Futboll dhe nacionalizëm, ethet e një derbi ballkanas

Nga Xhafer Rakipllari Në Tetor të vitit 2004 Serbia (asokohe Serbia dhe Mali i Zi) udhëtonte në stadiumin 40 mijë vendësh “Kosevo” në Saraje...

Nga Xhafer Rakipllari

Në Tetor të vitit 2004 Serbia (asokohe Serbia dhe Mali i Zi) udhëtonte në stadiumin 40 mijë vendësh “Kosevo” në Sarajevë për ndeshjen e parë mes këtyre dy kombëtareve si shtete të pavarura që pas ndarjes gjakësore të ish-Jugollsavisë. Tekniku boshnjak Blaz Sliskoviç në vigjilje të takimit e kish cilësuar stadiumin si të “mallkuar”.
Në vitin 1984 stadiumi olimpik i Sarajevës ishte bombarduar nga paramilitarët serbë, ndërsa në 2002-shin, Serbia dhe Bosnja kishin luajtur në të njëjtin stadium një ndeshje miqësore për të festuar marrëdhëniet në përmirësim të dy vendeve, por situata kishte dalë jashtë kontrolli dhe së paku 25 vetë ishin plagosur. Këto fakte nuk ishin pakgjë për ata që parashikonin një ndeshje mes tensionit e dhunës, brenda e jashtë stadiumi, fenomen ky jo aq i paparë e padëgjuar në fuçinë e barutit quajtur Ballkan. Aq më tepër që shteti i një ndër ekipeve pjesëmarrëse ishte pikërisht ai që i kishte vënë flakën fitilit të kësaj fuçie. Ja pra përse druheshin trajnerët e të dy skuadrave Sliskoviç dhe Petkoviç.
Megjithatë takimi u mbyll i paqtë aq sa mund të mbyllej. Rezultati 0-0 ishte edhe politikisht korrekt. Lojtarët në fushë dukeshin të lehtësuar dhe i shtrënguan duart shoshoqit. Megjithëse nuk pati përleshje, në stadium serbë e boshnjakë, teksa i kthenin shpinën me përçmim himneve respektive nuk i kursyen as sharjet dhe as pankartat fyese.
Një muaj para sfidës së Sarajevës, në 4 shtator të 2004-ës, një tjetër derbi ballkanik luhej në “Qemal Stafa” të Tiranës. Greqia, e sapo kurorëzuar kampione e Europës, do të thyente 2 brinjë në Tiranë me golat e Edvin Muratit dhe Ardian Aliajt. Fati e deshi që të gjendesha në Strugë ku u bëra dëshmitar i një gëzimi të pamasë të qytetarëve. Përpos ngacmimeve futbollistike, ku binte në sy pankarta e Tifozëve Kuqezi “This is not Portugal” (“Këtu nuk është Portugali”) apo edhe ndonjë thirrjeje tjetër, shqiptarët në “Qemal Stafa”, por dhe në Strugë, Shkup e Prishtinë (e kudo ku ka shqiptarë) festuan me dinjitet.
Shorti i eleminatoreve për Europianin e 2016-ës e ka vënë për herë të parë Shqipërinë përballë derbit ballkanas me Serbinë. E ndërsa në Nisë të Francës, ku u hodh shorti, dy delegacionet shtrënguan duart dhe shkëmbyen batutat e para, në media dhe rrjetet sociale ka filluar tashmë “lufta” në të dy taborët.
Sipas kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ndeshja duhet parë vetëm si ngjarje sportive dhe jo me syzet e politikës. Kurse, sekretari i Përgjithshëm i Federatës Serbe, Zoran Lakoviç u shpreh se tashmë kombëtarja tringjyrëshe është mësuar me ndeshje tensioni që marrin tjetër ngjyrim përpos atij sportiv. Duket sikur të dyja palët presin një ndeshje të tensionuar gjashtë muaj para takimit. Po ju lë ta imagjinoni se sa mund të nxehet situata deri atëherë.
Në mediat sociale të dy tifozeritë kanë nisur të ngacmojnë njëra tjetrën. “Kur të shkoni në ferr do të kuptoni se ka pasur edhe më keq” shkruan një tifoz kuqezi në një blog sportiv ku shtrohej pyetja sesi do të priten serbët në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit. Serbët nga ana e tyre përgjigjen me një pyetjen retorike “Ne të frikësuar?!” bashkë me foton e lojtarëve të tyre Vidiç e Ivanoviç që luajnë në Premier League, respektivisht me Manchester United-in dhe Chelsea-n. “Shqipëri-Serbi. Oh Zoti im, kjo do kthehet në ndeshje boksi”. “Në këto dy ndeshje nuk shikohet rezultati, por sa këmbë do thyhen”, ishin ndër komentet e para të tifozëve pas shortit.
Media, nga ana tjetër, në vend që t’i hedhë ujë zjarrit, duket se i hedh benzinë. Në një emision televiziv një anëtar i “Tifozëve Kuqezi” iu përgjigj pyetjes për agresivitetin e tifozëve serbë me togfjalëshin: “Ne do të mbrojmë qytetin”. A thua se po vijnë ushtarë serbë të rrethojnë kalanë e Elbasanit?! Ndërkaq edhe mediat e tjera nuk mbeten pas. Shumë syresh e shikojnë ndeshjen në planin politik e jo sportiv, një hulli ku gazetarët shqiptarë nuk duhet të bien as vetë dhe nuk duhet të shtyjnë as tifozët.
“Shqipëri-Serbi, ndeshje e rrezikshme”, ishte titulli në një media të Tiranës, teksa titulli i një tjetre më specifikisht theksonte: “Nëna e të gjitha ndeshjeve”. Teksa lexoje artikullin të krijohej ideja se eleminatoret e Europianit për Shqipërinë do të ishin vetëm përballje me Serbinë (në grup ka edhe Cristiano Ronaldo e Franck Ribery), dhe tifozët paskëshin synim vetëm mundjen e Serbisë e jo kualifikimin. Ndërsa të gjithë ne ëndërrojmë  fitore e kualifikim, pasi prioriteti ynë është kualifikimi dhe assesi parullat nacionaliste.
“Serbët kanë frikë nga ndeshja me Shqipërinë!” ishte version kosovar i lajmit të shortit me Serbinë. Kryetitull trimëror ky i një të përditshmeje të Prishtinës.
Ndërsa version i mediave të diasporës rrihte tjetërkund. “Talentet Januzaj, Berisha e Avdijaj kanë një arsye më shumë të zgjedhin Shqipërinë”, shkruanin ato.
Krejt ndryshe, mediat serbe, vëmendjen kryesore e orientonin te ndeshja Portugali–Serbi. B92 shkruante se tifozët serbë mezi e presin ardhjen e Cristiano Ronaldos, ndërsa për Shqipërinë në artikull nuk flitej fare. Kjo media vetëm e cekte faktin se do ta kenë në grup kombëtaren kuqezi, por pa kureshtje të madhe. Për çudi as media të tjera nuk e kanë pritur në një mënyrë speciale shortin e Nisës. Për shumë media dhe website, ndeshja kryesore do jetë ndaj Portugalisë.
Në mediat shqiptare jehona e përballjes me Serbinë ka kaluar çdo cak. Vetëm brenda disa ditësh është folur më shumë për një ndeshje futbolli sesa ç’është folur për muaj me radhë për Luginën e Preshevës e problemet që i shoqërojnë shqiptarët aty. Le të solidarizohemi me vëllezërit e Luginës njëherë e paskëndaj të ndezim një ndeshje futbolli. Dy shtete shqiptare në Ballkan, Kosova e Shqipëria, po i lenë shqiptarët e Luginës jetimë. Serbët, 7 përqind e popullsisë në Kosovë, zotërojnë forcë në Parlament, kanë kuota në administratë, polici, fonde speciale etj. A ka argument më të fortë se ndeshja mes Shqipërisë e Serbisë ka shekuj që po zhvillohet dhe atë e ka fituar Serbia? Madje rezultati po thellohet pas autogolave që bëjmë çdo ditë. Shqiptarët u japin sot e gjithë ditën bijat nuse Serbisë, ndërsa neve na duhet të kemi përballë përfaqësuesen serbe në një ndeshje eleminatore për të kuptuar sesa patriotë jemi.
Pra le të përfitojmë nga rasti që përplasjen me kombëtaren e fortë serbe ta shohim si një mundësi për t’u forcuar edhe vetë. Boshnjakët në stadiumin e “mallkuar” “Kosevo” fituan të drejtën të luajnë në Brazil. Edhe ne shqiptarët duam rezultate te kënaqshme si fqinjët në këto gara të “mallkuara” ndërkombëtare. Nuk pretendojmë të fitojmë trofe europianë si fqinji ynë jugor, por së paku të jemi pjesë e garës, pikërisht si boshnjakët. Në e duam shqiptarin e Shqiptarinë të punojmë që kombëtarja ta ketë një stadium të krahasueshëm më stadiumin “Marakana” ku luan Serbia dhe që lojtarët tanë të zgjedhin për të luajtur kombëtaren e tyre, përkundër ngrohjes së stolit në ndonjë kombëtare tjetër.
Historia na ka sjellë plot shembuj se kur ndeshjet i kemi kthyer në pamflete nacionaliste kemi humbur në mënyrën më poshtëruese. Ndaj duhet të tregohemi të qetë e syçelët e të flasim për futboll, jo për Luftën e Tretë Ballkanike. Ta shohim këtë ndeshje e gjitha të tjerat si kulturë sportive e jo si shprehje të mllefeve nacionaliste. Është e lehtë ta përdorësh sportin për të shfaqur urrejtjen e së kaluarës të prodhuar nga vetë Beogradi dhe e vështirë për ta përdorur atë për të qetësuar shpirtrat. Sepse të urresh është si të pish vetë një kupë verem, e të presësh të vdesë tjetri.

Related

Sport 643584443791718471

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item