Zanat i vjetër, diplomë e re

EDMOND TUPJA    Ata janë shtuar shumë, veçanërisht në kryeqytetin tonë, me gati një milion banorë. Ata janë të të dyja (tria?) gjinive, thua...

EDMOND TUPJA


  
Ata janë shtuar shumë, veçanërisht në kryeqytetin tonë, me gati një milion banorë. Ata janë të të dyja (tria?) gjinive, thuajse të të gjitha moshave, me prejardhje nga të gjitha rrethet e vendit, analfabetë ose gjysmanalfabetë, të organizuar në grupe ose të pavarur, bardhoshë apo zeshkanë etj., etj. Cilët janë ata? Ata janë Lypësit. Ose Lypsarët. Ose Lypacakët. Ose Lëmoshëtarët. Ose Bonjarët. Ose Kalanderët. Ose Derësit. Ose Përderësit. Ose Rrahaderësit. Ose Lamashët. Ata përbëjnë një shtresë shoqërore më vete me disa nënshtresa.

Së pari kemi ata që thjesht ulen diku, nxjerrin në pah ndonjë gjymtim fizik dhe lypin duke zgjatur dorën e duke përsëritur një formulë të vetme si, për shembull, “Boj sevap, ta boft Zoti mar’!” apo “M’fal noj lek!”.

Së dyti, kemi ata që bredhin para lokaleve dhe u afrohen klientëve duke u zgjatur dorën e duke u përpjekur t’i mallëngjejnë me një zë gati të përvajshëm.

Së treti, kemi ata, të paktë në numër ç’është e vërteta, që bëjnë diçka për ta merituar lëmoshën, për shembull, duke i rënë një vegle muzikore. Së katërti, kemi mashtruesit, të tipit individ me një recetë mjeku në dorë që të drejtohet me mirësjellje dhe të lutet t’ia lexosh emrat e ilaçeve, pastaj të thotë, duke tundur kokën me dëshpërim, që nuk mund t’i marrë në farmaci ato ilaçe sepse i mungojnë vetëm 100 apo 200 lekë (të reja, sigurisht).

Gjithsesi, lypësia është art më vete, aq sa kam krijuar bindjen se ka midis lypësve nga ata që mund të ishin bërë aktorë shumë të mirë. Këtë e konfirmon edhe fakti që disa syresh kanë arritur të blejnë biçikleta po që po, por edhe vetura okazioni, madje thuhet se një lypës pa këmbë sot banon në një shtëpi me ashensor që e ka ndërtuar me paratë e mbledhura sipas mënyrës së vet. Për të mos u treguar i padrejtë me lypësit e vendit tim, nderi ma kërkon të theksoj se edhe në vendet më të zhvilluara të botës ka lloj-lloj lypësish, që lypin edhe brenda mjeteve të transportit urban ose ndërurban (Në Tiranë, një herë më ka zë syri një lypës në autobus, por nuk e di a ka të tillë nëpër trena).

Sidoqoftë, meqenëse numri i lypësve sa vjen e rritet midis nesh për arsye të ndryshme (papunësi, varfërim masiv, keqqeverisje, krizë botërore etj., etj.), ndoshta do të jetë diçka me vend që të legalizohet zanati i nderuar i lypësit në mënyrë që qeveria e drejtuar nga zoti Rama të ketë mundësi t’i tatojë ushtruesit e këtij zanati (i dyti në botë nga vjetërsia) dhe, kësisoj, të zërë vrimat e arkave të shtetit shqiptar; madje, për të mirën e këtyre arkave, qeveria e re mund të bëjë orvatje të ndershme për të legalizuar edhe zanatin më të vjetër në botë, që mjerisht ende gëzon një nam të keq, me qëllim që t’i tatojë ushtrueset e tij; rrjedhimisht, lypës e prostituta do të ktheheshin në kontribues e kontribuese të mirëqenies sonë kombëtare, çka do ta lehtësonte integrimin e Shqipërisë në gjirin e Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, nuk do të ishte ide fort e keqe sikur qeveria e re, në përpjekjet e saj të sinqerta për ta europianizuar lypësin shqiptar (homo lypsalbanicus), t’u lejonte të paktën universiteteve private të krijonin një diplomë të re në fushën e shkencave sociale dhe të komunikimit, me të cilën do të pajiseshin lypësit e ardhshëm shqiptarë (por, pse jo, edhe të huaj), çka do t’u mundësonte atyre të licencoheshin zyrtarisht si ushtrues të profesionit të vjetër e të nderuar të lypësit dhe, për pasojë, të tatoheshin normalisht si gjithë ushtruesit e profesioneve të tjera po aq të nderuara, por jo aq të vjetra. E njëjta gjë mund t’i sugjerohet qeverisë së re edhe për zanatin më të vjetër në botë. Rrjedhimisht, do të krijoheshin edhe shoqata e sindikata të reja për mbrojtjen e të drejtave të lypësve e të prostitutave tona kombëtare.


Së fundi, nuk do të ishte keq që me këto dy lloj diplomash të reja të pajiseshin edhe ato diplomate e diplomatë shqiptarë që do të trokisnin në dyert e organizmave ndërkombëtarë për të lypur (në kuptimin “për të kërkuar me përulësi kryelartë”) ndihma financiare jo vetëm në raste katastrofash natyrore, por rregullisht vit për vit me synim fisnik përfundimtar anëtarësimin e pakthyeshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian, i cili pa reshtur e me padurim ëndërron që ne t’u bashkëngjitemi sa më shpejt, sa më bukur e sa më shtrenjtë radhëve të tij mikpritëse.

Related

Opinione 2238718437719171558

Follow Us

Hot in weekRecentComments

Hot in week

Recent

Historia e vërtetë e zbulimit të Mesharit

Në këtë shkrim përvijohet historia e zbulimit të veprës së Buzukut së bashku me përpjekjet e kryera nga arbëreshët e Sicilisë për të nxjerrë në dritë një botim kritik të tekstit të Mesharit. Isht...

FOTOT/ Dhe mbretëresha është Alessandra Ambrosio

Ajo është një nga engjëjt e “Victoria’s Secret”.Por në mbrëmjen e të enjtes në Kanë, në galanë kundër AIDS, Alessandra Ambrosio nuk kishte asgjë engjëllore.Ajo ishte një nga femrat më të bukura, ndërs...

Bëhuni gati për një verë tepër të nxehtë!

Parashikimet tregojnë se prilli ishte muaji më i nxehtë i regjistruar, por “El Nino” do të ketë më pak uraganeMuaji prill ishte muaji i parë më i nxehtë, i regjistruar ndonjëherë, kanë treguar parashi...

Tragjedi në Kurbin, nëna vret të bijën me automatik, më pas veten

Një ngjarje tragjikë është shënuar në qytetin e Kurbinit, pasi nëna ka vrarë vajzën e saj dhe më pas veten. Ngjarja e rëndë është shënuar vetëm pak momente më parë në komunën Fushë–Kuqe, ku Mimoz...

TURQI – Dy të vdekur pas konfrontimeve në Stamboll mes policisë dhe protestuesve

 I dyti protestues vdiq sot pas plagëve të marra në konfrontimet e dhunshme të ditës së djeshme mes policisë dhe manifestuesve në një lagje të njohur të Stambollit, njoftoi për median guvernatori...

Comments

Ulio:

This comment has been hidden from the blog.

rudi:

This comment has been hidden from the blog.

Philip:

This comment has been hidden from the blog.

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item