Një dashuri e pandryshuar

25 vjet pas arratisjes nga Shqipëria, artisti nga Shkodra, George (Gjergj) Pali, rikthehet në Tiranë për të hapur një ekspozitë personale në...

25 vjet pas arratisjes nga Shqipëria, artisti nga Shkodra, George (Gjergj) Pali, rikthehet në Tiranë për të hapur një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve


Gjergj Pali, sapo i kishte kaluar të 30-at, kur mori vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij. Një vendim i cili kishte dy rrugë: jetën apo vdekjen. Teksa largohej nga Shkodra për të marrë arratisjen atë mbrëmje drejt Jugosllavisë, ai nuk mund ta mendonte kthimin. E vetmja gjë që mendonte në ato orë plot ankth, ishte të mund t’ia dilte. Shkodra dhe kujtimet që kishte lënë në atë qytet, do të ishin çdo ditë me të, gjatë jetës së re që nisi në SHBA. Ai nuk mundi asnjëherë ta linte tej, jetën që kishte jetuar në Shqipërinë komuniste, dhe kur ishte në zemër të vendit më të lirë të botës. Gjergj Pali, ose George Pali siç njihet në SHBA ku jeton prej vitesh, nuk e ka humbur atdheun në punët e tij. Ngjyrat dhe çdo element tjetër që shihen në tablotë e realizuara prej tij në vite, kanë brenda gjithë shqetësimin e tij, për atë çfarë ndodhte në hapësirën që e la për të mos u kthyer më pas. Asgjë nuk mund ta qetësonte piktorin dhe pse ndodhej në një tjetër botë. Shpesh i ndodhte të zgjohej në mesnatë nga gjumi në shtëpinë e parë në Nju Jork, ndër ëndrra të çuditshme dhe të pyeste veten se përse fliste anglisht, apo ku ndodheshin miqtë e tij, pse ata ishin aq larg. “Gjithmonë do të më mungojnë shokët e miqtë që u rritëm bashkë, megjithëse u rritëm në një vend ‘traumatik’ në një kohë shumë tragjike, nga hija në dritë…” , thotë ai. Gati 25 vjet nga largimi nga Shqipëria, Gjergj Pali, nxënësi i Danish Jukniut, kthehet në Shqipëri i realizuar si piktor. Në Galerinë Kombëtare të Arteve u hap dje ekspozita e tij “Udhëtimi”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 14 nëntor. George (Gjergj) Pali i përket brezit të artistëve shqiptarë që u diplomuan gjatë viteve tetëdhjetë në Institutin e Lartë të Arteve (ILA) në Tiranë. Në vitin 1988, ai arratiset nga Shqipëria. Sot ai jeton si artist i lirë në SHBA, në Stamford, Konektikat. Në këtë ekspozitë, e para e tij në Galerinë Kombëtare të Arteve, ai paraqitet me një numër pikturash në vaj të prodhuara kryesisht vitin e fundit në studion e tij. “Krijimtaria e George Palit karakterizohet nga një kërkim artistik intensiv, i cili tregon rrugëtimin e piktorit me një fantazi të pasur, duke kombinuar zhanret e pikturës dhe kolazhit. Puna e Palit mbahet në dy kolona kryesore: në një reminishencë të nënndërgjegjshme të artistit që ka lidhje me muzikën, të cilën ai shpesh e kthen në një formë tejet të instrumentalizuar në tablotë e tij, dhe së dyti, në një kolonë tjetër, që buron nga një udhëtim nën traumë i autorit ku shpesh ai i drejtohet zanafillës së jetës duke e përshkruar atë me një humor tragjik të hapur në pikturat e tij”, thotë kuratori i kësaj ekspozite dhe miku i tij i vjetër, artisti Vladimir Myrtezai. Për të, “nga të gjitha viktimat e 50 viteve të regjimit komunist, George Pali është një nga ato viktima të mbijetuara, që e zgjidhën formulën e jetës drejt tokës së premtuar”. Shumë të tjerë tentuan nga burgjet komuniste që të fitojnë lirinë dhe të shpërndahen drejt tokës së premtuar dhe secili syresh ndërtoi një histori të vetën. Amerikano-shqiptari, George Pali, prodhoi një histori suksesi, një histori unike për nga fati dhe mjaft interesante për nga përzgjedhja. Myrtezai e ka vizituar Palin në studion e tij në Nju Jork, për të kuptuar më qartë atë çfarë kishte ndodhur pas vitit 1988. “Peizazhe të zgjeruara, me bollëk territorial dhe me një grandomani të panatyrshme, që shpjegonin në njëfarë mënyre gjerësinë e lirisë dhe të mendimit për të ngritur një ëndërr. Kontrastet dhe pamjet skenografike e mëdha, që të lënë gojëhapur. Një gjë impresionuese, që gjithë kohën e ndiqja paralelisht me historikun e vet, përmes filmash dhe personazhesh, duke i ngatërruar në kohë dhe kontekst, që më jepte një kënaqësi të rrallë si fakt dhe ja më në fund në studion e piktorit amerikano-shqiptar, mikut, shokut tim të fëmijërisë së hershme dhe të Akademisë së Arteve në Tiranë…gjithçka mund të kishte ndryshuar në themel, por dashuria për pikturën, qe po ajo që kisha zbuluar në shtëpinë pionierit, në rrethin e vizatimit të Ismail Lulanit (instruktor), në Kakarriqt në Shkodër. Kishin ngelur vetëm sytë e zinj që përloteshin nga lumturia, që po më prezantonte dhe pohonte një dashuri të pandryshuar. Këtu do fillonte dhe thelbi i ndërtimit tim kuratorial mbi veprën e George Palit”, tregon Myrtezai. George Pali vjen nga një familje me tradita që kanë lidhje kulturore të pasura me letërsinë, pikturën dhe teatrin. Dhe për shkak të mjedisit ku u rrit mori shenjat e para të dukshme të prirjeve të tij artistike. Kontaktet pas shkollës së mesme me piktorin Danish Jukni dhe shkollës së pikturës në trevat e veriut kanë lënë gjurmë në jetën e tij. Pas mbërritjes në SHBA ai kryen studimet pasuniversitare “Master of Fine Arts” në Michigan State University. “Tematika nga ku ndërtohet piktura e George Palit është koherente me atë që artisti reagon me gjërat në njëfarë mënyre, të cilat përcaktojnë identitetin e tij filozofik të jetës ku ai është i intriguar. Në fabulën mbi Arkën e Noes (The Book of Genesis) (ku thelbi i saj përbën gjenezën dhe korrigjimin e devijimeve njerëzore, korrupsioni dhe agresioni) dhe një tjetër kolonë mbajtëse që ka të bëjë me atë ëndërr të pakuptuar identitare dhe e paçuar deri në fund, në gjuhën e vet siç është muzika”, thotë Myrtezai. Nëse sheh me kujdes pikturat e Palit, ato janë një gërshetim gjendjesh njerëzore, të cilat teksa i sheh bëhen pjesë e së shkuarës tende. Ndoshta se historitë njerëzore janë të njëjta, dhe se vendi ku Pali i ekspozoi ka një shikues që vjen nga e njëjta përvojë. Po cilat janë gjërat që e frymëzojnë më tepër? “Udhëtimet, librat, muzika…muzetë…”, thotë ai. Pali ka ekspozuar në shtete të ndryshme të SHBA-së, por edhe në Kanada, Francë. Para se të largohej nga Shqipëria ai ka qenë pjesëmarrës në ekspozita të ndryshme kolektive pothuajse çdo vit nga viti 1980 deri më 1987, një vit para se të arratisej.

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item