Hollivudi, nga tokë bujqësore në Perandori të filmit
Gjatë periudhës dinamike të viteve 1920 dhe epokës së Gatsby-it të Madh, Hollywoodi ishte ende duke u transformuar nga të qenit një tokë buj...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/05/hollivudi-nga-toke-bujqesore-ne.html
Gjatë periudhës dinamike të viteve 1920 dhe epokës së Gatsby-it të Madh, Hollywoodi ishte ende duke u transformuar nga të qenit një tokë bujqësore. Nëntë dekada më vonë, tani ai është kryeqyteti i botës së filmave.
Ndërsa vitet 1920 ishin plot gjallëri në Nju Jork, komuniteti i parë i njerëzve të famshëm ishte duke u zhvilluar në Kaliforni, në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1918, kanadezi H. J. Whitley i kërkoi një arkitekti të hartonte një projekt për njërën prej faqeve ende të pazhvilluara të kodrave sipër Hollywood-it, për ta kthyer në një zonë me stil mesdhetar.
Në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, aty nuk kishte gjë tjetër veçse toka bujqësore me agrume, elb dhe bathë, pranë disa shtëpive dhe stallave. Disa nga ato hambare më vonë do të shndërroheshin në disa nga studiot e hershme.
Zona e Whitley-it ndryshoi pamje me mbjelljen e pemëve tropikale, për të krijuar ndjesinë e pushimeve. Ai ishte fillimi për Hollivudin siç e njohim sot. Njerëzit e famshëm filluan të dynden aty, ndërsa prestigji i zonës rritej. Filmat po transformonin shoqërinë amerikane dhe vendosnin prirjet argëtuese në mbarë botën.
Gregory Paul Williams, është autor i librit “Historia e Hollivudit”, i cili e paraqet Hollivudin që nga origjina e tij modeste drejt rritjes së lavdishme.
“Hollywood origjinal ishte tokë bujqësore. Më pas, filluan të ndërtoheshin banesa. Kështu që kur industria e filmit filloi të zhvillohej në vende si “Whitley Heights”, zona ishte e gatshme për t’u bërë shtëpi e yjeve të kinemasë. Kjo madje ndodhi para themelimit të zonës Beverly Hills, e cila ishte ende fushë me bathë në atë kohë. Prandaj Hollywoodi ishte vendi më i mirë për të qëndruar. Në vitin 1922, kur romani The Great Gatsby ishte duke shkuar, Hollywoodi po kalonte epokën e tij të artë të filmave pa zë. Lufta e Parë Botërore kishte përfunduar. Studiot po zhvilloheshin dhe mund të fillonin prodhimin. Ishte vërtet një epokë e artë për filmat”.
Në vitin 1912, në Hollywood u hap studioja e parë e madhe e filmave – The Nestor Motion Picture Company, në kryqëzimin midis bulevardeve Sunset dhe Gower. Një vit më vonë, kompania Nestor u bashkua me studion Universal Film Company.
Brenda pak viteve, studiot e zonës filluan të nxirrnin komedi, filma western dhe melodrama.
Në vitin 1913, u ndërtua studioja që më pas do të quhej Paramount. Kjo studio u zhvendos më vonë në mjediset e tanishme, në Melrose Avenue.
Marc Wanamaker është historian, autor dhe konsulent për regjisorët dhe studiot e Hollivudit.
“Studioja e parë në histori u krijua në Hollivud, Nestor Film Company, dhe më pas këtu pasuan dhe studio të tjera, që u vendosën këtu për shkak të diellit, vendit, tokës së lirë dhe avantazheve të tjera, si prania e shumë njerëzve që mund të punonin për pak para. Më pas, rreth vitit 1915, këtu kishte të paktën 10 studio të transferuara nga bregu lindor, që deri atëherë kishte qenë Meka e botës së filmave”.
John’s Cafe, i hapur në vitin 1917, ishte restoranti i parë ku njerëz të famshëm shkonin shpesh në Hollywood. Pesë vjet më vonë, Sid Grauman ndërtoi kinemanë e parë shumëkatëshe të quajtur “The Egyptian”. Aty filluan të organizoheshin premierat e para në Hollywood, me shfaqje ekstravagante të menduara si prologë të filmave. Në vitin 1924, shenja “Hollywoodland” – tani vetëm “Hollywood” – u ndërtua me një kosto prej 21 mijë dollarësh amerikanë. Shkronja 15 metra të larta me 4 mijë llamba ndriçimi njoftonin zhvillimin e zonës së re të banimit në atë kohë.
Sot, Hollywood-i është një përzierje e së vjetrës dhe të resë, ndërkohë që studiot janë zhvendosur në hapësira më të gjera. Por pas shumë dekadash, ajo mbetet një nga zonat më emblematike të botës.
Dita