60 vjet pas Stalinit, çfarë fshihej prapa tij?

Spastrimi i madh 60 vjet pas Stalinit, çfarë fshihej prapa tij? Në Rusi pak muaj më parë u shënua 60-vjetori i vdekjes së diktatorit sovjeti...




Spastrimi i madh

60 vjet pas Stalinit, çfarë fshihej prapa tij?

Në Rusi pak muaj më parë u shënua 60-vjetori i vdekjes së diktatorit sovjetik Josif Stalin, i cili nga disa shihet si meritor për çuarjen e Rusisë nga fitorja në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa për të tjerët si njeri që organizoi spastrime masive dhe la miliona të vrarë.
Epoka e Josif Stalinit ishte kohë e terrorit, e ekzekutimeve në masë, kolektivizimit brutal dhe luftës më të tmerrshme që bota ka parë ndonjëherë. Zyrtarisht Bashkimi Sovjetik i Stalinit ishte një vend i paqes, i progresit, harmonisë e mbi të gjitha i dashurisë së pafund për vetë Stalinin. Ai ishte “babai i kombeve”, “kopshtar i lumturisë njerëzore”. Imazhi i tij ishte kudo. Koha e Stalinit njihet për kampet famëkeqe të quajtura “gulag”. Nga viti 1929 deri në vdekjen e Stalinit në vitin 1953 rreth 14 milionë njerëz kaluan përmes gulagut.
Rreth 1.6 milion njerëz vdiqën atje. Pas Luftës së Dytë Botërore më shumë se 1 milion ushtarë sovjetikë që iu kishin mbijetuar burgjeve naziste u dërguan në gulag.
Pas vdekjes së Stalinit në mars 1953 shteti komunist filloi të çmontonte sistemin e gulagut. Të burgosurit politikë filluan të lëshohen në vitin 1954 dhe sistemi u anulua zyrtarisht nga një dekret i Ministrisë së Brendshme më 25 janar 1960.
Anne Applebaum, një kolumniste në “Uashington Post” dhe autore e librit “Gulag: një histori” në një intervistë për radion “Europa e Lirë” shpjegon se është shumë e vështirë që të ndahet historia e gulaguut nga historia e Bashkimit Sovjetik. “Kjo histori ishte pasojë logjike e shumë politikave të tjera. Gulagu kishte funksionin ndëshkues. Ai krijoi frikën. U përhap shumë, kishte degët në të gjithë Bashkimin Sovjetik dhe të gjithë dinin për të. Gjithkush ishte i vetëdijshëm se ekzistonin. Nuk ishte një lloj pjese e fshehur e shoqërisë. Funksiononte si diçka që do të trembte njerëzit, por gjithashtu kishte një funksion shumë të rëndësishëm ekonomik”, – thotë në një intervistë për radion “Europa e Lirë” Applebaum. Më tej Applebaum rrëfen se për shkak të forcës punëtore që sistemi dërgonte në gulag, pushteti i atëhershëm nuk e kishte vështirë të gërmonte për miniera të reja të qymyrit apo arit, sikurse për të bërë edhe gërmime arkeologjike. Ajo thotë se gulagu ishte një perandori e madhe ekonomike, që kontrollonte fabrikat dhe zona të tëra të Rusisë.
Madje, ajo shpjegon se disa nga qytetet në Lindjen e Largët, në të cilat zbulohej pasuri natyrore, si Vorkuta, Norilsk, u formuan nga të burgosurit apo të internuarit në gulag dhe kësisoj u shtrembërua kahja e ekonomisë sovjetike.
Autorja në librin e saj thotë se Rusia ka bërë mirë që është distancuar nga politika staliniste. Por cila është situata në ditët e sotme në Rusi, ku sipas një sondazhi të një organizate të pavarur, “Levada”, mbështetja e rusëve për Stalinin është rritur krahasuar me vitin 1991, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik. “Aktualisht qeveria ruse nuk përpiqet të shtypë diskutimet mbi Stalinin, siç ka qenë një kohë, por përpiqet që me të të merret në mënyrë selektive. Andaj ka shumë pak diskutime mbi gulagun; ka pak diskutime për industrializimin”, – shprehet Applebaum, duke kritikuar edhe faktin se Stalinit i është dhënë shumë lavdi për fitoren në Luftën e Dytë Botërore, duke mos marrë parasysh humbjet tepër të mëdha të rusëve në këtë luftë. Ajo madje fajëson Stalinin se ka qenë ai që e filloi luftën. “Ai dhe Hitleri e ndanë Europën midis tyre në vitin 1939 në kohën e paktit ‘Molotov-Ribentrop’. Ata bashkërisht pushtuan Poloninë dhe shtetet baltike. Dhe kur më pas Hitleri sulmoi Bashkimin Sovjetik, Stalini nuk ishte i përgatitur, ndërsa miliona njerëz mbase nuk do të ishin të vdekur po të mos kishte bërë Stalini marrëveshje në fillim me Hitlerin”, – shkruan autorja.
Andaj ajo hedh poshtë vlerësimet për Stalinin si një menaxher i mirë, që e fitoi luftën. “Në të vërtetë e kundërshtoj këtë. Duhet të shihni kundërargumentet: çfarë mund të ishte Rusia, në qoftë se do të ishte zhvilluar ndryshe? Nuk do të kishim miliona njerëz të tretur, talente të tretura, arsim të tretur, jetë të tretura duke punuar si skllevër në kampet e punës. Të gjithë ata fizikanë që u dërguan të gërmojnë qymyr në Magadan mund të kishin shpikur diçka të shpejtë dhe më të mirë.” Dhe më poshtë ajo vijon: “Njerëzit mund të kishin jetuar më mirë. Mendoj se të imagjinohet se çfarë ka arritur Stalini, ishte një lloj triumfi, është njëlloj si të injorohet fakti se si do të mund të ishte zhvilluar ndryshe Rusia, po të mos kishte marrë rrugën e tij”, – shprehet Applebaum

Kush ishte Stalini?

Josif Visarionoviç Zhugazhvili (Stalin) lindi në Gori të Tbilisit )Gjeorgji) më 21 dhjetor 1878 dhe vdiq në Moskë (Rusi) më 5 mars 1953. Në moshë të re u fut në Partinë Socialdemokrate të Gjeorgjisë. Ndërkohë punonte tek Observatori astronomik. Për aktivitetin e tij politik arrestohet më 1900 dhe bën dy vjet burg. Autoritetet e ruajnë dhe e dënojnë përsëri me internim në Siberi. Prej internimit arratiset dhe kthehet në Tbilis. Pas largimit nga Rusia ai bëhet drejtuesi i gazetës “Lajmëtari i punëtorëve kaukazianë” në Finlandë. Këtu ai njihet me Leninin. Kthehet përsëri në Rusi dhe merret me propagandë, e cila do t’i kushtojë edhe një internim tjetër në Siberi. Këtu do të qëndrojë deri më 1917, viti i revolucionit bolshevik. Ndërkohë edhe reputacioni i tij ishte rritur shumë. Pas vendosjes së sistemit bolshevik Stalini hyn në qeverinë provizore si komisar i çështjeve të etnive minoritare. Më 1922 emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror. Deri më 1939, kur fillon Lufta e Dytë Botërore, nën drejtimin e Stalinit URSS bëri hapa gjigantë në industri. E gjithë Lufta e Dytë Botërore e popullit rus u mbështet te figura e Stalinit. Deri ditën që vdiq ai vendosi një sistem shtypjeje ndaj kundërshtarëve të tij, por dhe shtresave të ndryshme të tij. Pas vdekjes Kongresi XX i Partisë Komuniste Ruse e kritikoi vijën e ndjekur nga Stalini.

Dialogu i Stalinit dhe zyrtarëve të Jugosllavisë, ku flasin për Shqipërinë dhe shqiptarët

 Stalini: Shqiptarët besnikë si qeni

Dialogu i plotë:
Stalini – Si ju shkojnë punët me Shqipërinë? Enver Hoxha po ankohej rreth këshilltarëve tuaj politikë në armatën e tyre se kinse ju po ua dobësoni disiplinën. Si është puna?
Kardeli – Kjo për ne është diçka e re. Neve në lidhje me këtë nuk na kanë thënë asgjë.
Stalini – Çfarë prejardhje kanë shqiptarët?
Kardeli – Ata janë pasardhës të ilirëve.
Stalini – Më kujtohet kur Titoja më fliste se ata (lexo shqiptarët Sh. V.) janë shumë të ngjashëm me baskët.
Kardeli -Po, kjo është e vërtetë.
Stalini – Siç duket, ai popull është mjaft i prapambetur dhe primitiv.
Ndërhyn ambasadori Jugosllaven në Rusi, Vlladimir Popoviç – Por janë trima dhe besnikë të mëdhenj.
Stalini – Po, ata mund të jenë besnikë si qentë. Kjo është karakteristikë e popujve primitivë. Te ne ashtu besnikë kanë qenë çuvashët (popull në Rusi me prejardhje të përzier turko-finlandezo-ugare Sh. V.). Carët e Rusisë i mbanin për roja personale


Përgatiti Astrit Domi
Metropol


1 Nikolai Vasiljeviç Abramov: rus, lindur më 1890 në fshatin Lukerino. U arrestua më 5 tetor 1937. U ekzekutua më 21 tetor 1937.
2. Aleksandra Ivanovna Chubar: armene, lindur më 1903 në Artemivsk, Donetsk Oblast, Ukrainë. U arrestua më 4 korrik të vitit 1938. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 28 gusht të vitit 1938.
3. Aleksei Zheltikov: rus, lindur në vitin 1890. U qëllua më 1 nëntor të vitit 1937.
4. Boris Nikolajeviç Rozenfeld: rus, lindur më 1908 në Shën-Petërburg. I arrestuar më 31 janar 1935. U vra më 13 korrik të vitit 1937.
5. Gavrill Sergejeviç Bogdanov: rus, lindur në vitin 1888 në fshatin Aminevo. U arrestua në gusht të vitit 1937 dhe po këtë muaj u ekzekutua.
6. Vasili Semjonoviç Kurenkov: rus, lindur më 1886. U ekzekutua më 21 gusht të vitit 1937.
7. Semjon Nikolajeviç Kreçkov: rus, lindur në fshatin Ponizove në vitin 1876. U ekzekutua më 25 nëntor 1937
8. Marfa Iliçna Rjazantseva: ruse, lindur në vitin 1866 në Makhaçkala. U dënua me vdekje në tetor të vitit 1937. U ekzekutua më 11 tetor të vitit 1937.

Related

Suplement 4577149731335284819

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item