Reportazh në qytetin më magjik të Europës
Agim Pipa Udhëtoj me gondolë në Venecia… Vizatim në kohë Venecia është një qytet-ishull i madh, i bukur, që ngrihet mbi dallgët e detit...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/06/reportazh-ne-qytetin-me-magjik-te.html
Agim Pipa
Udhëtoj me gondolë në Venecia…
Vizatim në kohë
Venecia është një qytet-ishull i madh, i bukur, që ngrihet mbi dallgët e detit Adriatik, si një sirenë magjike dhe që, sipas legjendave, prej shekujsh është në kërkim të të dashurit të saj, i cili do ta bëjë një ditë të lumtur. Themelet e qytetit u hodhën në datën e largët 25 mars të vitit 421 pas L.K. Aty, mbi ujërat e gjelbra, që kishin sajuar dhjetëra, qindra kanale ujore mes ishullit, u ngritën më pas, mrekullisht dhe në mënyrë të pangjashme me asnjë qytet në botë, edhe themelet e banesave të para: shtëpitë, urat, vilat, rrugët lidhëse, si edhe e para katedrale, ajo e Santa Lucias, me themele që lagen nga ujërat e një lumi të gjerë që, tradicionalisht, quhet Kanali i Madh. Kanali është i gjatë mbi 2 km e i thellë mbi 4 m dhe ujërat e tij e ndajnë qytetin në dy pjesë, me nga tri lagje secila, njëra më e bukur se tjetra. Njëra më magjike dhe më e zhurmshme se tjetra, prej zërash të miliona njerëzve që e jetojnë dhe e vizitojnë në të katër stinët e vitit. Kush nuk ka parë Venecian, nuk ka parë Italinë, thonë në Romë, në Milano, në Bari a Friuli. Në Venecia jetoi dhe shkroi, për pak kohë, kolosi i letrave të përbotshme, tragjediani Uilliam Shekspir. Aty jetoi, u frymëzua dhe kompozoi Riçard Vagneri i famshëm. Shkroi poezi poeti i soneteve të dashurisë, francezi Alfred de Myse dhe dhjetëra e dhjetëra artistë të mëdhenj nga e gjithë bota… Por le të kthehemi te porta hyrëse e qytetit magjik. Te sheshi “Santa Lucia”. Aty ku bashkë me ujërat e Kanalit të Madh vërshojnë edhe mbi 15 milionë turistë në vit.
Unë, “dashnori” i Venecias
Qyteti i Venecias ndryshe quhet qyteti i urave dhe i psherëtimave, qyteti i dashurive dhe i gondolave të rralla, si në asnjë vend tjetër të botës. Në të gjitha rrugët e tij karakteristike, të fundosura përgjysmë në ujë, gjenden mbi 420 dyqane suvenirësh. Ndalem para një dyqani, buzë Urës së Madhe, te “Santa Lucia” dhe shoh si më buzëqeshin qindra maska. Njëra më magjike dhe më misterioze se tjetra. Një shitëse elegante më zgjat një maskë-diell me rreze të thyera. “Në do të të dhurojnë puthje në qytet, më cicërin në vesh veneciania e bukur, duhet të marrësh një maskë. Dhe juve, zotëri, ju shkon pikërisht kjo…”. Ndihem i përkëdhelur dhe vendos ta mbaj maskën. Pak më tutje, kur rruga futet në thellësi të qendrës së qytetit, më tërheq vëmendjen një grup i madh turistësh gjermanë. Ata festojnë fitoren e parë të ekipit të tyre në lojërat e Botërorit të Afrikës së Jugut dhe i shoh tek zbresin me flamuj dhe me këngë në gojë, në një kanal të ngushtë, që lag themelet dhe muret e kafenjta në një rresht të gjatë shtëpish dhe hotelesh. Kërkojnë të gjithë gondola. Për mua nuk ngelet asnjë. Heq maskën pakëz i pezmatuar dhe pres të vijë një taksi tjetër deti. Befas: “Ah, come, please, come here…”. Ky është një zë i njohur. Kujtohem. Është një turiste nga Hamburgu, me të cilën kam udhëtuar dy net më parë, nga Dizhoni i Francës drejt Italisë dhe me të cilën kemi ndarë vendet e fjetjes në compartimentin e ekspresit EuroExpress. Anna (kështu quhej gruaja nga Hamburgu) shtyhet në gondolën e saj, më bën vend dhe unë nuk e zgjas më. Kërcej mbi gondolë. Udhëtimi nis. Drejt qendrës së qytetit. Por deri atje ne kalojmë disa ura dhe disa stacione gondolash, që të gjitha plot e përplot me vizitorë nga e gjithë bota. Sipas gondolierit, një djalosh ezmer, i veshur si marinarët klasikë, në qytetin e ujshëm magjik lundrojnë mijëra gondola në ditë. Çdo gondolë është e punuar me dorë. Për ndërtimin e saj përdoren 8 lloje drurësh dhe, në vetvete, ajo përbëhet prej 280 pjesëzash të vogla. Qysh prej shekullit të 16, me ligj, gondolierët duhet të jenë venecianë dhe vetë gondola duhet të lyhet me 7 shtresa llaku të zi. Ndenjëset e gondolave janë të veshura të gjitha pa përjashtim me mëndafsh persian. I lumtur shtri krahët në hapësirë dhe nuk rresht së fotografuari gondola, varkat dhe autobusët, që më kalojnë si kometa shumëngjyrëshe ndanë gondolës, ku jam unë dhe gjermanët… Në fund, kur i afrohemi limanit në qendër të qytetit, para se gondolieri të ankorojë, mes zhurmash dhe britmash të gëzuara të gjashtë udhëtarëve gjermanë, Anna lakon krahët, ngre pakëz maskën time dhe maskën e saj, (një mace e verdhë në të kuqe) dhe zgjat buzët të më puthë. Lehtë, për t’u bërë pjesë e lojës dhe e ritit të të qenët “dashnorë” të Venecias… Pas pak bëhem pjesë e mijëra turistëve që vizitojnë qytetin përmes tokës.
Katedralet, si shpirti i qytetit, dhe sheshi “San Marco”
Nga katedralja e Santa Lucias deri në thellësi të qytetit janë me dhjetëra kishat e katedralet e mëdha me kupola të rrumbullakëta, me mure të lashtë bizantinë dhe ndërtuar sipas stilit barok. Te njëra prej tyre, në katedralen e San Xhorxhos, muret e jashtëm janë të bardhë në gri. Por brenda, në një hapësirë si në mes një kupe qiellore, dalloj qartë ngjyrat e gjelbra e të verdha, të kuqe e të kaltra të vizatimeve murale. Sipas kujdestares së kësaj katedraleje, tre nga afresket e mëdha që i japin asaj një vlerë të jashtëzakonshme, janë punime origjinale të mjeshtrit të madh paramesjetar të shekullit të 13, piktorit të shquar Ticianit. Një turiste meksikane kryen ritin e lutjeve, pikërisht në gjunjë të Shën Marisë dhe birit të saj, Jezuit. Lutem edhe unë. Për Shqipërinë time. Për fatet e njerëzve të mi dhe fatet e qindra mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali dhe nëpër botë. Ndez disa qirinj, më pas… Jashtë dielli ndriçon fort dhe pas rreth 200 metrave dalloj, mes shkallëve të bardha të një tjetër katedraleje madhështore me statuja të bardha mbi kreshpat e kulmeve, një çift që zgjedh disa video muzikore. Janë që të gjitha Rondo të famshme veneciane. Ndërsa pak më tutje, në një kinema-opera të bardhë, pranë katedrales së Santa Marisë, dhurohet dhe luhet muzikë e Vagnerit të madh. Bëhem pjesë e oqeanit të tingujve muzikorë të kompozitorit të famshëm… Si unë, me dhjetëra të tjerë. Kuptoj se sa më shumë futesh në thellësi të qytetit, aq më shumë e ndien erën e ngrohtë të detit të gjerë, që gjendet fare pranë nesh. Dhe ja tek shfaqet, pas disa rrugicash të kuqe, përshkuar nga kanale të mbushur me gondola dhe turistë, një tjetër katedrale. Por, ja, ja… pas mureve të saj, mbushur me statuja dhe një orë e rrumbullakët, ngjyrë ari, veneciane. Djathtas katedrales qiellin e pushton një kompleks, apo një grup gjigant katedralesh të tjera. Që të gjitha madhështore dhe buzë detit. Që të gjitha me afreske brilante të shekujve të shkuar, me statuja të arta e të mermerta. Të gjitha së bashku rrethojnë një shesh gjithashtu gjigant në formë zemre. Gjendem në sheshin e famshëm “San Marco”. Më i madhi në Venecia dhe një prej shesheve më të bukur në botë. Mendohet se Napoleoni i madh, ndërsa lutej në një prej katedraleve të këtij sheshi dhe përqafohej me miqtë e tij buzë detit, e quajti sheshin edhe “Dhoma e vizatimit të Europës”. Këtu shëtisin mijëra njerëz. Disa kambana, prej tre a më shumë katedralesh, buçasin njëkohësisht me tinguj që arratisen prej sheshit, deri thellë në qytet dhe prej andej, mes ujërave të kaltra të detit Adriatik. Aty tingujt e kambanave kryqëzohen me sirenat e kroçiereve të mëdha, që sjellin në Portin e Venecias edhe mijëra udhëtarë e turistë të tjerë. Atmosferë e jashtëzakonshme. Sheshi “San Marco” kthehet në vend përqafimesh dhe mijëra turistë fiksojnë kujtime përmes aparatesh dixhitalë. “O Zot, ku jam këtu?” - i flas vetes në heshtje. Por nuk kam kohë të mendohem gjatë. Sepse edhe këtu më shtyjnë dhe më fusin në një rreth të çrregullt, ku qindra njerëz vallëzojnë Shtrausin… Disa minuta më vonë ndihem i lodhur nga lumturia. Si në pak orë të jetës sime. Venecia, kjo magji e pakrahasueshme mes ujit dhe tokës, mes qiellit dhe detit, ngjesh gjurmën thellë, thellë në ndërgjegjen time dhe mua më duket vetja si një pulëbardhë, që pas disa orësh do të marrë fluturimin drejt qiejve të tjerë, fare afër. Drejt qiejve të Shqipërisë sime…