Sekretet që fshehin arkivat e Duçes

  Një nga romanet më të diskuar mbi Italinë e pas viteve ‘30-të, “Njeriu që i shpëtoi jetën Ducces” Italia e pas viteve 30-të, me gjithë ng...

 Një nga romanet më të diskuar mbi Italinë e pas viteve ‘30-të, “Njeriu që i shpëtoi jetën Ducces”


Italia e pas viteve 30-të, me gjithë ngjarjet që pasuan një nga dekadat më interesante të vëndit fqinj, vjen përmes librit “Njeriu që i shpëtoi jetën Ducces”, të shkruar plot stil nga historiani Roberto Ciai, dhe botuar nga  shtëpia botuese “Saras”, nën përkthimin e Adrian Beshaj. “Luftërat tregojnë shpirtin e popujve, dhe përmes këtij romani të shkruar plot stil Ciai, e jep luftën në një tjetër këndvështrim, përmes jetëve të protagonistëve që e bën atë. Duke hyrë brënda filozofisë së një prej regjimeve më të ashpra dhe njëkohësisht më joshëse sicc ishte Fashizmi, Ciai bën një vështrim të thellë brënda historisë, duke dashur të zbardh pjesën njerëzore të një prej dramave më të mëdha në historinë e vëndin fqinj, sicc qe regjimi i Musolinit”, thotë Alda Bardhyli. Sipas saj, libri është i bazuar në dokumente dhe rrëfime të kohës, të cilat Ciai i ka gjetur gjatë dy viteve që i është dashur të merret me shkrimin e këtij romani. “Unë doja të ngrija diccka të ndryshme nga modeli i zakonshëm, që parashikon pothuajse pa ndryshime tablonë e vogël të policit të pakorruptueshëm dhe të mënjanuar, pak a shumë kundërshtar i regjimit, mes autoritetesh të korrupturara dhe servile”, thotë vetë autori në pasthënien e këtij botimi.  Lufta ka dhe tablotë e saj magjike, ku marrëdhëniet njerëzore marrin një trajtë që nuk arrihet asnjëherë në një kohë paqeje. Personazhi kryesor i këtij libri është një ish kolonel, Lorenco, i cili besonte dhe dha jetën për regjimin e Musolinit. Drama e tij, humbja e të dashurës, dhe zhgënjimi që e gjithë lufta që ai bëri nuk qe në emër të një kauze përparimtare, përshkrohet më pas në jetën e një tjetër personazhi që shfaqet në këtë libër të vëllait të tij Italos. Lufta prodhon dhunë, tmerre dhe përshkrohet nga hakmarrja një ndjenjë të cilën autorin e shoqëron gjatë gjithë shkrimit të këtij libri. Për herë të parë Ciai prek në këtë roman dhe temën e spitaleve psikiatrike ku përfunduan shumë ish ushtarë të luftës dhe njerëz që nuk iu bindën regjimit.”Për të shkruar këtë libër kemi parë dokumenta të kohës, fotografi, dëshmi. I studiuam me themel spitalet psikiatrike dhe jetën e tmerrshme që zhvillohej në ato mjedisë aq klaustrofobike. Lexuam dhjetëra tekste mbi atë që ishte Italia në vitet Njezët dhe Tridhjetë. Hymë në zakonet e njerëzve . Ndoqëm pas market e pijeve freskuese, sapunët, dyqanet e veshjeve, udhëtimet turistike me anije dhe ccdo hollësi tjetër të dobishme për të krijuar një imazh sa më besnmik të ishte e mundur ndaj të vërtetit”, thotë Ciai. Ai shkoi në Afrikë dhe Tripoli dy vënde ku Italia u përfshi në luftë për të gjetur gjurmët e së shkuarës. Atij iu deshën dy vjet për të treguar vitet e ethshme dhe të paqeta që nga shkëlqimi I përfaqtë I regjimit fashist të viteve Tridhjetë të shpien te vorbullat e luftyës dhe e shkatërrimit të fundit. Një mozaik I pasur me personazhe historike dhe të trilluara në letër ndizet me një dritë jashtëzakonisht të fortë , disa gjallërohen nga një mister I kobshëm apo nga njëfarë furie shkatërrimtare, kurse të tjerë të zotëruar nga demoni që pikon melankoli , kurajë apo thjesht një nevojë ulëritëse për hakmarrje. Por ky roman di sidomos të ndërthurë në mënyrë të pashoqë ngjarjet e burrave dhe grave në luftë me veten e tyre më parë sesa me botën, aq sa mundimi angështues I konfliketeve të tyre forcohet në mënyrë të mrekullueshme me tablonë më të gjërë të luftës që po shkatërron Mesdheun. Falë një rindërtimi historik të kryer me aftësi mjeshtërore të vëmëndshëm ndaj hollësive , madje edhe ndaj ngjyrimeve të veccanta, magjia e pamohueshme e këtij romani e tërheq lexuesin përmes kthesave të ngjarjeve të mëdha , në fatin magnetik të secili personazh. “Ajo ccfarë e bën të veccantë rrëfimin e Roberto Ciait është gjuha e tij. Ai ka aftësinë ta paraqesë një ngjarje kaq tronditëse sicc është lufta, në një mënyrë që të bën ta dashurosh leximin. Lufta është një moment I jetës njerëzore që prodhon kaq shumë gjëndje, cicc është dëshpërimi, malli, zemërimi, intrigat apo hakmarrjen. Të gjitha këto detaje, Ciai I jep përmes jetëve të personazheve që I ka marrë nga historia, duke I zhveshur e duke I sjellë në një formë më njerëzore, duke vizatuar përmes rreshtash plot elegancë dhembjen e tyre”, thotë Bardhyli.  Roberto Ciai është një personazh I njohur në sferën e shkrimeve historike dhe publicistike në vëndin fqinj Italinë. Ai është autor I librit “1494-Hija e inkuzitorit” shkruar bashkë me mikun e tij të ngushtë, shkrimtarin Marco Lazzeri, me të cilin nisi fillimisht dhe të shkruante librin “Njeriu që I shpëtoi jetën Ducces”. Atentati ndaj Ducces është një element që e bën tërheqës intrigën e këtij libri dhe mënyra sesi ky atentat dhe njerëzit që u bënë protagonistë në të, vijuan jetët e tyre. Ciai e bën Musolinin personazh në këtë roman, duke dhënë për lexuesin jo vetëm forcën e filozofisë ku ai besoi por dhe detaje të karakterit të tij, si një njeri I pasionuar pas kinemasë dhe muzikës.

Letra e togerit Lorenco Maioli

Zoti është shkretëtira.
Sipas meje, këtë s’e luan topi.
Që të dy janë të pakufishëm dhe të gjithëpushtetshëm. Pa atë simetri artificiale që njerëzit u japin atyre nëpërmjet gjeografisë dhe fesë. Që të dy i sundojnë gjërat, natyrën, lutjet, dëshpërimet e njeriut. Dhe i shpërblejnë me thërrimet.
Pas muajsh të tërë në Ogaden, kujtoja se dija gjithçka për shkretëtirën dhe për Zotin. Dhe i fyeja që të dy. Më kujtohet mirë.
Më kujtohet që ç’ke me të!
Ka ditë kur kujtesa qëndron në vend e tymtë, e lidhur me fijet e brishta prej mëndafshi të emocioneve të largëta në kohë. Ide të zgavërta në një dhomë të mbushur me mjegull të ftohtë. Sepse dashuria shkruan fjalë shumë të bukura në muret e saj. Por i shkruan me shkumës dhe çdo rrebesh shiu i fshin pa mëshirë.
Por, pastaj, ka edhe ditë kur çdo gjë është një fije bari që shkëlqen dhe digjet nën thjerrëz, në një ditë me diell.
Atëherë rishoh të gjitha kokrrizat e rërës një nga një. Do të mund t’i numëroja, thjesht po të kisha dëshirë. Ndiej të nxehtin në lëkurën e fytyrës, që i pjek qepallat dhe i ndez sytë derisa e grimcon dritën në mijëra kotijone.
Takoj përsëri Mariamin, të dashurën time somaleze, dhe emocioni ngjitet në damarët e mi si një flakë në benzinë.
Njoh aromat e detit prej rëre. Lëkurën. Grason e armëve. Erën therëse të bajgave të deveve. Erën e ashpër dhe të pështirë të djersës së dubat-ëve, bersalierëve të zinj. Burra të heshtur dhe krenarë, kalorës të pashoq dhe guximtarë aq sa në not mund të krahasoheshin me aligatorët në ujërat e Nilit.
Dhe zot i gjithçkaje, shkretëtira.
Ishte dhjetori i 1934-ës. Tre vjet më parë.
Një vend gurishtor i quajtur Ual Ual, në kufirin midis Etiopisë dhe Somalisë, mbi Ogaden. Një bunker rrethor, me një diametër prej shtatëdhjetë metrash, i qarkuar nga një zeriba që përbëhej nga trungje dhe degë të djegura nga dielli. Lëvorja ngrihej duke u përdredhur mbi dru me hirin e qerpikëve të gjatë të femrave, mbi të cilat herët në mëngjes gjenim shpesh triskuj lëkure dhe mishi që i kishin përkitur ndonjë ngjitësi nate tejet të rrëmbyer.
Tridhjetë mondul-ë dhe dy strehime për armë dhe municione, një stallë e vogël për kafshët. Ky ishte bunkeri.
Ngado përreth oazit shtrihej një lirishtë gurishtore e pikëzuar nga maja të foleve të termiteve. Ndonjë akacie. Gjarpërinj rrënjësh të thara dhe të mbytura në detin prej dheu të thatë, për të cilat përfytyroje kërkimin e dëshpëruar të ujit në errësirat e nëntokës. Dhe gurë. Dhe rërë. Dhe shëmbëlltyra të largëta valëzuese për shkak të të nxehtit, me pamjen e rrjedhshme të tymit të cigares.

Dhe diell.
Radioja nuk funksiononte kurrë në atë vend të mallkuar. Vetëm vezullime elektriciteti statik dhe një këngë e ngjirur pa nota. Radisti vazhdonte të tundte kokën. Punë që s’bëhet, – thoshte, punë që s’bëhet.
Kapiteni Çimaruta, të cilin afrikanët e quanin Andaat për shkak të ngjyrës së syve, kishte dalë edhe atë ditë për t’u lidhur me konsullin italian të Adis Abebës, me një lejeqarkullim 48-orësh. Ishte takuar një herë me diplomatin para nja dy javësh, më 24 nëntor.
Por s’kishte lëvizur asgjë. Në fakt, brenda Ual Ualit nuk i interesonte askujt situata politike ndërkombëtare dhe masat paraprake, programet, rrjetat e bisedimeve që mblidheshin shuk e ngjiteshin mbi tryezat prej druri arre të ambasadave dhe konsullatave, pranë purove dhe kupave të mbushura me verë të kuqe.
Kurse neve, baba, na interesonin gjëra krejt të tjera.
Neve na interesonte, sidomos, se që një ditë më parë, përreth bunkerit, ishin fushuar pothuajse 1600 etiopianë. I shihnim përmes ajrit vallëzues, të palëvizshëm, si një mbulesë e zezë e nderur mbi lirishtë.
Prisnin.
-Ç’mendoni për këtë, toger?
Rreshteri, një venet trupmadh rreth të pesëdhjetave, më vështroi ngultas përmes një vije të zbrazët midis qepallave. Lëkura e fytyrës, dikur e bardhë dhe e hollë, ishte e zeshkët dhe e thatë. Flokët, të thinjur dhe të kërleshur. Zëri dukej sikur mezi dilte nga gryka, a thua se duhej ta çante rrugën midis shtresash të tëra me pluhur.
-Asgjë, – dhashë si përgjigje të vetme, pa ia ndarë sytë. Përse duhej t’i harxhoja kot fjalët?
Kishin një ditë që qëndronin aty të patundur. Të palëvizshëm.
Era fërkonte e thatë gurët e lirishtës, brenda gojës së përflakur të furrës. Ngrinte qimet e krahëve, pështjellonte flokët dhe thante fytyrën.
Shhhhh. Shhhhh. Dukej si tingulli i një qilimi gjarpërinjsh të zinj mbi zhurishtë dhe mbi rërën e nxehtë. Shhhhh, bënte. Shhhhh, thoshte era.Shhhhh. Do të vdisni. Të gjithë.
Do të vdesim.
E dija, baba. E dinim. Ai vend ishte vetë vdekja.
Koha kaloi. Minuta. Orë. Pak nga pak krimbat e errët të hijeve u zgjatën mbi tokë, ndërsa brenda horizontit kodrat drithëroheshin në ajrin që po bëhej i ftohtë. Ngjyrat u errën nën qiell, dhe të njëjtën gjë bënë zemrat tona, një pëllëmbë poshtë batanijeve prej leshi që kishim hedhur supeve.
Erdhi mbrëmja.
Ra nata mbi oazin e Ual Ualit, me një luhatje termike prej dyzetë gradësh. Zhurma të ndryshme. Erëra të ndryshme. Një botë e re dhe e panjohur ngado përreth nesh, për qindra e qindra kilometra.
Mbajtëm ndezur tetë pishtarë në largësi të rregullt me tyre, përgjatë perimetrit të kampit. Mund të shihnim dhe të na shihnin. Një qetësi e rreme. Ishim tridhjetë ushtarë italianë dhe dyzetë dubat-ë. Por atje jashtë ishin shumë më tepër. Njëqind herë. Një mijë. Një milion herë më shumë, për aq sa mund të vlenin.
Dhe papritmas, në një frymëmarrje të parë, krejt nata filloi të regëtinte.
Toka nën këmbët tona u lëkund. Pamë njëri-tjetrin mosbesues dhe të lodhur. Tum… Tum… Prapë… Tum… Tum… Prapë. Ritmikisht…Tum… Tum… Një zemër gjigante tamburesh rrihte në errësirë, tkurrje dhe shtendosje që ndiqnin njëra-tjetrën brenda errësirës dhe brenda kraharorit tonë, duke e shkundur me forcë. Tum… Tum…

U shtrënguam idealisht mes nesh, pothuajse në një përqafim. Por qe vetëm me mendime. Askush nuk e humbi dinjitetin. Askush nuk u drodh.
Italianët e pikëzuan natën e tyre me xixëllonja. Ndezën cigarette ushtarake dhe i thithën gjithë dëshpërim. Lanë të digjej dyfishi i tyre, duke i futur nëpër të çarat e shkëmbinjve dhe në faqet e kasolleve, për ta gënjyer armikun për numrin tonë të vërtetë. Nuk kemi frikë nga ju, thoshin thëngjijtë e vegjël të ndezur të “Milit”-ëve, të gjallë dhe të shndritshëm.
Dubat-ët i kishin çmbështjellë çallmat e tyre të bardha dhe tani po shikonin qiellin, pa emocione.
Brenda nesh, zemra e shoqëroi rrahjen sugjestionimet që mbante pranë në zgrip, ato më të ngutshmet. Rrahja ime la të binte një violinë me ritmin e mallit.
Fjeta apo s’fjeta një orë.
U zgjova. Agimi kishte kaluar prej kohësh. Tashmë dielli digjte vesën.
Diçka kishte ndryshuar.
-Pushoi! – thashë i drejtuar nga hiçi.
-Shenjë e keqe, – ia bëri rreshter Feliciani, një mantovan i hekurt, i ulur pranë meje, që kishte kohë që ishte zgjuar. Fytyrën e kishte të djegur nga dielli dhe flokët aq të zinj sa dukeshin sikur i kishte lyer.
U ngrita dhe i afrova dylbitë te sytë. Rregullova fokusin, dhe mjegulla përtej thjerrëzave u mpiks në një shëmbëlltyrë të pastër. Kishte lëvizje pas pahisë. Trazirë. Më dukej sikur po vinin në lëvizje devetë. Po ikin, mendova me naivitet.
-Është duke ndodhur diçka, – murmuriti Feliciani, duke u ngritur dhe duke fikur “Milit”-in.
Dëgjoheshin qartë disa britma. I hoqa sytë nga dylbitë për t’u përqendruar te tingujt. Madje i mbylla sytë, me qëllim që mendja të ndalej për të dëgjuar valët që përshkonin largësinë midis dy kampeve.
Po përqeshnin dikë. Ndoshta ndonjë rob.
Një ditë më parë kishim parë disa dhjetëra askarë që kishin dezertuar nga kampi ynë, të tregoheshin nga etiopianët si miqtë e tyre të mëdhenj. Shëtisnin përgjatë llogores, duke pështyrë drejt nesh dhe duke tymosur cigare me pamje arrogante. Shurronin në drejtimin tonë me këmbët hapur, me duart në ijë, me gjithë përçmimin e botës.
-Qen italianë! – bërtisnin. –Qen të ndyrë italianë! Do t’ju bëjmë të villni gjak!
Por kësaj here ishte ndryshe. E ndjeja.
Zura të vështroja sërish. Prapë rrëmujë. Zhurma. Dielli po ngrihej në horizont dhe dalëngadalë drita në rritje po më ndihmonte ta dalloja më mirë largësinë që ndante kampet tona.
Një burrë u shfaq përsipër kokave.
Hipur në kalë.
Fytyrën e kishte të mbuluar dhe në kokë mbante një kapelë kashte të bardhë. E çau rrugën përmes turmës dhe doli nëpër shtegun e hapur midis kafshëve të strukura pranë pahisë.
Kishte veshur një kaftan të kaltër, dhe dorën e djathtë e mbante te frerët. E majta qëndronte e shtrirë përgjatë ijës. Gishtat të shtrënguar mbi një litar. Litari lakohej plogështas drejt tokës, pastaj ngjitej butësisht derisa shtrëngohej përreth qafës së një gruaje të mbuluar nga një vel, tre metra mbrapa tij. Ecte këmbëzbathur mbi çakëll, duke rrëshqitur dhe duke u përpjekur të mbante një qëndrim të drejtë e me dinjitet. Në largësi, flaka e një qiriri.Vija e shpinës dhe ajo e supeve, e ashpër, nuk i dhuronte as edhe një gradë të vetme këndmatësit të poshtërimit. Dukej sikur, me gjithë pëlhurën, vështrimi arrinte ta depërtonte velin dhe të përhapte një dritë fisnikërie të egër ngado përreth.
Pesë etiopianë i ndiqnin pas më këmbë, në një largësi të vogël, me mushketat shtrënguar përpara gjoksit, në duar me gishta gjithë nyja.
Përshkuan ngadalë gjysmën e largësisë që ndante dy kampet, dhe u ndalën. Etiopianët u hapën në formë erashke përreth kalorësit. Ngritën krahët e armatosur dhe ulëritën, pothuajse njëzëri. Njëri prej tyre e drejtoi mushketën në kokën e gruas, duke e detyruar ta ulte.
Kisha gradën më të lartë. Më takonte mua.
Kontrollova karikatorin e “Beretta”-s. Fsheha nga një thikë të vogël jashtë ordinance në secilën mëngë dhe pashë sahatin. Ora ishte tetë e njëzet. Tashmë dielli po ngrihej me shpejtësi në qiell dhe ngrohtësia e ditës kishte rifituar të paktën njëzet gradë mbi të ftohtin e natës.
Përshëndeta me sy rojat dhe dola nga bunkeri, pa e kthyer vështrimin pas.
Dikush më thirri; ishte rreshteri Marfurt, që po më ndiqte në një largësi të vogël.
Në çdo hap arrija t’i dalloja më mirë hollësitë që kisha parë nga afër me dylbi. Nuk ia ndaja sytë kalorësit. Ai nuk m’i ndante mua. Shihja vetëm sytë e tij, por kjo mjaftonte.
Çfarë duhet tjetër për të kuptuar një njeri?
Mbërrita pesë metra larg dhe ndalova. Marfurti gjithnjë pas meje.
-Jam toger Maioli.
U prezantua.
-Më thërrasin Hadid dhe jam i ngarkuari i fitaurarit Shiferra, guvernator i Ogadenit. Kam dëgjuar të flitet për ju, toger. Thonë se jeni një ushtar guximtar.
Kur të përkëdhel djalli, kërkon shpirtin, mendova.
-Mund të urdhëroja t’ju vrisnin, – vazhdoi.
Heshta. Epërsia e numrit ishte ndërkaq mjaft e madhe për të mos i dhënë të tjerë. Por vështrimin e mbaja të ngulët në të tijin.
-Do të largoheni nga bunkeri, – tha.
-Qenkeni italian! – murmurita, duke mos arritur ta maskoja befasinë. Sytë e tij u tkurrën në mënyrë të paperceptueshme. Kisha të drejtë.
-Brenda një ore do të largoheni nga bunkeri.
-Jeni një renegat!
-Brenda një ore. Do t’i lini në kamp të gjitha armët dhe municionet. Edhe kafshët. Edhe radion. Do të lini uniformat, si edhe ujin. Do të niseni drejt verilindjes. Me shumë fat, ndonjëri prej jush do t’ia dalë mbanë.
I nxehti po bëhej çnjerëzor. Tegelat e uniformës në lëkurë dukeshin si brisqe. Kisha dëshirë të fshija djersën nga fytyra, por e mbajta veten. Do të gëzohej për atë dobësi.
-Po pse, tradhtar? Në bunker mund të rezistojmë për ditë të tëra. Të paktën derisa të vijnë avionët për t’ju fshirë.
Buzëqeshje.
I fshehur pas velit, por i qartë si gjaku në letër. Kishte luajtur si macja me miun dhe kishte fituar. Bëri një gjest, dhe njëri prej të tijve zbuloi fytyrën e gruas.
Ajri u zhduk nga mushkëritë e mia.
Mariami.
-Një somaleze, – u zgërdhi me përçmim. –Do të kisha pritur më shumë nga një ushtar i Duçes. Por me sa duket, nevojat e racës nuk bëjnë pjesë mes përparësive tuaja.
-Lëreni të shkojë! – do të kishte thënë Douglas Fairbanks-i në një film aventure. Por llogorja ishte e mbyllur. Lëkura ime u rrek të më ngushëllonte duke e rritur ndjeshmërinë në krahë, atje ku kisha fshehur thikat.
Mendja më thirri: pritja gurmazin!
E megjithatë, nuk ia ngula thikën në grykë. Nuk ia ngula nën dërrasën e kraharorit për t’i shkulur zemrën. Nuk ia preva tejzat pas gjurit për ta rrëzuar nga kali dhe për t’ia këputur qafën në tokë. Nuk i shtiva në sy, në mënyrë që të kënaqesha duke parë njollat e trurit të zienin mbi çakllin përvëlues.
Nuk e bëra. Edhe sot pyes veten pse nuk e bëra.
Ndoshta për shkak të asaj mushkete të drejtuar në kokën e të dashurës sime. E megjithatë e pyes veten shpesh se si do të kishin rrjedhur gjërat nëse do ta kisha bërë.
-Do ta përdhunoj, – tha. –Pastaj do t’ia hedh rojës sime. Dhe do t’ua dhuroj të gjithë ushtarëve. Dhe, nëse nuk do të mjaftojë, atë që mbetet do t’ia lë kalit tim.
Ajo më vështronte pa qarë. Sytë e saj ishin roja të pamëshirshme të shpirtit. Kore rëre mbeteshin të mbyllura në qerpikët e saj. Në qafë njoha varësen që i kisha dhuruar. Mbi të kisha gdhendur një “TË DUA” naive.
Luftoja për të mbajtur lotët. Më kujtohet që e doja shumë. Kisha thurur ëndrra të mëdha dhe brenda tyre ishte gjithnjë ajo.
-Do të kursehet nëse do të ikni brenda një ore.
Gënjeshtër, mendova gjithë dëshpërim. Një çast më parë kisha dëgjuar ulërimat e etiopianëve. Askush s’do të kishte guxuar ta sfidonte dëshirën e gjithë atyre burrave që tashmë s’prinin gjë tjetër veçse ta shtinin në dorë. Askush.
Kishte vdekur ndërkaq.
Prandaj edhe sot s’arrij dot të gjej qetësi dhe të gjitha netët e mia janë për të. M’u desh ta braktisja. E tradhtova. Dhe pak e vrava edhe unë. Që e doja aq shumë.
Mariami më vështroi dhe pëshpëriti:
-Ëaan ku jecelabay.
Hadidi ngriti vetullat. U duk i çuditur. Ose ndoshta i shqetësuar nga një admirim i sëmurë, nga diçka që i ngjante xhelozisë së një kafshe. Instinktive. E pamësirshme.
-Thotë se është e dashuruar pas teje, ushtar.
Mori frymë thellë dy herë dhe pastaj vazhdoi:
-Vetëm se dashuria është si qelqi, – u zgërdhi, me sytë që i shtrembëroheshin. –Nëse thyhet, të lëndon.
Është shumë e vërtetë, bastard. Fjalët e tij e çanë mbështjelljen e fortë që me aq mund dhe vuajtje kisha ngritur ngado rreth vetes.
U ndjeva keq.
Dikush ndezi një zjarr poshtë qepallave të mia, që zunë të digjeshin. Me dhimbje fizike e hoqa vështrimin tim nga sytë e vajzës sepse ndjeja që po arrinte koralet e mendimeve të saj.
-Është vetëm njëzet vjeçe, për atë Zot! – i thashë kalorësit, duke u përpjekur të fshija çdo ton përgjërimi nga fjalët e mia, që dolën duke u fërkuar thatë pas buzëve. Pastaj, nga dashuria dhe nga asgjë tjetër, iu luta:
-Kurseje!
-Zgjedhjen e bën ti!
Mariami më mbërtheu me vështrim, edhe një herë të fundit e të ngulët.
Ëadaac, thoshte ai vështrim. Lamtumirë.
Pastaj iu kthye burrit.
-S’mundem t’i jap as puthjen e lamtumirës? – pyeti me zë të thyer nga emocioni.
Nxora dhëmbët dhe thikat.
Më mirë ta vrisja sesa ta lija të vdiste në atë mënyrë.
Por tyta e mushketës u ngjesh thellë pas syrit të saj të majtë dhe unë s’arrita dot të bëja atë që duhej. Zoti më faltë, nuk qeshë i zoti ta bëja.
Renegati i ngjeshi thembrat pas brinjëve të dala të kalit dhe tërhoqi frerët për ta kthyer. Tërhoqi me forcë litarin dhe gruaja ra në gjunjë mbi çakëll. U ngrit sërish duke u kollitur dhe duke kërkuar ajër.
-Mos harro! – thirri burri, të cilin etiopianët e quanin Hadid. –Ke një orë kohë.
U ktheva në bunker.
Të gjithë më shikonin me një respekt të përzier me keqardhje dhe pasiguri. Kishin frikë se mos i kisha shitur, se mos i kisha dënuar me vdekje larg kilometra larg Ual Ualit, të vrarë nga dielli dhe etja. Të vrarë nga dashuria idiote e një ushtari për një femër. Gjëra që thyejnë edhe besimin më të patundur.
Pati nga ata që u kthyen të ledhatonin shpinën e një kali, si duke ia kushtuar miqësinë e vet dikujt që ishte i paaftë të tradhtonte.
Kërkova rreshterin Marfurt dhe i tregova gjithçka. Më tregoi duke ngrysur ballin dhe duke kërcëllitur dhëmbët. Përfytyronte sikur e kishte tradhtarin në duar, kaq e qartë ishte.
Po matej të thoshte diçka, por e parapriva.
-Nuk di ç’të bëj.
Më vështroi duke mos kuptuar asgjë.
-S’mund ta braktis, – u qava.
Ndoshta mendoi se do të bëja ndonjë gjë të gabuar. Se do t’i çoja të gjithë drejt vdekjes në shkretëtirë apo se do të rrezikoja ndonjë sulm vetëvrasës vetëm për të shpëtuar një femër.
Kishte të drejtë.
Ngriti fytyrën drejt qiellit dhe ulëriti. Pastaj nuk më kujtohet më asgjë./metropol

Related

Suplement 3388813186768172087

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item