Farka: Promocioni i vlerave turistike në trendin e kohës
Skënder Farka ka lindur në Tiranë më 1940. Është diplomuar për inxhinier mekanik dhe specializuar në Kinë, Francë dhe Danimarkë. Mbas vitit ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/08/farka-promocioni-i-vlerave-turistike-ne.html
Skënder Farka ka lindur në Tiranë më 1940. Është diplomuar për inxhinier mekanik dhe specializuar në Kinë, Francë dhe Danimarkë. Mbas vitit 1992, në kuadrin e shoqatës “Tirana” është angazhuar në studimin e vlerave turistike- kulturore -historike të trevës së Tiranës.Pas botimit të librit për komunën e Dajtit dhe për Zall Bastarin ka në plan botimin e kolanës prej 15 libra për gjithë komunat dhe fshatrat e rrethit të Tiranës.
Zoti Skënder, çfarë ju nxit të merreni me promocionin e vlerave turistike të Tiranës dhe zonave të saj?
Turizmi në përgjithësi, por ai rural në veçanti, prej kohësh janë shpallur drejtime strategjike, me vlera të gjithanshme, ku, ato ekonomike zënë vend me rëndësi në marrëdhëniet e reja.Unë jam lindur dhe rritur në Tiranë, në këtë qytet të mrekullueshëm , zemrën e atdheut, kam shetitur nëpër botë,por shumë edhe nëpër Shqipër, e kjo ma ka mprehur shijen dhe kuptimin për ta shijuar të bukurën.Vjen një kohë që e kupton se e bukura ndodhet aty ku është lindur, pasi ke fituar eksperiencë dhe je mbushur me impresione të mëdha nga udhëtimet. E, në këtë hulli kupton se njerëzit, malet, kodrat, peizazhet, traditat, bukuritë natyrore të vendlindjes janë më të mirat në botë.Ato presin vetëm të promovohen mirë.
Më konkretisht, cilat janë ato vlera të fshehura të zonës së Tiranës, me të drejtën e një cilësimi të tillë prej mungesës së infrastrukturës?
E para , peizazhi,relievi, konfiguracioni gjeografik, fushat, malet, kodrat, luginat e mrekullueshme, bimësia, prodhimet bio, shpellat ujoredhe të thata, shpatinat dhe kodrinat,pyjet me pisha në lartësinë 850 metra, bimësia aromatike, drurët pyjorë në shumëllojshmërinë e tyre, etj.E dyta ,monumentet religjioze, kisha, xhami, varre shumë të vjetra.Dhe brenda këtij përkufizimi të përgjithshëm duhet thënë se këto pasuri ende rrinë larg shikuesit dhe turizmit masiv, mbahen ende të fshehura dhe nuk bëhet një promocion i kujdesshëm dhe sistematik për to.E treta, është aspekti etnokulturor, traditat, zakonet,mënyra e jetesës, mite ,legjenda, folklori, toponime, të cilat përbëjnë një thesar për gjuhën shqipe dhe çojnë detyrimisht me studimin e tyre në gjenezën e genit iliroshqiptar.
Ju keni nxjerrë dy libra një për komunën Dajt dhe tjetrin për komunën Zall-Bastar, ka botime të tjera në këtë lëmë?
Për krahinat e Bendës dhe Tomadhesë ka botime, por unë ndaloj fshat më fshat dhe i mëshoj idesë së turizmit, promovimit të tij, në secilin prej tyre si njohje e shetitje për kënaqësi.Këto janë dy librat e parë të kolanës për 168 fshatra që ka Tirana.Ka promovime të pjesshme ,guida turistike më tepër për të huajt sesa për vendasit.Kam studiuar me kujdes jo vetëm relievin, i cili është paraqitur në librin tim me harta topografike, por edhe historine, mitologjinë, për ato krahina, e fshatra të veçanta, të cilat përbëjnë një pasuri etnokulturore që ka akoma për të thënë.Dihet që këto krahina paraqesin një larmi historike tepër interesante me një domosdo për studim të mëtejshëm.
Në krahinën e Zall-Bastari ka jetuar bejtexhiu i famshëm Zenel Bastari.Janë të njohura vargjet e tij:”Tirana jonë si e mësoi/fort e zuri inqizari/kush e hipi e teproi/nuk pat frikë nga xhebari/”, më duket se vargjet e tij janë aktuale edhe për ditët e sotme, ju sa njohuri dhe a keni ndonjë të dhënë për të?
Nuk e përcaktojmë dot shtëpinë e tij,madje as varrin e tij, sepse varrezat e Tiranës u shkatërruan pa proces verbal.Gjurmët e fisit të tij janë por me mbiemër tjetër.Ky poet është ende i pastudiuar si duhet dhe nuk e dimë sa është e dokumentuar plotësisht krijimtaria e tij,por, për fat , tiranas të mirë kanë mbledhur dhe ruajtur shumë dorëshkrime dhe kjo është një pasuri e madhe. Dihet që Zenel Bastari ka qenë një poet bejtexhi i fortë, vargjet e tij mësoheshin përmendsh nga populli, thumbonin me një nerv të fuqishëm social.Sot, një shkollë mban emrin e tij.
Çfarë larmie paraqesin këto zona në aspektin social- ekonomik,etnokulturor?
Unë kam studiuar jo vetëm konfiguracionin gjeografik, por edhe traditat, veshjen, kostumografinë popullore që është gjithaq interesante dhe me vlerë.Zonat ,Durrës, Tiranë, Elbasan, Librazhd ,kanë afri po edhe diferenca lokale.Në veshje pothuajse zotëron e kuqja dhe e verdha. Jashtë çdo konotacioni ideor apo simbolik mund të themi se këto ngjyra ishin më të lehta për t`u prodhuar.Të gjitha këto presin të promovohen nga specialistë, por unë vetëm sa i përmend, gjithnjë në sfondin e promovimit të turizmit rural.
Si paraqitet e ardhmja e këtyre zonave?
Dihet, si në gjithë zonat malore të Shqipërisë janë prishur strukturat e vjetra.Një pjesë e mirë e popullsisë ka migruar drejt qendrave urbane.Të flasësh sesi ndodhi kjo, kuptohet, cilat qenë ato kushte që e ofruan këtë gjë, prapë kjo merret me mend se nuk është një e kaluar fort e largët dhe lexuesi e ka jetuar.Dhe kjo periudhë nuk ka afruar shumë investime drejt zonave malore për shkaqe që kuptohen.Po në kushtet e reja të rikthimit drejt bujqësisë dhe turizmit ,jemi në një fillim të ri,rruga e bie më afër njeriun me vendin ku ai do të shkojë, qoftë për qetësi , qoftë për klimë e relaks.Është fat që nëpër zonën e Zll Bastarit kalon Rruga e Arbrit, një rrugë që do ta sjellë këtë zonë shumë afër tregut, kryeqytetit dhe do mundësojë një vajtjeardhje të përhershme me leverdi të jashtzakonshme.Për herë të parë do zbulohen në sytë e turistëve masivë bukuritë, monumentet natyrore dhe resurset e jashtëzakonshme që paraqet kjo zonë.Po Rruga e Arbrit do ketë dhe degëzimet ekonomike ,çfarë paraqet një tjetër risi e do lidhen me të edhe zona të tjera , çfarë do japë interes për biznesin privat i cili do të ketë plane të reja për investime dhe do të sjellë njëkohësisht një rikualifikim të mendimit dhe mundësive për të investuar më fuqishëm.Rruga e re e Shëngjergjit,e mbaruar tashmë ,sjell të tjera mundësi.Edhe të ikurit do shikojnë mundësinë e rikthimit, sepse rruga mundëson dhe sjell progres.E rëndësishme është të ruhen këto pasuri natyrore, tipi i banesës dhe gjithë arsenali kulturologjik i saj, kjo natyrisht, e sjell edhe një herë në qendër të vëmendjes këtë si një plan të ardhshëm perspektiv që motivon për kapjen e disa synimeve të cilat shkojnë drejt përparësive të tyre.Këto kanë qenë edhe synimet e mia që shpalosen në botimin e dy librave të cilët lexuesit tashmë i kanë në dorë.
Cilat janë planet tuaja të ardhshme?
Tirana ka 16 komuna.Ato paraqesin interes për t`i studiuar, vetëm duhet kohë, vullnet e të keshë përgatitjen e nevojshme , pa të cilat nuk mund të arrihet në mundësitë pasqyruese.Mbeten ende objekte apo monumente natyrore të pa ekspozuara ose të ekspozuara pak, të panjohura për lexuesin apo turistin sado i interesuar qoftë ai.Të tilla janë Ujëvara e Vrapit,disa gjurmë kështjellash që paraqesin interes të jashtëzakonshëm dhe vlerë në studimet ,fortesa e Persiopit, sipër Petrelës,për të cilën janë shkruar vetëm 15 rreshta.Janë bërë botime turistike të bukura për Farkën,se, cilat janë vlerat kulturore ekonomike, historia, traditat etj.Kështu për Baldushkune , Petrelën e zona të tjera, për rrjedhat historike të tyre dhe çfarë i lidh ato në fillin e historisë së Tiranës dhe në historinë kombëtare.Të tilla janë gjurmët e kishës së Sherminës në Dajt, kanioni i jashtëzakonshëm në Skoran, Shpella e Mire në Besh,shpella në Bizë,Ujëvara e Vrapit, rruga e vjetër e Tujanit.Kjo është e rëndësishme.Nuk mund të studiohet asgjë pa studiuar fshatrat, bukuritë e qytetit, sepse njerëzit i takojnë një hapësire të përbashkët.Interes paraqet edhe historia e Tiranës, për të cilën është shkruar, por ende ka gjëra për të thënë.Unë si studiues dhe i dhënë pas bukurive natyrore të Tiranës , fshatrave , zonave të saj , nuk do e resht asnjëherë këtë punë kërkimore duke e materializuar edhe në libra të tjerë…Në këtë punë kam pasur gjithnjë inkurajimin e drejtuesve të shoqatës” Tirana “e autoriteteve lokale në komuna,por mbi të gjitha kam pasur pritjen dhe ndihmën e banorëve të fshatrave nga shetis, të cilët janë bujarë, mikpritës dhe të hapur, të dëshiruar për dije dhe arsim, por më shumë për mbështetje.Në këto zona, sigurisht ka probleme me rrugët, ujin, dritat,të cilat priten të zgjidhen nga ndihma e emigracionit, por edhe nga investimet e biznesit të madh si e vetmja forcë lëvizëse për përparimin dhe zbukurimin e jetës atje,sepse këto zona, fshatra sjellin mundësi, për shetitje, piknikë, ngjitje alpinistike, verim e mjaft bukuri të rralla.Komunat malore të Tiranës janë fusha e studimeve të mia,të cilat kam qëllim t`i promovoj në kuadër të turizmit rural, si rezervë e madhe shumëplanëshe në rrethin e Tiranës.