Bota në ankth për Krimenë

Sytë e të gjithë botës u kthyen nga Kievi pas zhvillimeve të bujshme të këtyre ditëve në Ukrainë, por më shumë se sa tek kryeqendra e vendit...


Sytë e të gjithë botës u kthyen nga Kievi pas zhvillimeve të bujshme të këtyre ditëve në Ukrainë, por më shumë se sa tek kryeqendra e vendit, vëmendja ndoshta meriton të zhvendoset  në rajonin jugor të Krimesë.

Të shumtë janë ata që profetizojne shndërrimin e tij në fushëbetejën e forcave besnike të Ukrainës dhe mbështetësve të Rusise. Shenjat ne fakt nuk mungojnë. Persona të armatosur ngritën flamuj rusë mbi ndërtesat qeveritare e deklaruan se “Krimeja është Rusi”.

Grupet separatiste të të dy krahëve u përleshën rrugëve të Semfaropolit. Të premten, u raportua marrja e dy aeroporteve më të mëdha të Gadishullit. Situata atje rrezikon përshkallëzimin dhe pyetja që ngrihet logjikshëm është: A do të kthehet Krimeja në konfliktin e ardhshëm të ngrirë të Europës?

Rusia ka qenë fuqia absolute dominuese e saj prej pothuajse 200 vjetësh, që kur e aneksoi rajonin në 1783-in. megjithatë në 1954-tën iu kalua Ukrainës, asokohe pjesë e Bashkimit Sovjetik. Mjaft rusë etnikë e konsiderojnë këtë një gabim të historisë.

Popullata gjërësisht proruse e Krimesë e ka parë prej një kohe të gjatë me dyshim qeverinë qendrore në Kiev. Por këto ditë ngurrimi është shndërruar në agresivitet të hapur ndaj autoriteteve të reja ukrainase, ilegjitime në sytë e rusëve të Krimesë.

Federata Ruse nuk ka bërë shumë për frenimin e kësaj dinamike të rrezikshme, përkundrazi duket se po i shton benzinë zjarrit me deklaratat se ai i Kievit ishte një grusht shteti dhe me premtimet për riintegrim të rajonit në Rusi, nëse banorët atje do ta dëshirojnë një gjë të tillë.

Situata e Krimesë bart të gjitha shenjat dalluese të konflikteve të zgjatura apo të ngrira sic njihen ndryshe në Europën Lindore. Në Transnistria, rajoni separatist i Moldavisë, në Nagorni-karabak të pretentuar nga Armenia dhe Azerbajxhani, apo në Abkazi dhe Osetinë Jugore të shkëputura prej Gjeorgjisë, Rusia i ka nxitur prej kohësh separatistët, duke i siguruar mbështetje politike, ushtarake, financime e pasaporta.


Në sytë e ekspertëve, veprimet e saj nuk bëjnë gjë tjetër vecse minojnë në mënyrë të vazhdueshme stabilitetin e fqinjëve të vet më të vegjël duke sfiduar sovranitetin e tyre, duke bllokuar reformat e brendshme e duke i vështirësuar integrimin europian. / Top Channel

Related

Botë 866686624371257210

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item