Riviera e Jonit, si ndryshoi falë investimeve gjigante
Special e Katër vjet pas përurimit të Rrugës së Bregdetit, Aleksi, një 60-vjeçar nga Vlora, emigrant prej vitesh në Korfuz (Greqi), kthehe...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/06/riviera-e-jonit-si-ndryshoi-fale.html
Speciale
Katër vjet pas përurimit të Rrugës së Bregdetit, Aleksi, një 60-vjeçar nga Vlora, emigrant prej vitesh në Korfuz (Greqi), kthehet për në vendlindje. Për arsye shëndeti dhe familjare, ka më shumë se 4 vjet pa ardhur në qytetin e lindjes dhe udhëtimi për të ishte befasues. Udhëtoi përmes rrugës së bregdetit, duke u nisur nga Saranda dhe për rreth dy orë mbërriti në Vlorë. “Është një rrugë e bukur. Tani udhëton rehat. Njësoj si “andej”. Nuk e prisja. Vjen në Vlorë për një kohë të shkurtër”. Kështu më thoshte ai teksa qëndronim në një kafe së bashku.
Ky përshkrim i tij përcjell atë të vërtetë të madhe që krijoi rruga e Bregdetit, nga Vlora në Sarandë. Përfundimi i saj katër vjet më parë shënoi një moment që pa asnjë teprim mund të quhet historik për bregdetin, të tashmen dhe të ardhmen e tij, si edhe për të gjithë banorët.
-Pak histori-
Pas rreth 100 vjetësh, rruga e ndërtuar në vitet 1916-1918 nga ushtria italiane dhe robërit austriakë të Luftës së Parë Botërore, vjen tashmë me dimensione të reja. Për gati një shekull në të nuk u krye asnjë punim themelor, përveçse riparimeve. Traseja e ngushtë që dikur përshkonte Bregun, ishte edhe një burim aksidentesh, veçanërisht në Qafën e Llogorasë dhe atë të Vishës, në hyrje të Himarës. Me dhjetëra aksidente dhe dhjetëra viktima janë shënuar në këtë histori pothuajse 100-vjeçare. Rruga e ngushtë, jo më shumë se 3 metra gjerësi, që nuk linte të shkëmbeheshin 2 automjete, ishte përherë kërcënuese për banorët që duhet të udhëtonin drejt Vlorës, apo për ata pushues vendas dhe pak turistë të huaj, që frekuentonin dhe shijonin bukuritë e rralla të Rivierës së mrekullueshme shqiptare.
-E tashmja është ndryshe-
Por, tashmë gjithçka ka ndryshuar. Pamja është krejtësisht e ndryshme. Madhështisë së natyrës i është shtuar edhe ajo e rrugës, që “gjarpëron” përgjatë saj. Këtë e perceptojmë nga afër edhe sot, gjatë një udhëtimi në këtë zonë. Nga lartësia e kthesave të Llogorasë konstatojmë mjaft kapriçio të natyrës në këtë mesqershori. Një re e stërmadhe, që ka mbuluar qiellin, befas “çahet”, diku mbi det, duke krijuar një imazh të rrallë.
Në afërsi të Palasës, moti na shfaqet i kthjellët. Pamja është e mrekullueshme. Fshatrat e Bregut dhe plazhet përgjatë tij, prej javësh kanë hapur dyert për pushuesit. Pavarësisht motit të paqëndrueshëm dhe faktit se pak ditë më pas janë votimet, sërish pushues të shumtë kanë zgjedhur këtë bregdet për të kaluar fundjavën. Shijojmë edhe rrugën. Ajo është e gjerë, e ndarë në dy korsi, e pajisur me të gjitha elementet e sigurisë, sinjalistikë vertikale dhe horizontale. Nuk dallon aspak nga segmente të tilla të ngjashme në vende të zhvilluara. Ndërtimi i saj është një investim i jashtëzakonshëm për të gjithë zonën bregdetare, nga Vlora në Sarandë.
Në afërsi të Palasës, pak metra mbi rrugë, një e moshuar po ngjitet drejt fshatit. Ashtu e kërrusur, ajo ndalon herë-herë, për t’u mbushur me frymë. “Eh, rruga…tani është shumë mirë, sepse shkojmë më shpejt në Vlorë. Edhe vajza me djalin dhe nipërit e mbesat, vijnë më shpesh, për të më parë. Eh, more jet-o, ja, e shikon vetë, u bë edhe Bregu me një rrugë të mirë. Por, ajo është për fëmijët tanë. Se unë ja, bashkë me plakun edhe sa do të rrojmë…!?”.
Nga Dhërmiu udhëtojmë drejt Himarës. Athina Duni, një 72 vjecare, banore e Dhërmiut, thotë se “është një gjë e mirë që Bregu të ketë një rrugë të tillë”. “Ja, jet-o, tani shkojmë shumë shpejt dhe rehat në Vlorë”, shprehet e moshuara, me atë dialektin tipik të grave të Bregdetit të Himarës.
-Rruga, një nga premtimet e qeverisë-
Paraditja e 22 qershorit të vitit 2009 shënoi edhe finishin e punimeve në Rrugën e Bregdetit që lidh Vlorën me Sarandën, 171 km e gjatë. Rruga e Bregdetit, një nga premtimet e Kryeministrit Sali Berisha për banorët e kësaj zone, ka një peshë të veçantë në gjeografinë infrastrukturore të vendit.
Dimensionet e rëndësisë së rrugës së Bregdetit, që nis nga Vlora e përfundon në Sarandë, nuk janë thjesht fizike, të një rruge me gjatësi prej 171 kilometrash, por shumë më tepër se kaq. Rëndësia e projektit të rrugës, që u financua nga qeveria shqiptare, është shumëdimensionale. Me përfundimin e saj, standardet e infrastrukturës rrugore, në një nga pjesët më të bukura dhe të mrekullueshme të vendit, janë të njëjta me ato të vendeve të përparuara. Ajo përgjysmon kohën e udhëtimit, ndërkohë që krijon komoditet të lartë, për drejtuesit e automjeteve dhe udhëtarët.
Rruga e re e bregdetit i ka dhënë një impakt të fuqishëm zhvillimit të turizmit, në perlën e bregdetit shqiptar. Këtij projekti i janë bashkangjitur më vonë edhe investime, po kaq madhore, të financuara nga qeveria shqiptare, në qytetin dhe fshatrat e Himarës, në rrugë dytësore, në ujësjellës etj., me një vlerë prej 9 milionë USD. Janë projekte që në unitet me njëra-tjetrën, e shndërrojnë Himarën në perlë turistike, me standarde bashkëkohore dhe turizëm gjithëvjetor.
Në ndërtimin e kësaj rruge u krye një volum pune i jashtëzakonshëm. U punua në një terren mjaft të thyer dhe në kushte që në terminologjinë inxhinierike, cilësohen “mjaft të vështira”. Në segmentin nga “Kthesa e kampit”, në Dhërmi, deri tek “Kthesa e Jalës”, me një gjatësi prej 10 km, me një kosto financiare prej 1.1 miliardë lekë, u realizuan zgjidhje mjaft të veçanta inxhinierike dhe u shënuan rekorde kohore. Edi Gjikuria, një nga drejtuesit e kompanisë me të njëjtin emër, që kreu këto punime, thotë se, në këtë pjesë të rrugës u gjetën zgjidhje të veçanta inxhinierike, veçanërisht, në atë segment që përshkon fshatin Dhërmi. U aplikua zgjerimi i rrugës me kolona betoni, me lartësi 10-15 metra, ndërkohë u ndërtuan edhe trotuare. Në të gjitha qendrat e banuara, në përputhje me projektin, janë realizuar ndriçimi, ndërtimi i trotuareve, të linjave të ujësjellësit, sistemeve të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza.
(marrë nga ATSH)