Krahasimi: Egjipti dhe Ukraina, të papriturat e revolucioneve

Ndërsa njerëzit në Ukrainë dolën në rrugë për të bërë revolucion, egjiptianët panë veten e tyre tre vjet më parë. Dhe ajo që u kuptua është ...

Ndërsa njerëzit në Ukrainë dolën në rrugë për të bërë revolucion, egjiptianët panë veten e tyre tre vjet më parë. Dhe ajo që u kuptua është se revolucionet kanë shumë të papritura, nuk dihet kurrë si mund të përfundojnë
Kevin Connolly, BBC

Tre vjet pas fillimit të Pranverës Arabe, kryeqyteti i Egjiptit ndien ndikimin e revolucionit në disa mënyra të çuditshme. Në kulmin kaotik të revolucionit të Egjiptit kundër autokratit të ngrirë Hosni Mubarak, çdo anëtar i forcave të sigurisë papritur u zhduk nga rrugët.
Ndihej si fjala e fundit e mungesës së rendit – një shtet policor pa policë. Që nga ajo kohë, ata janë kthyer, natyrisht, por jo ekzaktësisht për të sjellë rend. Ata po mbikëqyrin me pompozitet mbi një nivel të reduktuar kaosi.
Ti mund të shohësh ndërsa oficerët lejojnë një adoleshent të balancojë një tabaka të stërmadhe druri me pite të freskëta mbi kokë dhe të ndërrojë rrugë për të hyrë në ndonjë rrugicë anësore nga frika. Pastaj një motorist do të vijë dhe ndoshta do të ndalohet për t’u pyetur – mbi dyshimin se motori i tij është thjesht një motor. Motoristi do të përpiqet gjithashtu të shmangë përballjen me policët.
Rrugët e ngushta të Kajros janë të mbipopulluara dhe kaotike. Këmbësorët ecin të rrezikuar krahas makinave që lëvizin ngadalë, si elektronë në një grafik kimie.
Shenjat e jetës së rigjallëruar janë gjithkund.
Karroca të sheshta të tërhequra nga gomarë të vegjël mund të dallohen në mes të trafikut. Këto karroca qenë të ndaluara në kohën e Hosni Mubarakut ndoshta për shkak se ato i kujtonin atij varfërinë e tmerrshme dhe tiparet rurale të Egjiptit. E pra, tani sheh gomarë gjithandej.
Karkasat e deleve varen jashtë dyqaneve të kasamëve në lagjet me mirëqenie më të lartë. Ato kanë shenjë dalluese rripat e gjerë rozë të thertores ku janë përpunuar.
Delet duket se vdiqën, ndërsa ishin veshur me pizhama të çelëta, por ato janë një shenjë për egjiptianët e pasur, një ndjenjë mirëqenie ka zëvendësuar ndjenjën e pasigurisë. Këtë kohë, tre vjet më parë, bankat qenë mbyllur ndërsa automatet qenë të boshatisura.
Dhe papritur ka më shumë turistë të huaj – një grup i gjallë grash amerikane në moshë të mesme më ndaluan në kopshtin e hotelit tonë. A mundem unë t’i bëj një foto?
Egjipti ndihet sikur ka përjetuar një epokë të pafund ndryshimesh politike që nga rënia e Mubarakut, por në të vërtetë kanë kaluar vetëm tre vjet.
Ka pasur tri referendume për Kushtetutë, sa për fillim – e fundit ishte një dokument kaq gjithëpërfshirës sa premton edhe mbrojtjen e të drejtave të punës për njerëzit me aftësi të kufizuara.
Dhe ka pasur një numër të madh votimesh të rëndësishme në Parlament – rezultatet e të cilave janë anuluar – dhe një palë zgjedhje presidenciale që prodhoi udhëheqësin e parë të dalë nga votat në historinë e Egjiptit, islamikun Mohamed Morsi.
Ai u përzu nga pallati presidencial dhe u izolua në një qeli burgu nga ushtria vitin e kaluar. Dhe pas një shtypjeje të përgjakshme të Vëllazërisë Myslimane dhe organizatave të tjera islamike, një lloj stabiliteti është vendosur.
Shumica e egjiptianëve i japin merita për këtë stabilitet forcave të armatosura dhe në veçanti udhëheqësit të tyre, Fildmarshallit Abdul Fattah al-Sisi.
Atij i jepen meritat për rivendosjen e krenarisë kombëtare dhe zhdukjes së shumë komploteve të dyshimta, por të këqija, në të cilat egjiptianët besojnë se ishin përfshirë islamikët. Shumë besojnë se ata duan ta bashkojnë këtë vend të lashtë dhe të madh me pjesët e tjera të shteteve myslimane fqinje.
Pothuajse askush në Egjipt nuk kishte dëgjuar për fildmarshallin deri dy vjet më parë dhe edhe tani shumë pak gjëra dihen për jetën e tij të mëparshme apo se çfarë mendon ai se duhet bërë për të luftuar problemet mbytëse të Egjiptit me varfërinë, mbipopullimin dhe papunësinë. Dhe megjithatë, ai sot lavdërohet gjerësisht si shpëtimtar i kombit.
Kjo është domethënëse sa i përket kulturës politike të Egjiptit dhe besimit tek udhëheqësit e fuqishëm, të cilët shpesh kanë uniformë oficeri të rangut të lartë.
Sakaq në Kajro mund të blesh çokollatë me mbështjellëse me portretin e al – Sisit të printuar me lazer dhe natyrisht, një komb nuk mbërrin deri në këtë pikë, nëse personi me portret mbi çokollata nuk ka njëfarë karizme. Çokollatat me fytyrën e tij janë shumë të mira.
Problemi është se shumë pak demonstrues që fillimisht dolën me trimëri në rrugë për të rrëzuar Mubarakun kanë shpresuar apo hamendësuar se tre vjet më pas, Egjipti do të kthehej atje ku u nis – dhe në fakt aty ku ka qenë gjithmonë përgjatë dekadave të fundit – me Ushtrinë në kontroll të jetës kombëtare dhe një oficer të lartë kandidat për postin e presidentit.
Revolucionet, natyrisht, janë të famshme si ngjarje të paparashikueshme.
Është në modë citimi i udhëheqësit kinez Zhu Enlai, i cili tha më 1972 se ngjarjet e Revolucionit Francez të vitit 1789 ishin shumë të freskëta për t’u interpretuar siç duhet.
Në fakt ka një keqkuptim këtu se ai në fakt po fliste për rebelimin popullor në Paris në atë kohë dhe po jepte një version të zakonshëm të lajmeve dhe jo një dituri mistike kineze.
Por nëse ai tha atë që të gjithë mendojnë se tha, duket se ka pasur të drejtë. Revolucionet mund të jenë një lojë shumë afatgjatë.
Egjiptianët, si të gjithë ne, panë këtë javë ndërsa ukrainasit dolën në rrugë dhe hodhën hapat e parë në një shteg që Egjipti e ka përshkruar sakaq dhe askush nuk e di se si do të përfundojë ky shteg.
Ajo që dimë nga Egjipti është se revolucionet në disa raste kanë një mënyrë për të habitur revolucionarët.

Related

Shtypi i huaj 1735683980830845444

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item