10 arsyet se pse kaq shumë njerëz po ikin në Teksas
Jo shumë kohë më parë, Teksasi ishte një sipërfaqe e stërmadhe toke shumë pak e banuar. Njihej më së shumti për bagëtinë e panumërt që mund...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/06/10-arsyet-se-pse-kaq-shume-njerez-po.html
Jo shumë kohë më parë, Teksasi ishte një sipërfaqe e stërmadhe toke shumë pak e banuar. Njihej më së shumti për bagëtinë e panumërt që mund të rriste në kullotat e pafundme. Por tani është tjetër gjë…
Popullata
Tom Geoghegan
Gjysma e dhjetë qyteteve me rritje më të shpejtë demografike në SHBA janë në Teksas. Po pse ndodh kjo? Sido që ta shohësh, është e qartë. Jashtëzakonisht shumë njerëz po lëvizin nga pjesa tjetër e Amerikës për në Teksas. Pesë nga dhjetë qytetet që shënuan rritje të popullsisë mbi 4 për qind gjatë vitit të kaluar, qenë në Teksas. Këto janë të dhënat e Byrosë së SHBA-së për Censusin. Nju Jorku nuk është në këtë listë kur shikohet popullata shtesë, por Hjustoni është i dytë dhe San Antonio dhe Ostin janë në vend të katërt dhe të pestë.
Në kuptim të rritjes në përqindje, kemi edhe më shumë Teksas, Teksas dhe Teksas. Mes pesë qyteteve që u rritën më shpejt, si përqindje e përmasave të veta, mes 2011 dhe 2012, tre janë në Teksas. San Markos është në ballë me rritjen 4.9 për qind të popullsisë brenda një viti, më e larta për të gjitha qytetet amerikane.
Një pjesë e bumit të popullsisë në Teksas është si pasojë e rritjes natyrore – më shumë lindje se sa vdekje – por numrat e atyre që lëvizin nga një shtet në një tjetër në SHBA si dhe nga jashtë vendit me destinacion Teksasin, janë me të vërtetë të konsiderueshme. Po pse?
1. Vende pune
“Nuk mendoj se njerëzit shkojnë atje për motin apo topografinë”, thotë Joel Kotkin, profesor i zhvillimit urban në Universitetin Chapman në Kaliforni. “Arsyeja kryesore se pse njerëzit ikin në Teksas është punësimi. Është shumë e thjeshtë”.
“Gazi dhe nafta jokonvencionale që po zhvillohet atje e ka kthyer Teksasin në pararojën e zhvillimit ekonomik, veçanërisht në kryeqytetin e energjisë së botës, në Hjuston, por rritja ka qenë e fuqishme edhe në teknologji, manifakturë dhe shërbime”.
Kritikët kanë shtruar pyetjen se mos “Mrekullia e Teksasit” është një mit, i bazuar te puna e lirë dhe rregullat e dobëta. Por Kotkin thotë Teksasi ka shumë vende pune me paga të larta dhe kollare blu (punë profesionistësh) si dhe vende pune për të diplomuarit nga universitetet, megjithëse njerëzit që po kërkojnë për paga me të vërtetë të larta ka gjasa që nisen për në Siatëll, San Francisko apo Nju Jork.
Katër nga dhjetë zonat metropolitane kryesore për rritjen e numrit të vendeve të punës më 2013-n janë në Teksas, sipas faqes së internetit të Kotkin, “New Geography”.
Teksasi ka edhe një prani ushtarake të stërmadhe, e cila është rritur ndërsa shpenzimet për mbrojtjen janë rritur në dekadën pas 11 shtatorit 2011. Shumë teksanë në pension erdhën në këtë shtet fillimisht si ushtarakë.
2. Është më i lirë
Pasi punësohesh, është shumë e rëndësishme që paga juaj të të lejojë të bësh më shumë gjëra, thotë Kotkin.
“Nju Jorku, Los Anxhelosi dhe San Francisko janë tepër të shtrenjta për shumicën e njerëzve, por Hjustori ka pagën më të lartë ‘efektive’ në vend”.
Kotkin erdhi në këtë konkluzion pasi pa të ardhurat mesatare në 51 zonat më të mëdha metropolitane të vendit dhe i korrektoi ato me koston e jetesës. Rezultati i tij është që në tri zona në Teksas, merren paga më të larta në raport me koston e jetesës.
Hjustoni është në krye për shkak të kostos relativisht të ulët të jetesës në këtë zonë, përfshirë çmimet konsumatore, faturat e dritave e ujit dhe koston e transportit dhe, më e rëndësishmja, çmimeve të shtëpive.
“Raporti i çmimit mesatar të shtëpisë me të ardhurat mesatare të familjeve në Hjuston është vetëm 2.9. Pra me 2.9 vite të ardhura, mund të blihet një shtëpi. Në San Francisko është 6.7. Në Nju Jork, San Francisko dhe Los Anxhelos, nëse je një punëtor me kollare blu (shtresë e mesme) do të mbetesh duke paguar qira për të gjithë jetën dhe duke vuajtur për të plotësuar nevojat. Por njerëzit në Teksas kanë një mundësi më të madhe për të pasur gjërat e lidhura me jetën e shtresës së mesme”.
3. Shtëpitë
Toka është më e lirë se gjithkund tjetër dhe procesi i blerjes së tokës është shumë eficient, thotë dr. Ali Anari, ekonomist në qendrën e pronave të patundshme në Universitetin e Teksasit A&M.
“Nga koha kur merr një leje ndërtimi deri te përfundimi i ndërtimit, Teksasi është shumë më i shpejtë se sa shtetet e tjera. Ka ofertë të bollshme toke dhe shumë më pak rregulla dhe qeveri shumë më miqësore. Në përgjithësi ka një sjellje më të mirë kundrejt biznesit se sa në shtetet e tjera”.
Ky fleksibilitet, plus rregullat strikte të kreditimit, kanë ndihmuar shtetin të shpëtojë nga kolapsi i tregut të shtëpive që përfshiu Amerikën gjatë viteve të fundit.
4. Taksa të ulëta
“Unë u zhvendosa këtu sepse u detyrova”! Jeff Paradise, 32 vjeç, punon për një kompani sigurimesh dhe u zhvendos në Dallas më 2011, por shpesh kthehet për të parë partneren e vet Ryan në Nju Jork, ku ka lindur.
“Unë kam qenë në shumë qytete në SHBA dhe Dallas me gjasa është më i papëlqyeshmi. Një arsye se pse unë jam këtu është për shkak të financave. Kam me të vërtetë një punë të mirë, por unë punoj 70-80 orë në javë dhe nëse do të kisha më shumë kohë, do të punoja edhe më shumë. Është një qytet i ri amerikan, i gjithi shumë i shpërndarë sepse u ndërtua në vitet ‘60 apo ‘70 kur gjithçka qe për makinat dhe autostradat. Por qyteti po ndryshon gjatë viteve të fundit dhe ata po përpiqen të përmirësojnë transportin publik. Unë marr trenin dhe është i pastër, i përpiktë dhe më i lirë se sa në Nju Jork.
Teksas është një nga vetëm shtatë shtetet ku banorët nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat personale për shtetin. Shteti ka taksa mbi pronat tepër të larta, gjë që janë bërë një burim i madh ankesash nga pronarët. Por në tërësi, vetëm pesë shtete kanë ngarkesë fiskale mbi individët më të ulët se sa Teksasi.
Taksat e ulëta në Teksas janë gjithashtu si pasojë e faktit që shteti i Teksasit ka shumë naftë dhe një taksë që merret për çdo fuçi naftë të nxjerrë, gjë që krijon pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit dhe rrjedhimisht, i lejon vetes të taksojë më pak qytetarët. Këtë javë, ligjvënësit në Teksas kryen 1 miliard dollarë shkurtim taksash.
5. Zgjidh qytetin tënd të madh
Teksasi ka 6 nga 20 qytetet më të mëdha të SHBA-së, thotë Erica Grieder, autore e librit “I Madh, i Nxehtë, i Lirë dhe i Drejtë: Çfarë mund të mësojë Amerika nga gjenialiteti i çuditshëm i Teksasit”.
Në kontrast me këtë, për shembull, nëse zgjedh për të jetuar Ilinoisin, si mund të vendosesh në Çikago, qyteti i vetëm i madh i shtetit, ose të shkosh në një shtet tjetër. Por nëse zgjedh Teksasin, atëherë mund të shkosh të jetosh në Hjuston, San Antonio, Dallas, Ostin, Fort Uroth apo El Paso.
6. Dhe Ostin në veçanti
Menaxheri i restorantit Christopher Hislop, 33 vjeç, u zhvendos në Ostin nga Los Anxhelosi, ku takoi bashkëshorten e tij dhe tashmë ata kanë një djalë nëntë muajsh.
“Unë erdha në Ostin për një dasmë dhe mendova se ishte me të vërtetë një qytet shumë i këndshëm, ku njerëzit janë të mirë – qe gjithçka që Los Anxhelosi nuk është. Jeta e natës është e shkëlqyer dhe këtu ka një prirje për të dalë vërdallë – ata mirëmbajnë linjat e autobusit dhe natyrën.
Nuk është fare Teksas dhe kjo është çfarë unë pëlqej. Unë nuk e njoh Teksasin shumë mirë, jam rritur në Çikago, por Ostini nuk është Teksasi siç e mendojmë ne, pra kapele teksane dhe njerëz me kuaj. Është një klishe, por Ostini nuk është kështu. Pjesa tjetër e Teksasit është shumë konservatore.
Njerëzit pëlqejnë të besojnë te miti se Ostini është ende Ostini që ishte dikur, thotë Joshua Long, autori i librit “Qyteti i çuditshëm: Ndjenja e vendit dhe rezistenca krijuese në Ostin, Teksas”. Ai është bërë një qytet i madh, një lëvizje që është zhvilluar “për ta mbajtur atë interesant, për ta mbajtur të çuditshëm dhe për ta mbajtur miqësor me mjedisin”.
7. Miqësor për familjet
Për shkak të shtëpive me çmim të mirë, Teksasi ka qenë veçanërisht popullor për familjet dhe disa nga qytetet e saj tashmë kanë numër fëmijësh mbi mesataren kombëtare. San Antonio është shtëpia e bashkësisë më të madhe të familjeve me prindër gej.
Në Teksas, ti mund të kesh një kredi për shtëpi të arsyeshme dhe shkolla shumë të mira, thotë Grieder. Dhe restorantet janë në masë miqësorë me familjet.
“Ju dëgjoni mbi normat e larta të braktisjes së shkollave por arsimimi në Teksas performon shumë mirë në testet kombëtare për nxënësit e klasës së katërt dhe të tetë në matematikë, lexim dhe shkencë.
“Perceptimi është që Teksasi ka shkolla të dobëta, por kjo nuk është korrekte. Në të gjithë vendin në përgjithësi, ne nuk kemi shkolla aq të mira sa do të donim t’i kishim”.
Në matematikën për klasën e tetë, për shembull, Teksasi mori më shumë pikë se sa mesatarja kombëtare dhe kapërceu tri shtetet më të mëdha të Kalifornisë, Nju Jorkut dhe Floridës. Këtë javë, u miratua buxheti i arsimit, i cili i hoqi shkurtimet e shpenzimeve të kryera në vitin 2011.
8. Më pak rregulla
“Teksasi është liberal në kuptimin klasik, ka një sistem shumë të fuqishëm laissez-faire, pra ka mungesë rregullash”, thotë Grieder dhe kjo është e vërtetë si për ato të dukshmet (rregullat për biznes), ashtu edhe për ato të padukshme, rregullat për urbanistikën e qytetit.
Kontrata sociale klasike është – ne nuk do të bëjmë shumë për t’ju ndihmuar, por ne nuk do t’ju bllokojmë rrugën. Kjo nuk është 100 për qind e vërtetë për shtetin, por është faktori ku qëndron suksesi.
Kreditë për shtëpi janë një shembull i qartë. Ka pasur kundërshtim të ashpër për ndalimin e dërgimit të SMS-ve gjatë kohës që je në timon si dhe për propozimin e një takse për sodën.
Guvernatori Rick Perry është i vendosur të firmosë ligjin më të ashpër të privatësisë së postës elektronike në SHBA, e cila do t’u kërkojë agjencive ligjzbatuese të shtetit të marrin një leje nga gjykata para se të kontrollojnë një email.
9. Teksanët janë njerëz normalë
Njerëzit ëndërrojnë të zhvendosen në Kaliforni, por ata nuk ëndërrojnë të zhvendosen në Teksas, thotë Grieder, dhe disa madje janë refuzues kur vijnë, por në fund e pëlqejnë atë.
“Kur vijnë, njerëzit e kuptojnë se teksanët nuk janë thjesht duke shtrënguar në njërën dorë Biblën dhe në dorën tjetër një pistoletë. Detyra jonë është t’i bindim ata të vijnë, por pasi të vijnë ata e kuptojnë se është shumë e këndshme të jetosh këtu.
Imazhi konservator dhe fetar është i ekzagjeruar. Shteti natyrisht që anon djathtas, por nuk është shtypës. Të drejtat fetare janë shumë të dëgjuara dhe grupimet janë shumë të organizuara por zakonisht ato nuk fitojnë në çështje të ndryshme. Interesi i biznesit formon një bllok kundër tyre dhe ka tendencën të triumfojë në fund të ditës”.
10. Dhe vetë teksanët nuk largohen
E gjitha kjo nuk sjell vetëm banorë të rinj në Teksas. Vetë ata që kanë lindur aty nuk po largohen nga ky shtet për të shkuar diku gjetkë. Është shteti “më me rrënjë të forta” në vend, sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kërkimore Pew, e cila sugjeron se më shumë se tre të katërtat e mazhorenëve që kanë lindur në Teksas, vijojnë të jetojnë aty. Alaska është vendi me rrënjët më të dobëta.
Ku kanë mbërritur?
Në Teksas, në vitin fiskal 2011-2012 kanë mbërritur 211 mijë banorë të rinj. Në Karolinën e Veriut, 60 mijë. Në Virxhinia, 41 mijë.
Qytetet me rritjen më të shpejtë në SHBA (%)
1: San Markos, Teksas (4.91)
2: Suth Xhordan, Utah (4.87)
3: Midland, Teksas (4.87)
4: Cedar Park, Teksas 4.67)
5: Clarktaun, Tenesi (4.43)
6: Alfareta, Xhorxhia (4.37)
7: Xhorxhtaun, Teksas (4.21)
8: Irvine, Kalifornia (4,21)
9: Bukeje, Arizona (4.14)
10: Konroe, Teksas (4.01)
Burimi: Byroja e Censusit, 2011-‘12
Teksanët që lanë gjurmët e tyre në botë
Roy Orbison pati lindur në qytezën e vogël Vernon më 1936. Ai u bë një këngëtar i famshëm roku.
Joan Crawford, me emrin e lindjes Lucille Fay LeSueur, erdhi nga një familje e varfër e San Antonios. U bë e famshme pasi pranoi Oskarin ndërsa ishte e sëmurë në krevat.
Me emrin JR Ewing, Larry Hagman u bë fytyra e telenovelës së gjatë “Dallas” dhe një nga burrat më të famshëm të Teksasit.
Nga Teksasi qenë edhe grabitësit e famshëm Bonnie dhe Clyde, këngëtarja Janis Joplin, çiklisti Lance Amstrong etj.
Nga Teksasi kanë qenë dy presidentë: Lyndon Johnson dhe Dwight Eisenhower, ndërsa George W. Bush, i lindur në Konektikat, u rrit në Teksas
Pse unë jetoj në Ostin?
“Hjustoni është një qytet, San Antonio është një qytet, por Ostin nuk më ngjan si ato”, thotë James McMurty, këngëtar folku i lindur në Teksas.
“Unë e pëlqej atë sepse është në distancë të barabartë nga të dy brigjet dhe mund të marr kamionin tim dhe të udhëtoj në bregun perëndimor dhe pastaj të udhëtoj përgjatë atij bregu për tri javë e të kthehem në shtëpi. E unë mund të bëj të njëjtën gjë nëse zgjedh të udhëtoj në bregun lindor. Është tepër në jug dhe nuk merr shumë kohë kështu që ti nuk ndien diferencë të madhe. Dhe Ostini është një pikë blu (demokrate) në një det të kuq.”
Dhe pse disa mund të mos zhvendosen në Teksas
Moti – vera është e nxehtë. Shumë e nxehtë
Trafiku po rëndohet në qytetet e mëdha
Nuk është i mirënjohur për jetë nate të larmishme, me përjashtim të Ostinit
Nëse urren futbollin amerikan (veçanërisht Brigjatët e Universitetit të Teksasit), do ta gjesh veten në minorancë