Libri i ri i sociologut Gëzim Tushi: Individi apo shoqëria?
Filozofia e individualizmit dhe sociologjia e komunitarizmit, problem i ndërlikuar sociologjik dhe jetik i kohës sonë. Gëzim Tushi është soc...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/08/libri-i-ri-i-sociologut-gezim-tushi.html
Filozofia e individualizmit dhe sociologjia e komunitarizmit, problem i ndërlikuar sociologjik dhe jetik i kohës sonë.
Gëzim Tushi është sociolog i njohur, që në mënyrë dinamike ndjek kurbat sociale të zhvillimit social dhe bën pasqyrime të integruara teorike të ndryshimeve që moderniteti po sjell në trajtë historike dhe lineare, që shfaqen në mënyrë eruptive në dinamikën e jetës sociale dhe individuale të shoqërisë tonë. Libri që sapo ka dalë, është me objekt të veçantë dhe me interes të përgjithshëm sociologjik. Autori e ka trajtuar këtë ekuacion universal të raporteve dhe lidhjeve midis shoqërisë dhe individit, jo sipas modelit klasik, por në përputhje me ndryshimet e thella që ka sjellë moderniteti në tipologjinë dhe fenomenologjinë e shfaqjes konkrete të këtij ekuacioni social në jetën e shoqërisë tonë.
Autori është treguar këmbëngulës në observimin e problematikave të kësaj teme delikate. Sepse është fjala që autori i kushton tërë librin e vet ndryshimeve, reformimeve dhe transformimeve të thella konceptuale dhe empirike që kanë pësuar marrëdhëniet midis shoqërisë moderne dhe njeriut individualist. Problemi nuk është vetëm teorik. Prandaj autori ka sjellë në këtë libër një shikim të interferuar konceptual dhe të ingranuar harmonikisht me mënyrën e shfaqjes së lidhjeve dhe ndryshimeve të thella që kanë ndodhur në këtë ekuacion fundamental të jetës moderne në Shqipëri. Autori, i prirur ndaj liberalizmit dhe modernitetit të marrëdhënieve shoqëri-individ, duke vlerësuar impaktet e modelit individualist të ndërtimit të jetës sociale në Shqipëri, është i vendosur dhe pretendon që të japë “përgjigjen e vet” për këtë dilemë, përmes 420 faqeve të librit të tij.
Autori në të gjithë krijimtarinë sociologjike, duket që e ka merak të gjejë një pozicion të integruar të ideve sociologjike të modernitetit të përkthyera, të vlerësuara dhe të vëzhguara brenda realitetit tonë social. Në këtë kontekst libri “Individi dhe Shoqëria”, përbën një kontribut të ri të autorit në fushën e sociologjisë, duke kombinuar idetë universale të ndryshimeve që ka sjellë moderniteti dhe të pasqyruara dhe të përthyera në realitetin tonë social.
Libri ka vlera teorike dhe kontekstuale, nga që në shoqërinë tonë vazhdimisht diskutohet në mënyrë teorike, empirike dhe intuitive për raportet e reja, të ndryshuara radikalisht të raporteve shoqëri-individ, për raportet e transformuara thelbësisht dhe marrëdhëniet e përmbysura radikalisht në lidhjet midis shoqërisë dhe individit. Tërë historia e shoqërisë njerëzore ka patur gjithnjë në qendër të saj debatin, për raportet midis individit dhe shoqërisë si tërësi sociale. Problemit në kohë të ndryshme i janë dhënë zgjidhje të ndryshme. Gjithnjë me një dallim të fortë midis filozofëve dhe sociologëve liberalë dhe individualistë dhe atyre komunitaristë.
Libri i sociologut Gëzim Tushi e ka anashkaluar aspektin historik dhe kronologjik të problemit. Ai është përqendruar në çështjen e kuptimeve të këtij problemi fondamental, të parë nga aspektet e zhvillimeve të shoqërisë shqiptare të kohës sonë. Libri ka një kombinim të mirë të aspektit konceptual, të shoqëruar me pasqyrim të gjerë të ideve të elaboruara nga autorë dhe sociologë të ndryshëm në kohë të ndryshme. Por qëllimi i autorit është trajtimi i problemit të këtij ekuacioni thelbësor të jetës dhe dhënia e një përgjigjeje teorike, që të jetë sa më kompatibile me kohën moderne, me problematikat me të cilat ndeshet individi dhe shoqëria jonë në kohën e sotme, me vështirësitë dhe paradokset e ndërtimit dhe funksionimit të këtij ekuacioni social.
Libri “Individia dhe Shoqëria” është ndërtuar në dy pjesë themelore, që kanë në bazë të tyre trajtimin e problemeve të filozofisë së individualizmit dhe sociologjisë së komunitarizmit. Ai është i përbërë nga shtatë kapituj të veçantë. Secili ka identitetin dhe problematikën e vet. Tematika e gjerë sociologjike e këtij ekuacioni Individ-Shoqëri në libër është e trajtuar në mënyrë të gjithanshme në disa kapituj të veçantë si: Individualizmi, filozofi e jetës moderne, Individualizmi dhe jeta private e njeriut, Individualizmi dhe përgjegjësitë sociale të qytetarit. Në pjesën e dytë të librit pasojnë kapitujt, Komuniteti dhe komunitarizmi, Komuniteti dhe kohezioni social, Shoqëria, komuniteti dhe individi.
Libri i sociologut Gëzim Tushi, është kontribut i ri dhe me vlerë i autorit. Ai përbën një vlerë të shtuar në krijimtarinë e tij të vazhduar në fushë të sociologjisë. Individi dhe Shoqëria është libër në shërbim të qytetarëve, sociologëve, studentëve të shkencave sociale, punonjësve të medias, shoqërisë civile, etj.