Britania e Madhe, jashtë apo brenda BE-së më 2017

Britania një nga vendet refuzuese të statusit mbi Shqipërinë, dallohet për nivelin më të lartë të euroskepticizmit në BE. Kundërshtimi ndaj ...


Britania një nga vendet refuzuese të statusit mbi Shqipërinë, dallohet për nivelin më të lartë të euroskepticizmit në BE. Kundërshtimi ndaj integrimit evropian apo politikave institucionale të BE-së, vazhdon të jetë një element i rëndësishëm, karakterizues i klasës politike britanike që prej anëtarësimit të saj në CEE. E dominuar nga një luhatje e vazhdueshme, midis interesave kombëtare dhe interesave pjesërisht integrues që favorizojnë ato kombëtarë, Britania vazhdon të konsiderohet një partner i vështirë i BE-së.
Ardhja në pushtet e Konservatorëve më 2010, filloi gradualisht të riekspozonte qëndrimin qeveritar të ideve euroskeptike. Këto qëndrime do të reflektoheshin edhe në fjalimin publik mbi Europën, të Kryeministrit Kamerun, vitin e kaluar. Idetë politike të ekspozuara në këtë fjalim e ripozicionojnë sërish Britaninë, drejt një opsioni zgjedhës: negocim mbi një marrëveshje të re me BE-në, dhe në rast dështimi, një referendum popullor për të vendosur mbi daljen, apo qëndrimin në BE.
Referendumi i premtuar, sugjeron për herë të parë një pyetje koncize, të shprehur qartë, për dalje apo qëndrim në BE dhe cilësohet të jetë një nga premtimet më të guximshme që përmban në vetvete një risk shumëplanësh, duke ekspozuar në mënyrë të panevojshme Britaninë përballë situatave izoluese.
Paralelisht me këtë iniciativë politike, Britania ka konfirmuar, se nuk do të marrë pjesë në reformimin e Unionit Ekonomik dhe Monetar të BE-së, si edhe ka deklaruar një shqyrtim për tërheqje nga Drejtësia dhe Punët e Brendshme të BE-së. Pakënaqësitë britanike janë shprehur gjithashtu edhe në fusha të tjera, që prekin marrëdhëniet me BE-në.
Pavarësisht premtimit të guximshëm për mbajtjen e një referendumi, idetë e shprehura në fjalimin e Kamerunit, duket se përshijnë një sërë problematikash. Një nga arsyet kryesore, vlerësohet të jetë roli në zbehje i Britanisë në BE, pasi kriza financiare dhe ekonomike, ka theksuar ndjeshëm rolin e eurozonës në BE. Fokusimi mbi një integrim më të thellë të zonës euro, është shndërruar në motor integrimi, duke bërë që kjo e fundit, të marrë edhe lidershipin e drejtimit në fusha të tjera politike, si ajo e thellimit të mëtejshëm ekonomik dhe politik, me tendenca federaliste.
Opsioni britanik për rinegocim kushtesh apo referendum popullor për dalje nga BE, duket se mbart një formulim  të kushtëzuar, nën prizmin e disa faktorëve ndërpartiak dhe elektoral. Pozicionet euroskeptike brenda partisë Konservatore ravijëzohen në dy drejtime, njëri drejtim që kërkon tërheqje totale nga BE dhe drejtimi tjetër që kërkon, një tërheqje pothuajse totale nga BE. Paralelisht me këtë situatë, vlerësohet dhe kuadri elektoral, ku Britania do t’i drejtohet kutive të votimit në zgjedhjet legjislative të vitit të ardhshëm. Fjalimi i Kamerun dhe idetë e prezantuara, duket se shkojnë në përputhje me qetësimin e zërave ndarës brenda partisë, për rinegocim kushtesh me BE-në ose tërheqje totale, të cilat harmonizohen me qëllimin elektoral për fitimin e zgjedhjeve legjislative të vitit të ardhshëm.
Përpjekja e Kamerun për ripozicionim të rolit të Britanisë në BE, dhe një dështim i mundshëm në këtë ndërmarrje, duket se do të mundësojnë mbajtjen e këtij referendumi delikat, gjithmonë nëse konservatorët do të mund të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Opsionet e Britanisë në rast dalje nga BE
Kuadri ligjor i BE-së, përfshin nën Traktatin e Lisbonës (neni 50), mundësinë e daljes së një vendi anëtar. Traktatet e mëparshme, nuk e parashikonin këtë opsion (me përjashtim të Traktatit Kushtetues i cili dështoi si projekt), por gjithsesi një tërheqje e mundshme e njëanshme, nuk pengohej. Procedura kërkon që shteti, i cili kërkon të tërhiqet nga BE, duhet t’i njoftojë vendimin e tij Këshillit Europian dhe pas këtij njoftimi, fillojnë negociatat për të fiksuar modalitetet e kësaj tërheqje. Një marrëveshje përmbyllet në emër të Unionit nga Këshilli, me shumicë të cilësuar, pas miratimit nga Parlamenti Europian. Shteti që tërhiqet duhet të zhvleftësojë nga kuadri legjislativ vendas, legjislacionin e BE-së, që në momentin e hyrjes në fuqi të marrëveshjes dhe në pamundësi, kjo mund të shtyhet deri në dy vjet ose më tej, por, me marrëveshje të dyanshme.
Por, cilat janë opsionet alternative, në rast se Britania vendos daljen nga BE, për të mbrojtur interesat e saj?
Opsioni i parë i përmendur edhe në fjalimin e Kamerun është modeli Norvegjez. Norvegjia nuk është anëtar i BE-së, por është e lidhur me BE-në nëpërmjet anëtarësimit në Hapësirës Ekonomike Europiane, duke pasur gjithashtu edhe bashkëpunime në programe dhe agjenci të ndryshme të unionit.
Por, Kamerun dyshon, nëse ky do të ishte opsioni më i mirë për Britaninë dhe kjo duke marrë parasysh faktin se, Norvegjia është vendi me rezervat më të mëdha të gazit dhe naftës në Europë, dhe se ka një fond sovran pasurie të vlerësuar prej 500 bn euro.
Nga ana tjetër, përqasje analitike të ndryshme vlerësojnë se, një zgjedhje e opsionit norvegjez, vërtet do t’i siguronte Britanisë një akses të plotë të të mirave dhe shërbimeve në tregun e BE-së, por, çmimi për Britaninë do të ishte implementimi i gjithë legjislacionit të BE-së, që ishte i rëndësishëm për tregun e përbashkët dhe kontribuimi në buxhetin e BE-së, pa pasur asnjë të drejtë mbi marrjen e vendimeve të BE-së. Ky lloj pozicioni, gjykohet të jetë më negativ, se sa pozicioni aktual, në këndvështrimin euroskeptik.
Modeli i dytë i prezantuar nga Kamerun është modeli zviceran, ku Zvicrës i duhet të negociojë aksesin në tregun e përbashkët mbi çdo sektor, duke pranuar rregullat e BE-së, mbi të cilat, ajo, nuk ka asnjë rol në vendosjen e tyre.
Por, edhe kjo zgjedhje, mbart kostot e saj, pasi Britania gjykohet, se nuk mund të hyjë në këto negocime me pozicionin e të fuqishmit, pasi Britania varet më shumë nga tregu i BE-së, se, sa BE nga tregu britanik. Zvicra vërtet ka nënshkruar akses të plotë në tregun e BE-së për të mirat, por jo për shërbimet, ndërkohë që çelësi i eksporteve angleze janë shërbimet, çka nuk është aspak tërheqëse për Londrën.
Sigurisht Britania mund të zgjedhë edhe thjesht një opsion lënie të BE-së, pa negociuar ndonjë marrëveshje specifike, por, do t’i duhet të paguajë tarifa në eksportet e saj ndaj vendeve të BE-së. Nga ana tjetër kosto zgjerohet, pasi, do t’i duhet të rivendosë kufirin doganor dhe postave doganore me Irlandën, çka nuk duket një opsion joshës për të dy qeveritë irlandeze dhe britanike.
Një tjetër problem duket se mund të lindë me Skocinë, e cila ka paralajmëruar gjithashtu mbajtjen e mundshme të një referendumi mbi pavarësinë e saj, ndaj Britanisë më 18 shtator të këtij viti. Në rast të një votimi pro pavarësisë, interesat skoceze duket, se do të bashkëngjiten me ato evropiane, duke bërë të mundur një aplikim të shpejtë në BE.
Reagimet Ndërkombëtare
Reagimet e faktorit ndërkombëtar diplomatik, kanë shkuar pro mbështetjes së qëndrimit të Britanisë në BE. Administrata amerikane reagoi menjëherë, pas fjalimit të Kamerun, duke vlerësuar se, dëshirojnë një Britani më të fortë, në një Europë më të fortë. Hezitimi dhe frika amerikane, shkon drejt faktit se hedhja e kësaj ideje, e cila do të gjenerojë debat në vitet në vijim, do të dobësojë zërin dhe fuqinë e Britanisë në BE.
Gjermania reagoi nëpërmjet Ministri të Mbrojtjes, Thomas de Maiziere, i cili theksoi se, kjo gjë do të zvogëlojë influencën britanike në NATO. Ndërsa, Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius deklaroi se, nuk mund të anëtarësohemi në një klub futbolli dhe pasi të jemi anëtarësuar t’u themi që tani, ne duam të luajmë regbi. Japonia vlerësoi se, pret që Britania të ngelet një zë i fortë dhe të vazhdojë të luajë një rol madhor në BE. Reagime në të njëjtën linjë erdhën edha nga qeveria suedeze dhe ajo australiane.
Zgjedhjet Europiane të majit 2014
Zgjedhjet evropiane në Britani do të mbahen në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale. 73 eurodeputetë anglezë do të zgjidhen në Parlamentin Europian, nëpërmjet një përfaqësimi proporcional. Sondazhet paraprake, tregojnë një epërsi të UKIP (Partia për Pavarësinë e Britanisë), që kalon në vend të dytë, duke zhvendosur Konservatorët në vend të tretë. Laburistët vazhdojnë të qëndrojnë në krye të sondazheve.
UKIP është një parti e krahut të ekstremit të djathtë, e themeluar me të vetmin qëllim, nxjerrjen e Britanisë nga BE. UKIP ndjek një linjë të ashpër euroskeptike, kundrejt integrimit evropian dhe monedhës së përbashkët. Retorika partiake karakterizohet, nga një retorikë ksenofobe, kryesisht anti-imigracion dhe anti-islam. Argumentet kryesorë të UKIP kundër anëtarësimit në BE janë: humbja e sovranitetit kombëtar ligjor dhe politik në Bruksel, politikat jologjike dhe groteske që i imponohen Britanisë, të cilat nuk do të fitojnë kurrë mbështetje publike, dhe që duhen të testohen në zgjedhjet kombëtare.
Rritja e fundit e votuesve të UKIP, përfshin problematika të ndjeshme për britanikët, siç është imigracioni. Heqja e barrierave të fundit, mbi të drejtat e qytetarëve bullgarë dhe rumunë për të punuar në tregun e BE-së dhe sidomos atë britanik, ka shqetësuar ndjeshëm qytetarët britanik, sipas sondazheve të kryera.
Të gjithë faktorët e sipërpërmendur si rivalizimi i fuqishëm me baza euroskeptike nga UKIP dhe përparësia e tij e vazhdueshme në sondazhe; presioni i fraksioneve euroskeptike brenda partisë Konservatore; kuadri elektoral i zgjedhjeve lokale dhe evropiane të majit 2014, dhe zgjedhjeve legjislative të 2015-s, e kanë pozicionuar Kamerun përballë opsionit zgjedhës: rinegocim të anëtarësimit të vendit në BE, duke ruajtur në mënyrë konstante presionin ndaj BE-së, ose në rast dështimi, “kërcënim” me referendum popullor për të vendosur për dalje apo qëndrim në BE, gjithmonë në rast se konservatorët do t‘ia dalin të jenë fitues në këto zgjedhje. (im.ta)/dita

Related

Botë 5264395812086108618

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item