Shamia
Shkruan: Baton Haxhiu “Një dokument është në Qeveri dhe i diskutuar edhe në komisionin parlamentar të Kuvendit të Republikës. Fjala është pë...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/08/shamia.html
Shkruan: Baton Haxhiu
“Një dokument është në Qeveri dhe i diskutuar edhe në komisionin parlamentar të Kuvendit të Republikës. Fjala është për shaminë. Pyetja që shtrohet për Kuvendin dhe qeverinë është, cili është urdhri më legjitim: Ai i Kushtetutës dhe qeverisë apo i “Zotit” të këtyre njerëzve…”
Ka një kohë të gjatë që një grup njerëzish, deputetë, politikan që ushqejnë dëshirën për votë, ushtarak, komunist të kthyer në besimtar përtacësh, profesor gjysme të ditur dhe të pasuksesshëm në profesionin e tyre, biznesmen që dëshirojnë t’i lajnë mëkatet e tyre duke përkrahur islamin politik – të gjithë këta bëjnë duvan e përditshme duke thënë së shamia mbi kokën e një femre duhet të jetë e drejtë e çdo femre dhe e lirisë së saj.
Shamia si mbulesë e “turpit” të femrës, e harruar për një kohë dhe e mbetur si relikt, është rishfaqur pas kaq vitesh në Kosovën e pavarur dhe po bëhet temë politike e shqyrtimit.
Nuk kam asgjë kundër që kjo të bëhet debat në oda dhe familje, nëpër hapësira të kulteve fetare, por jam krejtësisht kundër që një grup fanatikësh të imponojë si agjendë të shtetit dhe atdheut tonë të përbashkët e laik.
Pse duhet që në shtetin laik ta diskutojmë temën e shamisë nëpër institucione është një pyetje që shtrohet si formë e retorikës imponuese. Përgjigjja është e qartë, Cdo kush që merr guximin që ta bëj si temë të shtetit, do të thotë të hyj në temën e besimit të fanatikëve tribu.
Mënyra imponuese e hapjes së temës së shamisë është forma e parë mashtruese e fillimit të islamit politik. E islami politik dihet mirë ku e ka fillimin dhe ku fundin. Eshtë e thjeshtë dhe e ditur botërisht. Fillimi është me shaminë dhe fundi është me luftën civile dhe me marrjen e pushtetit.
E gjithë çështja është se ata kërkojnë që mos të jenë të vetmuar në atë që besojnë. Sepse duhet t’u ngjash atyre.
Ne, duhet të besojmë në zotin e tyre – vetëm nëse hamë njëlloj si ata, jetojmë me ta, qeshim dhe zemërohemi kur qeshin dhe zemërohen ata. Prandaj, neve të “pafeve”, që nuk mendojmë si ata – nuk na takon i njëjti zot –sepse, sipas tyre, ne jetojmë ndryshe nga ata.
E di që, Ju, që keni votat e qytetarëve të Kosovës dhe frikoheni nga ata që dëshirojnë shamia, keni ndjekur filmat evropian, disa prej jush keni lexuar Kadarenë, Sartrin, Zolën, Kunderën, Pamukun, dhe keni nuhatur dhe e dini qartë se e ardhmja jonë është vetëm Evropa – nuk besoi që duke qenë të tillë do të qëndroni si spektator të zhvleftësimit nga një grup radikalësh dhe rrënuesish të kulturës tonë evropiane.
Ndonëse ju bëheni të paditur, heshtak, hipokrit, në atë që po ndodh nëpër xhamitë tona, por ta kemi të qartë se intelektual si JU dhe deputetë si Ju (hiq AAK-ne e vendosur) që nuk dinë se çka duan, janë të ligë.
Jeni të ligë sepse, bërtisni për Evropën dhe demokracinë dhe bashkëpunoni me fetarët, bërtisni për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe kërkoni të vendosni një shëmti mbi bukurinë e femrës edhe ashtu të “ vrarë” me pushtetin e mashkullit, Përmendni Evropën dhe i lëpiheni dhe frikoheni nga islami radikal që janë armiq të përbetuar të perëndimit, flisni për feminizmin dhe mbështesni burrat dhe islamikët radikal që i mbulojnë gratë e tyre.
Kësisoj po e mashtroni veten. Sepse mund të diskutoni gjithë ditën por nuk do te nxjerre askush asgjë në dritë rreth kësaj teme.
As shteti nuk duhet të pranojë vajzat me shami në shkolla dhe as vajzat nuk janë gati të kthehen në kulturën iraniane të shamisë. Si mund të bëhet pjesë “ajeti” i tridhjetë i një të syres Nur(ku thuhet se gratë duhet të mbulojnë kryet dhe fytyrën) dominues para shtetit me kushtetutë laike.
Dhe shpjegimin më ofendues në arsyen se pse duhet të mbulohen po e japin hoxhallarët tanë në kultet fetare…”Sepse, thonë ata, të mbuluarit shpëton gratë nga instinktet shtazore të burrave të huaj dhe nga të shndërruarit në një objekt pa vlerë që stoliset për të fituar garën si gruaja më tërheqëse”.
Dhe, kur nuk Ju bëhet mjaftë dhe nuk e fitojnë betejën me shijen dhe dëshirën e grave, vjen urdhëri me fjalinë, “ E ç’të keqe nëse mbulohet qoftë edhe pa dëshirë”… Paramendojeni çka thuhet në ligjërimin e këtyre njerëzve klerikë islam!
Si shenjë refuzimi ndaj idesë së tyre, po them publikisht se ndihem fajtorë që asnjëherë se kam besuar zotin e të pashkolluarve, zotin e të moshuarve të paditur, Zotin e mixhave me tespi në dorë, zotin e vajzave kokë mbuluara dhe të deputetëve që ditën tregojnë moralin e shamisë dhe përdorin kurvërinë si model të besimit.
Shkruaj kështu sepse kam një lloj krenarie në laicizmin tim dhe besoj në zotin i cili e ka qytetëruar dhe përmirësuar njeriun. Jam ateist për faktin se këta radikal të islamit politik, si shumë tjerë nëpër botë, fyejnë fenë dhe zotin, kurse unë nuk e kam fyer asnjëherë profetin.
Kam drejtë të mos besoj, por s’jam i pasjellshëm ndaj fesë. Asnjëherë.
Këta të tjerët që ditën vishen me kravatë dhe në errësirë flertojnë me varfërinë mendore të këtyre njerëzve, duke menduar se mund t’i manipulojnë lehtë, nuk e kanë krejtësisht këtu arsyen e heshtjes: Shumë prej tyre janë të përfshirë në panik për t’u kthyer në besimtarë para se fetarët të vijnë në pushtet!
Por dihet qartë se si sillen këta kur i fitojnë të gjitha, dhe natyrisht, gjithmonë e nisin me shaminë dhe ndalojnë të gjitha që nuk përshtaten me fenë…
Nëse një dokument po sillet gjithandej nëpër zyre dhe s’keni guxim të thoni asgjë për të sepse keni zgjedhje, një pyetje qëndron pezull mbi ndërgjegjen tuaj: Pyetja është, cili është urdhri më legjitim: Ai i Kushtetutës dhe qeverisë apo i “Zotit” të këtyre njerëzve.