Kultura e masave? - EDMOND TUPJA
EDMOND TUPJA Dikur, në kohën e qepës moniste, është folur gjatë për “vijën e masave” që duhej zbatuar me besnikërinë e rreptësinë më të madh...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/10/kultura-e-masave-edmond-tupja.html
EDMOND TUPJA |
Dikur, në kohën e qepës moniste, është folur gjatë për “vijën e masave” që duhej zbatuar me besnikërinë e rreptësinë më të madhe në të gjitha fushat e jetës, përfshirë artin dhe kulturën: të gjithë shkrimtarët, kineastët kompozitorët, skulptorët dhe piktorët duhej të krijonin vepra të tilla të partishme që të ishin të kuptueshme jo vetëm për intelektualët, por sidomos për punëtorët dhe fshatarët, pra, për masat e gjera të popullit. Madje, aparati ideologjik i diktaturës hoxhiste sajoi edhe të ashtuquajturin “kontroll punëtor”, që kishte për detyrë të ushtronte mbikëqyrjen e vet klasore mbi intelektualët dhe artistët e lartpërmendur, në mënyrë që ata t’i përmbaheshin pikë për pikë “vijës së masave”, e cila i kundërvihej pa mëshirë krijimit të elitave, dhe kjo në përputhje me parullën leniniste, sipas së cilës “[në socializëm] edhe një kuzhiniere duhet të merret me punët e shtetit”. Sot, mbi njëzet vjet pas shembjes së komunizmit dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri, askush nuk flet më për “vijë masash”, por fakti është që, nën ndikimin e fortë të zhvillimeve social-kulturore në vendet perëndimore, edhe te ne është krijuar e po shtrihet gjerë e gjatë (mjerisht edhe thellë) e ashtuquajtura “kulturë e masave”. Si mund ta përkufizojmë këtë tip kulture? Ja si shprehet lidhur me këtë dukuri, në pamfletin e tij “Eloge de l’élitisme” (Lëvduar qoftë elitizmi), sociologu belg Claude Javeau, profesor në Universitetin e Lirë të Brukselit: “Kohë e quajtur e ‘lirë’, dëfrim(e), industri kulturore, zbavitje, media për masat: e gjithë shoqëria perëndimore [...] përjeton epokën e argëtimit, të entertainment-it, kësaj dege tregtare të ‘kulturës’ planetare, World Culturein, emblemat e të cilit janë Walt Disney, çifti Nike-Adidas, McDonald’s-i, Interneti, Coca- Cola. Një botë krejt më vete: bota jonë”. A nuk i gjejmë sot në Shqipëri këto shfaqje të “kulturës së masave”, të këtij mohimi të elitave, gati njësoj si e dikurshmja “vijë e masave”? Le të shtojmë këtu edhe Big Brother- in, Miss Universin, Miss Botën, Miss Globin, Miss Albania-n, Miss Shqipërinë, Miss Tiranën, Miss Shkollën, Miss Klasën, Miss Mëhallën, Mis Pallatin, Miss Shkallën e Mister Pallën etj., etj. dhe do të kemi një pasqyrë më të plotë të “kulturës së masave” te ne. Për ta karakterizuar më qartë këtë lloj kulture, është përdorur, sigurisht nga kritikët e saj, termi “nënkulturë”. Kritikë të tjerë e kanë vënë me kohë theksin te fakti që gjithë kjo “nënkulturë” është, në një masë të konsiderueshme, një biznes shumë fitimprurës. Të tjerë akoma shohin tek ajo një manipulim mendor, një drogë tinëzare për trullosjen e masave. Nga ky këndvështrim, edhe sporti nuk mbetet prapa: Shikoni skandalet lidhur me shitjet e ndeshjeve dhe me bastet. Sot, një futbollist virtuoz vlen me miliona euro apo dollarë për vite të tëra, kurse një shkencëtar apo një artist që, si shpërblim për veprën e tij në dobi të njerëzimit, vlerësohet me çmimin “Nobel”, merr, me sa di unë, diçka më shumë se një milion euro apo dollarë, dhe kjo vetëm një herë në jetën e vet. Nga ana tjetër, publiciteti, pa pikë dyshimi faktor fitimprurës për firmat prodhuese apo tregtare, është bërë aq i pranishëm në jetën e njeriut modern, sa po përthith në shërbimin e tij edhe artistë të njohur, dukuri kjo e pranishme jo vetëm në vendet tjera, por edhe tek i yni, duke u shndërruar kështu në një “kulturë masash”; madje, në disa vende të Europës, struktura të caktuara publicitare organizojnë edhe festivale ku i thuren lavde pikërisht publicitetit para një publiku entuziast. Në pamfletin e tij, Claude Javeau-i i bie fort kambanës së kushtrimit kur shkruan, edhe për ne, shqiptarët, ndër të tjerë: “Ndoshta e mbajmë mend që në epokën kur mori hov sociologjia e argëtimeve, teoricienët e saj më të famshëm u kishin veshur këtyre, pra argëtimeve, ose më saktë, kohës së lirë të vënë fisnikërisht në dispozicion të tyre, tri funksione thelbësore: çlodhjen, zbavitjen dhe zhvillimin e personalitetit”. Sot, fatkeqësisht, tendenca është, jo vetëm në vendet e zhvilluara, por edhe në Shqipëri (për këtë lexuesi im i ndershëm është vetë dëshmitar), që të privilegjohen vetëm dy funksionet e para, sepse njeriu, si përkufizim (sidomos, posaçërisht dhe në veçanti i quajturi homo albanicus), ka më tepër qejf qejfin sesa punën që kërkon prej atij pikërisht zhvillimi i personalitetit.