Çfarë mund të thotë dikush për njeriun që besonte se muzika ekziston për nderimin e Perëndisë dhe për kënaqësinë e zemrës?

JOHANN S. BACH, POETI I TINGUJVE Çfarë mund të thotë dikush për njeriun që besonte se muzika ekziston për nderimin e Perëndisë dhe për kënaq...


JOHANN S. BACH, POETI I TINGUJVE


Çfarë mund të thotë dikush për njeriun që besonte se muzika ekziston për nderimin e Perëndisë dhe për kënaqësinë e zemrës? U karakterizua si "poeti i tingujve, gjiganti i papërkulur, i palodhur dhe misterioz", duke besuar gjithmonë në misonin fetar të muzikës, një njeri që tregonte mirënjohjen e tij ndaj Perëndisë, pavarësisht të gjitha aventurave dhe testimeve që kaloi gjatë gjithë jetës së tij. Fetarizimi i tij, muzika dhe vdekja do të lënë shenja të thella tek Bahu, që nga fillimi e deri në fund. Karakteristikat kryesore të këtij kompozitori të madh ishin fuqia e shpirtit dhe kreativiteti, që nuk u përkulte kurrë ndaj vështirësive, por çdo herë çelikoste psikikën e tij dhe vazhdonte të kompozonte gjithmonë në shenjë mirënjohje ndaj Perëndisë dhe duke falur njerëzit.
U lind në Ajzenah të Gjermanisë më 21 mars të vitit 1685. Në të njëjtën ditë vdes vëllai i tij, Johan Jonas. Familja e tij kishte humbur deri atëherë 2 fëmijë nga murtaja që korrte zonën e Turingit. Vijon një seri vdekjesh në familje me kulmin e tyre, vdekjen e prindërve të Bahut, fillimisht të së ëmës dhe në vazhdim të të atit. Kështu, në moshën 10-vjeçare, Sebastiani i vogël mbetet jetim dhe vendoset në shtëpinë e vëllait tij të madh, Johan Kristof, në Orndruf, i cili ishte i emëruar si organist. Sebastiani i vogël dallohet për aftësitë e tij muzikore, duke krijuar gati zilinë e vëllait të tij, i cili refuzon për t'i dhënë partiturat e muzikantëve të mëdhenj me veprat e tyre të vështira, që ai vetë vështirësohej për të interpretuar, nga frika se Bahu do t'ia kalonte. Kështu, Sebastiani kopjon fshehurazi, gjatë natës, veprat e kompozitorëve të vjetër, që të mos kuptohej nga vëllai i tij.
Në moshën 15-vjeçare braktis shtëpinë e të vëllait të tij për të kërkuar një jetë më të mirë dhe për të testuar fuqitë e tij. Vendoset në Lineburg ku punon pa pushuar për të mbijetuar dhe vendos kanditaturën për vendin e organistit të Zangerhauzen. Ky vend do ta ndjekë dhe më vonë në kisha të ndryshme, ku merr edhe kompetenca të tjera si arsye e aftësive të tij organizative dhe njohurive të tij teknike përsa i përket instrumenteve të kishave. Titulli i Kantorit është përputhur me emrin e Bahut.
Në moshën 18-vjeçare, tashmë i njohur, zotëron vendin e organistit në Arnstad, qytetin që do ta shenjojë atë si për mirë ashtu edhe për keq. Në drejtimin e një kori, të përbërë nga të rinj të së njëjtës moshë me atë, apo dhe më të mëdhenj, ka probleme mosbindjeje dhe si rezultat sillet shumë ashpër kundër tyre, duke marrë kritika, por edhe sulme, akoma edhe nga përgjegjësit e kishës. Nuk tregonte asnjë lloj butësie përsa i përkiste çështjeve të muzikës dhe ishte njëlloj i rreptë edhe me veten e tij gjithashtu. Kërkonte perfeksionin dhe nuk falte as devijimin apo eksperimentimin më të vogël në ligjet dhe rregullat e artit. Duke parë reagimet dhe pa dashur të bëjë kompromise, vendos të japë dorëheqjen nga drejtimi i korit, diçka që krijoi shumë komente në shoqërinë e vogël të Arnstadit. Për të lehtësuar situatën, Bahu vendos të largohet nga qyteti dhe kështu i jepet mundësia të ndjekë mësimet e Bukstehunde, një nga muzikantët më të mëdhenj të asaj periudhe.
Në vitin 1708, e gjejmë organist dhe drejtor muzike në oborrin e Vajmarit dhe të martuar me Maria Barbarën. Bashkë do të sjellin në jetë shtatë fëmijë, nga të cilët vetëm katër do të mbijetojnë. Pas dymbëdhjetë vitesh martesë do të humbë edhe bashkëshorten e tij nga një epidemi vdekjeprurëse. Megjithatë nuk do të pushojë së kompozuari kantatet e tij, ku falenderon Perëndinë, por edhe i lutet që ta lehtësojë nga hidhërimet dhe t'i falë vdekjen. Karakteristika e këtij qëndrimi janë kantatat "I shenjtë njeriu që i nënshtrohet testimeve", "Përjetësia, fjalë që të djeg si rrufeja", "Pranoj me gëzim të ngre kryqin tim", por edhe tek "Psherëtimat, lotët e mi", "Sa hidhërim!", "Ah, sa e kotë jeta njerëzore". Por megjithatë nuk tërhiqet. Vazhdon të krijojë dhe të jetojë duke ofruar më të mirën që zotëronte, jo vetëm nga muzika e tij por edhe nëpërmes jetës së tij, ashtu siç tregon gruaja e tij e dytë, Anna Magdalena, me të cilën do të sjellë në jetë 13 fëmijë nga të cilët do të mbijetojnë shtatë.
Në vitin 1723, është kantor i tempullit të Shën Tomës dhe drejtor muzike në qytetin e Lipsisë. Vitin e ardhshëm do të bëhej kryemuzikant në oborrin e princit Leopold të Ketenit. Kjo ishte një periudhë e pasur prodhuese e jetës së tij, që do të zgjasë për shumë vite, deri në vdekjen e tij në vitin 1750. "Pasionet" e tij të mëdha, "Sipas Mateut" dhe "Sipas Joanit", shkruhen në atë periudhë. Por vepra, e cila gjithashtu do të karakterizojë Bahun dhe kontributin e tij në muzikën klasike është edhe "Arti i Fugës", i kompozuar në vitin 1740. Arrin të kombinonte në veprën e tij elementët muzikorë dhe traditat shpirtërore të së kaluarës dhe të epokës së tij, me ndikime të fuqishme nga muzika italiane dhe nga ajo franceze, ndërsa paralelisht fuste rrugë të reja muzikore sidomos tek vepra e tij e fundit, kënga e mjelmës së tij. Pas kësaj do të vijojë gati i verbuar rrugën drejt errësirës së përjetshme - apo ndoshta dritës së përjetshme?
Kështu, le të mos na habisë krahasimi i veprave të tij, me Horestinë të Eskilit apo me veprat e Shekspirit, të cilat përbëjnë bashkë me të një Trini, që shumë kritikë konsiderojnë që do të ekzistojë për shumë vjet akoma. Ekzagjerim? Përkundrazi.
Me çdo lloj mënyrë që interpretohen veprat e tij, Bahu zgjeron gjithçka në një univers të pakufi. Mahnitet përpara krijimeve të Perëndisë dhe për këtë ndjen nevojën për ta falenderuar me çdo vepër të tij. Spiritualizmi dhe brendësia e veprave të tij, dëshmojnë marëdhënien e kompozitorit të madh me botën e padukshme, me përjetësinë, pavdekshmërinë e shpirtit, shpagimin që ai ndjente në kontaktin e tij me shenjtërimin dhe me muzikën, që ka si qëllim lartësimin drejt Perëndisë. E tërë jeta e tij është e thurur bashkë me veprën e tij. Nga të gjitha ngjarjet dhe karakteristikat e jetës së tij, me e rëndësishmja është mënyra me të cilën përballonte testimet e vështira që jeta i solli, ashtu si edhe devotshmëria tek vepra e tij, puna e palodhur dhe sensi i kontributit, studimi i vazhdueshëm me qëllim zhvillimin e muzikës së tij. Bah arrin të përballojë jetën me një mënyrë heroike dhe konstante. Jeta e tij u përngjasua me një "partiturë e shkruajtur pastër dhe shkëlqyeshëm", ku sipër saj shkruhet struktura e kompozitorit dhe veprat e tij, pa ngut, natyrshëm, ashtu siç rritet një filiz.
Shumë mbështetnin idenë se nevojitet një përqendrim i madh shpirtëror që të ndjekë dikush veprat e Bahut, ashtu siç nevojiste dhe ai për t'i kompozuar. Dhe një pasardhës i tij tha se, nuk di se ku të qëndrosh në mënyrë që të jesh kaq i fortë dhe i denjë për të dëgjuar këtë muzikë. Sido që të jetë, e sigurtë është se këtë lloj njerëzish dhe këto vepra përbëjnë ushqim për psikinë dhe shpirtin e çdo njeriu. Kur vetë jeta është një pasqyrim i veprës, atëherë këta njerëz marrin vlerë më të madhe, duke u bërë shembull për çdonjërin nga ne.
Albert Shvaicer, duke folur për Bahun dhe duke komentuar fjalët e Johan. T. Mozavius, në vitin 1845, thotë: "Uroj që Bahu të ndihmojë që epoka jonë të arrijë në përqendrimin shpirtëror dhe në brendësinë që i mungon". Nëse një gjë e tillë ishte e nevojshme në atë periudhë, sa e nevojshme është edhe sot dhe sa më tepër do të jetë nesër? Kurrë më parë Bahu nuk ishte më i nevojshëm se sot dhe se sa do të jetë nesër. Johan Sebastian Bah është njeriu që ka lënë shenjat e tij të thella në kohën dhe në vendin, jo vetëm të muzikës apo të artit, por të vetë Historisë së Njerëzimit.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Related

Suplement 2860920638062505636

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item