Dhjetë gjërat që mund të mos i dini për Indinë
Për shumë njerëz, të shkruash për Indinë nënkupton të shkruash për klishe të tilla si diarreja e Delhit, trafiku i mbingarkuar, burokracia, ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/06/dhjete-gjerat-qe-mund-te-mos-i-dini-per.html
Për shumë njerëz, të shkruash për Indinë nënkupton të shkruash për klishe të tilla si diarreja e Delhit, trafiku i mbingarkuar, burokracia, korrupsioni dhe joga. Po ja dhjetë gjëra të pazakonta…
Nënkontinenti indian
Rajini Vaidyanathan
Për shumë njerëz, të shkruash për Indinë nënkupton të shkruash për klishe të tilla si diarreja e Delhit, trafiku i mbingarkuar, burokracia, korrupsioni dhe joga. Po ja dhjetë gjëra të pazakonta…
1. Pothuajse askush nuk paguan taksa
Vetëm 3 për qind e indianëve paguajnë taksa, në një popullatë prej 1.2 miliardë banorësh. Një shpjegim për këtë është që bujqësia është e përjashtuar nga taksat dhe dy të tretat e indianëve jetojnë në zonat rurale. Një pjesë e madhe e ekonomisë është gjithashtu informale, punë e paorganizuar, ku është e vështirë të mbledhësh taksa. Shumë argumentojnë se disa nga problemet financiare të vendit mund të zgjidhen me një lëvizje të vetme, në rast se ky evazion i stërmadh mbyllet.
2. Rritja e “detektivit të martesave”
Një mik i imi më tha se, para martesës së tij me shkuesi, ai pati mësuar se kunetërit e tij të ardhshëm patën punësuar një detektiv privat për të kontrolluar nëse ai kishte pasur apo jo një të dashur në të shkuarën. Përgjigjja ishte që ai kishte pasur, por për fat të mirë, detektivi nuk kishte arritur ta zbulonte dhe dasma vijoi normalisht.
Rritja e kompanive që ofrojnë këtë shërbim është e jashtëzakonshme. Aktualisht ka 15 mijë të tilla. “Nuk është të spiunosh”, thotë një grua që përdori këtë shërbim për të kontrolluar të shkuarën e dhëndrit të ardhshëm të motrës së saj. “Ai na tha ne se vinte nga një familje e mirë, por ne duhej të siguroheshim se po thoshte të vërtetën”.
3. Më shumë lexues
Ndërsa në vendet perëndimore gazetat po braktisen gjithnjë e më shumë, industria e shtypit në Indi, në fakt, është në periudhë bumi. Rritja e numrit të njerëzve që dinë shkrim e lexim dhe përdorimi relativisht i ulët i internetit si dhe numri i stërmadh i gjuhëve që përdoren në këtë vend, nënkupton se më shumë njerëz hyjnë në praktikën e leximit të gazetave në mëngjes.
Është gjithashtu shumë e lirë të blesh një gazetë, gjë që ka zgjeruar numrin e lexuesve mes të gjitha klasave shoqërore. Një arsye tjetër për rritjen e gazetave të vogla komunitare është rritja e ekonomisë dhe rrjedhimisht rritjes së numrit të reklamave, të cilat financojnë publikimet. Ajo që është mbresëlënëse është edhe tregu i konsiderueshëm i gazetave dhe revistave të përdorura.
Ti mund të blesh një revistë, ta lexosh dhe ta shesësh sërish te një njeri anës rrugës, i cili do t’ia ofrojë një tjetri. Ka njerëz që janë shumë të lumtur të lexojnë një kopje të “The Economist” të para një viti, pasi kushton shumë më lirë se sa një kopje e ditëve të fundit.
4. Zhurmë burish = shpim pneumatik
Të pikturuar në fundin e pothuajse të gjithë kamionëve dhe mauneve janë fjalët “Bjeri Burisë, ju lutem”. T’i biesh burisë është e nxitur në Indi për shoferët që gjenden pas një makine tjetër. Problemi është se ato nuk përdoren me kursim. Një shofer më tha se ai i binte burisë së tij së paku 150 herë në ditë, sipas një vlerësimi goxha të përmbajtur, duke marrë parasysh trafikun e rëndë gjatë të cilit burisë mund t’i bihet një herë çdo 30 sekonda. Një buri mesatare prodhon një zhurmë prej afërsisht 93 decibelësh, e barabartë kjo me një shpim pneumatik. Zhurma e përgjithshme e burive në kohë trafiku është e barabartë me një avion të stërmadh që po ngrihet në fluturim. Një zhurmë shurdhuese në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës.
5. Është një vend të rinjsh
India është një komb të rinjsh. Më shumë se gjysma e 1.2 miliardë banorëve të saj janë më pak se 25 vjeç dhe dy të tretat janë më pak se 35 vjeç.
Shumë indianë të rinj kanë ndjenjën e vetëbesimit mbi kombin e tyre dhe nuk po shohin më drejt Perëndimit. Mumbai po bëhet një skenë muzikore që konkurron Bruklinin dhe talentet vendëse të muzikës po lulëzojnë. Shumë të rinj po heqin dorë nga profesionet tradicionale dhe po ndërmarrin karrierë në arte.
Një festival muzike e zhvillon aktivitetin në fusha apo shkretëtira ndërsa qytetet e mëdha si Banglore, Delhi, Mumbai dhe Çenai po bëhen qendra të mëdha muzikore.
6. Kudo që shkon, sheh karrige plastike
Karriget plastike gjenden gjithkund në Indi, dukshëm për shkak se janë të lira.
7. Dhe ata po vendosin shumë dhjamë
“Oh, ti ke vënë ca kile”, tha menaxherja ime e bankës me një buzëqeshje në fytyrë. Fillimisht u tmerrova, pastaj fillova të mësohem me konceptin që në Indi, kilet e tepërta konsiderohen kompliment, një shenjë që po dukesh i shëndetshëm. Por ishte surprizë kur mësova se India tashmë është në prag të një epidemie obeziteti, (jo vetëm me njerëzit, por edhe me kafshët).
Po të ndalosh në çfarëdolloj vendi do të shohësh radhë të gjata me indianë që po ushqehen me McDonalds apo me ushqime të tjera të përpunuara. Është konsideruar gjithmonë e zakontë që një indian mesoburrë të krenohet me mullën e tij me dhjamë, dhe ndërsa pjesë të konsiderueshme të Indisë vijojnë të luftojnë kequshqyerjen, me miliona që po vdesin çdo ditë, ka një rritje të konsiderueshme të përmasave të belit nëpër qytete.
8. Sëmundja e të pështyrit
Mumbai ka emëruar një “inspektor për të pështyrit publik” për të gjobitur ata që e bëjnë në rrugë. Shumë njerëz pështyjnë pasi konsumojnë një paan, një përzierje erëzash me gjethe palme dhe në disa raste, duhan, – gjë që përtypet por nuk kapërdihet. Kjo krijon një pështymë të kuqërremtë që mund të shihet nëpër anët e shumë mureve të bardha. Është e zakontë të shohësh shenja “mos pështy” në taksi apo në biçikleta taksish apo në ballë të ndërtesave. Por ka shqetësime për faktin se pështymat e shumta po bëhen shkaktarë të përhapjes së tuberkulozit. Rrjedhimisht ka edhe një fushatë kundër të pështyrit në vend.
9. Pastruesit e veshëve në rrugë
Çdokush që ka qenë në Indi edhe për pak ditë, do të jetë i njohur me ekonominë e fuqishme anës rrugës, që përbën pjesën dominuese të jetës në vend.
Vendosmëria e njerëzve në këtë vend është më e madhe se në çfarëdo vend tjetër – ka njerëz që shesin apo shërbejnë gjithçka. Të është prishur çadra? Dikush do të ta riparojë. Dëshiron të rilyesh këpucët? Dikush do të vijë në shtëpinë tënde për ta bërë. Ç’mendim keni për një qethje flokësh anës rrugës? Pastaj ka edhe gjëra më serioze si p.sh., rregulluesit e kockave anës rrugës, njerëzit që do të riparojnë fraktura, plus pastruesit e veshëve apo rregulluesit e dhëmbëve (d.m.th shkuljes së dhëmbëve të prishur).
Ajo që është mbresëlënëse është se si këto shekuj traditash janë ende të fuqishme. Disa kanë frikë se këto tradita janë të kërcënuara, ku gjeneratat e ardhshme do të zgjedhin të ndjekin shkollën dhe rrugë të tjera në vend që të ndjekin biznesin e familjes, si dhe për shkak se disa qytete po përpiqen t’i largojnë ato nga trotuaret.
10. Mos vish rroba të reja për ditë të shtunë
India mund të jetë shtëpi e disa prej shkencëtarëve më të mirë të botës, por shumë gjëra nga racionaliteti mund të përfundojnë në koshin e plehrave përballë supersticioneve të lashta. Njerëz të ndryshëm kanë supersticione të ndryshme, të tilla si – mos vish rroba të reja në ditë të shtunë, mos e pastro shtëpinë gjatë natës nga frika se tremb perëndeshën Lakshmi, sjell fat të keq të japësh apo të pranosh ndonjë gjë me dorën e majtë. Për kaq shumë njerëz në Indi – të pasur apo të varfër – respektimi i këtyre zakoneve është ende pjesë e shoqërisë së sotme. Makinat fringo të reja kanë një kurorë me lule që varet mbi tavan për shkak se konsiderohet si fat i mbarë që ta bekosh makinën para se t’i japësh asaj. Speca djegës varen në makina mbi dyert e para për të larguar djallin. Shumë avionë nuk kanë karrige 13, për shkak se njerëzit nuk pranojnë të ulen në karrigen që mbart numrin e pafat.
Disa fjalë të anglishtes së Indisë
Prepone – Të afrosh një ngjarje apo një takim
Revert – të rikthehesh në kontakt me dikë
Only – i shtohet fjalive në fund
Out of station – Jashtë qytetit
You’ve pulled down – literalisht ‘Je këputur’ praktikisht, ke humbur peshë.
I’ll do the needful – Do të kërkoj çfarë të jetë e nevojshme
They expired – Ata vdiqën