10 proceset zgjedhore që ndryshuan historinë e Amerikës

Revista TIME Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sot një ndër superfuqitë më të mëdha të botës. Këtë e kanë arritur përmes shekujsh inves...

Revista TIME



Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sot një ndër superfuqitë më të mëdha të botës. Këtë e kanë arritur përmes shekujsh investim dhe luftë për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe zhvillimin. Në fillimet e tyre, Shtetet e Bashkuara përbëheshin nga trembëdhjetë koloni, që ishin shtetet e sotme që okupojnë po të njëjtin territor që kishin edhe kur ishin koloni britanike. Kolonistët amerikanë i mposhtën britanikët në Luftën Revolucionare Amerikane të viteve të 1770-a dhe shpallën pavarësinë më 1776. Shtatë vite më vonë, nënshkrimi i Traktatit të Parisit zyrtarisht ia njohu pavarësinë nga Britania e Madhe. E ratifikuar më 1788, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara shërben si ligj suprem amerikan në organizimin e qeverisë; Gjykata supreme është përgjegjëse për ligjin Kushtetues. Ka pasur mjaft përparim social prej shekullit të 19-të; këto zhvillime janë reflektuar gjerësisht në Kushtetutë. Skllavëria u ndalua më 1865 nga Amendamenti i Trembëdhjetë i Kushtetutës Amerikane; Amendamenti i Katërmbëdhjetë dhe Pesëmbëdhjetë që e pasuan atë garantonin shtetësi për të gjithë personat e natyralizuar brenda territorit të Shteteve të Bashkuara dhe të drejtë vote për personat e të gjitha racave. Në vitet e më vonshme, të drejtat civile u zgjeruan për gratë dhe amerikanët me ngjyrë, pas lobimit të aktivistëve socialë. Amendamenti i Nëntëmbëdhjetë i Kushtetutës Amerikane ndaloi diskriminimin gjinor në të drejtën e votës; më vonë, Akti i të Drejtave të Njeriut i 1964 dënonte si krim ndarjen ose veçimin e personave sipas racave në vende publike. Megjithatë të gjitha këto zhvillime por edhe të tjera, që e bën SHBA-në, kombin dhe shtetin që është sot, janë ndikuar nga vendime të rëndësishme të marrë prej njerëzish që bënë historinë. Më poshtë do të radhisim proceset zgjedhore më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga ku u zgjodhën ata që me qeverisjen e tyre do të hynin në histori dhe do ta bënin SHBA-në, kombin lider në botë.
1. Modelimi i një presidence

Viti 1792

“Ende ishte e paqartë se pas revolucionit amerikan dhe ‘Articles of Confederation’, ‘Ligjet e Konfederatës’, presidenca amerikane do të funksiononte”, thotë David Greenberg, historian në Universitetin Rutgers të New Jersey-t. “George Washington ja doli mbanë në zgjedhjet e vitit 1792”, shton Greenberg. George Washington (1732-1799) ka qenë një lider ushtarak dhe politik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitet 1775-1799. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1792, ai u rizgjodh për herën e dytë si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt John Adams (1735-1826) që u zgjodh zëvendëspresident. Washington shquhet për rolin e tij të rëndësishëm për pavarësinë e shtetit amerikan nga mbretëria britanike. Ai hodhi bazat presidenciale të qeverisjes që edhe sot janë gurët e themeleve të punës në Shtëpinë e Bardhë. “Kështu vendi ka nevojë për një personalitet që të mbajë bashkë Jugun dhe Veriun e Amerikës”, kështu i fliste Thomas Jefferson Washingtonit. George Washington është një nga personalitetet më të rëndësishme në historinë e shtetit amerikan.

2. Ndryshim pushteti

Viti 1800

Zgjedhjet presidenciale të vitit 1800 janë më të rëndësishëm në historinë amerikane ku kandiduan dy forca kryesore politike federalistët dhe republikanët. Në atë kohë, Kongresi Amerikan ishte i kontrolluar nga Federalistët që ishin ende në pushtet. Në këto zgjedhje, Thomas Jefferson, autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë kandidoj kundër John Adams, mbështetësi i zjarrtë i pavarësisë. Jefferson u zgjodh Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë inaugurimit të tij si President, Jefferson vendosi një standard të unitetit pas zgjedhor dhe u shpreh se “ne të gjithë jemi republikanë, të gjithë jemi federalistë”. Kjo deklaratë e famshme e tij ka lënë gjurmë mbresëlënëse në historinë politike amerikane. Thomas Jefferson lindi më 13 prill 1743 (sipas kalendarit Julian) në Shadwell, Virginia; vdiq më 4 korrik 1826 në Monticello, Virginia. Ishte Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

3. Lindja e populizmit

Viti 1828

Në zgjedhjet e vitit 1824, Andrew Jackson, fitoi bindshëm përballë Presidentit John Adams. Jackson theu mbërthimin që kishin pasur mbi republikën liderët e Massachusettsit dhe Virginias. Andrew Jackson ishte i shtati President në historinë presidenciale amerikane dhe është themeluesi i Partisë Demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo fushatë elektorale ishte negative shumë kohë para se reklamat sulmuese të bëheshin të modës. “Jackson ishte pari President që u paraqit si njeri i popullit”, thotë David Greenberg. “Histori e vjetër” e zgjeroi kufirin dhe pushtetin e presidencës dhe u dha vende pune mbështetësve të tij. Që atëherë, përkrahja në Shtëpinë e Bardhë ka qenë në modë. Andrew Jackson lindi më 15 mars 1767 në Waxhaw, South Carolina; vdiq më 8 qershor 1845 afër Nashville, Tennessee. Ishte prej 1829 deri 1837 i President i Shteteve të Bashkua të Amerikës.

4. Furi, më pas liri

Viti 1860

Zgjedhjet në vitin 1860 ndryshuan Amerikën më shumë se çdo zgjedhje të tjera në historinë politike të vendit. Partia Republikane kundër skllavërisë, emëroi Abraham Lincolnin, i cili përfitoi nga një opozitë e ndarë. Demokratët që ishin pro-skllavërisë emëruan zëvendëspresidentin në detyrë John C. Breckinridge nga Kentucky, ndërkohë që demokratët veriorë kandiduan me Senatorin e Illinoisit, Stephen Douglas. Lincoln fitoi me vetëm 40.5 për qind të votave popullore dhe nuk fitoi në asnjë shtet jugor. Në shkurt të vitit 1861, Shtetet e Konfederatës së Amerikës kishin hartuar një Kushtetutë. Lincoln ka qenë Presidenti i gjashtëmbëdhjetë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është i pari President republikan në historinë e vendit. Emri i tij i bashkëngjitet Luftës për heqjen dhe shtypjen e skllavërisë. Gjatë Luftës Civile amerikane (1861-1865), shqetësimi i tij kryesor ishte ruajtja e Unionit. Në vitin 1863, ai njoftoi lirimin e skllevërve me Shpalljen e Emancipimit. Ai u rizgjodh në krye të Shteteve të Bashkuara në vitin 1864, duke pasur si vizion një fitore të pjesë veriore, por u vra në fund të luftës.

5. Parti biznesi

Viti 1896

Dallimet në filozofinë ekonomike përcaktuan fushatën e vitit 1896. Guvernatori i Ohajos, William McKinley, ndërtoi një koalicion padronësh biznesi lindorë për të nxitur për vendosjen e standardit të floririt. William Jennings Bryan, një populist i “zjarrtë” kërkoi një ofertë më të lirshme të parasë që do të kish ngritur çmimet për fermerët që mezi ia dilnin në një ekonomi të “depresuar”. “Ju nuk do të kryqëzoni njerëzimin në një kryq të florinjtë”, deklaroi atëherë Bryan. Historiani presidencial Richard Norton Smith thotë se fitorja e McKinleyt “konfirmoi natyrën konservatore të republikës amerikane”. William McKinley ka qenë Presidenti i 25-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. William McKinley lindi më 29 janar 1843 në Niles, Ohio; vdiq më 14 shtator 1901 në Buffalo, New York. Ai ishte një republikan dhe prej 4 mars 1897 deri 14 shtator 1901 President. Ai ka qenë i njohur edhe për fitoren gjatë luftës midis Spanjës dhe Amerikës që zgjati 90 ditë.

6. Vendim i prerë

Viti 1912

Intelektuali dhe ish-Presidenti i Universitetit Princeton, Thomas Woodrow Wilson (1856-1924) përfitoi nga një përçarje në Partinë Republikane. Ish-Presidenti Roosevelt garoi si progresist duke i marrë vota Presidentit republikan në detyrë William Taft. Demokrati Wilson fitoi me vetëm 42% të votës popullore. Ndonëse më pak i vlerësuar se Teddy Roosevelt, Wilson pati një qasje të “Shkopit të Madh” në pushtet. Ai ndihmoi në krijimin e “Federal Trade Commision” – Komisioni Federal të Tregtisë dhe firmosi Ligjin Antitrust Clayton, të dy këto ligje që limituan fuqinë e korporatave të mëdha. Thomas Woodrow Wilsoni, ishte Presidenti i dytë amerikan si kandidat i Partisë Demokratike mbas Andrew Jackson, i rizgjedhur për një mandat të dytë. Wilson lindi në Staunton, Virginia më 28 dhjetor, 1856 si fëmija i tretë i Reverend Dr. Jozefit Ruggles Wilson (1822-1903) dhe Jessie Janet Udrou (1826-1888), prejardhja e tij ishte skoceze dhe skocez-irlandez. Gjyshërit e tij nga babai emigruan në Shtetet e Bashkuara nga Strabane, Qarku Tyrone, Irlandë (tani Irlanda e Veriut), në 1807.

7. Lindja e një Marrëveshjeje të Re

Viti 1932

Në zgjedhjet më të rëndësishme të shekullit 20, fitorja e thellë e Franklin Roosevelt (1882-1945) përballë Presidentit Herbert Hoover hodhi poshtë politikat ekonomike konservatore dhe krijoi terrenin për nismat e Marrëveshjes së Re që do të fillonin të nxirrnin vendin nga Depresioni i Madh. Kur Ruzvelti bëri betimin për President sistemi bankar dhe i kredive ishte në gjendje paralize. Me një shpejtësi marramendëse ne fillim bankat e shtetit u mbyllen dhe më pas u hapën vetëm nëse ishin të afta për të paguar. Administrata ndoqi një politike të zbutur të qarkullimit të inflacionit për të filluar një lëvizje në çmimet e artikujve dhe për të përballuar një lehtësim ndaj kredimarrësve. Agjencitë e reja qeveritare sollën lehtësi te mëdha ne kredi për industritë dhe agrikulturën. Një alfabet i tërë agjencish të reja rritën numrin e të punësuarve. Bashkëbisedimet e Roosevelt-it pranë zjarrit nxorën në pah lidershipin e tij dhe i rritën shumë popullaritetin. Presidenti me katër mandate luajti një rol thelbësor në fitoren e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore.

8. Shoqëria e Madhe

Viti 1964

Gjatë fushatës elektorale të vitit 1964, Lyndon Johnson bëri thirrje për një Shoqëri të Madhe në të cilën Qeveria Federale do të ulte varfërinë, padrejtësitë sociale dhe sëmundje të tjera. Republikanët nominuan një armik të betuar të këtij të ashtuquajturi projekti social, senatorin e Arizonës Barry Goldwater për t’ia kundërvënë Johnsonit. Ky i fundit mori 61% të votës popullore. Ai dha një dorë në krijimin e Medicare për të moshuarit dhe Medicaid për të varfrit. Lufta kundër varfërisë solli dhjetëra programe të rinj. Pavarësisht gjithë arritjeve në fushën sociale, trashëgimia e Johnson është e lidhur me qorrsokakun e Vietnamit, i cili nxiti më pas lëvizjen anti-luftë. Lyndon Baines Johnson lindi më 27 gusht 1908 në Stonewall, Teksas. Ai vdiq më 22 janar 1973 në San Antonio. Johnson ishte i Presidenti i 36-ë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

9. Epoka konservatore

Viti 1980

Në vitin 1980, inflacioni i papërmbajtshëm, papunësia në rritje dhe kriza e pengjeve në Iran goditi fort vetëbesimin e Amerikës. Kështu që, votuesit zgjodhën Ronald Reagan (1911-2004) për të transformuar vendin në një “një qytet të shndritshëm mbi kodër”. Reagani e zhvendosi djathtas Amerikën, një shenjë që mbeti gjatë. Reagan uli taksat, tkurri sistemin social dhe rriti shpenzimet për mbrojtjen. Ekonomia pësoi rritje, inflacioni u ndal dhe deficiti u fry shumë. Pasi nxehu Luftën e Ftohtë duke quajtur Bashkimin Sovjetik “perandori e së keqes”, Reagan u bë veçanërisht i famshëm për fjalët e tij para Portës së Brandenburgut në 1987: “Z. Gorbaçov, shembe këtë mur”. Reagan ishte Presidenti i 40 i shteteve të Bashkuara të Amerikës (1981-1989), dhe Guvernatori i 33-të (1976-1975) i Kalifornisë. Ronald Reagan u lind në një familje relativisht të varfër me origjinë nga Irlanda. I ati i tij punonte si këpucar. Shkollën e mesme dhe fakultetin ai mbaroi me ndihmën e bursave dhe të punëve që kryente për të siguruar të hollat për shkollim. Ai studioi Sociologjinë, Ekonominë dhe Shkencat teatrale.

10. Gjykata vendos

Viti 2000

Vetë drama e numërimit të votave ishte epike: Dështimi në Florida mbërtheu publikun për më shumë se një muaj dhe detyroi Gjykatën e Latë të shpallë me vota 5.4 për qind George Bush-in si fitues. Në fjalimin e tij të parë si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bush përsëriti angazhimin e tij për një frymë të përkushtimit politik të dyanshëm dhe premtoi të jetë udhëheqës i “një kombi,” jo “një partie”. Disa prej përparësive kryesore të tij të brendshme përfshinë përmirësimin e arsimimit, zvogëlimin e taksave dhe forcimin e ushtrisë. Por 11 shtatori i 2001 ndryshoi kursin e historisë. Reagimi i Bushit ndaj 11 shtatorit çoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftëra në Afganistan dhe Irak: Kostoja e atyre konflikteve, reagimi i administratës së tij pas uraganit “Katrina”, kriza financiare dhe shtetëzimi i paprecedentë i sistemit bankar në SHBA do të bëjë që Bushi të largohet si Presidenti me përqindjen më të ulët të mbështetjes në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ia la vendin, Barack Obamës, i cili edhe ai vetë bëri historinë me zgjedhjen e tij si presidenti i parë afro-amerikan në SHBA./tiranaobserver

Related

Suplement 2611016809112332358

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item