EUROPA / Endrra e venitur. Pse në cdo 10 europianë, 7 nuk “ëndërrojnë” më

Pafuqia e Parlamentit e shtyn shumicën e qytetarëve që të mos shkojnë në votim. Sipa sondazheve, forcat euroskeptike përgatiten të pushtojnë...


Pafuqia e Parlamentit e shtyn shumicën e qytetarëve që të mos shkojnë në votim. Sipa sondazheve, forcat euroskeptike përgatiten të pushtojnë Strasburgun, ndërkohë që 28 shtetet anëtarë bëjnë shumë pak në drejtim të projektit të përbashkët
Mes 22 dhe 25 majit, qytetarët e Bashkimit Europian do të zgjedhin parlamentin e tyre. Eshtë hera e tetë që do u drejtohen kutive të votimit, dhe shumëkush pyet se cfarë kuptimi ka një mobilizim popullor kaq i madh nëse, në praktikë Parlamenti Europian është kthyer në një institucion i venitur, i privuar nga cfarëdolloj pushteti, dhe se votimet shërbejnë më shumë për të matur raportet e forcës mes partive nacionale se sa për të dhënë një adresë për Europën. Zgjedhësit janë të vetëdijshëm se zgjedhja që ata bëjnë nuk ka kurfarë ndikimi mbi fatin e Unionit dhe me kalimin e kohës janë larguar gjithnjë e më shumë nga votimet: në vitin 1979 kishte votuar 61.99 përqind e europianëve, në 1994-ën votuan 56.67 përqind, një rënie tërësore pas euforisë së risisë. Më tej, tendenca u përkeqësua me shpejtësi: në vitin 2009, vetëm 43 përqind e të rregjistruarve për votim iu drejtua kutive të votimit, dhe sondazhet e fundit parashikojnë që kjo shifër pritet të jetë më pak se 40 përqind këtë vit.
Dobësia e Bashkimit Europian është aty, para syve të të gjithëve. Kur bëhej fjalë për të mbështetur vendet që ishin një hap larg greminës financiare, u vu re një përplasje e mjerueshme mes shteteve të pasur (vecanërisht Gjermanisë) dhe shteteve të varfër, a thua falimentimi i një vendi të vogël nuk do të kishte asnjë pasojë mbi fatet e euros. Kur flitet për ekonominë, thuhet se kriza sapo ka nisur trajektoren, por nuk e ka marrë ende kthesën. Eshtë e vërtetë, por ndërkohë Brukselin e kap inercia, duke u kënaqur me stigmatizimin e daljes së ngadaltë nga stanjacioni dhe vazhdueshmërinë e një papunësie të lartë, duke shtyrë në kohë zgjidhjen e problemit “në pafuqinë sovrane të kombeve”, sic ka shkruajtur kohët e fundit Jurgen Habermas.
Kur vëzhgon politikën e trazuar ndërkombëtare – që nga kriza dramatike siriane, deri tek revolta e ukrainasve që e quajnë ankorimin e tyre në Bashkimin Europian si shpresën e fundit – Brukseli është në dritare (është e vështirë të konsiderosh një nismë europiane efikase, udhëtimin patetik në Kiev të Catherine Ashton, e cila krenohet, kush e di pse, me titullin sa pompoz, aq edhe bosh, të “Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për cështjet e jashtme dhe politikat e sigurisë”).
Përballë këtij kuadri të dhimbshëm nuk duhet të habitemi, nëse euroskepticizmi përhapet, i ushqyer nga partitë nacionale populiste që shohin tek zgjedhjet europiane në maj të këtij viti, shansin e artë për një sukses të madh. Bëhet fjalë për formacione që janë të pranishëm në të gjithë vendet e Bashkimit Europian, që nga Italia e Roberto Maronit tek Franca e Marine Le Pen, nga Holanda e Geert Uildersit tek Finlanda e Timo Soinit, e deri tek Anglia e Nick Griffinit dhe Austria e Joseph Bucherit.
Sondazhet që zbulojnë në mënyrë periodike orientimin politik të qytetarëve nuk japin aspak siguri. Në vitin 2007 – përpara se të niste krize – 57% e europianëve kishte një vizion pozitiv për BE-në. Sot, kjo përqindje pothuajse është përgjysmuar, duke arritur pikën më të ulët që është rregjistruar ndonjëherë (vetëm 30 përqind e të pyeturve vazhdojnë të besojnë tek BE). Me këto premisa, nuk është e vështirë të imagjinohet që Parlamenti Europian që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme do të jetë shumë i ndryshëm nga ai aktual, me një shtrirje të gjerë të nacional-populistëve, të cilët do të përdorin tribunën e Strasburgut për të vazhduar betejën e tyre.
Megjithatë, nuk është e arsyeshme që t’ua hedhësh të gjithë fajet armiqve të Europës, pa folur dhe për qeveritë, parlamentet e shteteve, partitë, Komisionin dhe Parlamentin Europian, që nuk bëjnë asgjë për të mos lejuar që Unioni të fundoset në mocalin ku ndodhet. Dikur, Albert Einstein ka thënë se “marrëzi do të thotë të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshëm”. Pikërisht këtë janë duke bërë klasat politike lokale që, ndonëse ndonjëherë të frymëzuara prej një europeizmi të sinqertë, nuk kanë fare ndërmend të rifillojnë procesin e unifikimit politik, aq të dëshiruar nga baballarët themelues të Europës. Këta kënaqen me hapa të vegjël dhe për t’i dhënë ndërtesës europiane disa restaurime të vegjël që në fakt nuk ndryshojnë asgjë.
Tashmë kanë mbetur shumë pak ditë deri sa të vijnë zgjedhjet dhe nuk është e pamundur që në muajt e ardhshëm debati për Bashkimin Europian të rifitojë terren, që faqet e gazetave të mbushen me paralajmërime alarmues mbi rritjen e ngadaltë të Europës, krahasuar me kolosët azatikë, me statistika që flasin për mungesën e punës për brezat e rinj, me paralajmërime për rënien e vendeve tanë të tronditur prej globalizimit, me premtime me të cilët na kanë mësuar udhëheqësit politikë. Dhe nuk do të mungojnë as recetat për të nisur rimëkëmbjen: duhet më pak shtrëngim, thonë disa. Eshtë i domsodoshëm një solidaritet më i madh mes vendeve anëtarë, thonë të tjerë. Duhet promovuar një politikë europiane e fokusuar në investime dhe në kërkim-zhvillim, do të thonë të tjerë akoma. Të gjitha fjalë të shenjta, që megjithatë kanë defektin se fshehin kushtet që bëjnë të mundur realizimin e një programi kaq impenjues.
Dobësia e Bashkimit Europian ka një shkak të vetëm: mungesa e një uniteti politik, gjë që bën të gjendemi me 28 qeveri, interesat e të cilave rrallëherë përkojnë. Më shumë se dy shekuj më parë, Alexander Hamilton u bënte thirrje amerikanëve të bënin kujdes ndaj iluzionit, që paqja dhe prosperiteti mund të ruheshin pa një qeveri unike. “Të shpresosh për një jetëgjatësi të harmonisë mes shumë shteteve të pavarur dhe jo të lidhur mes tyre, do të thotë të mos përfillësh rrjedhën uniforme që kanë ndjekur ngjarjet njerëzore dhe të shkosh kundër eksperiencës së ndërtuar me kohë”, shkruante ai tek Federalist-i. Mund të kundërshtohet duke thënë se shtetet europianë nuk janë aq “të palidhur”, sa ishin ish kolonitë angleze pas sigurimit të pavarësisë. E vërtetë: nëse Bashkimi Europian nuk është shpërbërë ende, kjo vjen prej faktit që ekziston një interes i përbashkët, në gjendje që t’u kundërvihet shtytjeve centrifugale. Si dhe vetëdijësimi që, pa Unionin, të gjithë shtetet europianë – të gjithë e jo vetëm më të dobëtit – janë të destinuar për një dekadencë të pandalshme. Eshtë pikërisht kjo frikë e fshehtë që i shtyn gjithmonë qeveritë të gjejnë një kompromis, përpara se sa kriza të precipitojë, dhe jo të kërkojnë një projekt afatgjatë, për të cilin ka nevojë Europa. Ideja e një uniteti europian është e gjallë që prej disa shekujsh në këtë kontinent. Kështu që, në lojë nuk është vetëm një projekt që ka rënë papritur nga qielli pas Luftës së Dytë Botërore, por është fati i të gjithë qytetërimit.
LA Sette

Related

Shtypi i huaj 9133352579401037367

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item