Nepotizmi dhe gjenerata në prag zhgënjimi

Aleksandër Çipa Një doktorante e punësuar prej disa kohësh në një studio të njohur avokatie në Romë, ish-studente e ekselencës, përmes rrjet...

Aleksandër Çipa

Një doktorante e punësuar prej disa kohësh në një studio të njohur avokatie në Romë, ish-studente e ekselencës, përmes rrjeteve sociale, prej kohësh hedh kritika gati shpërthyese, për disa emërime dhe për procedura formale të emëruarish në nivelet e larta drejtuese të institucioneve publike. Madje në çlirtësinë e vet, nuk rresht së etiketuari disa akte që sipas saj, janë flagrante në emërime dhe konkurse pa procedurë. Indinjata e doktorantes në fjalë përbën një “kampion” që duhet verifikuar. Rasti përfshin një marrëdhënie zhgënjyese të krijuar mes një kategorie të rinjsh në kërkim të meritokracisë në vend dhe realitetit kompleks të përfitimit të vendit të punës në Shqipërinë e qeverisjes së Kryeministrit Rama dhe koalicionit PS-LSI. Është lehtësisht e verifikueshme që pas zgjedhjeve të 23 qershorit, qindra e mijëra diplomantë e doktorantë shqiptarë janë duke lënë vendet e huaja nga BE dhe SHBA dhe pretendojnë një rikthim në atdhe për t’u bërë pjesë e gjeneratës së re të nëpunësisë shqiptare. Marrëdhënia me këtë kategori është vërtet problematike. Së pari, në një shtet të vogël si ky i yni, vendet vakante janë të kufizuara. Respektimi i kritereve meritokratike gjithashtu është shumë i vështirë. Në atdheun e informalitetit, nuk mund të ketë shumë vend për qytetarinë e meritokracisë! Aq më tepër kur sistemet e tjera abuziviste nuk lënë kurrsesi hapësirë për sistemin e hierarkisë së vlerave. Në këto kushte, përballja e pretenduar e qeverisjes së “Rilindjes” me këtë sistem të mbartur nëpër gjithë kohën e tranzicionit gati 24-vjeçar, jo vetëm që mbetet ende në rishtaritet, por sipas gjasave trishtueshëm do të vijojë kohën e të qenët i paplotë. Në aktet e deritanishme të emërimeve shumëkush; opozita, mediat, oponentët brenda dy partive kryesore të qeverisjes PS-së dhe LSI-së etj., pëshpërisin dhe shumëfishojnë akuza, kritika dhe thashethemnaja për grupin e parë të të emëruarve në administratën e lartë publike dhe në ekipet e kabinetit qeveritar dhe ato të ministrave të rinj. Ky është një reagim klasik, i njohur dhe i pashmangshëm. Por skaneri spontan dhe folklorik që bëhet ndaj këtyre emrave të sapoemëruarve apo asaj çka ata përfaqësojnë në CV-të dhe karrierat e tyre, evidenton gjer më sot si “shkumë kritikash dhe përflitjesh” mungesën e përvojës, pamjaftueshmërinë në karrierë dhe në disa raste edhe skepticizmin për shkollimin dhe diplomimin e tyre. Në këtë kontekst, edhe shpërthimi i doktorantes shqiptare që vjen nga Italia, ka lidhje pikërisht me këtë proces vetanalize dhe krahasimi që ajo bën, për të sapoemëruarit me kriteret dhe meritokracinë që ajo mendon dhe për të cilat është investuar me mund, sakrifica dhe sidomos kurajë vite të tëra shkollimi dhe kualifikimi universitar dhe akademik. Por shpërblimi nga sistemi jo gjithmonë vjen lehtësisht, madje në jo pak herë, sistemi të ndëshkon me pashpërblim. Fati është aleat i rrallë dhe i padukshëm. Në këtë gjendje, shumica e gjeneratës që ka marrë vendimin e rikthimit në Shqipërinë e sotme, po ndeshet me “murin zhgënjyes” dhe me realitetin kaotik e anarkik që është ngjizur aq fort në këtë shoqëri. Në këtë situatë e përballë kësaj gjendjeje kjo gjeneratë të rikthyerish, nevojitet të mos shndërrohet në “vjellëse” pakënaqësie dhe kritikash në hapësirën virtuale, por të imponohet përmes prezencës dhe artikulimit të vet, përmes ndërhyrjes karikaturizuese për të gjitha shëmtitë e mbartura dhe ato që krijohen rishtas në realitetin e rikompozimit apo emërimit të administratës publike. Shqipëria e Kryeministrit Rama ka nevojë për gjeneratën e juristëve që vijnë nga Perëndimi dhe universitetet e huaja, për të qenë ata logjistët e ftohtë dhe të pandikueshëm të së drejtës së përdhosur publike. Ata kanë shansin për të qenë një grup, ekip apo organizatë e parekrutuar për të formësuar e shtuar shtresën e zërave që në këtë vend të përdhosjes tranzicioniste ndajnë imponueshëm kufirin mes së drejtës dhe së padrejtës, mes uzurpimit dhe pronësisë natyrale, mes së mirës dhe së keqes skandaloze dhe mes qeverisësit që duhet penguar për t’u bërë mbret dhe qytetarit që nevojitet të mbretërojë përmes votës. Kjo kategori e kësaj gjenerate ndodhet në udhëkryqin e dëshirës për t’u përfshirë dhe zhgënjimit te “vendet që janë të zëna”.
Në realitetin e ri të qeverisjes që na premton “rilindje”, kjo gjeneratë le ta nisë nga: e thëna drejt, e guximshmja që s’mund të trembet dhe nga sjellja e asaj që mungon në performancën dhe kualitetin e deritanishëm të administratës shqiptare.
Një ditë më parë, në disa hapësira të blogjeve dhe rrjeteve sociale nisën të qarkullonin disa lista emrash që janë pjesë e një “ishulli” të saposhfaqur nepotik në emërimet e bëra nga PS dhe LSI në nivelet e larta të administratës dhe sidomos kabinetet ministrore. Publikimet anonime mbartin vërtetësi të dyshuar, por zërat dhe aktivistët e këtij monitorimi që ekuilibron demokracinë dhe meritokracinë në përfaqësimin e administratës publike, meritojnë përkrahjen publikuese nga mediat dhe nga ne gazetarët. Është e nevojshme që raportimit në media t’i shtohet investigimi dhe listimi i kësaj emërsie të re. Kjo duhet bërë në respekt të premtimit substancial të Kryeministrit të ri Edi Rama për luftë dhe armiqësi me nepotizmin dhe lokalizmin në mandatin e tij qeverisës. Nga ana tjetër, kjo vlen më shumë për të mos mundësuar rënien pre dhe lidhjen e Kryeministrit të ri me “litarët e padukshëm” të rrethanave për shkak të partneritetit dhe koalicionit qeverisës.
Në dy vitet e fundit të mandatit qeverisës të PD-LSI-së, disa herë kam shpallur pyetjen publikisht: I kujt ishte korrupsioni më i madh në qeverisjen Berisha-Meta: i PD-së apo i LSI-së? Do të ishte me shumë interes që organizata dhe shoqata antikorrupsion të publikonin indekse apo qoftë edhe sondazhe për qartësimin e së vërtetës qoftë si perceptim, qoftë si realitet në këtë aspekt. Kjo pyetje vijon të mbesë ende pa përgjigje, për arsye që ndoshta lidhen me censurë dhe autocensurë politike dhe ekstrapolitike.
Tashmë kur reforma e qeverisjes së re ka nisur dhe procesi i emërimeve po hyn në pikun e vet është ndihmuese të analizojmë specifikisht se cila është risia më e vyer dhe cila është sëmundja që mbetet në fuqi në qeverisjen Rama-Meta?!
Në momentin kur syçeltësia jo vetëm e opozitës politike, por më së shumti e publikut ndaj nepotizmit, lokalizmit apo krahinarizmit është maksimale, shoqëria civile dhe zërat e lirë të opinionit publik kanë detyrimin dhe të drejtën e të shprehurit. Në këtë fillesë, ka kohën e vet perifrazimi i pyetjes së dikurshme dhe të lënë pa përgjigje gjatë qeverisjes së shkuar: Si qëndron nepotizmi në raportet e deritanishme të hise-ndarjes së pushtetit Rama-Meta?! Ndriçimi i fakteve dhe shpallja e tyre, jo vetëm i jep ushqim opozitarizmit, por kontribuon për një ekuilibër të brendshëm reflektues mes dy partive që mbajnë pushtetin si një e majtë e bashkuar.

Related

Opinione 8609199771746129874

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item