10 filmat më të mëdhenj për artin e vjedhjes
Në 100 vitet e fundit, filmat na kanë shfaqur dhe treguar skema të hartuara vjedhjesh, duke luajtur me simpatitë tona: duhet të mbështesim l...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/08/10-filmat-me-te-medhenj-per-artin-e.html
Në 100 vitet e fundit, filmat na kanë shfaqur dhe treguar skema të hartuara vjedhjesh, duke luajtur me simpatitë tona: duhet të mbështesim ligjin dhe rendin? Apo me hajdutët që përllogarisin gjithçka, ashtu siç filmi të inkurajon të bësh? Filmat me vjedhje janë bërë një zhaner filmi më vete, një lloj që na bën të admirojmë zgjuarsinë e shkelësve të ligjit, edhe pse ne luftojmë në kapjen e tyre. Revista “Time” sjell dhjetë filmat më influencues të artit të vjedhjes.
10 – Rififi, 1955
Plani dhe shembulli për të gjithë filmat modern të vjedhjes, Rififi, mbetet ende një mrekulli. Në film mashtruesi qendror kryen një grabitje e planifikuar në detaje të një argjendarie, që zë rreth çerekun e zhvillimit të filmit dhe është realizuar në heshtje të plotë, pa dialogë apo muzikë. (Disa hajdutë të jetës reale e kanë përdorur Rififin si një model për tu ndjekur.) Si pjesa më e madhe e filmave të realizuar gjatë periudhës 1945–1960, Rififi është një film francez i drejtuar nga një drejtor amerikan Jules Dasin. Hajdutët e filmit, si në një pjesë filmash të shfaqur edhe më vonë, ishin të përfshirë në kaosin e post luftës në Francë dhe tjetri në bandat amerikane. Ashtu siç ndodh shpesh në filmat me vjedhje, grupi e kryen vjedhjen me gjakftohtësi dhe korrektësi, por më pas ndeshet me zilinë dhe lakminë e çdo anëtari, si dhe dobësitë njerëzore.
9 – The Killing, 1956
Sterling Hayden, që është bërë i njohur në një tjetër film me vjedhje (The Asphalt Jungle) bëhet pjesë e këtij filmi me mashtrime në pistat e hipodromit, që bëjnë që 28 vjeçari Stenly Kubrick, drejtor filmi, të bëhet edhe më shumë i famshëm. Hayden është hajduti veteran i mirënjohur, që planifikon një “gjuajtje të fundit” para se të heqë dorë dhe të martohet. Ai krijon një grup të tijin, dhe realizojnë vjedhjen (edhe pse jo pa disa probleme të rënda). Por ajo që ndodh më pas është një histori tradhtie dhe mosmarrëveshjeje. Filmi i tretë i Kubrick nuk ka skena vrasje, por bën që kritikët të vënë re talentin e ri. Në ditët e sotme, filmi duket i guximshëm për ngjarjet e tij narrative, i dhënë nga perspektiva të ndryshme. Ndikimi i tij shfaqet në filma të tillë si “Reservoir Dogs” dhe “The Town”.
8 – Reservoir Dogs, 1992
Pjesa më e madhe e filmave me vjedhje kanë tre akte të ndryshme: planifikimi i vjedhjes, ekzekutimi i planit dhe ajo që vjen pas kryerjes së aktit. Por në këtë film, Quentin Tarantino, guxon dhe ndryshon rrjedhën e akteve, duke përzier skenat e aktit të parë dhe të dytë. Pjesë të bukura të filmit janë skenat që zhvillohen të tilla si hedhjet nga lartësitë, por dhe përpjekja e audiencës për të kuptuar se çfarë realisht ka ndodhur, si pasojë e ndryshimit të rrjedhjes së ngjarjeve. Por pjesa më e bukur e filmit që të jep kënaqësi është zëri i Tarantinos, gëzimi i tij entuziast dhe loja me të cilën ai luan, që nga dialogjet e ashpra deri tek dhuna mizore. Tarantino në këtë mori më të mirën nga një kastë aktorësh që përfshinin dramën e krimit të shkollës.
7 – Quick Change, 1990
Ndonjëherë është vjedhja ajo që është e lehtë për t’u realizuar, dhe hyrja është pengesa kryesore. Kjo ka qenë premisa e shumë parodive të vjedhjes, që nga “Lavender Hill Mob” tek “A Fish Called Uanda”. Një nga filmat më gazmorë të kësaj serie është “Quick Change”, filmi i vetëm që Bill Murray ka drejtuar ndonjëherë (së bashku me Houard Franklin). Murray gjithashtu shfaqet si një personazh i filmit, ku përfaqëson një planifikues vjedhjesh bankash, brilant dhe të përvuajtur, që kryen vjedhjen e një banke që është praktikisht art performues (ai vishet si klloun gjatë vjedhjes). Por ndërkohë që Murray dhe grupi i tij kryejnë vjedhjen pa patur në dispozicion një mjet, largimi nga qyteti i Nju Jorkut duket një sfidë e jashtëzakonshme. Filmi është plot me skena të frikshme. kur bëhet fjalë për filmat me vjedhje, gjithçka është tek ekzekutimi i tij.
6 – Ocean’s Eleven, 2001
Filmi origjinal Ocean’s Eleven (1960) nuk ishte një film i mirë. Megjithatë ai provoi se filmat me vjedhje nuk ishte e nevojshme të ishin më shumë se “një stil ushtrimesh” – një mësim që nuk u humb nga filmat me mashtrime që vijuan në 1960-n, ku përshihen “Topkapi”, “How to Steal a Million”, “The Thomas Crown Affair” dhe “The Italian Job”. Katër dekada më vonë, filmi i riprodhuar i Steve Soderbergh ishte gjithashtu me stil ushtrimesh, por i realizuar më me kujdes. Ashtu si në versionin e Frank Sinatrës, historia e Soderberghut për një krim në bashkëpunim, përfshiu një sërë aktorësh të mirënjohur si George Clooney, Brad Pitt, Julia Roberts, Matt Damon, Andi Garcia, Don Cheadle dhe Bernie Mac. Filmi i tregon të gjitha aktet e tij: planifikimin, ekzekutimin dhe ngjarjet vijuese, por duke lënë mjaft skena të tjera intriguese për të ruajtur tërheqjen ndaj filmit.
5 – The Bank Job, 2008
Shumë filma me vjedhje janë bazuar në histori të vërteta, që nga “The Brinks Job” deri tek “The Great Train Robbery”. Filma të tillë kanë patur tendencën për ta vënë vjedhjen në një kontekst të madh historik, që kanë tentuar të theksojnë se si trazirat e kohërave kanë bërë që hajdutët të shihen si heronj. Në rastin konkret, historia e vjedhjes në rrugën Baker, 1971, në Londër prek problemet dhe trazirat sociale të 1960-ës, ku më kryesoret përfshinin seksin, drogën dhe rok ‘n’ roll–in, si dhe një skandal mbretëror (grabitësit vodhën dhe disa kuti që mbanin foto komprometuese të princeshës Margaret). Drejtorët e filmit pretenduan se qeveria Britanike e mbajti të fshehtë historinë e plotë për rreth 40 vjet, për të mbrojtur një anëtar të familjes mbretërore britanike, dhe se qëllimi i filmit është të tregojë për herë të parë të vërtetën e atyre viteve, pavarësisht se ka shumë elementë të trilluar.
4 – Inside Man, 2006
Filmi me grabitje i Spike Lee është realizuar në shek XXI (me ndërgjegje të plotë mbi çështjet etike dhe forcat bashkëkohore politike që përcaktojnë Nju Jorkun e sotëm), por në pjesën më të madhe të tij ai tregon mbi dramën e viteve ’70 të Nju Jorkut; histori të guximit, problemeve dhe mbijetesës. Pjesa më e madhe e filmit është një betejë zgjuarsie ndërmjet hajdutit brilant Clive Ouen, ku ai dhe grupi i tij marrin peng njerëz gjatë vjedhjes së një banke, dhe Denzel Uashington, detektivi finok që vihet në ndjekje të tij. Ndërhyrës janë Kristofer Plummer (dikush me një sekret të fshehur në kutitë e vjedhura, dhe që nuk dëshiron të zbulohet) dhe Jodie Foster (një zyrtare e lartë që e di se ku sekretet janë varrosur). Filmi trajton çështje të së mirës dhe të keqes në situata të paparashikueshme, korrupsionit, paragjykimit dhe lë për audiencën interpretime të hapura mbi të mirën dhe të keqen.
3 – Heat, 1995
Majkëll Man kaloi pjesën më të madhe të viteve ’80, pas dy përpjekjeve të pasuksesshme, për të krijuar filmin në zhanerin dramë–krim që ishte Heat. Në më të shumtën e tij, filmi, që është i bazuar në jetën reale dhe ndjekjen e hajdutit Neil Mekkaulej, është një betejë dëshirash dhe egosh ndërmjet detektivit Al Pacino dhe hajdutit perfekt Robert De Niro. Ideja qendrore e filmit, një vjedhje banke që ndodh në rrugët e Los Angelos, një nga aktet më të shfaqura në këtë film, bazohet në eksperiencën e oficerit të policisë Cak Adamson dhe ndjekjes së kriminelit Neil Mekkaulej në 1960-ën. Ky film provoi të ishte një ndikues në trilogjinë e filmit të Batman –it, dhe në jetën reale të hajdutëve të bandave të ndryshme nga Kalifornia, Norvegjia dhe Afrika e Jugut.
2 – The Town, 2010
Vjedhja klasike e realizuar nga Ben Aflek, bazuar në novelën e Cak Hogan, “Prince of Thieves”, tregon pothuajse në të gjithë zhvillimin e saj rreth ngjarjeve që kanë vijuar pas kryerjes së vjedhjes, edhe pse paraqet disa skena të guximshme gjatë vjedhjes. Në një rast të vetëm, grupi i hajdutëve është shumë solid – nuk janë të predispozuar për të tradhtuar apo të kryejnë akte që dëmtojnë, por në këtë film në mënyrë tipike ata ndajnë dhe shkatërrojnë një skuadër në një film me vjedhje. Për më tepër, është lideri i grupit (Aflek) që është pika e dobët e tij, pasi ra në dashuri me pengun (Rebeka Hall), që grupi e rrëmbeu gjatë një vjedhjeje. Ai dëshiron që të largohet nga grupi, por besnikëria, ligjet dhe detyrimet ndaj grupit vazhdojnë ta tërheqin atë brenda grupit. Mësimi që nxjerr ky film është: edhe pse mund t’ia mbathësh nga krimi, ti nuk mund t’i largohesh asnjëherë vetes.
1 – Three Kings, 1999
Kaosi i luftës krijon një bazë të mirë për të realizuar një film me vjedhje, por dhe e anasjellta është e vërtetë; ashtu siç provoi dhe filmi Three Kings, filmat me grabitje janë një mënyrë e mirë për të eksploruar arsyet që gjenden pas një konflikti ndërkombëtar. Në nivelin e tij më bazik, filmi paraqet një vjedhje që përfshin një grup njerëzish që përpiqen të përfitojnë nga trazirat e përfundimit të Luftës Gulf në 1991, për të marrë në posedim sasi të mëdha të arit të Irakut. Por përtej mekanizmave të tij trillues, filmi shërben si një eksplorues i politikave të dështuara amerikane që lidhen me luftën. Ky film provon se ndonjëherë kjo është mënyra më e mirë për të treguar historinë, në të cilën hajdutët zbulojnë, me vonesë, se komoditeti më i çmuar që ata mund të fitojnë nga tmerret e luftës, është vetë nderi i tyre.