Një Shkëlzen dhe për Edi Ramën!
Mero Baze Edi Rama ka bërë një sforcim të panevojshëm për të na mbushur mendjen se do ketë në qendër të vëmendjes Kosovën. Ka emëruar një pu...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/08/nje-shkelzen-dhe-per-edi-ramen.html
Mero Baze
Edi Rama ka bërë një sforcim të panevojshëm për të na mbushur mendjen se do ketë në qendër të vëmendjes Kosovën. Ka emëruar një publicist nga Kosova si këshilltar të tij për rajonin. Për shumë shqiptarë që nuk e njohin quhet Shkëlzen Maliqi. Ata që e kanë parë në Tv duke prezantuar sondazhe mendojnë se quhet Gani Bobi. I ndjeri Gani ka vdekur në vitet 90-të dhe ka qenë një filizof dinjitoz i Kosovës dhe pedagog në Universitetin e Prishtinës. Druaj se nuk do ishte kurrë me mik me Shkëlzenin po të ishte gjallë. Në këtë pikë Edi Rama ja ka bërë një nder Shkëlzen Maliqit. I riktheu emrin. Shumë shqiptarë e dinin se quhej Gani Bobi! Po ashtu dhe Gani Bobin e ka çliruar nga pesha e fajit për shkak të imazhit që i kanë dhënë me dallaveret e fushatave elektorale në Shqipëri.
Por përtej kësaj ndjesie acaruese që ngjall kjo histori, Shkëlzen Maliqi nuk është një intelektual i madh dhe as një intelektual i pavarur siç thotë Edi Rama në justifikimin e panevojshëm të emërimit të tij. Mbi të gjitha Edi Rama nuk e ka të nevojshme të marr këshilltar intelektual të mëdhenj dhe të pavarur, se po të ishin të tillë kam frik se nuk do te shkonin të këshillonin Edi Ramën. Edi Rama ka nevojë për njerëz normal, ekspert , teknikë, apo dhe njohës të rajonit nga Shqipëria që ka me shumicë. Biles disa dhe më socialist se Rama. Intelektualët e mëdhenj apo të pavarur nuk është nevoja ti kesh në staf. Ata janë pasuri e shoqërisë dhe mund të mësosh prej tyre dhe në distancë.
Shkëlzen Maliqi është një publicist i Kosovës, njeri i lexuar, që di të shkruaj por që kurrë nuk di të bëj histori me punën e vet. Nuk i them dot intelektual kosovar, pasi sa herë shoqëria e Kosovës ka pasur nevojë për mendimin dhe guximin intelektual, ky nuk është shfaqur askund. Ka qenë jugosllavi i fundit jo vetëm i Kosovës, por gjithë Jugosllavisë dhe u angazhua si intelektual vetëm për shpëtimin e saj në kohën e reformatorit Ante Markovic. Nuk i ka bërë ndonjë dëm Kosovës me jugosllavizmin e tij, por i ka bërë nder vetes duke krijuar një profil të moderuar dhe duke qenë pjesë e një shpure të sponsorizuar për të shmangur përplasjen shqiptaro serbe në Kosovë. Ka një edukim të mirë arsimor pasi është shkolluar në Beograd, ndërkohë që babai i tij ka qenë një nga drejtuesit e Policisë serbe në Kosovë në kohën e lulëzimit të antonimisë së Kosovës. Kjo e bën shumë viskoz në të folmen në shqip dhe akoma më të sofistikuar në të shkruarën shqip.
Kontributet e tij publicistike në gazetarin e Kosovës janë produkte momenti dhe ka shumë pak gjëra që mund ti ngelen kohës.
Nuk është kurrsesi as i pavarur. Nuk di ci është tek Ramës ta quaj të tillë, por vet Shkëlzeni bën shumë kujdes të jetë gjithmonë me dikë. Angazhimet e tij të pacipa duke shitur fytyrën në TV Klan për sondazhe që ka diktonte nga pas perdes Sandri me Kastriot islamin, janë shembuj që ndajnë intelektualët dhe karakteret e pavarura nga njerëzit që shërbejnë për lek. Në këtë pikë nuk duam avokat se akoma nuk na ka ikur shija e keqe e asaj çfarë kemi parë më 2009 dhe 2011 në Tiranë.
Pa u zgjatur dua të them se nuk ka arsye të debatojnë për diçka që nuk vlen. të vetmin superioritet qe mund të ketë Shkëlzeni në raport me plot intelektual të Kosovës apo Shqipërisë është se njeh mirë Serbishten dhe Serbinë. Por sot ka plot serb mendjehapur që flasin mirë anglisht dhe nuk besoj se Rama ka nevojë për një përkthyes me Tadicin apo Jeremicin.
Por nuk do t’ia vlente ta diskutonim lajmin për Shkëlzen Maliqin, sikur ai të mos zbulonte një pikë të fort inferioriteti që Edi Rama ka në raport me Kosovën. I pavemendshëm , dhe ndonjë herë dhe rastësor, ai duhet të ulet një ditë, të mbyll sytë, të shkundet dhe të mendoj se çfarë e lidh me Kosovën. Si një intelektual mendjehapur, artist, dhe njeri që ka qejf protagonizmin, ai duhet të gjej fillimisht “racën’ e vet në Kosovë. Dhe e ka pas gjet vite më parë kur ai ishte idhull në Prishtinë. Rinia atje e donte për atë që bënte në Tiranë, jo për atë që mund të bëj për Kosovën. Ai ishte popullor aty tek pjesa urbane e Kosovës, tek të rinjtë e shkolluar, tek ata që kishin nevojë të kishin një model heroi për protagonizëm dhe luftë personale. I futur më pas në llogaritë e karrierës politike për kryeministër, ai është bërë shpesh qesharak në Kosovë. Herë u afrohet atyre si mik i ngushtë i luftëtarëve, herë u shfaqet si një vlerësues i madh i jugosllavologëve, dhe herë herë dhe si nacionalist që mendon dhe për Preshevën. Është një shtirje e panevojshëm që nuk e ha njeri në Kosovë. Biles për këtë mund të humbas dhe ata që e duan. Kosova e do Edi Ramën për atë çfarë ai mund të bëj për Shqipërinë dhe modelin e personalitetit që mund të rrezatoj. Lidhjet e tij të shkurtra me Kosovën, pa dashur të përmend emra miqsh të tij dhe të mijtë, vetëm e dëmtojnë. Ai duhet të respektoj qeverinë legjitime të Kosovës, të mos bëhet palë në problemet e tyre të brendshme, të mos inkurajoj fenomene të shëmtuara si vjedhja e votave apo kufizimi i lirive, që mund te jenë vepra të qeverive, dhe të mos dëmtohet mbi të gjitha nga biografitë e miqve që shpall në Kosovë. Edi Rama është kryeministri i Shqipërisë dhe ai është dhe duhet të jetë miku i gjithë shqiptarëve të Kosovës. Atij i duhet një këshilltar të jetë i kujdesëshëm mos të lëndoj Kosovën me lidhjet e tij të shkurtra dhe jo një këshilltar për të cilin ky duhet të paguaj nga kredibiliteti i vet. Dhe mbi të gjitha mendoj se nuk i duhet fare një këshilltar nga Kosova.
Unë e çmoj Shkëlzen Maliqin për aq sa vlen dhe nuk përtoj ta lexoj s ahere që shkruan, siç bëj me plot emra publicistësh nga Kosova. Por nuk ndjehem as i sigurt, as i nderuar dhe as i qetë, që kryeministri i vendit tim e shpall edhe këshilltar për rajonin, edhe intelektual të madh edhe të pavarur. Kosova nuk ka nevojë të ketë një përfaqësues të saj në Tiranë, prane Kryeminsitrit, sic kishte në Kohën e Miloshevicit në Beograd. Kosova ka në Tiranë kryeministrin e Shqipërisë. Të tjerët janë thjesht Shkëlzenër. Dhe mezi shpëtuam nga një emër i tillë!