Përse Gjermania e shmang përplasjen me Rusinë?

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë nisur bisedime të nivelit të lartë për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës, ka shumë...

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë nisur bisedime të nivelit të lartë për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës, ka shumë njerëz që pyesin se ç’rol po luan Gjermania
Nga Stephen Evans, BBC


Angela Merkel është një politikanë e kujdesshme. Nuk e lëshon gojën dhe nuk bën retorikë. Nuk është një kokë e nxehtë. Megjithatë, çfarë nënkupton heshtja e saj ndaj krizës së deritanishme në Ukrainë?
Deri më tani ajo është mjaftuar me komente publike më pak se bombastike të tipit “ajo që po ndodh në Krime na shqetëson”, duke theksuar “rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial
në Ukrainë”.
Ajo ka folur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të paktën dy herë.
Deklarata e zyrës së saj pas bisedës së parë, ishte e qartë dhe jo- konfrontuese. “Ata nënvizuan interesin e përbashkët për stabilitetin e vendit nga pikëpamja politike dhe ekonomike”.
Në një telefonatë të dytë, ata ranë dakord që të vazhdojnë dialogun.
Ata që e dinë mënyrën se si operon ajo, thonë se është i dukshëm formimi i kancelares Merkel si një shkencëtare.
Dr. Ewald Boehlke, drejtor i Institutit Gjerman për Politikat e Jashtme, i tha BBC: “Ajo mendon si shkencëtare dhe është e zhveshur nga emocionet. Ajo do jetë në kontakt për të punuar për qetësimin e situatës hap pas hapi”.
Ai mendon, megjithatë, se të dy kanë qasje të ndryshme themelore.
Boehlke mendon se presidenti Putin është më emocional, duke i vënë theks peshës së historisë dhe rolit të Rusisë si një fuqi historike, krahasuar me qasjen e saj pragmatike tek ekonomia.
Kjo mund të shpjegojë se përse, sipas New York Times, kancelaria Merkel i tha presidentit amerikan, Barack Obama, se Putin i ishte dukur sikur ishte nga një botë tjetër.
Zyra e saj nuk i ka komentuar këto deklarata, duke thënë se biseda mes tyre ishte konfidenciale.
Kështu duket se taktika e kancelares Merkel është që të vazhdohet dialogu i hapur.
Sipas Dr. Boehlke, është e rëndësishme që është një dialog mes dy personash, një dialog president- kancelare.
Të tjerët në Perëndim mund të shtojnë tonet e retorikës, por Merkel do i ulë ato, ndoshta në një kombinim të tipit ‘polic i mirë- polic i keq’ me liderët e tjerë perëndimorë.
Ndjesia se Gjermania po tenton që t’i japë Rusisë opsione të pranueshme përpara se Perëndimi të vendosë për sanksionet, duket se është theksuar edhe nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank- Walter Steinmeier, pasi u takua me homologun rus, Sergei Lavrov, të martën në Gjenevë.
Steinmeier nuk e theksoi me forcë që Rusia duhet të tërhiqet, por që ajo të bëjë më shumë për të siguruar Perëndimin për qëllimet e saj- ose përndryshe do pasojnë sanksionet kur liderët e BE të takohen të enjten.
Duket se këtu dy vendet ruajnë akoma marrëdhëniet e respektueshme mes dy kundërshtarëve të vjetër. Në të shkuarën, Merkel dhe Putin nuk kanë qenë të ngrohtë dhe të afërt me njëri- tjetrin, siç fjala bie ka qenë Merkel me Obamën kur ai vizitoi Berlinin (përpara se të zbulohej se amerikanët i përgjonin telefonin asaj). Por ky nuk është stili i saj dhe as i tij.
Të dy flasin të njëjtën gjuhë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Presidenti Putin flet shumë mirë gjermanisht, pa dyshim i ndihmuar nga puna e tij si oficer i KGB në Dresden. Dhe kancelaria Merkel ka mësuar rusisht në shkollë, në Gjermaninë Lindore (të cilën e mbikëqyrte edhe agjenti Putin).
Për Merkel, lufta në Ukrainë e bën të mendohet më shumë se ata në Uashington dhe në Londër. Vendi është vetëm 10 orë me makinë nga Berlini. Gjermania, Ukraina dhe Rusia banojnë në të njëjtin rajon të botës.
Kancelaria gjermane e ka përfshirë veten në politikën e rajonit. Ajo ka ruajtur lidhjet me krerët e shteteve, përfshi presidentin Putin, por edhe me disidentët në Rusi dhe Ukrainë. Kujtoni këtu oligarkun rus dhe kundërshtarin e Putin, Mikhail Khodorkovsky, që udhëtoi direkt për në Berlin pasi u lirua nga burgu.
Kancelarja Merkel e ka përsëritur disa herë shqetësimin për liderin e burgosur në Ukrainë, Yulia Tymoshenko (tashmë e liruar).
Merkel ka qenë e kujdesshme që të mirëpresë lirimin e saj, por jo ta mbështesë atë si një lidere e re e vendit.
Është e vërtetë që liderët rusë dhe gjermanë e vizitojnë vendin e njëri- tjetrit dhe jo gjithmonë janë të lumtur.
Kur presidenti rus shkoi në Gjermani vitin e shkuar, u përball me protestuese të zhveshura, me slogane të shkruara në gjoks.
Kur kancelaria Merkel shkoi në Shën Petersburg, presidenti Putin kundërshtoi një fjalim që të mbante ajo në një ekspozitë me vepra arti të marrë nga rusët në muzetë gjermanë në fund të luftës.
Por të dy duhet të kenë gjithmonë në mendje faktin që kanë nevojë për njëri- tjetrin ekonomikisht. Ka të paktën 100 mijë rusishtfolës në Gjermani. Kurse në Rusi operojnë të paktën 6 mijë kompani gjermane.
Gjermania merr një të katërtën e eksporteve ruse në gaz natyror, por, nga ana tjetër, kërkesat e Gjermanisë janë të larta dhe çmimet të ulëta (kështu që Rusia ka nevojë për të ardhurat më shumë se atëherë kur çmimet ishin të larta).
Nga ana tjetër, tregtia e Gjermanisë me Rusinë është ndjeshëm me fitim për gjermanët. Ata eksportojnë rreth 2.1 miliard euro më shumë mallra në Rusi se e anasjella.
Asnjë vend tjetër nuk ka përfituar më shumë se Gjermania nga rënia e Perdes së Hekurt.
Ajo ka kaluar nga një vend i ndarë në lindje të BE në një vend të bashkuar, me fqinjë vendet e ish- bllokut lindor, ekonomitë e të cilave po përmirësohen brenda BE-së.
Vendi është një fuqi qendrore mes një tufe ish- shtetesh satelite sovjetikë (përfshi Gjermaninë Lindore vetë), ku njerëzit pyesin se çfarë do të thotë një Rusi në luftë me Ukrainën për ta në Varshavë, Pragë apo në kryeqytetet baltike Vilnius, Riga dhe Talin.
Shqetësimet e tyre ndjehen edhe në atë që dikur ishte Gjermania Lindore- ku u rrit edhe Merkel.

Related

Shtypi i huaj 6686126610439680742

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item