Xhamia apo modernizimi? - Michel Rocard

Michel Rocard Nëse islami, veçanërisht ai në Lindjen e Mesme, është në një trajektore të ngjashme, jostabiliteti afatgjatë në rajon vetëm sa...

Michel Rocard
Nëse islami, veçanërisht ai në Lindjen e Mesme, është në një trajektore të ngjashme, jostabiliteti afatgjatë në rajon vetëm sa përforcohet. Mirëkuptimi i dyanshëm është mënyra e vetme për modernizimin e pasojave
Paris – Çfarë i ndodhi “Pranverës Arabe”? Kur demonstratat shpërthyen në Tunizi, Egjipt dhe në Libi, duke çuar në fund drejt shkatërrimit të tri diktaturave të vjetra dhe të lodhura, askush nuk e dinte se cilat forca, institucione apo procedura do të shfaqeshin nga kërkesat e protestuesve për demokraci. Dhe për më shumë, me gjithë natyrën e paprecedent dhe të paparamendueshme të ngjarjeve – apo mbase për shkak të saj – shpresat ishin të mëdha.
Çfarë ka ndodhur që atëherë tregon qartazi atë që gjithkush e dinte (apo duhej ta dinte) gjatë gjithë kohës: asgjë në ndryshimin e regjimit nuk shkon lehtë. Asnjë prej këtyre tri shteteve ende nuk ka gjetur një zgjidhje stabile institucionale, e cila do të mund të zbuste tensionet e intensifikuara të brendshme dhe t’u përgjigjet në mënyrë të efektshme kërkesave popullore.
Shtetet e tjera në rajon, përfshirë Jemenin dhe disa prej shteteve të Gjirit, kanë përjetuar po ashtu trazira të përmasave të ndryshme. Dhuna sektare edhe njëherë po e konsumon Irakun, ndërsa përleshjet ndërmjet fraksioneve antiregjim në Siri po bëhen edhe më të shpeshta, me islamikët që kërkojnë të sigurojnë primatin në transicionin politik që do të ndodhë, nëse qeveria bie. Madje, edhe në Marok, një mbret me pushtet absolut është detyruar, si pasojë e zemërimit intensiv publik, që të ecë drejt një sistemi më përfshirës të islamit politik.
Njësoj kështu, zhvillimet në dy fuqitë joarabe rajonale kanë sugjeruar se askush nuk është imun ndaj jostabilitetit. Në Turqi, protestat e fundit kanë nënvizuar kundërshtimin në rritje ndaj pushtetit gjithëpërfshirës dhe ndarës si dhe politikave sociale të bazuara në fe të kryeministrit, Recep Tayyip Erdogan. Në Iran, pjesa më e madhe e shtresës së mesme e mbështeti kandidatin më të moderuar të mundshëm karshi gardianëve islamikë të shtetit në zgjedhjet presidenciale të qershorit.
Disa faktorë të ndërlidhur fshihen prapa jostabilitetit kronik të rajonit. Një prej tyre është zhvillimi i mangët. Ndërsa nafta i ka bërë shumë presidentë dhe princër jashtëzakonisht të pasur, pjesa tjetër e popullatës ka siguruar përfitime të pakta. Uria është gjithandej; në të vërtetë, varfëria dhe pabarazia kanë ushqyer me të madhe mobilizimin e popullit në rajon.
Mirëpo, politikat protestuese të rajonit reflektojnë po ashtu kundërshtimin në rritje të diktaturës dhe sundimit arbitrar. Me gjithë mungesën e traditës së disidencës së hapur të këtyre shteteve, globalizimi e bëri të qartë për të gjithë se zhvillimi ekonomik kërkon ndryshim regjimi.
Në fund, islami politik është e përbashkëta e të gjitha konflikteve të rajonit dhe nuk do duhej parë – siç ndodh zakonisht – si një izolim prej vështirësive ekonomike të këtyre shteteve. Thënë troç, islami – një prej feve më të mëdha të botës, i praktikuar nga pothuajse një e katërta e njerëzimit – ka pasur ngecje në zhvillim.
Nuk ekziston ndonjë mënyrë e lehtë për dalje nga zhvillimi i mangët pa i sfiduar mënyrat tradicionale të jetesës, zakoneve dhe marrëdhënieve sociale. Në të vërtetë, fetë nuk u rezistojnë presioneve të ndryshimit të mirëqenies ekonomike.
Për hebraikët, në mungesë të një atdheu, zhvillimi ndodhi falë diasporës, me emancipimin civil në Evropë falë shtimit të lëvizjeve reformiste që kishin për synim nxitjen e pajtimit në mesin e feve dhe modernizimin. Ngjashëm kështu, krishterimi, qoftë ai katolik apo ortodoks, bllokoi zhvillimin ekonomik për shekuj me radhë, derisa reformistët e brendshëm të mos i ridefinonin pozitat teologjike te paratë dhe sistemi bankar, të mos e ridefinonin natyrën e përparimit dhe shkencën e teknologjinë. Nuk është aksident fakti se reforma fetare në Skandinavi, Gjermani, Angli, Holandë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hapur rrugën e rritjes së kapitalizmit global të së sotmes.
Kjo dinamikë shtrihet madje edhe në Kinën, zyrtarisht ateiste. Komunizmi ortodoks, një ngjasim i përkryer shekullar i fesë, ka qenë viktima e parë e zhvillimit, që kur Kina ndërmori reforma të tregut, më 1979.
Edhe islami i ka reformistët e vet. Kijeni parasysh misionin që iu besua Rifa’a al-Tahtaëit, dijetar i madh egjiptian i dërguar në Evropë nga Mohammed Ali, më 1826, për ta mësuar civilizimin perëndimor dhe për të tentuar që ta nxiste një mirëkuptim ndërmjet tij dhe islamit. Mirëpo kudo nëpër botën arabe, pa asnjë përjashtim, reformistët janë burgosur, vrarë apo janë reduktuar deri në impotencë politike.
Në mungesë të një analogu të Revolucionit Industrial të Perëndimit, myslimanët (dhe veçanërisht arabët) janë përballur me turpe të shumëfishta dhe kolonizim të pjesshëm gjatë dy shekujve të fundit. Trashëgimia rezultuese e ankesës, e turpit dhe e zemërimit është pjesë e asaj që e përforcon sëmundjen aktuale të rajonit.
Në të vërtetë, disa prej demonstratave rrugore nuk lënë hapësirë për dyshime se shumë njerëz po largohen nga feja, të gjithë së bashku. Kjo gjë është po aq e dukshme në Egjipt dhe Tunizi sa është edhe në Turqi.
Mirëpo, realiteti i hidhur i botës islamike është se, në kohëra të paqartësive të mëdha, forcat e traditës flasin më zëshëm dhe më qartë sesa ato të ndryshimit.
Paqja në këtë rajon të madh dhe strategjikisht vital në rajon – si dhe në botë – mund të mbizotërojë vetëm nëse shtetet ia dalin, me gjithë trazirat që kanë, të vetëmbrohen nga ekstremet ideologjike dhe ekseset politike. Rëndësia e gjithë kësaj duhet të bëhet më se e qartë për perëndimorët, civilizimi modern i të cilëve u ngre nga mospajtimi fetar që fillimisht ishte shprehur me dhunën e inkuizicionit dhe më pas me kundërreformim. Nëse islami, veçanërisht ai në Lindjen e Mesme, është në një trajektore të ngjashme, jostabiliteti afatgjatë në rajon vetëm sa përforcohet. Mirëkuptimi i dyanshëm është mënyra e vetme për modernizimin e pasojave.

(Michel Rocard, ish kryeministër i Francës nga viti 1988 deri më 1991. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”, Kosovë)

Related

Opinione 2079883043235784584

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item