Lagos, të luftosh frikën duke ndriçuar rrugët

Në ishullin e Lagosit, 21 milionë banorë ecin natën pa mundur të shohin se ku shkelin, teksa gangsterët e zonës përfitojnë nga errësira për ...

Në ishullin e Lagosit, 21 milionë banorë ecin natën pa mundur të shohin se ku shkelin, teksa gangsterët e zonës përfitojnë nga errësira për të terrorizuar, por drita po ndriçon ngadalë vendin
Reportazh
Nga Neal Razzell, BBC
  

Kur fluturon natën mbi Lagos, nuk të shkon kurrë mendja se atje poshtë janë 21 milionë njerëz. Nuk ekziston një mjegull portokalli siç ndodh kur i afrohesh qyteteve si Nju Jorku ose Londra (të dyja me rreth 8 milionë banorë). Duke pritur për ty në rrugët e Lagos është vetëm errësira. Dhe bashkë me të, frika.
Kalova ditë e net duke ndjekur ekipet e elektricitetit, të cilët po përpiqen ta ndryshojnë këtë. Ata po ndërtojnë gjeneratorë të mëdhenj dhe po instalojnë drita që anashkalojnë atë që nigerianët e quajnë flijimi epileptik i rrjetit të energjisë kombëtare.

Natën ekipet punojnë me punëtorë të sigurisë. Në ishullin e Lagos, njeriu në krye të sigurisë quhet Omo. Ai është i shkurtër dhe i mbushur. “Ti je i forti”, i thashë unë kur u takuam në anën e errët të një rruge. Lart, dritat e rrugës kishin ikur. Më poshtë, një elektricist gjendej në gjunjë me një elektrik dore në gojë dhe me një grumbull kabllosh ndër duar.
“Unë nuk jam i forti”, tha Omo, duke ngritur supet, me një mënyrë sjelljeje që sugjeronte se ai nuk ishte nga ata që shmangeshin nga telashet. Më pëlqeu Omo menjëherë. Jo vetëm sepse kisha qenë tashmë në lagje ku të bërtiturat dhe zhurmat dhe njerëzit vinin nga çdo drejtim; dhe kur ecën nuk mund ta shohësh tokën, ndaj mund të shkelësh çfarëdo lloj gjëje; dhe ku nuk e ke idenë përse një turmë djemsh të rinj ulërasin dhe zihen.
Omo dha sinjalin që plani të vazhdonte dhe së shpejti dritat u ndezën, nën psherëtimën e lehtë kolektive të njerëzve të mrekulluar që bënë “aaah”. Pashë përreth dhe u befasova. Nuk kisha asnjë ide që ishin aq shumë njerëz rreth meje. Ekipi filloi të paketonte mjetet e punës, ndërsa unë e pyeta Omon se përse atyre u duhej një shtesë sigurie në punën e tyre.

“Problemi i madh, tha ai, janë djemtë e zonës, gangsterë të rinj të cilët i ngacmojnë epiket e punës për para. Ata janë një kamxhik nëpër rrugët e Lagos”.
Një herë kisha ndaluar për të regjistruar zërin e fëmijëve të mbledhur në dritën e rrugës. Ata ishin veshur me rroba të bardha dhe këndonin lutje me një imam. Isha atje për rreth pesë minuta, kur një grup djemsh të zonës u afruan dhe filluan të kërkonin para prej personave që më shoqëronin. Ata u grindën në yoruba, gjuhën vendase. Më pas ne u larguam pa paguar asgjë, por kur fola me tregtarët e rrugës, më thanë se i paguanin rregullisht këtyre grupeve të gangsterëve 10 për qind të fitimeve të ditës.
Qeveria e Lagosit shpreson që drita ta ndryshojë këtë gjendje. Në marketin “Iyana Ipaja”, një qendër e madhe tregtare në veri të qytetit, janë shpenzuar 1.2 milionë dollarë për të instaluar dhe mirëmbajtur dritat.

Unë takova një burrë të quajtur Xhon, i cili shet alkool në një tezgë të vogël. Ai më tregoi për momentin kur dritat erdhën në atë rrugë rreth një javë më parë. “Kishte britma ngazëllimi përgjatë kësaj rruge, pyet këdo. Ne hapëm pije për njerëzit për shkak të dritës”, tha ai.
Xhoni dhe tregtarët e tjerë më parë e mbyllnin tregtinë kur dielli perëndonte rreth orës 6:30 të pasdites. Tani ai dhe të tjerët mund të qëndrojnë zgjuar sa të duan.
Sipas tregtarit djemtë e zonës ishin zhdukur dhe përfitimet ishin shtuar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për të tjerët që janë të detyruar të bëjnë tregti në rrugët e errëta të Lagos. Vendasit po kuptojnë që së bashku me dritën, po vjen ndryshimi. Sa më shumë ndriçim të ketë, aq më të lehta bëhen punët dhe aq më shumë ulet tensioni dhe frika ndaj gangsterëve.
Ekipi i elektricistëve ka akoma punë për të bërë përpara se të arrijë në rrugët dytësore. Plani është që fillimisht të bëhen rrugët kryesore, më vonë të punohet në lagjet e pandriçuara. Deri më tani, elektricistët kanë ndriçuar 190 kilometra rrugë, por në vend janë më shumë se 13 000 kilometra.

Related

Reportazhe 2406752197141465406

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item