Udhëtim në Gjirokastrën e Enverit në prag-zgjedhjet e 2013

Aida Tuci Të duhet të qëndrosh gjatë në Gjirokastër, që të kesh mundësi të shohësh dhe ndjesh nga afër vlerat e rralla turistike që ofron ...

Aida Tuci


Të duhet të qëndrosh gjatë në Gjirokastër, që të kesh mundësi të shohësh dhe ndjesh nga afër vlerat e rralla turistike që ofron ajo. Në 3 ditë ke mundësi fizike vetëm për të vizituar Antigonenë, Teatrin Hadrianopolis, shtëpitë karakteristike të qytetit dhe Labovën e Kryqit. Guida e udhëtimit e Agjencisë Kombëtare të Turizmit nën moton “Nise udhëtimin tënd nga Shqipëria jote” u ndal kësaj radhe në qytetin e gurtë. Drejtoresha Brikena Arapaj përmes kësaj nisme që nisi në Berat, Lezhë e vijoi në Gjirokastër, synon të përcjellë një mesazh të qartë. “Që të gjithë bashkë nëpërmjet këtyre udhëtimeve të promovojmë vlerat turistike të vendit tonë duke filluar nga vetja”. Hyrja në qytetin e Gjirokastrës të trondit me kaosin e ndërtimeve dhe pallateve shumëkatëshe, pjesa më e madhe në ndërtim e sipër. Kur marrim kthesën e pjerrët për t’u ngjitur në pjesën historike të qytetit, gjithçka ndryshon. Ndonjë ndërtim betoni që ka mbirë tek-tuk, banderolat dhe flamujt e partive politike që kanë mbirë çdo 10 metra rrugicave të ngushta të qytetit dhe rrënojat e një shtëpie karakteristike që është shembur së fundmi, gjithsesi nuk ia prishin magjinë qytetit të gurtë. Shtëpitë karakteristike ku dallojnë ajo e Zekatëve, Babametove etj., të ngjasojnë me minikështjella që kanë hedhur vështrimin nga kalaja dhe kulla e sahatit, të cilën mund ta shohësh nga çdo kënd i qytetit. “Ky është një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës. Nga shkaku i pjerrtësisë së madhe, ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës…..” E kush më mirë se shkrimtari i qytetit, Ismail Kadare do ta përshkruante kaq realisht qytetin! Udhëtimin tonë brenda qytetit e nisim nga qendra e tij, ku shumë pranë hotelit ku jemi akomoduar ndodhet dhe Bashkia e qytetit. Atmosfera e pragzgjedhjeve ndjehet kudo. “Nga cili bastion je”? – është pyetja e parë që na bën një grua plakë e vjetër, fisnike si gjithë plakat që edhe sot i sheh të ulura rrëzë dyerve. Edhe nëpër baret e qytetit flitet vetëm për politikë. Gjirokastra ndërkohë pret e përcjell çdo ditë banorët e saj të përkohshëm; turistët. 

Në shtëpinë e Enverit


Një banderolë që të fton të votosh X parti në zgjedhjet elektorale është vendosur para hyrjes së shtëpisë ku u lind Enver Hoxha. Edhe pse prej vitesh shtëpia është kthyer në një muze etnografik, turistët vijnë ta vizitojnë nga kurioziteti që kanë për jetën e diktatorit Hoxha. Shtëpia është lënë në pikë të hallit dhe dyshemeja prej druri lëviz aq shumë poshtë këmbëve të tua, sa nga momenti në moment ke frike se mos shembesh poshtë rrënojave. Po këtë pamje ofron shtëpia dhe nga jashtë, e rrjepur vende-vende dhe tërë lagështirë. Shumë zhurmë është bërë së fundmi për të. Propozimi i Bashkisë së qytetit për ta kthyer në një muze për diktatorin, sipas Odise Kotes, përgjegjës për Trashëgiminë, u keqinterpretua. “Kush turist nuk do të kishte kuriozitet për të vizituar shtëpinë e një ish- diktatori komunist?!”- thotë Kote. Para viteve ’90, shtëpia ka qenë Muze i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për qarkun e Gjirokastrës. Shumë objekte të diktatorit që dikur i përkisnin këtij muzeu, u morën kur u ndërtua piramida në Tiranë. Ishin disa sende personale të Hoxhës që nuk iu kthyen më muzeut. Në një nga bodrumet e shtëpisë janë grumbulluar të gjitha objektet që dikur i përkisnin Muzeut të Luftës. Dera është e kyçur dhe ciceronia nuk na lejon të shohim ç’ka brenda. Përmes një të çare në derë dallohet një pikturë që paraqet Enver Hoxhën në rininë e tij.  Ndërtesa që ndodhet sot diku në ‘Sokakun e të marrëve’, në fakt nuk është ajo ku ka lindur diktatori. Sipas cicerones, ndërtesa është djegur në vitin 1916 dhe në vitin 1966 mbi themelet e saj u ndërtua një shtëpi tjetër, e ndryshme nga arkitektura e saj origjinale. Gjithsesi, disa objekte të familjes Hoxha kanë mbetur edhe në Muzeun Etnografik; ora dhe sepeti i nënës së Enver Hoxhës vazhdojnë të qëndrojnë në dhomën ku u lind Enveri.


Jashtë Gjirokastrës


Antigonea, qyteti që nuk i mbijetoi dot as zjarrit


Qyteti antik i Antigonesë, po ta shohësh nga lart të ngjason me formën e një delfini. Ai shtrihet mbi kodrën e Jermës, pranë fshatit Saraçinist të Gjirokastrës. Midis dy kreshtave që lidhen njëra me tjetrën kalon një shteg i ngushtë dhe shumë nga turistët që vizitojnë Antigonenë preferojnë të ngjiten përmes këtij shtegu për të ardhur aty. Qyteti i dashurisë dhe i urrejtjes u ndërtua nga Pirro, mbreti i Molosëve, në vitin 295 para Krishtit. Emrin qyteti e mori nga Antigonea, gruaja e parë e Pirros, vajzë e fisnikëve maqedonas. Antigonea, qyteti që u dogj brenda natës dhe nuk u ngrit më, fsheh shumë në nëntokën e saj. Sipas drejtorit të Parkut, Engjëll Serjani, vetëm 6-10% e territorit është eksploruar nga arkeologët. Pas zbulimit të qytetit antik nga arkeologu Dhimosten Budina, shumë pak gërmime janë bërë në këtë zonë. Arsyet si gjithherë janë financiare. Pasi vizitori ka shuar kureshtjen e parë për të kundruar qytetin, vështirë se mund të gjejë një arsye të dytë për t’iu ngjitur kreshtës. Fragmente muresh dhe ndërtimesh i flasin shumë pak vizitorit për qytetin. Me 920 mijë lekë të reja që merr ky park për sezonin turistik, nuk mjaftojnë as për rrogat e 5 punonjësve që ka gjithsej parku; qira, telefon, faqen e internetit etj. Të ardhurat dytësore që mund të ishin siguruar nga bileta 200 lekë që paguan çdo turist që vjen të vizitojë Antigonean, vijnë të gjitha në Tiranë. Një vit më parë numri i turistëve që vizituan Antigonean ishte rreth 6000. Pak metra më tutje, ende i mbuluar me plastmas ndodhet mozaiku i Bazilikës Paleokristiane, i restauruar pak kohë më parë me mbështetjen e organizatës suedeze “Cultural Hertage without Borders”, që ofroi 25 mijë euro për restaurimin pas 34 vjetësh të një prej mozaikëve më me vlerë të zbuluar në Shqipëri. Pas një ecjeje të gjatë në “rrugët” e qytetit antik dhe informacioneve blic, nuk ka asgjë tjetër që mund të shohësh në Antigone.


Një ndalesë në fshatin Tranoshisht


Surpriza që drejtori i Parkut Arkeologjik të Antigonesë, Engjëll Serjani ka rezervuar për grupin tonë është ndalesa në shtëpinë e familjes së Leonidha Premtit. Gratë e familjes duhet të jenë ngritur herët për të bërë petullat, që me mjaltin e luleve të fshatit ishte padyshim pjesa më e bukur e këtij udhëtimi.


Hadrianopolisi i braktisur


Ndalesa e fundit është Teatri Hadrianopolis. Për të shkuar atje duhet të ecësh shumë pak kilometra në këmbë përmes fushave të mbjella që rrethojnë vendin, ku duken gjurmët e qytetit romak Adrianopol. Asnjë roje, ciceron nuk ka përreth. Aty mund të hyjë dhe të dalë çdo kalimtar i rastësishëm që i bie rruga andej. Vërtet s’ka çfarë merr me vete pasi të largohet, por ama, nga pakujdesia ose nga dashakeqësia mund ta dëmtojë vendin e gërmimeve që ka lënë hapur ekspedita e fundit.


Në Labovën pa rrugë


Labova e Kryqit ndodhet rreth 15 kilometra larg qytetit, por fshati të duket edhe më larg se ç’është realisht, për shkak të rrugës së shtruar me çakull. E vetmja kërkesë që kemi është të na shtroni rrugën, që turistët të mund të vijnë në Labovën e Kryqit, për të vizituar Kishën e Shën Mërisë, ndër më të vjetrat e ndërtuara në shek XII nga perandori Justiniani. Na vijnë shumë vizitorë dhe kisha qëndron e hapur rregullisht pasi ka një vlerë të veçantë, por që kjo vlerë historike të shfrytëzohet dhe të mirëmbahet, duhet të ndërtohet rruga. Rruga është shumë e keqe dhe vizitorët hezitojnë të ngjiten deri këtu. Nëse rruga do të bëhet, ky fshat do të ketë shumë të ardhura dhe kisha do të mirëmbahet shumë më mirë”, – kështu thotë Vangjel Memo, përgjegjësi i Institutit të Monumenteve për Kishën e Labovës./mapo


Kjo është vetëm një pjesë e vlerave historike që të ofron Gjirokastra, një qytet që për vlerat arkitektonike është shpallur “Kryevepër e Trashëgimisë Kulturore Botërore dhe mbrohet nga UNESCO.

Related

Reportazhe 597954370047116359

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item