Kur Evropa e përdorte kanibalizmin në mjekësi

A kanë qenë evropianët dikur kanibalë? Kërkimet tregojnë se deri në fundin e shekullit XVIII, mjekësia mbështetej vazhdimisht te "medik...


A kanë qenë evropianët dikur kanibalë? Kërkimet tregojnë se deri në fundin e shekullit XVIII, mjekësia mbështetej vazhdimisht te "medikamente" si gjaku, apo mishi i njeriut

A kanë qenë evropianët dikur kanibalë? Kërkimet tregojnë se deri në fundin e shekullit XVIII, mjekësia mbështetej vazhdimisht te "medikamente" si gjaku, apo mishi i njeriut. Sipas një recete, mishi i njeriut duhej prerë në copa apo shirita të vegjël, "të përzihej me rrëshirë dhe me pak aloe (një bimë gjembaçe)" dhe më pas të lihej i zhytur në verë për disa ditë. Pastaj duhej tharë "në vende shumë të thata dhe pa dritë". Në fund, thotë receta, duhet të ketë pamjen "e ngjashme me mishin e tymosur" dhe "nuk duhet të mbajë fare erë".

Johan Srëder, një farmakolog gjerman, i shkruante këto fjalë në shekullin XVII, por mishi për të cilin fliste nuk qe as ndonjë copë biftek viçi e as ndonjë pjesë delikate qengji. Instruksionet specifikonin "kufomën e një burri flokëkuq, rreth 24-vjeçar", i cili "kishte pësuar vdekje të dhunshme, por jo prej ndonjë sëmundjeje", që më pas "qe ekspozuar ndaj dritës së hënës gjatë gjithë natës dhe qe lënë në diell gjatë gjithë ditës". Autori nuk harron të vërejë edhe që qielli "qe i pastër".

Në shekujt XVI dhe XVII, recetat për medikamente të tilla, ku jepej informacion se si duhej vepruar me trupat e njerëzve, janë thuajse po aq të zakonshme, sa edhe ato mbi përdorimin e barishteve, rrënjëve e gjetheve. Historiani i mjekësisë, Riçard Sag, i universitetit britanik "Durham", i cili po shkruan tani një libër mbi këtë subjekt, thotë se pjesë të ndryshme dhe gjaku i kufomave përdoreshin gjithandej e gjendeshin në çdo farmaci. Flet edhe për furnizime të rregullta me produkte të tilla nga epoka e "kanibalizmit mjekësor". Sag është i bindur se kanibalizmi nuk u zbulua bashkë me Botën e Re, por ekzistonte prej kohësh në Evropë.

Në fakt, ekzistojnë burime të panumërta që përshkruajnë se si praktikohej kanibalizmi nga shëruesit e hershëm evropianë. Romakët e pinin gjakun e gladiatorëve si kurë kundër epilepsisë. Por duhej të vinte Rilindja evropiane që përdorimi i pjesëve të kufomave njerëzore të bëhej diçka normale në mjekësi. Pomadat e prodhuara nga mumiet egjiptiane shiteshin si "eliksir i jetës", tregon Sag. Në fillimin e shekullit XVII, shëruesit e kthyen vëmendjen te trupat e të ekzekutuarve, por edhe te kufomat e lypësve dhe të sëmurëve.

Paracelsusi, fizikani gjermano-zviceran, ishte një prej mbështetësve më të mëdhenj të përdorimit të trupave njerëzorë për qëllime mjekësore, praktikë që fitoi shumë popullaritet edhe në nivelet e larta të shoqërive. "Marrëzia mjekësore", siç e quan Sag, e Mbretit anglez Karli II, qe legjendare. Pagoi 6 mijë paund për një recetë, falë së cilës qe i mundur kthimi në gjendje të lëngët i trupave njerëzorë. Mbreti e përdorte produktin nga kjo teknikë thuajse çdo ditë, sa në historinë e mjekësisë ka hyrë si "gota e mbretit".

Shkencëtarët, aristokratët, ashtu si edhe njerëzit e thjeshtë, qenë tërësisht të bindur mbi vetitë shëruese të vdekjes. Antropologu amerikan, Bet Konklin, për shembull, duke iu referuar një burimi të shekullit XIX, shkruan se në Danimarkë epileptikët grumbulloheshin rreth strukturave të ekzekutimeve me kupa në duar, të gatshëm të pinin gjakun e të ekzekutuarve. Kafkat përdoreshin si medikament, ashtu si edhe myku që zinin. Mendohej se qe në gjendje të ndalte rrjedhjen e gjakut.

Dhjami njerëzor mendohej se qe në gjendje të kuronte reumatizmin dhe artritin, ndërsa një lloj paste e prodhuar prej kufomave besohej se qe në gjendje të kuronte shembjet. Sag i atribuon edhe domethënie fetare mishit njerëzor. Shkruan se për disa protestantë shërbente si zëvendësues i trupit të Krishtit gjatë ceremonive.

"Gjithçka kishte të bënte me besimin te vitaliteti i organizmit njerëzor", tregon historiani. Merrej me mend se të gjithë organizmat kishin një jetëgjatësi të paracaktuar. Në rast se një trup vdiste në rrugë jo të natyrshme, mund të përfitohej për të marrë nga ai pjesën tjetër të vitalitetit - gjë që shpjegon edhe parapëlqimin e të ekzekutuarve në këtë lloj mjekësie.

Por praktikimi i kësaj lloj mjekësie nuk sillte gjithnjë suksese. Në vitin 1492, kur Papa Inocenti VIII gjendej në pragun e vdekjes, mjekët e tij grumbulluan gjakun e tre djemve dhe ia dhanë ta pinte. Djemtë vdiqën, por po ashtu edhe Papa.

A mund të quhet e gjitha kjo kanibalizëm? Sag nuk ka asnjë dyshim që po. Ashtu si kanibalët e Botës së Re, evropianëve u interesonte veçanërisht konsumimi i energjisë jetike.

Madje për antropologen Konklin, forma evropiane e kanibalizmit qe veçanërisht mbresëlënëse. Vëren se jashtë Evropës, njeriu që hante, thuajse në të gjitha rastet kishte lidhje me njeriun që hahej. Kanibalizmi evropian, nga ana tjetër, qe "tërësisht asocial", shkruan, duke nënvizuar se pjesët e trupave njerëzorë tregtoheshin si mall: shiteshin e bliheshin për të nxjerrë fitime.

Megjithatë, në shekullin XVIII, kësaj marrëzie i erdhi fundi natyrshëm. "Në atë epokë, fizikanët nisën të shkëputeshin nga e shkuara supersticioze", vëren Sag. Për shembull, në vitin 1782, fizikani Uilliam Blek shkruante se ndjente neveri nga medikamentet "e shpifura e të padobishme", "si pluhuri i kafkave njerëzore". Këto budallallëqe të pabesueshme për fat të mirë janë zhdukur nga të gjitha farmacitë, vërente Blek.


Kështu i kishte ardhur fundi një epoke, dhe bashkë me të edhe interesit mbi receta si ato të Briton Xhon Kog. Predikuesi, i cili vdiq në vitin 1754, rekomandonte pluhurin e prodhuar nga zemra njerëzore për të luftuar "dembelizmin". Madje kishte dhënë edhe instruksionet për mënyrën e përdorimit: "4 gramë në mëngjes, me stomakun bosh".

Related

Suplement 2324625120909545108

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item