Të zemëruar nga dashuria
Ilir Yzeiri 1. Qysh nga vizita e Kryeministrit turk Erdogan në Kosovë dhe prej ditës kur ai lëshoi njëra pas tjetrës disa deklarata dashurie...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/10/te-zemeruar-nga-dashuria.html
Ilir Yzeiri
1.
Qysh nga vizita e Kryeministrit turk Erdogan në Kosovë dhe prej ditës kur ai lëshoi njëra pas tjetrës disa deklarata dashurie, shtypi në Tiranë dhe gjindja me shkollë e pa shkollë po zien nga brenda dhe është lëshuar në komente që ngjajnë herë me këngë majekrahi, herë me balada vajtojcash e herë tjetër me melodi karadyzeni. Po çfarë ka ndodhur konkretisht? Kryeministri turk, gjatë vizitës në Kosovë dhe në takim me Ramën e Thaçin, ishte shumë i entuziazmuar dhe me një gjendje të ngritur shpirtërore. Ai i kaloi caqet e diplomacisë dhe u shpreh me gjithë zemër se ai vetë dhe Turqia e duan Kosovën, i duan shqiptarët. I duan aq shumë sa mua më duket sikur jam në shtëpinë time këtu në Kosovë, aq sa më ngjan sikur Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë, tha ai. Thënë ndryshe, Kryeministrit Erdogan, Kosova e Turqia, shqiptarët e turqit i duken njësoj dhe ai i do me të njëjtin patos. Këto deklarata ai i bëri në takime publike, madje bëri edhe gjeste të tjera si vizita në një odë në Prizren, ku ai u ul në shilte dhe mbuloi gjunjët me një napë ashtu siç është tradita e odave myslimane. E gjitha kjo ishte një spektakël mediatik që përcillte një mesazh të vetëm: kryeministri turk shfaq pa asnjë rezervë një dashuri të tepruar ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe ndaj Kosovës në veçanti. Ku qëndron e keqja këtu? Në radhë të parë, duhet të mësohemi që dashurinë ta respektojmë dhe ta mirëpresim, urrejtjen duhet ta përçmojmë dhe indiferencën ta shmangim. Nuk e teproj po të them se ne shqiptarët jemi populli, etnia apo raca, quajeni si të doni, që përçmohemi, fyhemi e shahemi më shumë se të gjitha etnitë, popujt apo racat e tjera të Ballkanit nga popujt e Europës, nga popujt e krishterë të Europës. Megjithëse kanë kaluar njëzetë e ca vjet që nga rënia e diktaturës, megjithëse kanë kaluar shumë vjet nga koha kur shqiptarët nëpër Europë ishin në krye të listave për krime, drogë e prostitucion, përsëri, popujt e krishterë të Europës nuk na duan, nuk na çmojnë dhe na përbuzin. Për këtë, është mirë të pyesim bashkatdhetarët tanë që punojnë në Perëndim se si ndihen, se sa rëndë u peshon fjala shqiptar, se si rrudhin buzët punëdhënësit europianë kur marrin vesh se kanë të bëjnë me shqiptarë. Vini re Italinë fqinje që kemi përballë. Kurrë nuk kujtohet të thotë një gjysmë fjale për Shqipërinë. Nëse do të japë ndonjë imazh nga vendi ynë do të jetë ose anija “Vlora” me refugjatë ose ndonjë pamje ku ne shfaqemi si vend afrikan. I vetmi vend dhe i vetmi popull që i do dhe i respekton shqiptarët është Turqia dhe turqit. Ky vend dhe ai popull i respekton dhe i adhuron shqiptarët. Këtë dashuri dhe këtë adhurim ne duhet ta refuzojmë? Unë mendoj se Edi Rama po tregohet një shtetar serioz dhe po i përgjigjet me dinjitet një partneriteti strategjik të çmuar siç është ai me Turqinë. Forma e shfaqjes së kësaj miqësie, me vëlla e byrazer bëjnë pjesë në folklorin e ballkanasve dhe mua personalisht nuk më impresionojnë.
2.
Para disa kohësh, ministri ynë i Jashtëm, zoti Bushati, në takim me homologun grek, për herë të parë vendosi në tavolinën e bisedimeve çështjen çame dhe “Ligjin e luftës”. Grupi folklorik i opozitës nxitoi të thoshte se këto çështje i kemi ngritur edhe ne, duke gajasur të madh e të vogël dhe duke harruar se një nga turpet dhe krimet që i është bërë këtij vendi në këto vite është marrëveshja e detit, të cilën e ka nënshkruar ai që drejton opozitën e sotme, djaloshi që lyen flokët me brilantinë si në vitet ‘30 dhe që tani familja Berisha e ka vënë në krye të SHQUP-it. E solla këtë shembull për të përmendur një të vërtetë të pamohueshme. Diplomacia e shtetit shqiptar tani që e majta ka ardhur në pushtet, po bëhet dinjitoze dhe po realizon ato pritshmëri, të cilat ishin shqetësim për opinionin e gjerë publik, për intelektualët e pakomprometuar dhe për opozitën e djeshme gjithashtu. Dashuria e tepruar e Kryeministrit turk nuk na rrezikon as detin as malet, ndërsa marrëveshja e djeshme e nënshkruar nga burri që lyen flokët me brilantinë si në vitet ‘30, është gati-gati akt tradhtie. Mirëpo, qeveria e sotme e ka frenuar këtë akt dhe po tregon më shumë se ç’duhet dashuri me një kryeministër që përfaqëson një shtet dhe një popull që na do dhe na adhuron. Ku qëndron e keqja e kësaj diplomacie? Natyrisht Serbia duhet të ndihet keq, sepse ajo nuk e kupton ende dhe nuk e pranon akoma se Kosova nuk është Serbi. Erdogan tha se është Turqi. Kur mendoj se çfarë i ka bërë Serbia Kosovës, mua më pëlqen dhe jam në një mendje me atë që thotë Kryeministri turk, qoftë kjo dhe e tepruar emocionalisht.
3.
Tani të vijmë te një çështje tjetër, tek identiteti. Në librin e tij “Mosmarrëveshja”, Kadare, duke u marrë me fatin historik të shqiptarëve, e ka përcaktuar qartë se në identitetin e shqiptarit, përkatësisht në shkatërrimin e tij, ka luajtur rol ajo që ai e quan trekëndëshi i Bermudës, pra: shovinizmi serb, masakrat greke dhe pushtimi otoman. Vetëdija shqiptare është formësuar duke u ushqyer nga imazhi për serbin si gjakatar dhe pushtues i trojeve shqiptare, si arkitekt i shfarosjes dhe gjenocidit, të përpunuar madje edhe në platforma akademike. Edhe sa i takon grekut, imazhi kolektiv shqiptar e përfytyron si arkitektin e vrasjes dhe masakrave në jug të Shqipërisë dhe si ushtrues të gjenocidit mbi popullsinë çame. Ndërsa pushtuesit otomanë në imazhin kolektiv përfytyrohen si barbarët që rrafshuan qytetërimin kristian shqiptar dhe që masakruan gjithçka që u dilte përballë, një prej fuqive më të mëdha të kohës. Kjo është historia, të cilën ne shqiptarët kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet t’ua mësojmë edhe fëmijëve. Në qoftë se ne sot jemi të ndarë në tri a katër fe, kjo ka ndodhur për shkak të asaj historie që përmenda më sipër. Në qoftë se ne sot jemi të shpërndarë në tri apo katër shtete, kjo përsëri ka ndodhur për shkak të asaj historie që kemi jetuar. Ndërkaq, ne jemi banorë të një planeti që po përballet me sfida të tjera dhe memoria historike nuk shërben më për të projektuar sfidat e së ardhmes. Në themel të sfidave të së ardhmes është paqja dhe kompromisi, miqësia dhe mirëkuptimi. Por, mbi të gjitha, është edhe interesi kombëtar. Globalizimi apo fshirja e kufijve gjeografikë dhe krijimi i kufijve të tjerë, që mund të jenë ekonomikë apo kulturorë, nuk do të thotë që ne të heqim dorë nga interesat kombëtare. Këto interesa ruhen e sigurohen me partneritet demokratik afatgjatë dhe me aleatë që kanë interesa me ne. Në këtë kuptim identiteti ynë nuk dëmtohet aspak nga dashuria e Erdoganit për ne. Identiteti ynë po shkërmoqet nga vetë ne shqiptarët, nga miopia jonë kulturore e politike disa herë. Po sjell vetëm një shembull. Don Gjergji i Kosovës shqetësohet me të drejtë nga retorika pak e tepruar e Erdoganit, por identitetin tonë kristian. I dashur don Gjergj, këtë identitet e ka fyer më shumë Selia e Kishës Katolike në Tiranë, e cila ka shkelur amanetin e Nënë Terezës dhe pasi ka përfituar një terren prej mbi 100 mijë metrash katrorë jo vetëm që nuk e ngriti spitalin katolik me emrin e saj, por nuk po jep asnjë sqarim se çfarë ka bërë me fondet dhe donacionet e mbledhura për këtë qëllim. Për këtë skandal që na dhunon rëndë identitetin tonë kristian, nuk besoj se e ka fajin dashuria e Erdoganit për vëllain Hashim apo për Kosovën.