, por mbetej gjithmonë më i miri. Kështu ndodh edhe me Winstonin.
Historianët, jo vetëm anglezë, kanë pyetur shpesh veten se si mund të dalësh i padëmtuar nga kaq shumë dështime, si ai i zbarkimit në Galipoli. Dhe si arriti që me forcën e personalitetit të tij të magjepste profesionistë të mencur dhe cinikë të politikës, si dhe t’i detyronte ta ndiqnin deri edhe në ferr. Një prej sekreteve të joshjes prej tij ka qenë siguria stratosferike në vetvete. Besonte se kishte një lloj prekjeje magjike, dicka e ngjashme me “Nelson touch”, për të arritur gjithmonë rezultate të mirë. Ishte një njeri tërësisht i përkushtuar ndaj politikës dhe historisë, sepse kishte shumë kohë në dispozicion. Në një periudhë kur shumica e politikanëve të pjekur anglezë shkonin në kërkim të seksit me sekretare, infermiere, aktore apo prostituta, Churchilli bënte dallim për faktin që nuk ishte i interesuar për këtë gjë. “Sexual drive” i tij ishte pothuajse joekzistent, dhe nuk shihte asnjëherë gratë, përvec bashkëshortes së tij, Clementine.
Tani ka dalë një libër argëtues dhe me shumë informacion që titullohet “Dinner with Churchill”, i Cita Stelzer. Winston, i lindur në një epokë viktoriane, ishte bërë Eduardian për nga shijet dhe zgjedhjet. Dhe një prej riteve më të dashur të epokës Eduardiane ishin drekat pompoze që shtroheshin në rezidenca të mrekullueshme, mbi tryeza shumë të mëdha të mbuluara me mbulesa shumë të bukura, mbi të cilat vendoseshin shandanë argjendi, me kamarierë në uniforma të larta që shërbenin “Claret” dhe të ftuarit me veshje mbrëmjeje e me kode, të cilet uleshin në poltrona me krahë për të biseduar në rehati për orë të tëra, pa u lodhur. Churchilli e kishte kuptuar që në moshë të re që nuk ishte parlamenti – ndonëse edhe ky shumë i dashur prej tij – por dreka, apo darka, vendi ku spikasnin të gjitha cilësitë e tij: inteligjenca, aftësia për anektoda, humori, fantazia dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, aftësia për të pirë cfarëdolloj gjëje duke mbetur gjithësesi esëll.
Më parë, etiketa parashikonte që në tryezë të mos flitej për politikë. Churchilli e përmbysi etiketën dhe gjatë drekave flitej vetëm për politikë. John Maynard Keynes, një njeri që nuk impresionohej lehtë nga inteligjenca dhe elokuenca e të tjerëve, në vitin 1940 pasi takoi Churchillin gjatë një darke i shkruante të ëmës: “Ndenja duke biseduar me të për dy apo tre orë. Ishte në gjendje të përsosur, me sjelljen e një qenieje normale. Aspak i fryrë nga erëra diktatoriale apo luftarake. Nuk ka asnjë gjurmë të paturpësisë që kishte shfaqur David Lloyd George menjëherë pasi u bë kryeministër”.
Drekat e Churchillit shtroheshin në Chequer, rezidencat në fshat të kryeministrit, dhe më vonë në Chartwell, shtëpia private në fshat që e kish blerë me të ardhurat nga shitja e librave të tij mbi historinë e Anglisë. Një prej të ftuarve në Chequer na ka lënë një përshkrim të mbrëmjes klasike në shtëpinë e Churchillit: “Nga ora tetë e gjysmë deri në nëntë shijuam disa pije me zonjën Churchill. Pastaj shkuam të darkojmë, duke qëndruar në tryezë deri pas orës dhjetë. Në fund, zonjat u transferuan në një tjetër dhomë, ndërkohë që fillonte pjesa më argëtuese e mbrëmjes, me Churchillin shumë në formë që na argëtoi në mënyrën e tij të papërsëritshme.
Në orën 11 filloi në bibliotekë projektimi i një filmi dhe diku rreth mesnatës shijuam gotën e përshëndetjes me zonjat dhe, më në fund, në orën një u transferuam në një dhomë të madhe ndërkohë që Churchilli thoshte: “tani t’i hyjmë punës”. Aty biseduam deri në tre apo katër të mëngjesit. Të ftuarit e tjerë ishin ministra, një vizitor i huaj shumë i rëndësishëm si dhe disa gjeneralë”.
Churchilli ftonte edhe në Savoy, në vitet kur një shkrimtar dandy si Cyril Connolly, i pyetur të thoshte tre gjëra për të cilat ia vlente të jetohej kishte thënë: “Të shkruash një libër, një darkë në Savoy dhe një udhëtim në Mesdhe”. Në këto dreka njiheshin të gjithë apo pothuajse të gjithë dhe kur merrej një vendim, aty duke ngrënë, ai kishte vlerën e një ligji. Edhe pse dërgohej për miratimin e sovranit, ishte një akt formalisht i nevojshëm por në praktikë i kotë, sepse tashmë ishte vendosur gjithcka.
Disa performanca të Churchillit kanë mbetur në kujtesë si skena teatri. Shkrimtari James Lees-Milne, që kishte darkuar një herë në Chartwell, ka rrëfyer se pas përfundimit të darkës, për dy orë Churchilli rindërtoi betejën e Jutlandit i hipur mbi tavolinë duke zhytur gishtin në verë të kuqe (Alexander Korda u kujtua për këtë episod kur xhiroi “Katër lumenjtë”, skenën ku gjenerali rrëfente për Brigadën Balaklava në të njëjtën mënyrë). Kuzhina e ofruar në të gjithë këta okazione ishte tipike franceze me shumë pak ndërhyrje angleze. Pihej Bordeaux dhe shumë shampanjë “Pol Roger”. Churchilli kishte një varësi të dukshme ndaj shampanjës dhe puros, dhe mëngjeseve vërtetë Eduardianë nuk merrte caj, por hante rosto thëllëze të shuar me një shishe Pol Roger. Drekat varionin sipas cilësisë së mysafirëve dhe kombësisë së tyre. Një herë Churchilli arriti të shtrojë një darkë për disa bolshevikë rusë, pasi këta e kishin shtyrë dy apo tre herë takimin. Kur u shërbye “piece de resistance”, e përbërë nga një pastico me mish përgatitur ditë më parë dhe që kishte një pamje të tmerrshme, Churchilli u kthye nga kuzhinieri i tij e i tha: “Ndoshta këto copa nga mishi i Tutankamenit, do të kishit bërë mirë t’ia linit në varr”.
Përsëriste shpesh herë gjatë luftës se nëse do të kish patur mundësinë të darkonte me Stalinin cdo javë, problemet e aleancës së vështirë do të ishin zgjidhur. Por pikërisht me Stalinin nuk funksionoi magnetizmi i tij. Në Jaltë, aftësia dialektike dhe anektodike e kryeministrit anglez nuk vlejti për të lëkundur ciftin Stalin-Molotov. Kërkesa që Polonia të mos hynte në orbitën sovjetike u refuzua. Churchilli kish bërë të pamundurën. Por Stalini shihte tek ai përfaqësuesin e një vendi që nuk ishte fuqi e madhe si Amerika dhe që brenda pak kohësh kishte humbur të gjithë kolonitë e veta. Një vend që do të ridimensionohej në pretendimet e tij dhe që shumë shpejt do të shndërrohej në një ishull modest dhe ekscentrik i banuar nga ishullorë./bota.al

Related

Shtypi i huaj 3667994760239122740

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item