Lufta në Afganistan dhe rivaliteti midis SHBA dhe Bashkimit Sovjetik

Në Prill të vitit 1978, në Afganistan një puç ushtarak solli në pushtet krahun e majtë. Kamerat e televizionit sovjetik e paraqitën ngjarjen...


Në Prill të vitit 1978, në Afganistan një puç ushtarak solli në pushtet krahun e majtë. Kamerat e televizionit sovjetik e paraqitën ngjarjen në mënyrë romantike. Nëpër sheshe e rrugë shiheshin njerëz me fytyra të qeshura që festonin ndërrimin e pushtetit. Bashkimi Sovjetik dërgoi menjëherë qindra këshilltarë për të ndihmuar vendosjen e socializmit në Afganistan me presidentin e ri Nur Mohammed Taraki që shikonte nga Bashkimi Sovjetik për mbështetje. Afganistani ishte një vend bujqësor. Pushteti i ri vendosi të zbatonte në bujqësi reformën agrare sipas modelit sovjetik. Me dekret toka do t’u merrej atyre që e kishin (pronarëve) e do t’u jepej fshatarëve që e punonin. Gratë u inkurajuan të hiqnin ferexhetë dhe të shkonin në shkollë. Fshatari afgan e pa reformën agrare si një kërcënim ndaj traditës dhe fesë. “Komunistët u përpoqën të ndryshojnë ligjin e Zotit, thoshte në një intervistë për TV, Sahar Gul, Mullah në provincën e Laghmanit.- Kjo është kundër fesë së Islamit. Zoti vendos kush është i pasur e kush i varfër. Kjo s’mund të ndryshohet nga komunistët”
Kundërshtarët e reformave komuniste dogjën shkollat dhe universitetet. Rezistenca u rrit me shpejtësi në tërë Afganistanin. Nga frika e gjakderdhjes dhjetëra mijra njerëz u larguan nga vendi e shkuan në Pakistan.
Në Uashington, Këshilltari për Sigurimin e shtetit, Zbigniev Brzezinski i tha presidentit Karter që Moska mund të përdorte krizën në Afganistan për të lëvizur në jug duke zënë Gjirin Persik. Kjo frikë e Brzezinskit fitoi peshë kur demonstratat masive në Teheran sollën përmbysjen e Shahut. (Me rënien e shahut në Iran, SHBA humbi një aleat të rëndësishëm në rajon). Amerika filloi t’u dërgonte ndihmë grupeve islamike që luftonin komunizmin në Afganistan. Luftëtarët islamike e quanin veten “muxhahedin’- “ushtarë të Allahut” dhe shumica e tyre ishin fshatarë. Armët e tyre ishin ato që kishin zënë në luftë kundër sovjetikëve. Kabuli nuk ishte në gjendje të luftonte vetëm kundër muxhahedinëve dhe i kërkonte vazhdimisht Moskës të dërgonte trupa por Moska vazhdonte të refuzonte deri atë moment që këshilltarët e saj me familjet e tyre u masakruan në Herat. Pavarësisht nga gjendja shumë e acaruar në vend, kryeministri i Afganistanit Hafizullah Amin vazhdonte me reformat duke bërë terror mbi kundërshtarët e tij. Ndërkohë presidenti i Afganistanit Taraki, shkoi në Moskë për tu këshilluar si “t’i mbanin dorën” kryeministrit, në mënyrë që të vazhdohej me reformën në mënyrë të ngadaltë e të moderuar, pasi vrulli i kryeministrit e kishte kthyer popullatën myslimane kundër qeverisë. Gjatë bisedimeve me Brezhnjevin u vendos që kryeministri afgan të shkarkohej, por fjala mbërriti në Afganistan para se të mbërrinte presidenti Taraki, i cili u arrestua e u vra me t’u kthyer në vend. Kryeministri, Amini, filloi të kërkojë lidhje me perëndimin.

Mendimi që Amini mund të afrohej me SHBA e do t’i kërkonte qeverisë amerikanë të fuste trupat e saj në Afganistan, e alarmoi Moskën e cila nisi të diskutonte pushtimin e Afganistanit. Në të kaluarën aksioni ushtarak i kishte mbaruar punë qeverisë sovjetike në Hungari e Çekosllovaki. Ish ministri i jashtëm sovjetik i asaj kohe thoshte se “Shqetësimi ynë më i madh ishte sigurimi i kufijve jugorë të Bashkimit Sovjetik. Gjithashtu i trembeshim shumë përhapjes se fundamentalizmit islamik në Afganistan nga Irani”.

Në Dhjetor 1979, tanket sovjetike hynë në Afganistan duke shpresuar të mbarojnë punë për disa javë. Kombet e Bashkuara e dënuan pushtimin e Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik. Sekretari i shtetit i SHBA, Brzezinski fluturoi në Pakistan. Qëllimi i Amerikës ishte të furnizonte me armë muxhahedinët në luftë kundër sovjetikëve por pa rënë në sy. Në kufirin me Afganistanin pranë Khyber pass, Brzezinski frymëzoi “ushtarët e Allahut” me fjalën e tij: “Ajo tokë atje është juaja. Një ditë ju do të ktheheni atje sepse lufta juaj është e drejtë dhe sepse Zoti është në anën tuaj.”

Amerika filloi të furnizonte me armë sovjetike muxhahedinët nga të gjitha burimet e mundshme. Vetë Brzezinski kërkoi ndihmën e Gjeneralit Zia-ul Haq, sunduesit të Pakistanit atë kohë. Pakistani gjithnjë ka qenë shumë i interesuar për një regjim miqësor islamik në Afganistan që është në kufij të tij. SHBA i pati prerë ndihmat Pakistanit, pasi gjenerali Zia kishte një rekord të keq përsa i përket respektimit të drejtave të njeriut, si edhe për shkak se Pakistani po zhvillonte bombën nukleare. Amerika filloi të ndërronte qëndrim duke e lënë mënjanë pakënaqësinë e saj ndaj Pakistanit. Charles Dunbar, i departamentit të shtetit amerikan thoshte: “Ne mbyllëm sytë para problemeve që kishim me Pakistanin, mjaft që të mbështesnim rezistencën afgane me ndihmën e qeverisë së Pakistanit”.

Në Afganistan, Ushtria e Kuqe ruante qytetet, rrugët, urat e aeroportet. Në 1980 rreth 100 000 trupa ruse ishin vendosur në vend. Ushtarëve sovjetikë nuk u qe thënë se në Afganistan bëhej luftë civile, po u ishte thënë që do të shkonin atje për t’u konfrontuar me ushtrinë amerikane. Por atje ata s’panë amerikanë gjëkundi. Në 1980 në SHBA, u zgjodh president Ronald Regani, me imazhin e një lideri të fortë. Ai e shtoi ndihmën për muxhahedinët në Afganistan.
Ndërsa armët po derdheshin në Afganistan, Kombet e Bashkuara ndërhyjnë për të arritur një marrëveshje me sovjetikët. Bashkimi Sovjetik do t’i tërhiqte trupat nëse ndihma që u vinte muxhahedinëve do të ndërpritej. Në nëntor të vitit 1982, pas 18 vjetësh në pushtet, Brezhnjevi vdiq. Pas funeralit, lideri i ri sovjetik, Andropov i tha ministrit të jashtëm të Pakistanit se Bashkimi Sovjetik do t’i tërhiqte trupat nga Afganistani. Mirëpo SHBA nuk i besonte Andropovit. SHBA dhe Pakistani nuk ishin gati për këtë marrëveshje. Pas kësaj avionët sovjetikë vazhduan të bombardonin Afganistanin pa asnjë kufizim.
“Raketat binin gjithandej si gjethe pemësh. Pashë vajzën time t’i hapej koka, e pashe trutë t’i vareshin… të gjithë njerëzit e shtëpisë mu vranë.. të gjithë.”- tregonte një fshatar afgan nga provinca Laghman.
Ndërsa një ushtar sovjetik thoshte: “Një ushtar i ri mund të vrasë edhe për të provuar armën, ose sepse është kureshtar të shoh se çfarë ka brenda trupit të njeriut, apo një koke të hapur. Por gjithashtu, është fakt që po nuk vrave, do të vritesh.”
Nga ana e tyre muxhahedinët gjithashtu bënin krime. Numri i ushtarëve sovjetikë të vrarë e të masakruar arrinte 2000 në vit. Shumica e tyre ishin ushtarë të rinj që i kishin sjellë në Afganistan vetëm pas tre muaj stërvitje. Ndërkohë në Bashkimin Sovjetik bëhej propagandë krejt tjetër. Nënat e dinin se bijtë e tyre kishin vajtur në Afganistan, për të ndihmuar popullin mik për të ndërtuar shtëpi e ura. Në sloganet që përsëriteshin më shumë ishte: ‘”Ushtarët sovjetikë, nuk janë vetëm mbrojtës por edhe krijues”, pra qe një dizinformim total për publikun sovjetik. Por ushtarët e kthyer dhe varret e mbushura me ushtarë të vrarë në Afganistan e bënë të pamundur fshehjen për një kohë të gjatë të invazionit sovjetik në Afganistan. Shumë nëna sovjetike humbën djemtë e tyre të vetëm.
“Ne nuk na u lejua as të hapnim kofinin. Varrimi i u bë i shpejtë. Mua nuk mu lejua as të shkruaja në gurin e varrit të tim biri që “U vra në Afganistan.” Mbi varr është shkruar: Vdiq në përmbushje të detyrës internacionaliste”. Ngaqë nuk e pashë djalin të vdekur, nuk më besohet, më bëhet sikur djali është ende gjallë e do kthehet përsëri”, qante një nënë ruse.

Në mars 1985, udhëheqësit të ri sovjetik Mihail Gorbaçovit i erdhën mijra letra nga populli sovjetik që kundërshtonin luftën në Afganistan Në një intervistë dhënë televizionit Gorbaçovi deklaronte:” Ne duhet t’i japim fund kësaj luftë por në një mënyrë të tillë që populli sovjetik të kuptojë se përse u vranë dhjetëra mijra ushtarë e mijra të tjerë u kthyen invalidë. Nuk mund të tërhiqemi me turp”
Ndërsa ndihmësi i tij, Anatoli Çermajev shpjegon: “Nuk mund të iknim tutje ashtu siç bënë amerikanët në Vietnam. Kjo do ta dëmtonte prestigjin tonë.”

Gorbaçovi i tha këshilltarit të OKB, Diego Kordovës, se Bashkimi Sovjetik po merrte në konsideratë tërheqjen e trupave nga Afganistani por shprehte njëkohësisht shqetësimin se ç’qeveri do të vendosej në Afganistan pas largimit të ushtrisë sovjetike. Duke shpresuar se SHBA dhe Pakistani do të pranonin një marrëveshje mirëkuptimi, Gorbaçovi zgjodhi si lider të ri për Afganistanin Mohamed Naxhibullahun. Gorbaçovi e udhëzoi Naxhibullahun të fillonte bisedimet me muxhahedinët për formimin e qeverisë së pajtimit kombëtar. Gorbaçovi dhe iniciativa e tij e paqes u duartrokit në Moskë, por nuk u pranua në Uashington.

Nën presionin e Kongresit, presidenti Regan i shtyu muxhahedinët të vazhdonin luftën dhe madje i ndihmoi ata me armët e fjalës se fundit. Ndërkohë Kombet e Bashkuara po përpiqeshin për vendosjen e paqes në Afganistan, përpjekje të cilat dështuan. Me gjithë tërheqjen e trupave sovjetike përfundimisht në shkurt 1989, lufta midis grupeve fondamentaliste islame vazhdoi ta shkatërronte vendin gjithnjë e më shumë. Që nga viti 1979, deri në 1989, 5 milion afganas u plagosën ose u detyruan të lënë vendin. Pothuaj 15 mijë ushtarë sovjetikë u vranë. Një milion afganë u zhdukën.
Ky qe bilanci i një luftë të pamëshirshme.
Albana Lifschin (Udhëtim në historinë e Amerikës)

Related

Analiza 3813956512977496553

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item