Ekstremi i djathtë dhe zgjedhjet evropiane

Zgjedhjet evropiane që priten të zhvillohen nga 22 maji deri më 25 maj, në 28 vendet e BE-së do të çojnë drejt kutive të votimit rreth 500 m...


Zgjedhjet evropiane që priten të zhvillohen nga 22 maji deri më 25 maj, në 28 vendet e BE-së do të çojnë drejt kutive të votimit rreth 500 milionë evropianë, të cilët do të përcaktojnë drejtimin politik që do të marrë Unioni. Këto janë zgjedhjet e para legjislative, që prej ratifikimit të Traktatit të Lisbonës më 2009, të cilat do të mundësojnë gjithashtu dhe zgjedhjen në mënyrë indirekte nga qytetarët, të Presidentit të Komisionit Evropian. Një ndryshim ky, i gjykuar, se do të krijojë një ndërgjegjësim më të lartë tek qytetarët dhe mund të ndikojë në rritjen e nivelit të pjesëmarrjes në to.
Këto zgjedhje, do të zhvillohen në një klimë të dominuar nga kriza ekonomike e zgjatur në kohë, e cila ka influencën e saj të ndikimit mbi imazhin e unionit, si edhe konsiderimi konstant i zgjedhjeve evropiane, si zgjedhje të rangut të dytë, të cilat gjenerojnë sistematikisht një abstenim të fortë. Besimi i publikut ndaj BE-së, ka rënë në nivelet më të ulëta historike të saj. Eurobarometri i fundit (EB 79) shfaq një rekord rënie, në shifrën 31%, të nivelit të besimit të qytetarëve evropiane ndaj BE-së.
Ekonomia, po mbizotëron skenën e fushatave politike me dy strategjitë kryesore, të polarizuara midis dy kampeve më të rëndësishëm politikë. Përballimi i krizës ofrohet në një plan strategjik: midis një Europe që kërkon mbajtjen e politikave të masave shtrënguese ekonomike (qendra e djathtë); dhe një Europe që favorizon shpërndarjen e shtrëngesave fiskale në një periudhe më të zgjatur në kohë, për të përmirësuar shpenzimet, besimin, rritjen dhe zvogëlimin e papunësisë (qendra e majtë).
Aleancat, përplasjet ideologjike dhe pragmatizmi i politikë-bërjes në grup
Ekstremi i djathtë në Europë, po përpiqet të organizohet, me synim krijimin e aleancave për të bërë të mundur krijimin e një grupi parlamentar, pas zgjedhjeve evropiane. Për të realizuar këtë, ato duhet të mbledhin 25 deputetë, nga 7 kombësi të ndryshme.
Mbledhja e Vjenës, më 15 nëntor 2013, mes 7 partive nacionaliste ekstremiste (Fronti Nacional francez, Partia për Lirinë Austriake, Interesi Flamand i Belgjikës, Demokratët Suedez, Partia Nacionale Sllovake, dhe Lega Nord – Partia për Lirinë holandeze nuk mori pjesë, por është shprehur pro pjesëmarrjes në grup )  u krye në këtë kuadër, për përpilimin e strategjive ndjekëse, në lidhje me fushatën e zgjedhjeve evropiane dhe mundësinë e krijimit të një grupi parlamentar pas zgjedhjeve. Unifikimi i qëndrimeve në nivel evropian, përfshinte tematika si imigracioni dhe zgjerimi i BE-së.
Partia e Frontit Nacional në Francë (FN), e kryesuar nga Marine Le Pen, një parti nacionaliste dhe ksenofobe ka deklaruar aleancën e saj me Partinë e Lirisë holandeze (PVV), e kryesuar nga Wilders, gjithashtu një parti e ekstremit të djathtë, nacionaliste dhe anti-islam.
Ndonëse FN dhe PVV, kanë shpallur aleancën mes tyre, duke u përpjekur të mundësojnë krijimin e një grupi parlamentar menjëherë pas zgjedhjeve, boshtet ideologjike që përfaqësojnë nuk shtrihen në të njëjtën linjë kohezioni, duke ngritur pikëpyetje, se si mund të arrijnë të funksionojnë në këtë aleancë.
Fronti Nacional, pavarësisht zbutjes së imazhit politik që është përpjekur të kryejë Marine Le Pen, vajza e nacionalistit Jean Le Pen, mbart në vetvete një imazh të fortë antisemit. Ndërkohë, PVV holandeze mbështetet nga financime dhe donatorë pro-izraelit. Por, përplasjet në linjën ideologjike shkojnë edhe më tej, ku të dy partitë kanë qëndrime ekstremisht të kundërta mbi disa pozicione sociale, FN është profilizuar si homofobe, ndërsa PVV një nga pikat pse e refuzon Islamin është pikërisht cilësimi që i bën, si një religjion anti-homo. UKIP-i britanik, pikërisht për shkak të përplasjes ideologjike, nuk pranoi bashkëpunim në një aleancë, duke shprehur distancimin dhe mospranimin e të kaluarës antisemite të FN-së.
Problematika në pasjen e një kohezioni ideologjik, shtrihet dhe ndaj partive të tjera nacionaliste, bashkëpunimi përtej disa pikave të përbashkëta, konsiderohet si një element i vështirë, sepse tërësia e programit të tyre ideologjik, krijon përplasje (si psh. nacionalistët austriak me ato slloven, apo gjermanët me polakët).
Ndonëse në terma ideologjikë, këto aleanca kanë probleme kohezioni, madje duke shkuar edhe më tej, si në rastin e Wilders, ku ky bashkëpunim mund të dëmtojë imazhin që ai ka në elektorat, duket se, ka një logjikë pragmatiste, që funksion mbrapa kësaj fasade aleance.
Kjo logjikë shtrihet si në thelb dhe në formë.
Synimi kryesor i aleancës FN dhe PVV, është ndikimi politik në debatet e Strasburgut dhe Brukselit. Por, studimet mbi funksionimin e grupeve në PE, theksojnë se grupet populiste janë karakterizuar gjithmonë nga një kohezion në nivele të ulëta, në krahasim me partitë e tjera. Kjo do të thotë se, historiku i funksionimit të tyre ka treguar se, ato, jo gjithmonë kanë votuar në të njëjtën mënyrë, pikërisht për shkak të përplasjeve ideologjike si edhe mungesës së organizimit. Gjithashtu, këto grupe rezultojnë të kenë përpiluar më pak raporte dhe opinione.
Por, nëse një grupim i ri do të mund të formohet nga këto parti nacionaliste dhe euroskeptike, pavarësisht diferencave ideologjike, ato mund të bien dakord të bashkojnë votat në çështje që i konsiderojnë të përbashkëta, siç mund të jenë politikat e imigracionit dhe integrimi evropian.
Nëse ky grupim i ri, bashkon votat me ECR dhe GUE/NGL, influenca e tij mund të jetë më e konsiderueshme sidomos në lidhje me vendimet, që prekin financimet dhe buxhetin. Nga ana tjetër, ky lloj i ri votimi, vlerësohet se mund të ushtrojë presionin e tij në grupet kryesore politike (PPE, S&D, ALDE), të cilat janë të detyruar të bien në kompromis për çështje të caktuara, në mënyrë që të mund të përballojnë grupimin e votës euroskeptike.
Ndërsa për sa i përket anës teknike, nëpërmjet këtij grupimi, përfitohet akses në të mira materiale, si staf më i gjerë, hapësira zyrash më të konsiderueshme, më shumë fonde për aktivitete publike (fushatë, konferenca, debate, etj). Përfitime procedurale, si zgjatje e kohës së marrjes së fjalës në seancat plenare, caktimi i një raportuesi, etj.
Sondazhet paraprake, garë e ngushtë midis dy kampeve kryesore
Zgjedhjet evropiane mbartin një fokus më të madh në gjashtëshen kryesore që përfaqëson thuajse gjysmën e vendeve në parlament, Gjermani, Francë, Britani, Itali, Spanjë, Poloni. Logjika e funksionimit të dhënies së votës nga ana e qytetarëve, ka treguar vazhdimisht një tendencë ndëshkimi ndaj qeverive në pushtet. Me përjashtim të Gjermanisë, ku koalicioni qeveritar i sapozgjedhur, vlerësohet se, do t’i lihet paraprakisht koha e nevojshme për qeverisje, dhe me përjashtim të Italisë ku qeveria e majtë shfaq një tendencë të lehtë fituese, në vendet e tjera të gjashtëshes, pritet ndëshkim i qeverive në pushtet.
Në Francë, që prej disa muajsh socialistët e Hollande, po përballen me shifrat më të ulëta të mbështetjes së elektoratit të tyre, çka përkthehet në një humbje të konsiderueshme gjatë këtyre zgjedhjeve. Në Britani, sondazhet tregojnë një humbje të koalicionit qeveritar konservator dhe liberal demokrat, duke bërë që konservatorët të mund të kalojnë në vend të tretë pas UKIP dhe Partisë Laburiste. Në Spanjë, qeveria e djathtë parashikohet të humbasë, gjithashtu edhe në Poloni, parashikohet një goditje për partitë e qendrës së djathtë në qeveri.
Konkluzionet e sondazheve paraprake tregojnë, se pritet të zhvillohet një garë e ngushtë, midis dy kampeve dominuese të Parlamentit Europian.
Gjithsesi, sondazhi i fundit i kryer nga ‘PollWatch 2014’, shfaq një epërsi të lehtë të grupit Socialist dhe Demokrat me rreth 29,4%, e përkthyer në 221 vende në PE, kundrejt PPE-së me 26,9%, konkretisht 202 eurodeputetë. Po sipas të njëjtit sondazh, grupi liberal ALDE, projektohet të marrë 64 vende, grupi i ekstremit të majtë GUE/NGL 56 vende; të gjelbrit/ EFA 44 vende; Konservatorët dhe Reformistët Europianë (ECR) 42 vende; ekstremi i djathtë (EFD) 30 vende.
Sipas parashikimeve të sondazhit, nëse ekstremi i djathtë formon një grup në PE që përfshin Frontin Nacional francez, dhe Partinë për Lirinë të Wilders në Holandë, mund të arrijnë në 38 vende duke dyfishuar në këtë mënyrë, prezencën e ekstremit të djathtë në PE.
Por, situata nuk është dhe shumë e qartë sipas sondazhit, pasi nëse Lëvizja e Beppe Grillos në Itali (me qëndrim euroskeptik dhe anti-BE) pritet të fitojë deri në 18 vende, nuk dihet ende se kujt grupi do t’i bashkohet, apo nëse nuk do të bashkohet fare me asnjë grup.
Ndonëse sondazhi parashikon humbje të lehtë të PPE-së dhe Liberalëve, partitë kryesore tradicionale, pritet të dominojnë sërish legjislaturën me 70% të përfaqësimit të tyre. Por, në ndryshim nga herët e tjera, Parlamenti Europian, mund të ndjejë edhe peshën reale të një ekstremizmi të grupuar, që mund të ushtrojë influencën e tij politike, nëpërmjet strategjive që imponojnë ideologjitë përkatëse. (im.ta)/dita

Related

Shtypi i huaj 5453567373495562732

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item