Stonhenzhi vendi ku gurët “qëndrojnë” në këmbë

Në Rrafshinën e Salisbërit në Angli gjendet një rreth i mrekullueshëm guri, që dikur ka pasë qenë shfrytëzuar për të kremtet fetare. Ndërtim...


Në Rrafshinën e Salisbërit në Angli gjendet një rreth i mrekullueshëm guri, që dikur ka pasë qenë shfrytëzuar për të kremtet fetare. Ndërtimi i tij iu mvishet druidëve, kastës priftërore të keltëve. Edhe pse ata mund ta kenë shfytëzuar për qëllimet e tyre, fillimet e tij në të vërtetë lypsen kërkuar ndër popujt neolitikë të Ishujve Britanikë. Disa historianë mëtojnë se Stonhenzhi është ndërtuar rreth vitit 3000 përpara K., por sipas mendimit tim, ai është ndërtuar në vitet 5000 përpara K. Edhe pse rrethi është rindërtuar disa herë, në një farë mënyre ai ka ruajtur të njëtën trajtë. Në Ishujt Britanikë ekzistojnë më shumë se një mijë rrathë guri, por asnjëri syresh nuk mund të matet me Stonhenzhin. Ai ishte i vetmi që përbëhej prej 30 gurësh vertikalë (17 prej tyre qëndrojnë ende në këmbë), të latuar, lëmuar dhe të bartur aty nga zona përreth. Ai është i vetmi me gurë qemeri, që qenë latuar dhe vendosur mbi gurët vertikalë, duke mbrujtur kësisoj një qerthull hyrjesh. Është me interes të theksohet se aksi i Stonhenzhit, që ndan rrethin përballë hyrjes së tij, është i kthyer drejt pozicionit të lindjes së diellit gjatë solsticit të mesit të verës; kurse në Irlandën fqinje, monumenti Njugreinxh, që është ndërtuar thuajse në të njëtën kohë, është i kthyer nga solstici i mesit të dimrit. Pra, mund të hamendësojmë se ky qe një lloj kalendari – dhe unë jam e bindur se ky ishte vetëm një pjesë e vogël e tij, sepse njerëzit kanë qenë gjithnjë kureshtarë për qiellin – por siç do ta shohim, vendosja e gurëve kishte një kuptim më të thellë spiritual. Duket sikur ata bartnin në vete një lloj energjie mbrojtëse, që sprapste negativitetin dhe që i bënte njerëzit që ndodheshin brenda tij të ndiheshin të sigurt dhe të hirshëm. Stonhenzhi ka filluar të studiohet prej arkeoastronomëve, të cilët merren me hulumtimin e praktikave astronomike të kulturave të lashta. Edhe në kohët primitive apo antike, popuj, sikundër egjiptianët (me të cilët do të merremi më vonë), kureshteshin së tepërmi për fazat e diellit dhe të hënës, si dhe për trajtën e yjeve. Jam e sigurt se ata parashikonin reshjet, ndryshimet e temperaturës, apo përmbytjet, falë vrojtimit të veçantë të fazave të hënës. (Edhe në kohën e sotme, mjafton të pyesni dikë në dhomat e urgjencës apo në rajonet e policisë për të kuptuar se ç’gjëra të çuditshme bëjnë vaki në periudhat e hënës së plotë. Mjekët kanë studiuar menstruacionet femërore gjatë cikleve të hënës për vite e vite të tëra – fundja, përderisa trazohen oqeanet, përse nuk u dashka trazuar mirëqenja jonë fizike? Almanaku i Bujkut të Vjetër, jo vetëm që mbështetet tek stinët, po gjithashtu edhe tek fazat e hënës. Dhe, përnjëmend, në gjithë këtë s’ka asgjë të pavërtetë.). Meqë nuk ka as edhe një mëdyshje që Stonhenzhi kishte një funksion të caktuar astrofizik, më duket se shumicës së kërkuesve iu ka bishtnuar brendia spirituale e ekzistencës së tij.

Të përshkosh velin e Stonhenzhit
Kur e vizitova Stonhenzhin përsëpari më 1978-ë, nuk kishte asnjë pengesë, kështu që mund të bridhja lirisht përreth gurëve. S’ka shumë kohë që qeshë prapë atje me një grup njerëzish dhe m’u lejua të këqyrja gurët dhe të ndjeja tërë vibracionet që më duheshin. Aftësia për të prekur një objekt dhe për t’u futur fizikish në historinë e tij nëpërmjet energjisë, quhet psikometri. Meqë gjithçka në natyrë mbart një gjurmë, mjafton ta prekësh atë që të të shpaloset e tërë historia. Si shumë vende të tjerë që do të shqyrtojmë në këtë libër, edhe gurët e Stonhenzhit përmbajnë vibracionet e shumë shtresave të kohëve të ndryshme, të shumë njerëzve dhe riteve. Llojet e para të reagimeve që fillova të përftoj qenë shëmbëlltyra njerëzish – qindra syresh që tërhiqnin blloqe të stërmëdhenj guri nëpër një rrafshinë. Dukej sikur gurët ishin prerë në një gurore të lashtë në Anglinë jugperëndimore. Kishte edhe makare gjigante në një makineri të ndërtuar shkel e shko, por megjithatë goxha të sofistikuar, me rrota dhe litarë që do të ngrinin gurët në këmbë. Burrat që tërhiqnin gurët dukeshin shumë primitivë; ishin të veshur me lëkura kafshës, kurse fytyrën e kishin të mbuluar nga tatuazhet. Pas një farë kohë, mund t’i shihja teksa i rendisnin gurët në trajtë rrethore. Me sa duket, kishin edhe një lloj litari me të cilin matnin largësitë. i dëgjoja tek bërtisnin e hungërinin, por në një gjuhë që s’ngjante me asnjë gjuhë tjetër. Jashtë këtij rrethi të përsosur guri, kishte një grup grash dhe fëmijësh, të ulur a në këmbë, që kundronin më shumë vëmendje. Kohë pas kohe, prej gojëve të disa prej grave derdhej një thirrmë ngazëllimi, a thua se donin të nxitnin burrat. Vura re se gratë dhe fëmijët po numëronin ca rruaza a kokrra të kuqe, që qenë shkuar bashkë në një fill. Kjo gjë më ndërmendi këndimin e rruzarit nga katolikët për ndonjë thagmë a lutje të veçantë. Pasi blloqet e gurit qenë vendosur në vendin e caktuar, ata ngjanin të ndritshëm e të bardhë – sigurisht që nuk kishin këtë ngjyrë të përhime që kanë sot. Kur u përfundua rrethi, u afruan të gjithë dhe ranë mëgjunjazi, por jo në një qëndrim lutës, por sikur ky të ishte i vetmi qëndrim i drejtë dhe i rehatshëm. Ngjante sikur për ta rrethi ishte vetë qielli, që mbante përjashta negativitetin. (Kujtoni se sa shpesh e rrethojmë vetveten me Dritën e Bardhë të Shpiritit të Shenjtë – kush mund të thotë se këta gurë nuk mund të kenë shërbyer si mbrojtje ndaj hordhive të plaçkitësve?) Dukej se, kush e di se për çfarë arsye, këta njerëz mendonin se për sa kohë që ndodheshin brenda rrethit, do t’i mbronte Zoti (apo zotat) i tyre. Pastaj u duk një burrë tejet shtatlartë, i veshur me një pelerinë të kuqe e farfuritëse, si dhe një kësulë konike, me maja në formë ylli, që dilnin prej saj. Ai filloi të hyjë e të dalë nëpërmjet hyrjeve që formoheshin midis gurëve – dhe sa herë që hynte, hiqte kësulën; kur dilte, e vendoste rishmë në kokë.
Më dukej sikur po inskenonte rilindjen: hynte nëpër portën e jetës dhe pastaj bënte sikur vishte petkat e kësaj bote. Burri pastaj nisi një si lloj farse. Ai shenjoi me gisht një grua, i bëri me shenjë të merrte një fëmijë dhe të ngrihej në këmbë bashkë me të, duke simbolizuar kësisoj vazhdimësinë e racës.
Turma ia nisi një himni grykor; paskëtaj, si të kishin mbirë nga hiçi, u servirën fruta, perime dhe një lloj bajameje. Gjatoshi me pelerinë e brodhi vështrimin përqark dhe dukej i kënaqur. Pasandaj sytë e tij shkitën mbi turmën dhe u ndalën mbi një burrë të zeshkët, të parruajtur, të kruspullosur në një gunë shkërbeje. Ai drejtoi gishtin nga ai burrë imcak dhe lëshoi një si kukurizmë; turma i mbajti iso. i bëri shenjë që të afrohej, dhe burri u çapit kokulur. Gjatoshi shtriu dorën dhe imcaku i rreckosur i lëshoi në pëllëmbë dy sendurina ari. Pastaj burri me pelerinë u kthye nga një grua prapa tij dhe ia dha sendurinat. Gruaja, shumë e çuditur dhe e lehtësuar, i mori ato dhe, tërë përvuajtëri, ra në gjunjë. Gjatoshi i bëri me shenjë burrit tjetër që të dilte nga rrethi, sado që ai dukej sikur ende përgjërohej që të mos e dëbonin. Mendova: Është hajn, dhe tani po e përzënë. Në kohën që po e mendoja këtë, imcaku doli çalë-çalë nga rrethi dhe pak e nga pak u tret në mjegullën, që kish nisur të mërtiste rrafshinat. Po regjistroja gjithçka në kasetë, dhe thashë: “Epo, këtu vendosej drejtësia për hajnat dhe ata që shkelnin ligjin.” E dija se kjo ishte një kohë tejet parake, por megjithatë e ndjeja se këta njerëz kishin një strukturë shoqërore dhe një vetëdije morale. Ata nuk më dukeshin të çuditshëm, hiq këtu petkat e tyre (apo, më mirë, mungesën e petkave); në të vërtetë, sipas mënyrës së tyre, ata dukeshin të këndshëm dhe të mirëushqyer. Pastaj skena ndryshoi. Nuk di ta përshkruaj se si ndodhi kjo me tamam, por qe si të shikoje një film – m’u duk sikur ndodhesha në një makinë kohe mendore. Vura re diçka që nuk e kisha pikasur më parë: një gur vigan të bardhë mu në qendër të rrethit. Figura me pelerinë shenjonte çdo burrë, i cili paskëtaj çohej dhe vendoste një shtizë tejet primitive te guri në trajtë altari, i cili dukej se kishte fuqinë t’u jepte burrave kurajë, ndërsa armëve të tyre zulmë.

Varreza më madhështore
Aty nga viti 1135 i Tënëzot, Xhefri i Manmëthit, në veprën e tij Historia e Mbretërve të Britonit, mëtonte se Stonhenzhi qe sjellë në Irlandë prej Afrike nga një fis gjigantësh; prej atje Merlini e solli përmes detit në vendin ku ndodhet edhe sot e kësaj dite. Me sa duket Merlini e kreu këtë punë për hesap të Ambroz Aurelianit, mbretin e bretonëve. Në Historinë e tij Xhefri thotë se Ambrozi varrosi në atë vend rreth 460 fisnikë të vrarë nga saksonët; veç kësaj, ai pohon se në afërsi të tij qenë varrosur edhe Uter Pendragoni (vëllai i Ambrozit dhe babai magjik i mbretit Artur) dhe mbreti Konstantin. Në vazhdim po japim fjalët që, sipas Xhefrit, Merlini i tha mbretit Ambroz:
Nesë ti [Ambroz] dëshiron të përnderosh varrezën e këtyre burrave me një përmendore të përjetshme, urdhëro të të sjellin Vallen e Gjigantëve, që ndodhet në një mal të Irlandës, në Killaraus. Sepse atje ndodhet një strukturë guri, që askush në kohën tonë nuk mund ta ndërtojë, pa patur njohuri të thella në artet mekanike. Ata janë gurë shumë të mëdhenj dhe më cilësi të mrekullueshme; po u vendosën këtu, ashtu siç janë atje, përreth këtij trualli, ata do të qëndrojnë përgjithmonë. Është interesante të vërehet se sa shumë pleksen emrat e mbretit Artur dhe të Merlinit me mitologjinë e Stonhenzhit. Unë besoj se këto dy figura kanë ekzistuar vërtetë, por jo në atë versionin e fryrë të letrërsisë. Një legjendë tjetër thotë se gurët iu blenë një gruaje irlandeze nga djalli dhe u ngritën në Rrafshinë e Salisbrit. Më duket i çuditshëm fakti që kur njerëzimi nuk di të shpjegojë diçka, përnjëherësh i jep një ngjyrim negativ, sidomos nëse ajo diçka ka ndodhur parpara epokës së krishterë. A thua se njerëzit nuk e kanë dashur Zotin përpara mbërritjes së Krishtërimit – madje asnjë lloj krijuesi, çfardo qoftë ai, më të madh se ata. Tani të flasim për druidët. Në kohën që ata dolën në skenë, brenda rrethit të jashtëm ekzistonin edhe shestime të tjera më të vogla prej guri. Këto formacione ishin bërë me një tjetër lloj guri, me gurkali, që sipas shkecëtarëve nxirrej në Uellsin jugperëndimor. Në shekullin XVII, druidët, që kishin vepruar në Britani për më shuëm se një mijë vjetë, u përfolën si adhurues të djallit, sikur bëni flije njerëzore dhe gjëra të këtij lloji. (Më duhet ta përsëris se sa herë që njerëzit nuk kuptojnë ndonjë gjë, ia përshkruajnë gjithnjë djallit.). Tek qëndroja atje, në atë muzg që po dendësohej, duke kundruar këto vegime si në një kaleidoskop kohe, pashë disa figura me kapuçë të bardhë, që po çapiteshin nëpër rrafshinë. Dukej se ishin ndonja njëqind syresh, që ecin në rresht për një. Nuk pipëtinte asgjë; një heshtje spirtuale mbuloi gjithçka – të njëtën gjë ndjenë edhe njerëzit që shoqëroja. Atmosfera, zogjtë, ajri … gjithçka prajti, si të kishim hequr velin e një kohe të largët. Ishte e qartë se qemë në praninë e priftërinjve druidë. Kur druidët iu avitën rrethit, m’u bë sikur mund të shihja rishmë këtë vend ashtu siç kishte qenë dikur, me të gjithë gurët nëpër vendet e tyre dhe “gurin e altarit” në mes. Disa priftërinj qëndronin brenda rrethit, kurse disa të tjerë rrinin si roje jashtë tij; të gjithë tok nisën të himnonin me një zë fort melodioz. Një burrë bëri një hap përpara – e vetmja gjë që e dallonte prej të tjerëve, ishte një gjalmë i artë perreth petkut të tij të bardhë. Qëndroi me krahë drejt përpjetë dhe nisi të himnonte me zë të lartë, si në një kor grek, apo nëpër të kremtet katolike, kur prifti psallt dhe grigja i gjegjet. Unë di latinisht, dhe himni kishte po atë timbër të rrjedhshëm, veç se ishte kue e ku më parak. Pashë burrin me gjalmin e artë të nxirrte nga petku një shpatë të bukur, të cilën e la mbi gurin e altarit; pas pak shpata nisi të vezullojë nga një dritë e florinjtë. Pasandaj, u shfaq një prift tjetër, që vuri në altra, përbri shpatës, figurinën e një gruaje lakuriqe, me këllqe e gjinj të mëdhenj. Dukej sikur të gjithë e përnderonin këtë idhull – lypset theksuar se ishte Perëndesha Mëmë. Paskëtaj, ata u kapën për duarsh dhe nisën rishmë të këndonin; himnimi i tyre ngjante me një psalltje gregoriane. Prijësi u kthye dhe të gjithë u ulën. Ia behën dy priftërinj të tjerë me qese, të cilat i hapen mbi altar. Fillimisht nuk e kuptoja ç’kishte në to, por pas pak pashë se ishin eshtra. Dukej sikur nderonin të vdekurit e tyre. Pasi u ulën dhe kënduan, kryeprifti mori shpatën, bëri një nojmë në drejtim të njërës prej hyrjeve midis gurëve dhe pastaj e drejtoi kah qielli. Pastaj doli nga njëra portë e hyri nga një tjetër bri saj, me shpatë gjithnjë kah qielli. (Mund të shikoja nëpër disa prej hyrjeve, ndaj dhe pa kaluar shumë kohë kuptova se, jo vetëm çdonjëra prej tyre ishte e kthyer në drejtim të lindjes së diellit, por edhe drejt galaktikave të ndryshme, përfshirë Andromedën.).  Priftërinjtë qëndruan ulur për një kohë bukur të gjatë, por pastaj, si t’iu ishte bërë me shenjë, secili i ra pas prijësit nëpër dyer, pa e hequr vështrimin nga qielli. Nuk pati asnjë flije njerëzore, asnjë gjakderdhje – qenë vetëm do figura spirituale, në përngjasim të murgjërve, që falenderonin hyjninë apo hyjnitë e tyre. E gjitha kjo ndodhi në harkun e një çasti, dhe përpara se ta kuptoja se çfarë ndjeja, udhëheqësja ime shpirtërore, Fransina, më tha: “Ata po shpërfaqin besimin e tyre: se, ne jemi rimishëruar shumë e shumë herë dhe se vimë prej galaktikash të tjera – gurët janë simbole të hyrjes sonë në këtë realitet.” Pothuajse si keltët e vjetër, por në një mënyrë akoma më të stërholluar, për sa kohë që na konsiderojnë shtegtarë në kohë, – mendova.Marrë nga libri Sylvia Broëne – Të fshehtat dhe misteret e botës.

Related

Reportazhe 1971121773256894524

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item