BERISHIZMA
FATOS BAXHAKU BerishizmaTash që Berisha është kyçur në “Facebook”, tash që politika është më shumë një pritje e vaposur se sa një aktivitet ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/08/berishizma.html
FATOS BAXHAKU
BerishizmaTash që Berisha është kyçur në “Facebook”, tash që politika është më shumë një pritje e vaposur se sa një aktivitet i ethshëm politik, tash që të dyja palët bëhen gati të përballen me sfida të rrepta që nga 9 shtatori e më pas, tash ka ardhur koha që të gjykojmë më me qetësi disa gjëra të së shkuarës së afërt, nëse na lejon vapa sigurisht.
Emri më i lakuar në këta 20 vjet politikë ka qenë padyshim Berisha. Për disa, si një politikan i madh reformator që e çoi vendin në NATO, që i forcoi bashkëpunimet me BE-në, që arriti liberalizimin e vizave, që hapi rrugë e shtroi linja interneti, që… lavdërimet në kësi rastesh shtohen edhe nga zelli i tepërt i servilëve dhe interesaxhinjve të vegjël e madje duhen marrë parasysh me një koeficient të lartë dyshimi. Madje duhen marrë kështu jo vetëm nga ne, njerëzia e thjeshtë, por edhe nga vetë Berisha.
Përkundrazi, krahu tjetër mendonte dhe mendon se Berisha është një personazh që e frenoi zhvillimin e vendit duke ngritur e mbajtur në këmbë një sistem autokratik e gjysmëpersonal, ku vendoste ai dhe vetëm ai me klanin e tij të afërt. Këtë mendim e mbrojnë kundërshtarët e tij politikë (përgjithësisht ajo që quhet konvencionalisht e majta), analistë të orientuar majtas, analistë të pavarur, por dhe ndonjë politikan i së djathtës klasike. Kritikat për Berishën kanë qenë në të shumtën e rasteve, të ashpra, aq sa shumë herë është humbur filli i arsyes dhe i moralit elementar. Megjithatë nuk është kjo që na intereson në këtë ditë të nxehtë behari. Ajo që mbase ia vlen të diskutohet është një term i vetëm: berishizma (mund të thuhej edhe berishizmi, por berishizma seç tingëllon disi më bukur!). Në lëmin e kundërshtarëve të rreptë të Berishës, jashtë dhe brenda së djathtës, përveçse rrufeve direkte personale ndaj liderit historik të PD-së është përdorur edhe termi “berishizëm”, duke pasur parasysh me këtë një mënyrë konkrete të menduari e të vepruari në politikë dhe në shtetbërje, si me thënë një shkollë politike, që ka bazat dhe parimet e saj, të cilat më pas zbatohen nga një numër i gjerë njerëzish.
Nëse politikanë e analistë, që kanë përmendur termin “berishizma”, e kanë seriozisht këtë punë, atëherë duhen përcaktuar edhe tiparet e kësaj rryme shumë ndikuese politike te ne.
Berisha ishte i dhënë pas inaugurimeve. Të gjithë e dinë këtë. Ndërtimi i gjërave hijerënda, si rrugë diga, terminale, premtimi për gjëra të tjera të mëdha si i centraleve bërthamore dhe pastaj propagandimi së pari prej tij vetë i këtyre arritjeve të papara jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë, ishin një nga armët që ai përdorte me tepri. Me sa duket ideja e tij, e mësuar që me kohë, ishte që populli, sidomos një si ky i yni, e hante kollaj sapunin për djathë sapo të shihte se çfarë po bënte “nëna qeveri” për të dhe punët do të shkonin fjollë. Pra propaganda e pakufizuar, gati-gati e shfrenuar, është një nga tiparet e “berishizmës”.
Berisha kishte një lidhje gati-gati organike me pushtetin. Për të ai ishte gati të përdorte çdo mjet. Kujtoni majin e 1996, shtatorin e 1998, 21 janarin e 2011… Marrja dhe mbajtja me çdo kusht e pushtetit është një tjetër prerogativë e “berishizmës”. Po e dorëzove lehtësisht pushtetin nuk je një “berishist” i vërtetë. Nuk e ke as më të voglën mundësi.
Përqendrimi i të gjitha fijeve në dorën tënde. Këtë na mëson “berishizma”. Pas këtij hapi duhet të vijë një aparat i vërtetë survejimi, i cili të bën me dije se cili është në të vërtetë në anën tënde (zyrtarisht thuhej me PD-në, ose më thjesht me ne) dhe cili jo, ose kush “ta ka me të futur”. Krijohet kështu një sistem ku mësuesi spiunon mësuesin, tatimori, kolegun e tij, polici, policin që ka në krah. Ani se vendi quhet demokraci, kjo s’do të thotë asgjë! Shteti është sundues i popullit dhe jo anasjelltas. Dhe në krye të tij nuk mund të jetë kush tjetër veçse vetë Berisha me besnikët e tij. Ata që zbatojnë “berishizmën” zakonisht e cilësojnë veten thjesht si “ne”. Krahu tjetër sigurisht që mbetet të jenë “ata”.
Për “berishizmën” politika është një luftë. Ajo nuk është aspak një debat intelektual mes njerëzish me interesa dhe ide të ndryshme. Politika është luftë dhe çfarë lufte se! Ajo i ka të gjitha: palët e rreshtuara që urrejnë për vdekje njëra-tjetrën, llogoret, ku herë pas here duhet të fusësh kokën, këmbësorinë që e përdor edhe për mitingje, artilerinë e rëndë, traktet, diversionin në kampin tjetër, përdorimin e renegatëve, propagandën, gjithçka që ka një luftë që shohim ndër filma. Ideja e komandantit të paepur i frymëzon ushtarët ndër beteja.
Me gjithë pamjen e saj epike “berishizma” e pranon që nganjëherë duhen bërë edhe armëpushime, sa të mjekosh plagët dhe t’u japësh kohë ushtarëve të çlodhen ca. Sikurse ndodhi për shembull katër vjet më parë në bashkimin e tij të çuditshëm me LSI-në. Po, ani s’ka gajle, se edhe gjëra të tilla krijojnë idenë se komandanti, edhe pse duket aq i paepur, është gjithnjë i gatshëm të falë për të mirën e përgjithshme. A nuk bënin kështu burrat e qëmotit?
Një nga armët me racionale të “berishizmës” është të kuptuarit e ëndrrave të të tjerëve. Berishizma në fakt është edhe një lloj psikoanalize politike. Kjo rrymë i kupton fort mirë ëndrrat e një djali të ri në një fshat të humbur mes malesh. Mjafton që ky djalë mendon si “ne” dhe atëherë e ka të hapur perspektivën. Bëhet polic, madje edhe mësues, zbret në një qytet të madh. Ani se nuk ka ndonjë shkollim të duhur. Do të mësojë rrugës. Mjafton të jetë me “ne”!
Berishizma ka edhe një moral të vetin. Lideri duhet të jetë martuar vetëm një herë. Ai nuk duhet të pijë cigare e as alkool dhe të jetë një baba dhe gjysh i mirë. Ai duhet të ketë një veshje perfekte dhe të ketë në krah të tij gjithnjë bashkëshorten e vetme. Me një fjalë duhet të jetë shembulli tipik i familjes së përkryer. Tek ai familja e mesme shqiptare duhet të shohë atë që ka ëndërruar për vete: qetësi, harmoni, lumturi, siguri, e shumë terma të tjerë që mbarojnë sigurisht me “i”.
“Berishizma” ka edhe plot tipare të tjera, porse këto se pse na u dukën si më kryesoret. Gjithsesi, një shkollë, një model, apo një rrymë politike është e tillë, vetëm atëherë kur ajo vazhdon të jetë e rëndësishme dhe vepruese edhe nëse lideri i saj historik, apo themeluesi, nuk është më aktiv. Kështu që, nëse ekziston vërtet “berishizma” ajo deri më tani ka ekzistuar vetëm sepse në krye të saj ishte vetë themeluesi. Nëse këto parime, që cilësuam më lart, do të jenë sërish aktive në politikë, djathtas apo majtas (kjo nuk ka rëndësi, sepse të kundërtat puqen), atëherë vërtet Berisha, më i njohuri i politikës sonë në këta 23 vjet, do të na ketë lënë pas një shkollë të vërtetë të mendimit dhe veprimit politik. Por kjo mbetet për t’u parë pas 9 shtatorit. Nga ana tjetër, populli e tha qartë me votë se çfarë mendonte për “berishizmën”.