Qerim Skënderaj dhe Alban Skënderaj, babai poet, i biri këngëtar
Nga Gëzim Llojdia Qerim Skenderaj është poet. Në qytetin jugor e njohin, ëmbëlsisht e thonë emrin e poetit. Në qytetin ku ka det, dallgë, rë...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/08/qerim-skenderaj-dhe-alban-skenderaj.html
Nga Gëzim Llojdia
Qerim Skenderaj është poet. Në qytetin jugor e njohin, ëmbëlsisht e thonë emrin e poetit. Në qytetin ku ka det, dallgë, rëre dhe motiv deti poeti erdhi në vite ‘70. Prej këtij peizazhi ai, përvetësoi lirizmin poetik. Sepse në brendi të brendisë së zemrës ruante nuancat poetike,që gjithnjë ishin ngacmime të mëdha për hepime zemrash. Në fakt si mua dhe Qerimit zgjimin poetik na e bëri Naimi. Naimi i derës së Frashëllinjëve. Qerimi ka një shtysë më tepër. Dritësimin e ka njohur, pra shkëlqimin e diellit të botës e ka parë në 12 mars 1949 në krahinën Mallakastër. Ai nuk mbanë mend shumë për fëmijërinë e hershme sepse i lidhur kopanecë, ai endej në botën e gjithhershme dhe priste vetëm një shkak. Të rritej.
Ndërsa ditët mbylleshin me muzgje,netët ndrisnin me yje,dimrat gjithë llohë dhe beharët me zheg vere. Kështu brenda këtyre kontureve ai pati dy dëshmitarë. Prindërit. Nëse jeta është si valë deti. Ngritjet dhe uljet e saj. Janë dallgë të atij deti,që godisnin brigjet dëshmitare. Pasqyrimi i saj na lejon të qartësojmë, thellësinë nën syprinën e ujit. Vuajtjet e rritjes e sollën në 5 vjet ose në 1550 ditë,kur banesa ndjeu pikëllim për ikjen e burrit të shtëpisë. Ishte “thyer trari kryesor”.
U lidh me nënën ,që siç e shpreh ai. Për 46 vjet me radhe ndërtoi lidhje te fuqishme shpirtërore duke e pasur pike referimi e muze frymëzimi në shumë poezi. Nëna. Naimi dhe natyra kane qene shtysa e pare drejt magjisë se artit poetik. Përse nëna?Ajo është thirrja e parë dhe e zëshme e botës. Ajo na mëkoi gjakun ,qumështin, fjalën. Po shqyrtojmë një seri mënyrash, që kanë një lidhje gjaku me dhembshurin e nënës . Dhembshuria e saj nuk është e lindur vetëm në insekte, por një energji e pashueshme dhe e pazhbëshme e ardhur nga pjesa e sipërme, atje ku ngjizet energjia. Ajo vjen, bëhet e fortë në kapërcim të viteve tek seksi femëror Dhe i është dhënë vetëm asaj. I është lënë vetëm asaj, si zotërim energjie më tepër. Përse Naimi? Kënga naimjane si pjesë e shpirtit naimjan është mesazhi, që na ngjizi koha nëpër deje është si puna e mishit, që me gjakun përbëjnë eshtrat e këtij kombi. Përse natyra? Natyra është frymëzim si gjithera për krijuesit e botës. Format,ngjyrimi,drita,flora e mrekullueshme një sërë fenomenesh, që lënë gjurmë ,që gdhendin brazdë në thellësi të shpirtit.
Kështu duke parë tre elementët Qerimi u bë poet.
Përse tre. Janë tre elementë të domosdoshëm dhe përcaktues në gjithë jetën. Tre si në libra të adhuruara nga njerëzimi. Ne si shqiptarë gjysmë pagan e gjysmë besimtarë kishim nënën,natyrën dhe poetin preferuar, në këtë rast Naimin.
E shkruaj si në rrëfimin e tij: Ne vitin 1963 shkon në Tiranë për të kryer studimet ushtarake dha pas shtatë vitesh titullohet oficer në specialitetin e artilerisë kundërajrore. U emërua ne kryeqytet ku shërbeu dy vjet pranë ish fushës së aviacionit Laprakë. Në vitin 1971 transferohet në Vlorë ku njihet e dashurohet me Afërditën duke krijuar familjen, nga e cila erdhën ne jete katër djem. Pas dhjetë vitesh një tjetër transferim bëri të sistemohej në Lushnjë dhe në vitin 1991 rikthehet përsëri në Vlorë. Ka shkruar në shtypin periodik të kohës, kryesisht në atë ushtarak. Në vitin 1998 me një grup krijuesish vlonjate formuan Shoqatën e Shkrimtarëve “Petro Marko” dhe deri në vitin 2001 ka qenë kryetar i saj. Që nga ai vit vendoset në Pistoia – Itali, ku banon edhe sot së bashku me Afërditën, Albanin, dhe tre djemtë e tjerë.
Albani është një djemtë e Qerimit, që për nga talenti është njohur si këngëtar i muzikës së lehtë. Alban Skënderaj ka fituar mjaft çmime në festivalet shqiptare. Shprehja “bëmë baba të të ngjaj”, këtu merr një devijim të lehtë. Albani një nga të kaëtrt djemtë e Qerimit u bë këngëtar, Qerimi poet.
Veprat letrare
Poezi, ka shkruar librat: ”Një gote pikëllim”, ”Mendimet m’u çmenden” ”Qielli ne piken e lotit”, ”Djalëri e thinjur”, ”Rrudhje mali”.“Lulet e fajit”, ”Nën hijen e fundvjeshtës”.
Prozë, ka shkruar librat: ”Varri i gjallë“ roman, “Përplasja e madhe” – Tregime, ese. “Pas kuintave të teatrit diktonin” – roman.
Për librin ‘Nën hije të fundvjeshtës, Myrteza Mara, poet, kryetar i shoqatës “Petro Marko”, ka shkruar: “Poeti loton me penë mbi rreshtat e kësaj poeme me përmasa fishtiane. Krahët e shqipes janë rrudhur në qiellin e përzier nga erërat gri, por poeti shpreson e ëndërron.
Shpresa e Madhe Shqipes i ngjan një anije mbi det të trazuar që herë zhytet e herë ngrihet mbi kreshtat e thinjura të dallgëve, në kërkim të fanarit pranë bregut. Timonierët e anijes – si fletët e kalendarit. Ata që i njohin pikat e horizontit i kanë kthyer gjoksin erërave gri duke e bërë shqipen “Kryezonjë”. Të tjerë, disa i zuri deti. Disa u thyen nga dallgët dhe disa të tjerë, ata që brohorisnin si grykë shpellash, e braktisën anijen, ose e bënë atë urë. Ky shqetësim sa poetik, aq dhe atdhetar, përcillet në këtë vepër letrare me kulturë duke i dhënë mesazhit artistik ngjyrën e testamentit. Poema mbetet e hapur për të shkruar e rishkruar brengën dhe dashurinë e madhe për vendin e kombin, sepse krahët e Shqipes, na kujton kjo poemë, ende s’janë shtrirë në përmasat e lirisë së saj, ëndrrave që i kanë dhënë zotat. Si gjithnjë, malli për nënën përcillet me aq ndjenjë në poemthin “Bisedë me Nënën”. Emocionet janë njerëzore, por dhe artistikisht të arrira. Lirikat e këtij vëllimi janë interesante: të brishta, transparente, flladitëse. Si ndjenjë, dashuria është pronë e shpirtit njerëzor, por vetëm poeti i këndon bukur asaj. Vetëm frymëzimi poetik bën universale detaje të thjeshta, marrë nga jeta dhe vëzhgimet e përditshme”.
Rrëfimi i Qerim Skenderaj: Rrënjët e mia
“Para afro një shekulli, babai im mbolli farë në një fshat te largët të Mallakastrës, ku ishin hedhur rrënjë të thella prej stërgjyshërve. Fara ime mbiu e fundit, pas katër mbirjeve të mëparshme. Një tërmet i fuqishëm na shkuli që andej dhe na s’postoi gjetkë, ku nuk kishim as rrënjë as degë. Unë atëherë isha akoma një filiz i njomë. Nuk i ndjeva fare dhimbjet e shkuljes. Mund të më rimbillnin prapë në formë fidani dhe sigurisht do ti thelloja rrënjët e mia. Por nuk ndodhi kështu. Dëshira për shkollim më çoi në Tiranë, si një degë të re, veshur në të blertën ushtarake. Rikthehesha në vendlindje për të marr ushqim nga rrënjët e babait, por atje kishte mbetur vetëm varri i tij. E ndjeja dhe e jetoja me keqardhje të thellë, se rrënjët pa degë, po kalbeshin nën tokë. Të mitë kishin hedhur rrënjë të reja; nuk kujtoheshin më për to. Veçse unë nuk kisha rrënjë atje, prandaj shkoja shpesh te të vjetrat ti ushqeja me degën time të blertë, tu jepja oksigjen e tu zgjatja jetën sa të mundja. Shëtisja, kujtoja, qaja e qeshja me fëmijërinë time te papërsëritshme. Tirana, me bukuritë kryeqytetase, me zhurmën dhe qetësinë e dikurshme apostolike, më mori 10 vjet. Më shndërroi në një degë të pjekur, të fuqishme, por akoma pa rrënjë për tu shtuar e zgjeruar në oborrin tim. E ndërsa kërkoja tokë për të mbjellë farën time si prind i ri, një sopat më “krasiti” keq. Më preu një copë të blerte nga dega e më degdisi në gadishullin e njohur të Vlorës. Atje mbërrita i gjymtuar, i trembur nga frika e mbjelljes dhe e gjeta të udhës të rrija ca kohë i mbyllur. Vlora me bukurinë anëdetase, me panoramën magjike të një parajse tokësore, më ftonte të ngulesha, të hidhja rrënjët e mia të thella për të krijuar më pas një trung të fuqishëm. Pas më se tre vjet kërkim, rashë në tokë të mirë për të mbjellë. Mbolla cilësisht dhe prej saj çelën dy bisqe të shëndetshëm e të bukur që më gëzonin e lumturonin çdo ditë. Por edhe Vlora si Tirana, nuk më mbajti dot më shumë se 10 vjet. Me dhimbje shkula dy lastarit e bukur për tu vendosur në qendër të Myzeqesë. Lushnja, si tokë e begatë që ishte, më priti mirë, më ushqeu më mirë dhe më krijoi kushte të mbillja dy herë të tjera. Edhe këtu lastarët që çelën ishin njësoj të bukur e të shëndetshëm si të parët. Në pritje të një lazdonje që e dëshiroja aq shumë, nuk munda të shtohesha veçse me sythe që rriteshin shpejt për tu bërë çatenj të një peme, tashmë me katër degë. Më parë me Lushnjën nuk kisha asnjë lidhje, por ajo më lidhi ngushtë me artistë të vërtetë të penës dhe penelit. E shpërtheu ndjenjën time që kishte ndenjur strukur nga frika e një “krasitje” të dytë. Por edhe Myzeqeja, megjithë bujarinë e saj nuk më mbajti dot më shumë se 10 vjet. Kur u prishën gjerdhet dhe u lejua lëvizja e lirë, u riktheva në Vlorën e ëndrrave të bukura ku kisha ndërtuar për herë të parë vatrën e mbjelljes. Aty e rimbolla pemën që shkula nga Lushnja. Isha në terrenin tim dhe do ti shërbeja të hidhte rrënjë të thella si ullinjte shekullore që i mbante kurorë prej 500 vjetësh. Kur pema mori vrull dhe po vishej me një gjelbërim të dendur, një zjarr i papritur, por shumë i rrezikshëm përzhiti dy çatenjtë e mëdhenj. Ca nga frika e ca të inatosur prej tymit që maskonte marrëzitë e një djegie prej të çmendurish, u shqitën nga pema dhe kapërcyen detin për tu rimbjellë në një tokë tjetër. Por flaka ishte e pamëshirshme. Filloi të digjte dhe ullinjtë, pa përfillur fare rrënjët e tyre 500-vjeçare. Kjo bëri të shqiteshin e të kalonin detin edhe dy degët e tjera, akoma të paformuara për të nxjerrë e pjekur fruta të ushqyeshëm. Ndërkohë nëna kishte vdekur e ishte varrosur nën një qiparis ku bënin muzike cicërimat e zogjve. Pema kishte mbetur cung, pa asnjë dege. Unë dhe ime shoqe nuk ishim ne gjendje ti shërbenim për te çelur sytha te rinj. Pas 10 vjetësh e shkulem me dhimbje dhe e kaluam përtej detit. Donim të gjenim një tokë të begatë që ta pranonte e ta bënte të hidhte rrënjë, në gjendjen e mjerë që ishte katandisur. Por zgjedhjen e kishin bërë ata që ikën përpara nesh. Vatrën për mbjellje e përgatiten në Toskanë. Një tokë pjellore që kishte lindur e rritur trungje shumë të rëndë të mendimit njerëzore, shkencëtarë dhe artistë që vunë firmën se nga duhej te kalonte rruga për te ngjitur lartësitë, deri atëherë, te konsideruara te paarritshme. Një perle e vërtetë me gjelbërim gjithëstinor. Ka 10 vjet që pema jonë rritet e zhvillohet mes blerimit të Toskanës me modestinë e një peme normale. Gjatë këtyre viteve ka shtuar dhe tri degë të tjera. E fundit çeli lazdonja e shumëpritur që na kishte munguar shumë gjatë. Degët e blerta po ushqejnë e zhvillojnë rrënjët. Emrin e tokës që e pranoi të mbillet na pëlqen ta përkthejmë: TOSK-JANË. Megjithatë ajo nuk bën pjesë në pemët e një pylli statik që i bie fara gjithmonë ne te njëjtin vend, ku si mbirjet dhe vdekjet janë gjithmonë aty. Ajo është një peme që lëviz në kërkim të një toke më të përshtatshme ku stinët të dallojnë nga njëra-tjetra dhe zjarret të mos djegin dhe në dimër. Tani të mitë e kanë bërë zgjedhjen e tyre, ndërsa unë dhe ime shoqe, zor se mund të rrimë të ngulur më shumë se 10 vjet…